Kriza, Bode: Po e pësojmë nga paniku

FORUM/ Flasin ekspertët: Qeveria ka pak në dorë

Gjergj Erebara, Ard Kola

Pas kërkesave të vazhdueshme nga biznesi për masa antikrizë, vlerësimeve të fundit nga Banka e Shqipërisë për përgjegjësinë e qeverisë, dhe së fundmi nga sindikatat për rritje të papunësisë, vjen qëndrimi i ashpër i ministrit të Financave. "Ekonomia shqiptare nuk ndodhet në krizë. Ajo çka po ndodh aktualisht vjen si pasojë e panikut, i cili shkaktoi uljen e likuiditetit në banka". Deklarata e ministrit Bode vjen së fundmi pas përplasjes me krerët e sindikatave, të cilët akuzojnë qeverinë se nuk po merr masa ndaj krizës ekonomike që ka përfshirë disa biznese, pasojat e të cilës janë shtimi i radhëve të të papunëve. Ditët e fundit janë shtuar presionet ndaj qeverisë nga grupet e ndryshme të interesit, por Kryeministri Berisha nuk e pranon faktin se ekonomia shqiptare po jep shenjat e tkurrjes. Vetë kreu i Financave, pranon ndikimet e para negative në disa sektorë, por hedh poshtë përgjegjësinë që ka qeveria në marrjen e masave. Debati i djeshëm mes ministrit Ridvan Bode dhe kreut të Sindikatave, Kol Nikolla, u zhvillua gjatë mbledhjes së radhës të Këshillit Kombëtar të Punës, ku nuk mungonte dhe ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale.

 

Përplasja

 

I ndodhur në një tryezë bashkë me sindikatat, ministri i Financave gjen rastin për t‘iu përgjigjur kritikave në adresë të tij dhe qeverisë së djathtë, lidhur me situatën ekonomike në tërësi. "Ne mendojmë se kriza nuk do të prekë ekonominë që të rrisë nivelin e papunësisë, madje ne besojmë se fillimi i vitit 2009 do të shënojë rënie. Kemi rezerva valutore të paprekura, kemi zhvleftësimin më të ulët të lekut me 5.1 për qind dhe kemi marrë masa që gjatë 2009 të mos kemi krizë", u shpreh Bode. Sipas tij, Shqipëria për vitin 2009 është tërësisht e mbrojtur nga kriza ekonomike, e cila ka prekur shumë vende të botës dhe që sipas parashikimeve të institucioneve të njohura ndërkombëtare pritet të shkaktojë rreth 20 milionë të papunë në botë. Pas kësaj deklarate ka reaguar kryetari i konfederatës së sindikatave të pavarura, i cili ka renditur me shifra disa nga sektorët e prekur nga kriza ekonomike. Sipas Kol Nikollës, disa ndërmarrje të rëndësishme në vend kanë larguar nga puna me mijëra vetë, ndërsa të tjerë janë duke u përgatitur për një reformë të tillë. Për ministrin Bode, largimet nga puna në sektorin provat nuk tregojnë shenja krize, por dinamizëm në ekonomi. "Ju siguroj, se nëse dalin të papunë 300 punonjës, diku tjetër, është shtuar numri i të punësuarve. Kjo është ekonomia e tregut. Mbyllet një biznes, hapen dhjetëra të tjerë", theksoi ministri, i cili më pas ngriti tonin ndaj sindikalistëve. "Ju nuk mund të përdorni për qëllime politike, duke hapur panik tek opinioni. Paniku është problemi më i madh i yni. Vetëm në muajt e fundit të 2008 dolën nga bankat rreth 60 miliardë lekë, vetëm pasi zëra të ndryshëm hapnin panik për rënie ekonomie. Ato para që dolën nga bankat ishin kredi për bizneset dhe individët. Pra kriza vjen nga paniku, i cili sjell mungesë likuiditeti", tha ministri i Financave. Në këtë pikë, bankat raportojnë një nivel tërheqjeje të parave në masën e rreth 35 miliardë lekëve ose rreth 6 për qind e depozitave.

 

Kritikat

 

Jo më larg se dy ditë më parë, Banka e Shqipërisë mori guximin të deklaronte se një pjesë e përgjegjësisë për situatën aktuale të ekonomisë e mban qeveria. Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së, drejtuar nga guvernatori Ardian Fullani, doli me një qëndrim të ndryshëm nga ajo e qeverisë, ku faktori kryesor është masa e lartë e borxhit. Sipas Bankës së Shqipërisë, qeveria tejkaloi deficitin dhe rriti borxhin e brendshëm, duke mos i dhënë mundësi sistemit për likuiditet. Nga kjo situatë, u krijuan kushte për rritjen e interesave të lekut.

