Kontraste historike mes “saçave” mbi kulme

Në një shkrim të para pak ditëve në gazetën “TemA”, Baton Haxhiu na solli në kujtesë një dukuri të fillimviteve ’90, atë të vërshimit të antenave satelitore, i cili mori përmasa të jashtëzakonshme tek shqiptarët e asaj kohe. Shkrimi e konsideron startin e një biznesi të tillë një ngjarje historike për Kosovën në rrafshin e ndryshimeve shoqërore. Sipas tij, ky fenomen solli me vete një revolucion informativ, një proces për të cilin shoqëria kosovare kishte një etje të jashtëzakonshme, në kushtet e një errësire absolute informative të ushtruar nga regjimi serb. Sipas kësaj, rezulton se teknologjia arriti t’i thyejë muret që e ndanin Kosovën me botën përreth, duke thyer njëkohësisht edhe akujt e pasivitetit shoqëror.

Duke hequr paralele midis kësaj dukurie në Kosovë me atë në Shqipëri, mund të hedhim dritë sadopak mbi diferencat që transformimi historik ka sjellë mbi shqiptarët, në varësi të dy regjimeve të instaluara në të dyja anët e kufirit. Në vija të përgjithshme, mund të themi se ne që kemi jetuar në anën tjetër të trojeve shqiptare të pa-pushtuara prej ndonjë fuqie të huaj, por realisht të pushtuar prej një aparati shtypës edhe më të egër dhe më ç’njerëzor, kemi përvoja jo fort të mira me zhvillime të tilla të jetës së konsumit. Epoka e invazionit të antenës parabolike, vërshoi në Shqipëri, në një kohë kur shoqëria shqiptare sapo ishte çliruar prej një izolimi dhe dhune të pashembullt. Ndryshe nga sa ndodhte në Kosovë, kjo dukuri u shfaq në Shqipëri në kushtet e një lirie të sapoardhur. Në fakt, nuk mund të ndodhte ndryshe, pasi izolimi i instaluar në Shqipëri ishte i jashtëzakonshëm dhe një produkt i tillë reaksionar as që do të mund të mbërrinte dot deri në “kështjellën e pamposhtur të Adriatikut”.

Gjithsesi, mund të vërejmë se në Shqipërinë e çliruar nga komunizmi zyrtar, antena parabolike prodhoi një formë krejt tjetër kulturimi apo më mirë akulturimi. “Saçi” për shqiptarët nuk ishte një dritare që shërbente për të parë e për të njohur më mirë botën, apo për të përmbushur nevojën jetike për informim, për të cilat shqiptarët e sapodalë prej izolimit kishin kaq shumë nevojë. Për shqiptarët e pas-diktaturës, të kultivuar në një varfëri të skajshme kulturore dhe shpirtërore, për më tepër të neveritur prej çdo ideali njerëzor si pasojë e shijes së hidhur të mbetur prej propagandës pështirosëse të regjimit, çdo prurje e re teknologjike nuk ofrohej aspak si një mjet edukimi dhe zhvillimi. Përkundrazi, shqiptarët gjetën në të vetëm botën e komercit, botën e spektaklit, kinematografisë, madje edhe të pornografisë, të cilat, në kushtet e një shoqërie të mbetur pa vlera të standardizuara, merreshin shpesh për modele, pa arritur dot të bëhet dallimi ndërmjet realitetit të vërtetë të vendeve perëndimore, prej nga vinin këto produkte, nga realiteti televiziv që u ofrohej nëpërmjet ekranit. Kurrfarë vlere reale e shoqërive perëndimore nuk mund të receptohet prej shqiptarëve nëpërmjet kësaj teknologjie. Rrjedhimisht ajo ofroi në Shqipëri vetëm një mjet argëtimi që u ishte privuar përgjatë gjithë jetës. Shqiptarët nuk gjetën në të asnjë vlerë, përveç nevojës për të kënaqur syrin e pangopur, të lodhur me realitetin gri të “bahçes me lule” që kish ngritur marrëzia 50 vjeçare e vrasjes kolektive të ëndrrave. Në këtë mënyrë, telekomanda e vogël e një antene të tillë çudibërëse, përbënte parajsën e vërtetë të një populli të mbyllur e të paparë, i cili tashmë kishte mundësinë të përpinte gjithë botën, të shfrynte plot epsh dufin e një urie gjysmëshekullore, për të prekur sado pak, qoftë edhe në distancë, magjinë e botës së pasur të shoqërive të konsumit. “Saçi”, kjo fjalë e sjellë në zhargonin e përditshëm popullor nga magazina terminologjike e “teknologjisë” tradicionale të gatimit, tashmë piqte në vetëdijen e shoqërisë shqiptare tërë pangopësinë kolektive të një agjërimi 50-vjeçar të imponuar përdhunshëm. Kështu, ndryshe nga gjysma tjetër e vendit, kjo dritare nuk solli ndonjë vlerë në realitetin shqiptar. Përkundrazi, ajo shërbeu vetëm për azdisjen kolektive të një shoqërie si kjo të sapodalë hekurash, azdisje që s’e ka mbajtur frymën ende.

