Kjo javë, java e besimit të madh të komunitetit ndërkombëtar të biznesit ndaj ekonomisë shqiptare

Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dt. 06/03/2009
 

“Kjo javë ka qenë me të vërtetë një javë e madhe dhe do ta cilësonim si java e besimit të madh të komunitetit ndërkombëtar të biznesit ndaj ekonomisë shqiptare.

Është një akt unik në Europë që, në një hark kohor 7 ditor, kjo qeveri finalizon dy akte madhore privatizimesh. Sot ne miratojmë dhe më pas do të dërgohet në parlament për votim, kontratën me kompaninë “Cez”, pra finalizimin e privatizimit të sektorit të shpërndarjes së energjisë elektrike.  Një ditë më parë, zoti Bode informoi mediat dhe opinionin për kredinë rreth mbi 250 milionë euro, ose ndryshe rreth 300 milionë dollar, që Dojce Bank, Reiffeisen Bank dhe banka të tjera të mëdha, i akorduan Shqipërisë. Gjithashtu, të hënën, Ministra e Ekonomisë finalizoi me sukses të plotë një privatizim tjetër, ose më saktë shitjen e aksioneve të qeverisë me një nga çmimet më të leverdishme, me 48 milionë euro. Unë dua të informoj qytetarët se për këtë kohë, këto privatizime dhe privatizimet e 8 muajve të fundit, ndër të cilat përfshihet dhe ARMO që u privatizua me një vlerë 13 herë më të madhe, sesa ishte oferta për privatizim në vitin 2004, pavarësisht nga kriza ekonomike botërore.

Po kështu, në kulmin e tronditjeve të mëdha financiare dhe ekonomike të planetit, në kohën kur kriza ka rikthyer nacionalizimet, në Shqipëri realizohen me sukses të plotë privatizimi i KESH-it, AMC-së  dhe Shqipërisë i ofrohet një kredi 25 për qind më e madhe sesa njërit prej 5-6 vendeve më të mëdha të Europës dhe që është shumë herë më i zhvilluar se Shqipëria. E tërë kjo ka vetëm një shkak madhor, vetëm një shtyllë dhe kjo është situata ekonomike e Shqipërisë.

Unë e kuptoj opozitën, e cila ka të drejtën e vet të bëjë vlerësimet, propozimet, të bëjë sugjerimet, por është absolutisht motoja “rroftë e keqja, poshtë Shqipëria” ajo që opozita adapton gjatë këtyre muajve, në raport me problematikën ekonomike të vendit. Ata rendin se si e si të servirin  mashtrimet e tyre se Shqipëria është në krizë. Le t’i shtrojnë pyetjen vetes: kush do të ishte ai institucion ekonomik ndërkombëtar që do të blinte  me 104 milionë euro sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike të Shqipërisë, me një çmim qartësisht 30 deri në 40 për qind më të lartë se të gjitha privatizimet e bëra në rajon? Kush do të ishte ai që do të ofronte kredi Shqipërisë, sipas kërkesës së saj, në rast se nuk do të kishte besim të plotë në potencialin e saj ekonomik? (Këtu bëhet fjalë nga Banka Tregtare, sepse nuk ka diskutim që institucionet ndërkombëtare të ndihmojnë.) Kreditë tregtare janë leverdishmëri reciproke, në të kundërt nuk mund të funksionojnë. Kush do të ishte ai që do të pranonte të blinte 12 për qind të aksioneve të AMC-së, pasi është në shqyrtim tashmë edhe licenca e katërt telefonike, një blerje kjo me 48 milionë euro?  Në një kohë krize nuk do të kishte financier, bankier, ekonomist, sipërmarrës që të mund të merrte një vendim të tillë.

T’ú biesh borive të mjerimit vetëm për karrigen tënde, ta ëndërrosh krizën si një mekanizëm për të ndërtuar pushtetin tënd, kjo është në radhë të parë, cinizëm ekstrem dhe çnjerëzim maksimal, një mashtrim i turpshëm.

Unë u bëj thirrje ju, mediave, që mos harroni se kriza ka të bëjë me kafshatën e njerëzve, me punën e njerëzve. Çdo ditë, disa nga mediat e kontrolluara nga Edi Rama, flasin për krizën më me pasion se Omar Khajami për dashurinë. Kjo është shumë primitive, cinike, e palejueshme. Në mënyrë absolute, nuk ka thënë dhe nuk mund të thotë njeri se pasojat e krizës nuk do të mund të prekin Shqipërinë. Jo, pasi sigurisht që ulja e kërkesës botërore ka ndikim direkt në eksportet e Shqipërisë. Shqipëria nuk eksporton në stratosferë, por eksporton në vende të prekura nga kriza. Nuk ka diskutim që remitencat, zvogëlimi i tyre, ndikojnë në ekonominë shqiptare. Por kriza është diçka tjetër, pra kjo nuk është krizë, është përballje me disa nga pasojat  e krizës botërore. Lexoni se cila është vërtetë kriza botërore, ajo është shembje njëra pas tjetrës e bankave, e korporatave të mëdha, është kriza më e thellë në shekull.

