KLSH: Qeveria 40 milion $ abuzime

Administrata publike i ka shkaktuar një dëm prej rreth 40 milionë dollarësh buxhetit të shtetit, si në realizimin e të ardhurave, ashtu edhe në shpenzimet e parashikuara për t'u realizuar për vitin 2008.

Raporti vjetor i Kontrollit të Lartë të Shtetit, dorëzuar për miratim në Kuvend, vëren një numër të madh shkeljesh në dogana, tatime, prokurimet publike, projektet e financuara nga donatorët, në sistemin e pagave dhe shpërblimeve nga zyrtarët qendorë dhe lokalë.

"KLSH-ja ka konstatuar gjithsej 4.046 milionë lekë dëme ekonomike, nga të cilat rreth 780 milionë lekë në fushën e prokurimeve, ose në masën 19.3%",- citohet në raportin e KLSH-së.

Kontributin më të madh në dëmin ekonomik, shkaktuar buxhetit të shtetit, e zënë detyrimet në të ardhurat tatimore dhe doganore, të cilat zënë rreth 60% të totalit të dëmit ekonomik, të evidentuar nga KLSH-ja gjatë vitit 2008.

Kontrollet e ushtruara nga specialistët e KLSH-së, në njësitë tatimore dhe doganore në vend, kanë konstatuar dhe evidentuar efekte negative në grumbullimin e të ardhurave tatimore dhe doganore për llogari të buxhetit të shtetit, në shumën e 2.4 miliardë lekëve, ose rreth 25 milionë dollarë.

Shkeljet

Në kontrollet e KLSH-së janë vërejtur shkelje të mëdha me dëm ekonomik, ku sektori i tatimtaksave qëndron në krye, me rreth 1.9 miliardë lekë. Abuzimet më të mëdha vijnë më pas nga prokurimet publike, si në ministritë dhe institucionet qendrore, ashtu edhe në njësitë e pushtetit lokal.

Dëmi ekonmik në fushën e prokurimeve publike, për vitin 2008, sipas KLSh-së, arrin në rreth 780 milionë lekë, ose 8 milionë dollarë. Kjo vetëm për kontrollet e kryera nga KLSH-ja. Vendin e tretë për dëm ekonomik e mban sektori doganor, me një dëm ekonomik prej 695 milionë lekësh, ose rreth 7 milionë dollarë.

Më pas, fushat e konstatuara me dëm ekonomik janë ato të urbanistikës, pagave, shpërblimeve, shpenzimeve operative, etj., ku vihet re një shkelje e legjislacionit në fuqi. Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkon dëmshpërblimin e thuajse të gjithë vlerës, prej më shumë se 4 miliardë lekësh, nga punonjësit e administratës qendore dhe lokale.

"Nga vlera e përgjithshme e dëmit, KLSH-ja ka rekomanduar zhdëmtimin në shumën e 4.032.455 mijë lekë, ose në masën 99.6%",- citohet në raport.

Sipas KLSh-së, deri në fund të 2008-ës janë nxjerrë urdhërat përkatës për shpërblimin e dëmit dhe janë në proces arkëtimi rreth 2.8 miliardë lekë, ose 68% e vlerës totale, të rekomanduar nga ky institucion për t'u dëmshpërblyer.

3 Komente

Pa lidhje me temen, por ne lidhje me shkrimin: Per cfare $ e ka fjalen autori dhe kryeredaktori, $ Australjan? Kanadez? Singaporian?

Mos kane qene me pushime ne Barbados dhe e kane fjalen per dollare barbadian-e

Kam pershtypjen se po ti hyjne me themel demeve dhe abuzimeve qe behen aty nga qeveritare dhe administrata shqiptare, ka per te dale nje shifer me e frikeshme.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).