Krimineli shqiptar në kinemanë greke dhe më tej

Një tjetër provë për stereotipet negative në shoqëritë evropiane. E vetmja mënyrë për të barazpeshuar imazhin negativ, ose për ta tejkaluar e mposhtur atë, është ndërtimi i një imazhi pozitiv nëpërmjet artit, po jo një arti amator e qesharak

Rastësisht, njëri pas tjetrit, pashë tre filma krejt të ndryshëm, por që lidheshin nga fakti se që të tre kishin kriminelin në qendër të fabulës, që të tre ishin pa personazhe pozitivë, e që të tre, me karaktere që gradualisht ndryshojnë pozicionim në ngjarje.

Por në konceptimin e secilit kriminel, në lidhjen e kriminelit me publikun dhe në lehtësinë apo vështirësinë me të cilën arrihet ndjesia e fajit dhe pendimit, si dhe në burimin apo shkakun e ndërgjegjësimit të kriminelit për krimin e vet, këta tre filma janë botë të tëra larg.

Krimineli shqiptar është vënë nën një lente shumë të ndryshme nga tufa e kriminelëve francezë, dhe po aq ndryshe shfaqet, edhe evoluimi i tyre njerëzor, dhe pa dyshim edhe lidhja, identifikimi apo armiqësimi i tyre me publikun.

Filmi i parë ishte prodhim francez i Louis Malle "Ascenseur pour l'échafaud" 1958 (Ashensori për në trikëmbësh), me aktoren e njohur Jeanne Moreau. Një tufë njerëzish të papërgjegjshëm që për dashuri, qejf, lehtësi, apo eliminim bezdish të vogla nuk e kanë për gjë të vrasin.

Tjetri greko-gjerman, "Eduart" 2007, i Angeliki Antoniou-t, me shumicën dërrmuese të aktorëve shqiptarë, mes të cilëve në rolin kryesor aktori kosovar Eshref Durmishi. Ky i fundit në rolin e një djaloshi shqiptar që vret një grek - po që mund të kish vrarë këdo, pa iu dridhur syri.

Dhe i fundit, filmi grek "Peng"- 2005, i Constantine Giannaris, me disa aktorë shqiptarë, por në rolin kryesor të një shqiptari që merr peng dhe terrorizon një autobus të mbushur me grekë, i përndjekur nga dy polici dhe dy shtete, është greku Stathis Papadopoulos.

Pak më intereson krimineli francez në vetvete për këtë shkrim, por është me rëndësi të analizohet, sepse ai nxjerr në pah më mirë tiparet me të cilat ndërtohet krimineli shqiptar, dhe padrejtësinë e një imazhi të anshëm filmik përkundruall.

Imagjinoni veten si publik të zakonshëm që analizon dhe e merr me vete ideologjinë filmike, aq sa analizon publiku mesatar pa përgatitje të veçantë kritike.

Çfarë linjash paralele ose ndryshimi mund të ravijëzohen kur krahasojmë këta tre filma?

Filmi francez me tufën kriminale franceze është ngjarje fiktive, ndërsa dy filmat grekë me akte kriminale shqiptarësh janë të dy të bazuara në ngjarje reale.

Kriminelët francezë janë të butë, njerëz që përndryshe janë të respektuar e me pozicion të pranueshëm shoqëror, që bien në grackën e krimit si pa dashje ose nga mëndjelehtësia a pasioni, dhe madje as nuk e ndërtojnë mirë krimin.

Askush nuk i ka keqtrajtuar kur ishin fëmijë, dhe shoqëria vazhdon të mbajë anën e tyre. Krimineli francez vret se është i papjekur, se është mësuar të luajë, se është i lirë të reagojë, vret një njeri që është mbikënaqur në jetë, ndoshta në kurriz të të tjerëve, që është i korruptuar dhe shumë i pasur, gati-gati as të vjen dot keq për viktimën e këtij lloj krimineli.

Pra viktima është një galeri imorale që nuk e armiqëson publikun me kriminelin, madje e bën disi të ndihet në anën e tij, ose së paku ta pranojë atë si njeri.

Publiku më i rreptë e moralist do ta shihte në këtë dritë filmin francez: një grua që e do të shoqin të vdekur që të rrijë me të dashurin për të cilin është krejt e marrosur, një dashnor që vret bosin e vet sepse i do të shoqen, një djalosh që vret dy njerëz, sepse ndihet lehtaz i fyer dhe humbet pakëz toruan, një tufë të vdekurish që të gjithë nga ana e tyre janë të pamoralshëm, të papërgjegjshëm e pa një mision në jetë apo mesazh në film...por të gjithë të llustruar, të krehur, të mirëveshur.

Të gjithë këto karaktere, edhe në rastin e publikut më gjykues, mbartin me vete gjithë kohën, përfshirë edhe momentin e krimit, empatinë dhe dhembshurinë ose pranimin racional ose instinktiv të audiencave.

Dhe aq më tepër që ndryshimi dhe ndjesia e fajit në rastin e kriminelit oksidental vjen pashmangshëm, thuajse ishte aty gjithë kohën si pjesë e botës jokriminale të kriminelit kompleks e disaplanësh, thjesht çelësi shoqëror kish harruar ta ndizte këtë anë të qenies.

Audienca nuk e ka të vështirë identifikimin me këtë grup kriminelësh, për të cilët ndien keqardhje për daljen e rastësishme e relative nga tufa njerëzore së cilës i takojnë në mënyrë të qëndrueshme e absolute.

Po karakteri i kriminelit shqiptar në dy filmat grekë?

Krimineli shqiptar i hidhet audiencës i pambrojtur, kockë e mish i gjallë, me sy të lëngëzuar e të shndritshëm nga tmerri, adrenalina dhe instinktet që kanë vënë përfund qenien, ashtu si hidhej gladiatori dikur në arenat romake lakuriq, sa më nudo edhe nga ana karakteriale, krejt pa mbrojtës socialë të tipave të ndryshëm si veshje, përkatësi në rrethe njerëzorë, krehje, aktivitet, shkollim që do ta lehtësonte njësimin e audiencave me të.

Sa më i fuqishëm apo i egër fizikisht e në sjellje, sa më jo njerëzor e më rezistent ndaj meditimit, arsyetimit, kuptimit të krimit dhe pendimit për të, aq më fort eksitohet publiku, shqiptari i egër, brutal, thuajse i pathyeshëm në këto tipare, pak a shumë ajo që ne i themi "i hurit e i litarit".

Vështirë për çfarëdo publiku (sidomos jo-ballkanas) të ndihet mirëkuptues apo njësues me këtë prototip njerëzor ose jonjerëzor.

Gjithashtu krimineli shqiptar i këtyre filmave vjen nga një familje e thyer e problematike me baballarë harbutë ose joekzistues dhe nëna të dhembshura por të dobëta, nga një shoqëri mizerabël e që nuk lejon zhvillimin e asnjë dimensioni shpirtëror.

Edhe kur shanse të tilla lindin rastësisht, ato thyhen para se të lindin. Karakteret pozitive afër figurës kriminale janë të zbehta ose të padukshme. Dhe kjo e bën edhe më të vështirë identifikimin e audiencave (për të cilat, ky imazh kthehet në përfaqësues tërësor të shoqërisë dhe familjes shqiptare) me ngjarjen dhe karakteret shqiptare në film.

Përkundrazi reagimi që filtrohet dhe spikat mes publikut logjikisht do ishte dallimi dhe ndarja, largimi dhe gjykimi nga jashtë e nga sipër i këtij lloj njeriu "ndryshe".

Pastaj, po të krahasosh se si e pse ndryshojnë karakteret e dy kriminelëve shqiptarë dhe atyre francezë në film, gradualiteti i shqiptarëve është shumë i ngadalshën dhe ndodh vetëm nën ndikimin e qenieve më civile që nuk vijnë nga shoqëria shqiptare. Cilët?

Në filmin "Peng" nëpërmjet klasës së mesme greke në autobusin e marrë peng: njerëz të butë, familjarë, civilë, që janë të aftë të duan edhe atë që i ka marrë peng e i keqtrajton--besimtarë të vërtetë; Edhe në filmin "Eduart", burim dhe shtysë për ndryshim bëhet një mjek gjerman, i penduar për makutërinë e vet të dikurshme, i përsosur në humanitetin e vet, i përhumbur në muzikën klasike dhe në libra e kulturë.

Po në fakt, po të nisesh nga imazhet e tyre në film, kushdo mund t'u mësojë njerzillëk shqiptarëve të paditur e kafshërorë sepse edhe brenda tyre njeriu triumfon edhe mes farës së keqe të shqiptarëve, sepse edhe këta, gjenetikisht e kanë tharmin e së mires.

Jo për arsye tjetër, por vetëm se edhe ata i janë nënshtruar seleksionimit natyror të specieve, ndaj, për këtë arsye (dhe vetëm për kët&eumlsmiley, pas ndërhyrjes së qenieve më të larta biologjike e sidomos më humane se ata, herë grekë, herë gjermanë, bëhen më në fund njerëz dhe faza shtazarake e shqiptarizmës u fiket...

Pra nuk jemi krejt pa shpresë, deri sa të dalë një film tjetër ku neve na jepet i njëjti rol historik.

Pa dyshim që këta dy filma grekë nuk u bënë veçanërisht për publikun shqiptar (a meriton aq shumë publiku shqiptar dhe a ka fuqi ekonomike blerëse të justifikojë prodhimin e një filmi për të?).

Bëhen që të tërheqin ose grekët ose që të krijojnë një "niche" në botën e filmit, një copë vendi e kthine vlerësimi mes prodhimeve kinematografike europiane.

Dhe, shqiptari, me karakteristikat e mësipërme, e kryen mirë këtë rol. Bota tërhiqet kollaj dhe e ka me shumë pasion pjesën ekzotike-shtazarake të shqiptarëve.

E keni parë sa e thjeshtë është të botosh diçka për gjakmarrjen nëpër botë, por është shumë më e vështirë të botosh diçka për njerzillëkun ose rezistencën që i bën sot familja shqiptare varfërisë dhe presionit të kulturave materiale.

Aq është e vërtetë që publiku shqiptar nuk llogaritet fare në këtë mes, sa që katër familjarë të së njëjtës familje në filmin "Eduart" flasin në tri shqipe të ndryshme krahinore, dhe aktori kryesor grek në filmin "Peng" që duhet të jetë shqiptar, as nuk di të flasë shqip dhe duket qesharak në belbëzimet që bën në shqip.

U shua Ballkani për aktorë shqiptarë që do ta bënin filmin realist dhe jo qesharak edhe para publikut shqiptar?

Por fakti është që ai është matematikisht i papërfillshëm, pra i injorueshëm...

Padyshim që tipizimi nëpërmjet artit dhe krijimi i një imazhi që më pas bëhet aktiv për shoqërinë, nuk janë përralla të realizmit socialist, por janë po aq të vërteta edhe në "realizmin kapitalist".

Dhe ne si shoqëri nuk kemi institucione që të bëjnë propagandën tonë që mund të jetë krejt e bardhë, dhe të mbështesë të vërtetën dhe të krijojë besim në vlera që ne i kemi, si për publikun shqiptar që aq shumë nevojë ka të rikonfirmojë vlerat e veta, ashtu edhe për atë botëror që na njeh si llum në Ballkan e në Europë...

Ky rindërtim i imazhit tonë sot për sot të shëmtuar është edhe më i domosdoshëm kur gjithë bota lufton fort për imazh dhe marrëdhënie publike të favorshme.

Por ne s'kemi filma për anët tona të mira (kam frikë se ne madje s'kemi filma fare), sepse ato nuk nxjerrin para e as na bëjnë me emër.

Në fund të fundit, edhe ne filmat për audiencat e huaja i bëjmë, apo jo?
Çfarë ndodh në këta dy filma grekë?

Ndoshta kineastët grekë po përpiqen të sjellin një kuptim të ri në shoqërinë greke.

Ndoshta po përpiqen të emancipojnë shoqërinë greke e ta njohin atë me shqiptarin hallexhi ose të justifikojnë "anti-heroin shqiptar" aq të urryer mes grekëve. Përgjigjen e kësaj pyetjeje nuk e zbulon dot pa analizë të audiencës greke, ndryshe mbetet veç spekullim.

Duhet parë sesi reagon individi dhe grupi, madje në momente të ndryshme dhe nën presione të ndryshme shoqërore.

Dhe veç analizës sociale, sasiore dhe cilësore, një analizë psikologjike eksperimentale do ishte po ashtu e domosdoshme. Me hamendje vetëm, gjithçka mund të ishte rezultat i pritshëm i filmave të tillë.

Mund të mendohej per shembull, se pas këtyre filmave publiku grek ose botëror do kalonte në anën e shqiptarëve të keqtrajtuar fillimisht në familjet dhe vendet e tyre (ka mundësi që sipas grekëve të gjithë shqiptarët të jenë të till&eumlsmiley, e më pas edhe në Greqi nga punëdhënësi, kalimtari, komshiu, institucionet.

Por edhe një reagim i kundërt mund të ishte po aq i pritshëm: ideja se gjithë shqiptarët janë kriminelë, të gjithë kanë fytyra të egra e të parruara, të gjithë kanë një dell kafshëror e dalin kollaj jashtë kontrollit të arsyes, të gjithë s'kanë norma e sjellje civile.

Ndaj, në këto kushte, e vetmja gjë që na mbetet të analizojmë besueshëm, janë vetëm ato fakte dhe rrjedhoja që vijnë mes vetë ngjarjeve, narracionit dhe imazheve të filmit, pra ato karakteristika që unë analizova më sipër në këtë shkrim e që e venë kriminelin dhe shoqërinë shqiptare në shënjestrën e publikut jo-shqiptar.

Po aq natyrshëm lind pyetja:

A ka qëllimshmëri negative në filmat grekë nga ana e skenaristëve dhe regjisorëve grekë?

Mendoni vetëm diçka: pavarësisht sesi janë trajtuar, janë filma që u kushtohen bëmave kriminale të shqiptarëve. Sipas meje janë trajtuar pa urrejtje, por që në fund të fundit rimarrin dhe përforcojnë stereotipe negative, dhe që ne e dimë se janë tejet të fuqishme sidomos në Greqi.

Ndoshta këta filma japin edhe shpjegime për pse-në, ndoshta edhe kërkojnë të marrin nën mbrojtje personin duke sulmuar kriminelin jashtë tij, madje ndoshta akuzojnë shoqërinë greke po aq sa atë shqiptare.

Por ajo që mbetet është çka filmi ushqen në publik dhe sjell në dialogun europian: pra jo shqiptari që ndihmon apo shpëton një grek, po ai që vret, vjedh ose shet drogë në Greqi.

Po të ishin grekë këto figura kriminale, (dhe pa dyshim të tillë ka me shumicë në Greqi), filmi nuk do tërhiqte kënd. Kjo është një tjetër provë që filma të tillë përforcojnë stereotipe negative ekzistuese dhe me dëshirë për t'u ushqyer në shoqëritë evropiane.

E vetmja mënyrë për të barazpeshuar imazhin negativ, ose për ta tejkaluar e mposhtur atë, është ndërtimi i një imazhi pozitiv nëpërmjet artit, po jo një arti amator e qesharak. Ky i fundit do ta varroste tej e tej edhe të paktën shpresë për një imazh më të mirë të shqiptarëve në Ballkan e në botë.

Po para së gjithash, që të kemi një art të tillë, duhet të kemi besimin se kemi një realitet të tillë pozitiv për të dëftyer në art dhe unë nuk jam e sigurtë deri në ç'pikë e besojmë këtë ne shqiptarët.

5 Komente

E verteta eshte qe tipa te tille si keta qe pasqyrohen ne filmat greke,por edhe Holliwood-jan etj,jane pjese e realitetit Shqipetar,dhe per kete nuk ka perse te na vij keq,ky popull eshte i mbushur plot me tipa te tille te pakrehur,te parrojtur,dhe me sjellje shtazerore,biles shume te tille i shoh edhe rrugeve ne Europe,per te mos thene qe i kemi ne piedestal te shoqerise Shqipetare,si psh,parlamenti eshte i mbushur plot me alabake,njerez qe s'dine te lidhin nje fjali,qe nuk kane haber kulture,dhe te perfshire me krimin ne te gjitha anet.

Por ama,

Tipa te tille nuk jane eskluzivisht Shqipetar,ka cdo popull ne vetvete,proporcionalisht dikush me shume e dikush me pak,por asnje populli nuk i mungojne njerezit e pakrehur,e pakulture,dhe kriminel te rangut me te ulet.

Por pervec ketyre,Shqipetaret si gjith popujt e tjere kane edhe nje pjese tjeter te shoqerise e cila nuk pasqyrohet aspak,dhe per hir se te vertetes lihet qellimish jashte krijimtarise imazh-krijuese te Shqipetareve.

Ndersa ne filmat Francez,greke etj,gjithmone protagonisti, por edhe aktoret pjesemarres qe i perkasin disa nacionaliteteve te caktuara,qofshin kriminel ose jo,paraqiten gjithmone si luftetare te moralit dhe te te drejtes,super-inteligjent etj virtyte si keto.Shqipetaret ne filmat e ketyre paraqiten gjithmone si te shemtuar,pa haber morali,dhe super te trrashe.

Kjo nuk ka se si te jete pervec se e qellimshme.

Pse, ku, tek, si ????

Veshtire te jepet nje mendim i qarte.

Une po hedh drite mbi nje te vertet te pamohushme, sa qendron si efekt , vlersone ju peshkatar.

Ne Shqiperi kemi pasur ( tani nuk e di sa kemi) 45 kampe perqendrimi e 4 kampe pushimi.

Duke llogaritur raportin kamp perqendrimi me ate te kamp pushimit sipas numrit te frekuentuesve, i bie 100 me 1.

Do thote se ne Shqiptaret kur vinim ne jete, kishim 100 here mundesin te binim ne burg, e vetem 1 here te shkonim ne kamp pushimi.

Edhe pse numrat nuk jane  iluzione, me duket e pabesueshme.

Tmerr!!!!!!!!!!!

 

krye fare - 9 Mar 2009 - 12:37pm thote:  Shqiptaret ne filmat e ketyre paraqiten gjithmone si te shemtuar, pa haber morali, dhe super te trashe. Kjo nuk ka se si te jete pervec se e qellimshme.

Kjo eshte mese e vertete, neper filma dhe soaps. Mua me habit fakti se si keto Shqiptar/e pranojne qe te luajne ate rol? e pranojne pa pyetur dhe pa menduar se cfare imazhi do u japi shqiptareve ky film!

Pse nuk kemi writers qe tu kundervihet ketyre roleve, qe ma merr mendja se nuk u hy ferre ne kembe ketyre qe shpikin rolet, se nuk i mbron kush shqiptaret (nuk bejne keto role me rracen e zeze se protestojne te bardhe dhe te zi)

Ka shume shoqata jo-qeveritare qe ruajne imazhin e Israliteve, kinezeve, zezakeve, apo pakistaneseve neper media, kush ngren zerin per shqiptaret, pervec atyre shqiptare/te huaj qe e ngrejne per keq?

Keto filma qe vecojne tipa te keqij, me karakter dhe kulture te keqe kane efect te keq mbi nje fushe te gjere, qe prek shume aspekte te jetes (kulturore/ekonomike/morale/fizike) se shqiptareve

 Per ata qe nuku e dijne une jam shqiptar, nga ata shqipo qe edhe po te lindin edhe njehere duan te lindin shqiptare dhe jo tjeter. Nuk kam pasur asnje lekundje per ket edhe ne ditet me te veshtira kur mu desh, ne 1991, per here te pare te beja pune (shume) te rende fizike. Jo vetem kaq, por theksi im behet dita dites me i rende sa me shume qe une mund ti lejoj vetes, per shkak te atij qe quhet sukses (relativ) ne jete, te jem nga te me doje qejfi. 

Gjysherit tane ishin zotnilere dhe njerez te hatikatit. Baballaret tane e nisen si zotnilere dhe plot shpresa dhe u shnderruan ne njerez te sakatosur. "Femija te ben lypes"- thoshte im ate kur duhet tu lutej te tjereve per nje te drejte studimi per ne, "nderkohe qe per vete nuk kam lyur kurre".

Shoket e tim eti, qe ishin xhaxhallaret e mi te vertete, me thonin:"rrituni e behuni te zotet se kur te plasi kjo veze lluke do te qelbi te gjithe Ballkanin". Ata e kishin gabim. Jo vetem sepse mua mund te me shpetonte goja ne shkolle (siç ndodhte) dhe ata shkonin fishek ne hapsane, por edhe sepse nuku u qelb Ballkani, u qelb bota e tere kur plasi veza lluke, shoqeria socialiste dhe njeriu i ri...

Dhe ne na u desh te mbanin ne kurriz te gjithe kete situate. Dhe ne e mbajtem me nder. Femijet tane jane nga me te miret neper shkolla ne perendim, shoket vertet i respektojne se jane te fjales dhe e mendojne ate qe thone (nuk thone nje gje per nje tjeter). Ne vitet e para te emigracionit une i flisja bashkatdhetareve te mi rruges dhe i ftoja edhe per ndonje kafe. "Sherri" behej vetem kush e kush te paguante. Sot nuk i njoh me. Te gjithe me flasin mire per njerezit e mi kur mburrem se jam shqiptar. 

Per peshen qe kemi mbajtur ne kurriz mund te them se e kemi mbajtur si zotni te vertete dhe Shqiperia do te na doje per kete dhe do te jete krenare per ne.

Familjet shqiptare po i heqin vetes buken nga goja per te derguar femijet neper shkollat me te mira te Europes dhe te Amerikes. Dhe keta femije do te nderojne Shqiperine...ate Shqiperine qe na jep nder e qe na jep emrin shqipetar.

Ka edhe nga ata qe mendojne per veten ate qe lexojne neper gazetat e huaja por keta jane injorante dhe te trashe, nga keta ka çdo popull...

Vendet e perparuara i kane çuar perpara njerezit e mençur dhe jo hajvanet e pamesuar dhe jo-inteligjente qe kujtojne se liria e fjales do te thote liri e te thenit gomarlleqe...

 

 

 Mos e qelbni me Ballkanin duke besuar per veten ate qe shkruajne gazetat e leshit

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).