Ata bërtasin, brohorasin “rroftë kriza”, ‘’rroftë FMN se tha që Shqipëria është vend i varfër”. Fondi Monetar është një partner i shkëlqyer i Shqipërisë zotërinj opozitar,  është vet fondi i pari që ka shpallur se Shqipëria ka dalë nga vendi i vendeve të varfra. Pra nuk jemi ne që e themi këtë gjë. Në fakt, ne i kemi pasur disa avantazhe nga ai grup, le të jemi realist dhe këto avantazhe nuk kanë qenë të vogla dhe do të donim t’i kishim sërish, por jo me çmimin e varfërisë. Pra, cinizmi nuk duhet të shkojë deri aty sa të mendohet se mund të lartësosh karrigen tënde  me mjerimin e të tjerëve.

Dua të ndalem në disa aspekte kryesore se përse Shqipëria nuk është në krizë dhe si ka mundësi kjo? Këtë gjë nuk po e themi ne, por e tha FMN rreth një javë më parë. Shqipëria nuk është në krizë. Sigurisht që ajo ka pasoja të krizës globale, por nuk është në krizë.

Përse Shqipëria parashikohet të jetë në krye të rritjes ekonomike në Europë dhe kjo, jo vetëm nga një institucion i vetëm, por janë 5 institucione që e thonë këtë, Global Insight, Intelligence Unit, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Instituti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Ekonomike i Vjenës, etj. Klikoni dhe do t’i gjeni këto dhe u thoni njerëzve të vërtetën. Nuk është qeveria shqiptare ajo që e thotë këtë gjë. Jo. Dhe të gjitha këto janë parashikime dhe nuk do të thotë se çdo parashikim do të dalë, pasi kjo krizë ka shumë të panjohura, por e vërteta është që këto janë parashikime dhe ato që i japin janë institucione shumë serioze. Ata e thonë këtë gjë, sepse ekonomia jonë nuk është në krizë.

Ekonomia jonë nuk është në krizë, jo sepse është ekstra komunitare, as sepse është  një ekonomi e rëndësishme, sepse sot ekonomitë e rëndësishme janë më shumë në krizë, por për faktin e thjeshtë sepse, së pari, këtë ekonomi kriza e gjeti si vendin me taksa më të ulëta në Europë. Për çfarë pakete bëjnë fjalë zotërinjtë e opozitës, kur kjo qeveri, paketën fiskale antikrizë e vendosi 2 vjet përpara dhe akoma të gjitha vendet që përpiqen të vendosin sistemin fiskal që kemi vendosur ne, nuk imagjinojnë dot të zbresin në nivelin që kemi zbritur ne në këtë aspekt, tek taksa e sheshtë 10 për qind, tek sigurimet shoqërore 15 për qind, tek taksa e biznesit të vogël 1.5 për qind, tarifa doganore e ulur mbi 6 herë. Për këta zotërinj tregojnë një verbëri, një injorancë ekstreme ekonomike në radhë të parë dhe politike. Të gjitha paketat kanë stimulin fiskal dhe kjo është normale. Le të na thonë se cili vend merr guximin të zbresë në këto nivele? Arsyeja se përse ne e kemi bërë, nuk ka lidhje sepse kemi qenë “Kasandra” për krizën që erdhi, por e kemi bërë për qëllime dhe shkaqe të tjera. Por, nuk mund të flasësh sot se qeveria nuk ka marrë masa, ndërkohë që kjo qeveri ka vendosur sistemin fiskal më antikrizë që mund të ekzistojë.

Së dyti, ne po rrisim investimet. Qeveria shqiptare, jo nga “malli” por nga “halli”, në vitin  2008 ka qenë qeveria me investime më të mëdha në botë, si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ajo ka investuar 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm, apo 32 për qind të buxhetit, ndërkohë që e dyta qeveri që ka investuar më shumë, ka pasur 5 për qind të GDP-së. Ne nuk e bëmë këtë as për krizën, as se nuk kishim ku t’i çonim këto para, por e bëmë sepse Shqipëria është vendi i infrastrukturës rrugore të botës së tretë që duhet ndërtuar. Këtë gjë ne e bëmë edhe në buxhetin e këtij viti, do ta bëjmë gjithashtu edhe vitin e ardhshëm, deri sa të përfundojmë ndërtimin e rrjetit rrugor të Shqipërisë. Rrugët nuk mund të na i ndërtojë kush, ndaj do t’i ndërtojmë vet.  Pra, për çfarë pakete bën fjalë opozita? A nuk është kjo nismë një shtyllë kryesore e paketës antikrizë të qeverive aktuale?