Bode dhe Fullani flasin ndryshe për krizën

 

Ministri i Financave, Ridvan Bode, dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, do të mbajnë secili nga një leksion në dy universitete të ndryshme mbi gjendjen aktuale të ekonomisë së vendit dhe pasojat e krizës botërore. Banka Qendrore dhe Ministria e Financave kanë pasur mirëkuptim të gjerë mbi çështjet ekonomike gjatë viteve të fundit, por gjatë dy ditëve të shkuara, BSH-ja është distancuar dukshëm nga qëndrimi i qeverisë në lidhje me situatën aktuale ekonomike. BSH-ja shpalli qeverinë pjesërisht fajtore për shumë probleme ekonomike, përfshi rritjen e deficitit të llogarisë korrente dhe tejkalim të objektivit të borxhit të brendshëm. Tejkalimet e shpenzimeve të qeverisë, shoqëruar me faktorë të jashtëm, si rënia e remitancave apo tkurrja e eksporteve, mund të kthehen në probleme shumë serioze për vendin. Kreu i Financave, Ridvan Bode, përsëriti dje qëndrimin e tij se Shqipëria nuk ka krizë, por se opozita dhe të tjerë po përhapin panik.

Debati mbi krizën merr tone mitologjike

 

Palët grinden, ndërsa ekspertët besojnë se qeveria ka shumë pak në dorë

"Media e opozitës flet për krizën me më shumë pasion sesa (poeti i famshëm pers) Omar Khajam flet për dashurinë", tha Kryeministri shqiptar, Sali Berisha së fundmi, pasi u pyet nëse Shqipëria është prekur apo jo nga kriza financiare globale. "Ne jetojmë në të njëjtin vend dhe unë nuk shoh asnjë shenjë krize", shtoi Berisha.

 

Qeveria do të përballet me votuesit më 28 qershor dhe këmbëngul se ekonomia shqiptare është një "përjashtim nga bota". Ajo thotë se rritja ekonomike do të jetë në 2009-ën po aq e fortë sa vitin e kaluar.

 

Opozita e majtë, në anën tjetër, paralajmëron se politika e mohimit të vështirësive ekonomike është po aq e rrezikshme sa vetë kriza. Ato thonë se vendi po varfërohet çdo ditë dhe se volumi i tregtisë së jashtme do të rrëzohet.

 

Udhëheqësit e biznesit kanë mendime të ndryshme dhe janë të ndarë njësoj si politikanët kur diskutojnë mbi efektet dhe pasojat e krizës ekonomike.

 

"Shqipëria është shumë pak e prekur nga kriza", thotë Philip Bay, president i Dhomës Shqiptaro-Amerikane të Tregtisë. "Për këtë vit, slogani ynë duhet të jetë: ‘Për çfarë recesioni po flisni?!‘" Ndryshe nga optimizmi i Bay, të tjerë biznese kërkojnë ndihmë. "Ne kemi 4 mijë apartamente të pashitura në kryeqytet. Njerëzit nuk mund t‘i blejnë, sepse bankat nuk ofrojnë kredi", deklaroi Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë. "Në kohë të tillë vështirësish, euforia është e pakuptimtë. Qeveria duhet të mendojë se çfarë mund të bëjë", shtoi shoqata.

 

Shqipëria u përball me vështirësi në rifinancimin e borxhit të vet, interesat kanë arritur kulmin e shtatë viteve të fundit, ndërsa leku ka humbur 6 për qind të vlerës kundrejt euros.

 

Remitancat, të cilat ndihmojnë familjet më të varfra në vend për të mbijetuar kanë filluar të ulen, për shkak se shqiptarët që punojnë jashtë vendit po humbasin punën. Italia dhe Greqia, ku më shumë se një e katërta e popullatës shqiptare punon, janë dy vendet më të prekura nga kriza ndërkombëtare. Rreth një milion shqiptarë jetojnë jashtë vendit. Vetëm 400 mijë shqiptarë janë të punësuar dhe marrin pagë çdo muaj në Shqipëri.

 

Eksportuesit e veshjeve dhe këpucëve janë sakaq në vështirësi dhe kërkojnë ndihmë nga qeveria për të shmangur pushimet masive nga puna. Ata prodhojnë gjysmën e eksporteve të vendit. Këpucët që qepen në Shqipëri, eksportohen në Itali dhe kjo e fundit i eksporton në të gjithë botën. Por, eksportet italiane të këpucëve ranë me 40% gjatë janarit të këtij viti, gjë që paralajmëron rënie po kaq drastike të eksporteve shqiptare. Veshjet dhe këpucët punësojnë 30 mijë shqiptarë, përgjithësisht gra dhe vajza që jetojnë në periferitë e varfra të qyteteve të mëdha. Eksportet e tyre gjatë janarit ranë me 5 për qind.