Në fakt, fenomeni i kontakteve televizive me botën e huaj, ka një histori më të hershme në Shqipëri. Kjo është epoka e “kanoçeve” apo “grupeve” që u montoheshin televizorëve për të mbërritur deri në valët e kanaleve të huaja, që makineria komuniste i kish ndaluar për të ruajtur popullin nga infektimi ideologjik. “Kanoçja”, ishte mjeti me anë të të cilit shqiptarët arrinin të çanin sado pak izolimin, duke krijuar mundësinë për tu arratisur virtualisht në botën e “përtejme”, larg mjerimit të përditshëm. Ajo ishte ndoshta mjeti i vetëm i rezistencës qytetare, e cila arrinte të çante shtigjet përmes zhurmuesve të partisë që mbikëqyrnin shëndetin ideologjik të popullit, për të sjellë në Shqipëri copëza joshëse imazhesh nga një botë e ndaluar, të cilën çdo qytetar ishte i detyruar ta ëndërronte fshehtas.

Nga e gjithë kjo, mund të thuhet se kurrfarë vlere tejmateriale, nuk ka mundur të kultivohet në këto rrethana. Dukuri të tilla nuk kanë shfaqur asgjë më shumë se joshjen që ndillte prej së largu jeta dhe bollëku perëndimor. Ato pak imazhe që përftoheshin nëpërmjet kanaleve të tilla komunikimi, nuk ishin gjë tjetër vetëm se flirte virtuale të impulseve “mikroborgjeze” të fshehura në skutat e ndërgjegjes, me shkëlqimin rrëzëllimës të botës së konsumit. Kontrasti i jashtëzakonshëm midis realitetit të përditshëm dhe ëndrrës së përnatshme televizive, ishte ndoshta edhe më shkatërrues për shpirtin se vetë rrënimi i vlerave që solli komunizmi.

Duke iu referuar psikanalizës, etja e shfrenuar televizive e post-komunizmit ishte një efekt i natyrshëm i një realiteti të tillë, ku ekrani shërben, në njëfarë mënyre, si një valvul shkarkimi për të ulur tensionet e ndezura 50-vjeçare të libidos së përdhunuar shqiptare. Në këtë mënyrë, ekrani bëhet realizuesi virtual i dëshirave të njerëzve. Por nga ana tjetër, ai rrezikon të kthehet në një bombardues të pavetëdijes me një pafundësi impulsesh, duke u bërë kështu një detonator i libidos së tendosur e cila rrezikon të shpërthejë dhe copëtojë ndërgjegjen e njeriut. Rrezikshmëria rritet edhe më tepër në një kohë kur pas rënies së zhurmuesve, amplifikimi i teknologjisë ka sjellë një intensifikim të jashtëzakonshëm të raportit të shqiptarëve me televizorin, e rrjedhimisht edhe me burimin e impulseve. Duke iu referuar teorisë së Marshall Mcluhan, “media si zgjatim i njeriut”, mund të themi se saçi si zgjatim i syrit njerëzor, në kushtet e një nevoje të etshme kolektive për të mira materiale, nuk ka sjellë asgjë tjetër në Shqipëri, vetëm se një intensifikim të lakmisë për pasuri dhe luks. Pa i hyrë një analize të mëtejshme në këtë drejtim, mund të themi se kjo fushë, përbën një minierë të pasur, prej nga mund të nxjerrim shkaqet e një pafundësie problemesh që bart sot realiteti shqiptar.

Nga e gjithë kjo mund të arrijmë në përfundimin se realiteti brenda kufijve të Shqipërisë zyrtare ka prodhuar individë shumë herë më të paaftë për të ndërtuar një shoqëri të qëndrueshme. Ajo që komunizmi arriti të vrasë më shumë tek shqiptarët, ka qenë ideali njerëzor, si dhe vlerat shpirtërore. Konkretisht, nëse në Kosovë antenat parabolike sollën mundësi informimi për t’u vetëdijesuar më tepër për nevojat shoqërore, në Shqipëri shohim se deri në këtë kohë, kanoçet artizanale sollën arratisjen e një mase të madhe njerëzish, për t’u strehuar në prodhimet e medieve jugosllave. Për një kohë të gjatë, bashkë me Çelentanon apo me këdo prej idhujve perëndimorë të kohës, nën jastëkët e ëndrrave të ndaluara të të rinjve shqiptarë mund të gjeje pa fund edhe idhuj të tillë si Zdravko Çuliç, Lepa Brena, apo Bjelo Dugme, të cilët ndriçonin me aureolën e tyre jetën paralele të shpirtrave të tharë njeriut të ri të shkretëtirës komuniste. Një ksenocentrizëm dhe etnofobi e jashtëzakonshme, i bënte shqiptarët të iknin turravrap ndaj vetvetes, ashtu siç iknin edhe nga vendi i tyre sapo regjimi u rrëzua me gjithë kufij. Por, për çudinë e tyre, shqiptarët panë se kufijtë mbetën, këtë herë të ruajtura nga jashtë, nga fqinjët tanë që nuk na pranonin në vendet e tyre.

Nga e gjithë kjo, mund të themi se në raportin midis shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës me hapjen ndaj medieve të huaja televizive, mund të vërejmë diferencat midis një shoqërie me ideale dhe asaj pa të tilla. Në këtë mënyrë, nuk mund të mos vërejmë se sot, me gjithë vuajtjet që shqiptarët kanë kaluar në të dyja anët e kufirit, Kosova ka mundur të ruajë në vetvete njëfarë vitaliteti dhe ideali shoqëror, gjë që në Shqipëri duket se mungon plotësisht. Sado i egër të ketë qenë regjimi serb në Kosovë, ai nuk ka mundur t’ua shkulë nga mendjet dhe zemrat shqiptarëve idealin e tyre kombëtar, ndërkohë që në Shqipëri, diktatura ka mundur të thithë deri në pikën e fundit tërë palcën e shpirtit, duke i lënë atë, pa asnjë ideal tjetër përveç etjes për të pasur dhe shijuar gjithçka duke kultivuar mbi të gjitha një skamje të paparë morale, shpirtërore, kulturore dhe intelektuale. Pikërisht mungesa e vlerave të tilla, përbën shkaqet kryesore të pamundësisë së kësaj shoqërie për të dalë nga mjerimi ku vazhdon të ndodhet prej kohësh.

2 Komente

Kurrfarë vlere reale e shoqërive perëndimore nuk mund të receptohet prej shqiptarëve nëpërmjet kësaj teknologjie.

Duke iu referuar teorisë së Marshall Mcluhan, “media si zgjatim i njeriut”, mund të themi se saçi si zgjatim i syrit njerëzor, në kushtet e një nevoje të etshme kolektive për të mira materiale, nuk ka sjellë asgjë tjetër në Shqipëri, vetëm se një intensifikim të lakmisë për pasuri dhe luks.

????? 

Po cer thu kshu mer bir ???  Sa i zerrikshem paskesh qene Saçi ene Antena e se paskeshim dit ......

Po une do ti boja nje pyetje ktij pllumit : Meqe Saçi na paska shkatrru kaq keq, si e mendon ti se do kishte qene po te mos e kishim pas Saçin ??? 

Na boj nje analize po kaq te thelle, cdo kish ndodh nqs nuk do kishim marre informacion nga TV-te e huaja.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).