Cila qeveri ka rritur më shumë rrogat dhe pensionet, për të rritur fuqinë blerëse? Le të gjejnë një qeveri tjetër të tillë. Opozita nuk mund të ndërtojë alternativë mbi zinë dhe mjerimin,, alternative ndërtohet mbi fakte reale. Le të gjejnë një qeveri të dytë që në 4 vjet ka rritur rrogën mesatare me 68 për qind, ka rritur pensionet në mesataren e tyre me mbi 40 për qind dhe pastaj le të dalin dhe të thonë se unë po mashtroj shqiptarët. A nuk është kjo një rritje e ndjeshme e fuqisë konsumuese të qytetarëve? Askush nuk mund ta mohojë këtë gjë. Edhe kjo është një shtyllë kryesore e paketës antikrizë.

Së treti, cila qeveri ka ndërmarrë një veprim të tillë për sektorin e ndërtimit? Ne vendosëm dhe jemi të gatshëm të kreditojmë 6 mijë apartamente. A nuk është kjo stimuli më i fuqishëm në histori që i është dhënë këtij sektori, në proporcion me vendin dhe situatën? Cila nga qeveritë, qoftë edhe në krizë, mund të bëjë një lëvizje kaq të fuqishme?. Qeveri të tjera kanë mobilizuar trilionë lekë, por kanë pasur  banka dhe institucione gjigande financiare të përmbysura, koorporata shumëmilionëshe të kërcënuara nga kriza.

Të veshësh “rrobat e zisë” vetëm për të bindur shqiptarët se janë në krizë, në një kohë kur nuk është krizë ekonomike, të bërtasësh për paketë në një kohë kur është pikërisht paketa ajo që ka parandaluar krizën (pyesni në vendet përreth se si është situata), të flasësh se qeveria nuk ka marrë masa, s’është fare e vërtetë, sepse qeveria po ndihmon dhe ka marrë masat më të fuqishme. Është e vërtetë që ne mbajtëm sërish një premtim elektoral për strehimin, por e vërteta më e madhe është tjetër, është fakti se nuk ka ndodhur ndonjëherë që të kreditosh 6 mijë apartamente, ndërkohë që të gjitha të marra së bashku sot në treg, nuk ekzistojnë as 2 mijë të tillë. Por ne do t’i qëndrojmë premtimit, do t’i ndërtojmë ato dhe do t’u krijojmë mundësi qytetarëve që t’i blejnë ato me  zero interes kredie.

Kur vjen puna tek mirëqenia që njeriu ka arritur të krijojë me punë dhe djersën e tij, askush nuk ka të drejtë të spekulojë.  Kjo është një krizë e thellë dhe një krizë me shumë të panjohura. Kjo është e vërteta. Për fat të keq, ata që duhet t’i jepnin përgjigje, ekonomistët, nuk po i japin dot. Qeveritë janë përfshinë në luftën kundër saj si një detyrim madhor ndaj qytetarëve të vet, për të bërë të pamundurën në mbrojtje të tyre. Por të panjohurat e saj janë shumë të mëdha. Ju ndiqni vet çdo ditë lajmet, ndiqni se ç’ndodh me bursat. Ende nuk është gjetur ndonjë formulë, por besohet se këto janë masa të cilat janë të dobishme. Këto masa në Shqipëri janë të instaluara, ndaj nuk duhet që, me çdo çmim, të nxihet realiteti vetëm e vetëm për karrigen e një njeriu, që në fakt, në këtë mënyrë, kësaj karrigeje vetëm sa i thyen njëra pas tjetrës këmbët.

Sigurisht që pasojat e krizës e kanë prekur dhe do ta prekin Shqipërinë. Shqipëria nuk është ishull në Mars, është pjesë e këtij territori. Unë i kam parë këto ditë këta opozitarë dhe më dukeshin si kollagjerët e mjerimit. Nuk fitohet vota në këtë mënyrë, sepse kushdo e kupton që ti je i interesuar me çdo kusht që të zhytet në zi realiteti dhe vajtimi yt të dalë i faktuar. Nuk mund të vajtosh të gjallët, por dihet se kush vajtohet.

Dua të përgëzoj Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë e Financave dhe administratën e tyre, për rezultatet, sepse me privatizimet e mëdha, ne jo vetëm që ia dolëm të zbatojmë programin tonë, por me këto privatizime të muajve të fundit, në arkën e qytetarëve shqiptar arkëtohen 350 milionë euro. Unë i garantoj ata se vlera e këtyre parave është shumë herë më e madhe sepse bëhet një menaxhim shumë herë më i mirë. Në këtë mënyrë luftohet korrupsioni, pasi këto korporata kanë qenë trupa të korruptuar. Privati do t’i menaxhojë ato shumë herë më mirë dhe të pakën sektori publik nuk do jetë i përlyer në korrupsion, ato do të kenë një menaxhim shumë më eficent, do të ketë shërbime shumë më të mira.

Dua të falënderoj ekipin e ministrisë së Financave, i cili ia ka dalë të konsolidojë në Shqipëri disiplinë fiskale, një nga disiplinat jetike në këtë vend. Pa këtë disiplinë fiskale, të gjitha projektet do të ishin të pamundura, pa rezultatet e kësaj disipline fiskale, nuk do të kishte besim, ai besim që ekziston sot te Shqipëria. Para së gjithash dhe mbi të gjitha, bankat janë çështje besimi, sepse paraja është çështje besimi. