Koha për një Parti Demokratike të Reformuar

Nuk besoj që ekziston dikush në Shqipëri, i cili të jetë normal dhe njëherazi t’i shkojë mendja se duhen më shumë parti në këtë vend. Aq më shumë, të jetë dikush që mendon se e keqja i vjen Shqipërisë, ngaqë nuk ka aq parti sa duhet në spektrin e saj politik. Askush, në fakt, nuk mendon se shtimi i numrit të partive politike do të mund ta nxirrte politikën nga një prapambetje e thellë, në të cilën është zhytur. Jo pak njerëz, madje shumica e shqiptarëve, mendojnë që është cilësia e të bërit politikë përgjegjëse për këtë prapambetje, çka jo vetëm nuk e ka shtyrë politikën të luajë rol përparimtar në zhvillimin e vendit dhe të demokracisë, por, përkundrazi, është kthyer në prodhuesin, në shkakun më të madh të problemeve që ndeshen në Shqipëri. Politika, partitë politike ekzistuese, veçanërisht partitë e quajtura të mëdha, janë shndërruar në gjenerues problemesh, sepse e kanë humbur, ose, ndoshta, nuk e kanë pasur kurrë vullnetin politik për të vënë interesat e vendit para interesave partiake. Ajo që është bërë shumë më alarmante dhe shkaku më i thellë i kësaj prapambetjeje, veçanërisht vitet e fundit, është mungesa dramatike e integritetit te njerëzit që marrin pjesë në ekipet drejtuese të partive, të cilët prej vitesh nuk e kanë ose ndoshta nuk e kanë pasur kurrë formimin e nevojshëm për vënien e interesave të shqiptarëve para interesave të tyre vetjake. Kjo mungesë integriteti tek individët partiakë, që në fakt është edhe baza më e gjerë që krijon edhe mungesën e vullnetit politik të vetë partitë, si një “radioaktivitet” i padukshëm, ka kohë që ka infektuar administratën shtetërore, personalitetin e njerëzve që punojnë aty. Ngadalshëm, por në mënyrë të sigurt po infekton gjeneratën e re, mënyrën se si ajo sillet, sa e dedikuar është ndaj vendit të saj, veçanërisht ndaj trashëgimisë që e merr të gatshme. Është lëshuar në krejt “hapësirën” e psikologjisë popullore, duke e shndërruar atë në një shtëllungë mjegulle, ku s’ka bir nëne të kuptojë, ku ndahet e keqja nga e mira. Si një “Hiroshimë” shqiptare, modeli politik i drejtimit pa cilësi është përhapur në krejt hapësirën brenda kufijve të shtetit, duke na detyruar të gjithëve të kujtojmë se ashtu si në çdo proces radioaktiv, ajo që dëmtohet më shumë nuk është e sotmja, por e ardhmja.

. . .

