Kriza, apartamente luksi në shitje në Tiranë

Kriza financiare që ka përfshirë vendin, ka nxjerrë në shitje një sasi të jashtëzakonshme dyqanesh, biznesesh dhe apartamentesh luksoze, ndonëse çmimet për këto lloj pronash nuk kanë dhënë asnjë shenjë uljeje, bëjnë të ditur burime nga tregu i pronave të paluajtshme.

"Zyrat e shit-blerjeve të pronave të paluajtshme janë përmbytur nga kërkesat për të shitur apartamente superluksoze apo dyqane nga më të shtrenjtat", tha një agjente. "Më parë, prona të tilla nuk shiteshin me reklamime nëpër stenda, apo me njoftime gazetash, por nevoja për likuiditet të shpejtë i ka bindur shitësit të kërkojnë blerës direkt në rrugë", tha ajo.

Kurrë më parë në Tiranë nuk qenë reklamuar kaq shumë prona luksi njëkohësisht. Për shitje janë nxjerrë apartamente në qendër që kishin vite që nuk qenë në shitje. Dyqane për të cilat kërkohet gjysmë milioni euro, apo edhe një milion euro, janë nxjerrë në shitje. Apartamente me sipërfaqe mbi 100 metra katrorë dhe që kushtojnë 1500-200 euro për metër katror. Asnjëherë më parë në Tiranë nuk ka pasur kaq shumë prona luksoze në shitje në të njëjtën kohë.

Çmime jashtë realitetit

Nxjerrja në reklamim e apartamenteve super të shtrenjta të Tiranës vjen pasi përpjekjet për të gjetur blerës në rrugë të tjera kanë dështuar, thonë ekspertët. Shumë kompani të shitblerjes së pronave po përpiqen t‘i bindin njerëzit se çmimet së paku në qendër të Tiranës nuk kanë rënë dhe nuk ka gjasa të bien.

Për dyqanet luksoze të nxjerra në shitje, çmimet janë jashtë realitetit, dhe nuk pasqyrojnë një normë kthimi të logjikshme nga investimi. "Kjo është hera e parë që biznese të gatshme, si kafene apo restorante, dalin në shitje në numër të konsiderueshëm. Si shitësit, ashtu edhe blerësit janë pa eksperiencë në këto lloj shitjesh", tha një agjente pronash të paluajtshme.

Rezistencë me çmime

Shoqata e Ndërtuesve beson se kriza e çmimeve që ka përfshirë pronat e paluajtshme në periferi të kryeqytetit apo apartamentet në plazhin e Durrësit, nuk do të përfshijë edhe qendrën e Tiranës. "Në zonën brenda Unazës, apo në Selitë, çmimet do të rezistojnë", komentojnë ata. Deri më sot, së paku në dukje, çmimet kanë rezistuar, por kjo jo për shkak të shitjeve. Apartamentet luksoze që janë nxjerrë në shitje nuk janë ndërtime të reja. Ato janë rihedhur në treg për herë të dytë apo të tretë dhe shitësit nuk kanë ndër mend t‘i shesin për çmime më të ulëta nga ato të blerjes.

Kriza mbërrin te qendrat tregtare

Kriza financiare globale ka detyruar disa kompani që programonin hapjen e qendrave të reja tregtare në vend të pezullojnë planet e investimeve deri në një kohë të dytë. Në Shqipëri ka aktualisht mbi 140 mijë metra katrorë sipërfaqe tregtare në ndërtim. Disa prej projekteve thjesht janë shtyrë në pritje të përmirësimit të ekonomisë botërore. Ekspertët e pronave të paluajtshme thonë se shitjet me pakicë në veshje, elektroshtëpiake apo mallra të tjera jashtë grupit të ushqimeve, varen veçanërisht nga remitancat dhe për pasojë pritet të vuajnë këtë vit. Remitancat pritet të ulen në 2009-ën nga 11.5% e PBB-së, në 9.5% sipas parashikimit të FMN-së, gjë që do të thotë se afërsisht 200 milionë euro më pak do të jenë të disponueshme për konsumatorët shqiptarë. Agjentët e pronave të paluajtshme thonë se shumë dyqane kanë filluar sakaq të rinegociojnë qiratë dhe se çmimet kanë tendencë të bien.

5 Komente

Nuk eshte se ndertuesit tane kane ndonje fantazi te madhe biznesi qe ti duhet likuiditet. Nuk e rr.jne fare po qe se i shesin nje vit me vone. Edhe lendet e para nuk e rr.jne fare ti pagujne me pare te thata (po deshe merr nai apartament ose prit edhe ti si gjithe te tjeret se krize eshte) 

Ju qe keni blere apartamente te pa hipotekuar fusni sa me shpejt mobilje dhe paguni ca fatura dritash qe te merrni posedimin te pakten.

Jane dy menyra per te blere apartamente apo edhe objekte te tjera:

1- te jesh emigrant dhe te kesh kursyer para 2008-tes

2- te maresh kredi nga bankat rajonale ne vend.

Versioni i pare pak a shume e ka dhene frytin, duke pare qe nje sasi e madhe apartamentesh jane shitur para 2008-tes. E gjithe vemendja ne kete moment eshte sesi te gjehen bleresit.

Versioni i pare duket pesimist per te ardhmen, duke mare parasysh qe shumica e emigranteve jane stabilizuar ne vendet qe jetojne, keshtu qe mundesite per investime te metejshme jane te pakta.

Versioni i dyte tani per tani duket qe edhe ai eshte pezulluar - kjo per shkak te krizes globale. Cfare do krijoi interes te vecante per biznesin imobilar eshte strategjia afatgjate e kredive te leshuara nga bankat. Mos harroni qe Shqiperia nuk do kete imunitet ne kete aspekt, per vete faktin qe kredite  jepen me interes, dhe kjo e komplikon shume gjendjen. Pamundesia per te lare kredite dhe pamundesia e shtetit/bankave per ta mbledhur ate, mund te krijoje probleme sociale te ngjashme me ate te 97-tes.

Te mbushim faqet e gazetes, nuk e njoh Tiranen, po apartamente "luksi" se kisha degjuar e pare se ka Tirana.

Duhet te jete Tirana e shtypit.

Ne Tirane ka ca apartamente luksi me qebabtore ne kat pare qe cke me te, sa edhe ato ne Paris qe shohin ne Champs Elysees i kane zili. Me te preferuarit jane sidomos apartamentet me distance 2 meter nga pallati tjeter sa qe po zgjate doren i kruan ....shpinen komshise tjeter ne banjo.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).