Koha për të paguar

Nuk është njerëzore të ndjesh kënaqësi kur dikush tjetër ndien dhimbje. Por nuk është e panatyrshme të mos ndjesh pikë keqardhjeje kur persona për të cilët je i bindur se janë fajtorë detyrohen të paguajnë.

Vasillaq Bollano, kryetar i Bashkisë së Himarës dhe kryetar i organizatës “Omonia”, është sot ndoshta në ditën e tij më të keqe. Prokuroria e Vlorës ka kërkuar që ai të dënohet me një vit burg dhe 500 mijë lekë gjobë për një urdhër të paligjshëm që lëshoi një vit e gjysmë më parë.

Një vit më parë, në fillim të marsit 2008, gazeta “Shqip” bëri publike atë çka mbahej e fshehtë që nga vjeshta e vitit 2007: urdhrin e Bollanos për të shkulur tabelat turistike, pas refuzimit nga prefektura për të shtuar në to edhe gjuhën greke, përveç shqipes dhe anglishtes.

Lajmi bëri bujë, por njëkohësisht edhe u sfumua rrugës, pasi media të ndryshme u rrëmbyen nga dëshira për të sulmuar “armikun” dhe e mbushën me aq komente e mllef çështjen, sa sot e kësaj dite, një pjesë e mirë e shqiptarëve, është bindur se Bollano shkuli tabelat në shqip dhe nguli në vend të tyre tabela në greqisht. Gjë që nuk është aspak e vërtetë. Madje, kreu i Bashkisë së Himarës, as nuk e përmendi ndonjëherë publikisht dëshirën për t’i pasur tabelat edhe në gjuhën greke. Këtë kërkesë ai ua kishte paraqitur dy herë dy prefektëve të Vlorës, Kreshnik Alimerkos dhe të ndjerit Xhevahir Rexhepi, por kur çështja u bë publike, ai tha se problemi i tij i vetëm me tabelat ishte se ato ishin vendosur pa lejen e pushtetit vendor.

Në këtë linjë eci edhe mbrojtja e tij në Gjykatën e Vlorës dhe ky do të jetë argumenti kryesor që do të përdorë avokati Petraq Curri në seancën e ardhshme, kur do të mundohet të bindë gjykatën se klienti i tij është i pafajshëm.

Mbrojtja ka shanse të arrijë të gjejë metodat për t’ia kursyer Bollanos burgun, në mos në shkallën e parë, në Apel, apo në Gjykatën e Lartë. Njerëz që kanë bërë më shumë zullume se shkulja e ca tabelave nuk janë futur në burg dhe nuk është ndonjë çudi që edhe kryebashkiaku i Himarës të shpëtojë kësaj radhe.

Megjithatë, ajo që Prokuroria e Vlorës bëri në rastin e tabelave është për t’u vlerësuar. Për herë të parë, një njeriu që punon pa pushim për një qëllim të mbrapsht, iu bë e qartë se duhet t’u përmbahet rregullave: kur bën politikë mund të lëshosh gojën, por jo dorën!

Është një mësim që Bollano duhet ta kishte marrë në vitin 2006, kur u zbulua se fuste hundët në procedurat e Zyrës së Gjendjes Civile dhe rrëzonte me firmën e tij kërkesa shqiptarësh për t’u bërë qytetarë të Himarës. E bënte këtë veprim dhe pranonte jo pa mburrje se e shqyrtonte personalisht çdo kërkesë për regjistrim në Himarë, edhe pse ligji thotë qartë se këto kërkesa nuk dalin jashtë Zyrës së Gjendjes Civile.

Në tetor të vitit 2006, kur disa jabanxhinj që jetonin në Himarë treguan edhe dokumentet e firmosura nga Bollano dhe kreu i atëhershëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, Eduard Aliko, tha se Bollano kishte shkelur ligjin, Prokuroria e Vlorës nuk lëvizi as gishtin, që të paktën të verifikonte situatën.

Sot, shohim se gjërat kanë ndryshuar. Prokuroria në Vlorë, ashtu si edhe në Tiranë, nuk mendon shumë për kostot politike të një procesi. Nuk e dimë ende sa shqetësohen gjykatat për këtë aspekt për të thënë nëse vërtet ka ardhur koha për të paguar.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).