Në këtë pikëpamje, problemi i sotëm shqiptar është cilësia e ulët e politikës. Partia Demokratike është bërë pjesë e këtij problemi, ndoshta nga më domethënësit, më të rëndët, sepse për shkak të kushteve historike të formimit të saj efektin zhgënjyes te njerëzit, tek anëtarët e thjeshtë, e ka më të lartë se çdo parti tjetër. PD e ka humbur demokracinë brenda saj dhe e ka zëvendësuar atë, qartësisht, me kultin e individit, autoritarizmin. Humbja e demokracisë në vetvete ka bërë që PD të shkëputet nga njerëzit dhe si e tillë, marrëdhëniet e natyrshme parti politike-individ, që ndërtohen mbi baza programore, të respektimit të interesave të gjera, i ka zëvendësuar me interesa direkte, të adresuara dhe duke riaktivizuar grupe që thithin njerëzit mbi bazë të metodave apo mekanizmave që vetëm demokratike nuk janë. Humbja e demokracisë në vetvete i ka varfëruar lidhjet me njerëzit, përmbajtjen e tyre. Ka kohë që raporte apo lidhje servilësh, klienteliste, brenda partisë janë bërë të zakonshme. Ndoshta kjo është edhe e keqja më e vogël, sepse janë shfaqur edhe raporte të tjera lidhjesh të rrezikshme në përmbajtje dhe thellësisht amorale në formë. Mungesa e rregullave, e statutit, e konkurrimit, pra roli i munguar i vlerave i kthyer në formë ekzistence, në një mënyrë jetese, ka krijuar hapësirë për një lidhje tjetër, që në fakt është karakteristikë jo e partive, por e organizatave konspirative, ilegale, ose së paku, në disa raste, edhe e strukturave të shërbimit inteligjent. Me sa duket, nuk janë të pakta rastet që njerëz me defekte, me probleme të natyrave të ndryshme, të përfshirë në skandale morale dhe korruptive, ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, denonciatorë të dikurshëm dhe të sotëm, të jenë njerëz të preferuar për të realizuar aktivitetin politik të partisë. Kjo ndodh në kushtet kur në mungesë të demokratizimit të PD këto “defekte” mbahen të mbyllura, të fshehura diku, në memorie apo në kasaforta. Kjo do të thotë që partia nuk vetëqeveriset mbi integritetin, por mbi të kundërtën e tij, pra, qeveriset me njerëz me personalitet të gjymtuar, pa profil politik, të gatshëm për të bashkëpunuar pa vënë pikëpyetje asnjëherë mbi atë që iu thonë të bëjnë apo iu thonë të thonë. Ky model i “vetëqeverisjes” së PD është transferuar si një copëz ADN në bërthamat e modeleve të të gjithë politikave që ndiqen në sektorë të ndryshëm të zhvillimit të vendit, duke i detyruar ato të formësohen me një ngjashmëri tragjike. Në qoftë se ekzaminon me kujdes formën se si përpilohen, se si shndërrohen në ligj raportet midis njerëzve, raportet midis njerëzve dhe proceseve të ndryshme në një sektor të caktuar ekonomiko-shoqëror të vendit, në thelb, do të vesh re gjithmonë një gjë: marrëdhëniet, zhvillimi i tyre, raportet e interesit, pra incentivat në përgjithësi, ndërtohen në mënyrë të tillë që nuk shoqërohen edhe me dhënien e përgjegjësisë, pushtetit, parasë së nevojshme për të zgjidhur problemet që lindin në vetë sektorin. Kjo linjë, pra ndërtimi i politikave pa i mbështetur me përgjegjësinë dhe paranë e nevojshme, në thelb, është shtylla kryesore rreth së cilës vjen vërdallë e gjithë qeverisja e vendit dhe e çdo sektori në veçanti. Kjo ndodh në raportet qeveri dhe institucione të saj, në raportet midis institucioneve dhe sektorëve të tyre, sektorëve dhe individëve, pra, në krejt strukturimin apo hierarkinë strukturore të shoqërisë. Ka një tendencë të përgjithshme që pushteti të akumulohet gjithmonë lart, sa më lart, ndërsa problemet kanë tendencë të grumbullohen dhe të zbresin poshtë, sa më poshtë, duke u përhapur dhe u bërë gjithmonë e më mbimbuluese për shoqërinë. Kjo është arsyeja pse janë formuar dy pole tashmë, poli i pushtetit (nënkupto edhe i paras&eumlsmiley, jo anash, por lart, ndërsa poshtë takon polin tjetër, atë të problemeve. Dhe sa më shumë zbret poshtë, aq më shumë rritet densiteti i tyre, vështirësia për t’i zgjidhur shtresëzimet për shkak të kohës së gjatë të moszgjidhjes. Ndërsa komunikimi midis këtyre dy poleve bëhet gjithmonë e më i vështirë, më pak efektiv, më i largët, më i errët. Duke u bërë gjithmonë e më e pamundur që ai pushtet dhe ato pará atje lart të zgjidhin problemet që janë atje poshtë.

. . .