 

Ilir Ciko, një ekonomist nga partia opozitare G99, tha se lajmet janë shqetësuese, ndonëse krizë nuk do të thotë katastrofë.

 

"Ky vend ka parë shumë kriza në dy dekadat e fundit", tha ai. "Në të gjitha rastet ka pasur pranim të realitetit dhe janë marrë masa kundër krizës. Ne jemi në një udhëkryq kur duhet të marrim një vendim", shtoi ai. Sipas Cikos, Shqipëria, si një vend i vogël, nuk ka mjete për të kompensuar humbjet që vijnë nga kriza botërore.

 

"Shqipëria është si një fije bari në ekonominë botërore", thotë Omer Stringa, dekani i Fakultetit të Ekonomiksit në Universitetin e Tiranës. "Kur vjen stuhia, fija e barit mund të shpëtojë e paprekur, por nëse stuhia zgjat, bari do të thyhet".

 

"Qeveria duhet të mendojë se si do t‘i mbushë vrimat e krijuara nga të ardhurat më të pakta, ndërsa duhet të gjejë mjete për të mbuluar rritjen e shpenzimeve për borxhin publik", tha Milva Ekonomi, ish-drejtoreshë e INSTAT-it. "Gjithsesi, ne jemi një vend me të ardhura të ulëta dhe nuk ka shumë hapësirë për të vepruar".

 

Sipas FMN-së, ekonomia shqiptare do të rritet mes 2 dhe 3 për qind këtë vit, nga 6 për qind vitin e kaluar. Problemi është se qeveria ka programuar të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit mbi rritjen ekonomike 5.5% dhe deficiti i programuar, shoqëruar me rënien e të ardhurave fiskale, mund të kthehet në rrezik për stabilitetin e vendit.

 

"Kriza ekonomike nuk do të zgjidhet në Shqipëri", deklaroi pak kohë më parë, përfaqësuesi i FMN-së, Gerwin Bell, pa e fshehur ironinë ndaj deklaratave optimiste të qeverisë. Në këtë rast, ministri Ridvan Bode iu përgjigj: "Kjo nuk është kohë për parashikime tip Kasandre", u shpreh ai.

 

Në mitologjinë greke, Kasandra, e bija e mbretit të Trojës Priam, kishte marrë dhuratë nga Apollo aftësinë për të parashikuar të ardhmen, por qe dënuar që paralajmërimet e saj të mos merreshin parasysh.

 

Ndërkohë, INSTAT ka raportuar rritje ekonomike dyshifrore për Shqipërinë në tremujorët e parë të vitit 2008, një fakt që sipas qeverisë, tregon se vendi nuk është prekur. Por, shifrat e INSTAT-it, të cilat e kanë burimin në të dhënat e ministrive të ndryshme të kontrolluara nga një qeveri e fiksuar me shifrat, nuk pranohen si të sakta.

 

"Unë nuk mendoj se është një vlerësim i saktë, sepse është më i lartë sesa parashikimi i FMN-së për rritje 6 për qind", tha ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani. "Kjo është njësoj sikur një makinë që po ecën me 60 kilometra në orë, papritur të rrisë shpejtësinë në 100 kilometra në orë. Është e pamundur që ne të mos e vërenim një ndryshim të tillë", tha ai.

 

Ekspertë të tjerë thonë se një rritje ekonomike prej 10 për qind, nënkupton që ekonomia shqiptare të jetë konkurruese në produkte me fqinjët e vet evropianë, gjë që ka shumë pak gjasa.

 

"Në Shqipëri nuk ka statistika të besueshme për të parë efektet e krizës", thotë Omer Stringa. "Ndoshta optimizmi i qeverisë nuk është një strategji aq e keqe antikrizë, për shkak se paniku është problemi më i madh në një situatë të tillë", u shpreh ai.

5 Komente

Panikun e ka zene kete qeveri. Tjeter gje thote Bode , tjeter Ruli dhe tjeter Berisha ne darke.. Shume te pa-afte jane! Vota per kete ne qeshor eshte vote per ti vene minat Shqiperise njeher e pergjithmone.

Qe banka qendrore i thote qeverise para zgjedhjeve "kujdes me shpenzimet" nuk eshte e pazakonte. Pavaresisht krizes ekonomike Banka duhet te vazhdoje te ruaje pavaresine e saj. Artikulli eshte nje permbledhje e mire.

me pelqeu kjo e thena e Cikos:

"Sipas Cikos, Shqipëria, si një vend i vogël, nuk ka mjete për të kompensuar humbjet që vijnë nga kriza botërore."

Humbje do kete nga eksportet, nga te ardhurat e emigranteve, nga humbja e vleres se lekut. Kjo ka qene e ditur qe ne fillim dhe nuk e ka kundershtuar njeri. Ideja ka qene qe sa mund ta zbusi qeveria qe ta minimizoje kete humbje, dhe ne te njejten kohe ta pembaje borxhin.

 

Paniku eshte nje faktor real. Bode thote:

"Vetëm në muajt e fundit të 2008 dolën nga bankat rreth 60 miliardë lekë, vetëm pasi zëra të ndryshëm hapnin panik për rënie ekonomie. Ato para që dolën nga bankat ishin kredi për bizneset dhe individët. Pra kriza vjen nga paniku, i cili sjell mungesë likuiditeti", tha ministri i Financave. Në këtë pikë, bankat raportojnë një nivel tërheqjeje të parave në masën e rreth 35 miliardë lekëve ose rreth 6 për qind e depozitave."

Pervec mosperputhjes se shofrave ne fillim dhe ne fund te paragrafit, Bode mund te na thote se cfare masash jane marre. Psh, rritja e garantimit te depozitave ishte nje mase e mire, megjithese e vonuar. A ka nevoje te rritet me shume?

nga ana tjeter jane ata te ndertimit qe e dine shume mire se si duhet t'i pergjigjen tregut ne kete pike. Ata thone:

"Ne kemi 4 mijë apartamente të pashitura në kryeqytet. Njerëzit nuk mund t‘i blejnë, sepse bankat nuk ofrojnë kredi", deklaroi Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë. "Në kohë të tillë vështirësish, euforia është e pakuptimtë. Qeveria duhet të mendojë se çfarë mund të bëjë", shtoi shoqata.

Nderkohe qe cmimet e apartamenteve kane vajtur ne stratosfere dhe kur pritet qe cmimet te bien sepse nuk po i blen njeri, perse nje njeri me mend do harxhoje kredi per te blere nje apartament te mbivleresuar?

      Cmimet nuk bjene sepse ndertuesit rine gjith diten neper klube e restorsnte , prvec pjatave dhe pijeve te shtrenta mbajne makinen llogaritese ne tavoline dhe bejne hesape se sa te pasur jane , dhe me teper ju shtohet oreksi per te harxhuar lek . Une nuk do ta deshiroja me te vertete , por per momentin me vjen nje deshire qe kriza te vazhdonte nja 2-3 vjet dhe atehere ndertuesit do te integroheshin vertet ne tregun real te ndertimit .

       Mos luhatja e cmimeve vjen si pasoje edhe e fitimit jashte zakonisht te madh te ndertuesve , kjo ka si pasoje qe keta kane akoma lek neper xhepa dhe kane mundesi te presin , pra sa me pak vazhdon kriza aq me mire eshte per ta por nese kriza do zgjaste 2-3 vjet do i detyronte keta qe te ulnin cmimet . Ne cdo ekonomi kapitaliste te konsoliduar luhatja e cmimeve ndodh ne moment real ne baze te kerkese ofertes sepse konkurenca eshte e lire dhe e ashper , ndersa ne shqiperi luhatja e cmimeve "ja ka futur gjumit "

Per krizat ne Shqipri ka deshtuar edhe FMN  Ne vitin 1991 deri ne vitin 1995 kishte parashikuar te vdisnin per buke 50 mije shqipo smiley. As ka pas e as ka per te patur krize ndonjehere ne Shqipri.. smiley  Aty cdo gje eshte " O Mete per vete" ! Qejf i madh kur flet me fjale te mufatme ne fushen ekonomike , sikur me te vertete te kete nje Ligjesi apo nje Rregull normal ne ecurine Shqiptare ???? smileysmiley 

A mund te kete menjerez me te paafte (ose moskokecares) se ministri Bode. I njejti minister financash ne vitet 96-97 dhe i njejti minister financash ne nje nga krizat me te moedha globale qysh prej vitit 1929. Ironia e fatit?!

Pa dashur ti hyj detajeve dhe treguesve ekonomik, them qe mesa duket per Boden, shqiperia eshte pjese ekonomise globale por ka nje pavarsi te padiskutshme prej saj, nderkohe qe: FMN mendon ndryshe, Banka shqiptare mendon ndryshe, cdo vend i botes eshte i kapur nga kriza (aq me teper vendet e evropes lindore) exportet jane rritur dhe remitancat jane ne ulje.

 

Doni me per BODEN.....

 

 

 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).