Një gjë është e qartë: shqiptarët do të kenë gjithmonë nevojë për saktësisht atë PD që u formua në tehun kohor të thyerjes së diktaturës. Një gjë tjetër po bëhet gjithashtu e qartë: që ajo PD nuk është më. Trajektorja e PD në vite nuk ka ndjekur trajektoren e projektuar nga “shtytja” fillestare e vitit ‘90. Ajo ka devijuar në një trajektore që synon ndërtimin e një “gjasme” demokracie në Shqipëri. Pavarësisht nga kjo, te shumë njerëz akoma mund të jetë e paqartë përgjigjja e pyetjes: A ekziston më mundësia e reformimit të PD? Nëse jo, a mund të krijohet një PD e reformuar, që të rritet e tillë, pikërisht për shkak të reformimit dhe për asnjë arsye tjetër, pa patur rrezikun e “thithjes” së saj nga “gravitacioni” joshës i PD ekzistuese? Para së gjithash, duhet kuptuar që humbja e elektoratit të PD në vite, pra humbja sinjifikative e mbështetjes popullore që nga zgjedhjet e vitit ‘92, në pjesën më të madhe të saj nuk ka ardhur si pasojë e procesit të ashtuquajtur “copëzim” të interesave të elektoratit dhe nevojës për t’u përfaqësuar nga parti të tjera. Ajo ka ardhur si pasojë e mungesës së konsekuencës politike të PD, pra si pasojë, ose e moszgjidhjes së problemeve, ose e zgjidhjes së gabuar të tyre; ose, dhe kjo është ndoshta më e rëndësishmja, ka ardhur si pasojë e heqjes dorë nga standardet e demokracisë. Ky bilanc politik negativ, i cili ka një dimension dramatik të pamohueshëm dhe është i shtrirë në kohë, në fakt është një tezë që vërteton pamundësinë e drejtuesve të PD ekzistuese për të ndryshuar në funksion të ndalimit të humbjes së mbështetjes popullore dhe në funksion të ndryshimit në favor të rifitimit gradual të saj. Humbja e mbështetjes popullore për shkak të mungesës së standardeve nuk është një lidhje thjesht e rastësishme, statistikore. Nuk është një koincidencë. Ajo ka vlerën e lidhjes shkak-pasojë: një bilanc politik negativ i PD për shkak të mungesës së reformimit të saj, një energji politike e stërmadhe e humbur, sepse u administrua keq. Në këtë pikëpamje, si krijimi i partisë së z. Pollo, ashtu edhe shkrirja e saj me PD, kanë qenë thjesht betejat e një lufte për të zotëruar sa më shumë pushtet dhe në asnjë element të vetin nuk kanë synuar në reformimin e partisë. Shkaqet pse partia e z. Pollo u nda nga PD, të cilat dikur u formuluan si “mentaliteti autoritarist” dhe “konservatorizmi i PD”, janë edhe sot e kësaj dite atje, ekzistente, edhe pas shkrirjes dhe ribashkimit të dy partive, sepse standardet demokratike nuk kanë qenë kurrë flamur i kësaj lufte.

. . .

Analiza të çon vetëm në një konkluzion: PD i ka humbur shanset e reformimit dhe prandaj e vetmja rrugë mbetet ringjallja e vlerave të ‘90, të sendërtuara në njerëz që akoma besojnë se mund t’i shndërrojnë ato vlera në energji për ndryshimin e vendit. Mbetet e hapur vetëm një rrugë: rikrijimi i Partisë Demokratike, në një formë tjetër, ashtu siç ishte projektuar në ‘90. Cilësimi “e reformuar” nuk ka të bëjë me vitin ‘90, por me nevojën për t’u dalluar nga PD e sotme e vitit 2009! Partia Demokratike e Reformuar do të duhet të ketë, në thelb, një mision të dyfishtë: ndërtimin e demokracisë në shoqërinë shqiptare duke e shpëtuar atë, si nga gracka e tregut të deformuar, ashtu edhe nga gracka e regjimit hibrid ekzistues apo gjasme demokracisë; si dhe formimin e një partie ku të gjithë qytetarët do të mund të shohin modelin e një organizate politike të një vendi me të vërtetë demokratik. Po të hysh më në detaje, e kupton akoma më mirë se ky mision nuk është përmbushur, jo vetëm nga PD e sotme, por nga asnjë parti tjetër në spektrin politik shqiptar. Çka do të thotë që akoma sot e kësaj dite sektorë të ndryshëm të shoqërisë rregullohen nga mbeturina të marrëdhënieve të vjetra të ish-shoqërisë totalitare, çka do të thotë që akoma nuk kemi qoftë edhe vetëm një sektor drejtësisht të vënë në kushtet e tregut dhe të një starti konkurrues të barabartë, që akoma nuk kemi një shoqëri, në të cilën jeta rregullohet nga plane zhvillimi afatgjatë dhe politikisht të qëndrueshëm.

Duke iu rikthyer fillimit: është absurde, vërtet, të krijosh parti të reja sot. Në fakt, kur përmendim krijimin e një Partie Demokratike të Reformuar, nuk bëhet fjalë, në kuptimin e përgjithshëm, për një parti të re, por për ringjalljen e asaj që u krijua në vitin ‘90. Mbi ato vlera, me njerëz që akoma nuk e kanë shprishur shpirtin, që akoma e kanë mendjen e kthjellët. Me të gjithë ata që nuk duan ta çojnë dëm atë pjesë të historisë, përkundrazi, që duan ta përdorin atë energji fillimi, atë “shtytje”, “shpërthim” fillestar, si një Big Bang, prej nga do të vijë e formohet universi i demokracisë reale në Shqipëri.

10 Komente

Partia Demokratike nuk ka nevoje per rinovim.Te PD kane ardh shum te rinj dinjitoze ne politike si L.BASHA.Te PD u rikthyen edhe ata qe thonin se nuk ka demokraci ne PD si G Ruli A Imami G Pollo etj.

Apo duhet rinovuar se ju prish interesi MERO BAZEZ qe dje e shnte E Ramen sot i thur hymne

Shpesh kur flitet per rinovim flitet per ato gjera qe jane prishur por ju ka mbetur dicka e mire qe mund te behet baza per te rinovuar. Ne rastin e PD nuk ka mbetur azgje e mire qe te rinovohet. "Rinovim" i PD do te jete njesoj si "rinovimi" i PS me Edi Ramen. Ato  (PD dhe PS)  duhen shkateruar dhe ngritur nga themelet, s'ka vend per rinovimin

Rama po udheheq akoma me GRAMOZ RUCIN E NAMIK DOKLEN sepse te reformuarit i iken

Si Tosi per shembull. smiley

nuk e kuptoj se si mund te flitet per reformim te PD, ku reformimi ka qene direkt pas zgjedhjeve te 2005 dhe vazhdon te reformohet, sot ne PD numerohen goxha djem dhe vajza te rinj te cilet ndryshe nga (te reformuarit) e PS jane me nivel komunikues te afte dhe te gatshem per te sjelle ato ndryshime qe vendi ka nevoje,......

ja futa kot eeee ??

hajt mos u merzitni......

Sa te jete Jozefina dhe Berisha ne krye te PD nuk ka reformim ne PD,po ja erdh 28-ta e muajit te 6-sht te  ketij viti, dhe do zen mend ndoshta...te ndryshojne metodat e vjetra,te populizmit ne politik ,qe te mos ecin si ajo dhelpra.. pas bo..te edit(dashit ,me nji fjale)!

Jozefina po drejton me dinjitet

140 burra ne parlament.S"u tremb as nga Iliri,

as nga rrugacet socialiste qe i binin bilbilit

 

partia demokratike eshte me shume parti komuniste sesa partia e punes e shqiperise me xhaxhi enverin ne krye. ne demokracine me te lodhur ne bote nuk mund te jete nje kryetar partie 20 vjet, nje ish komunist, e aq me pak nje politikan i deshtuar totalisht, qe ka mbledhur me te paaftet e vendit

jozefina dhe berisha drejtojne si komuniste shoku, pd e reformuar eshte makiazhi i radhes. pd nuk behet me 65 vjecare qe mezi vene ne banje.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).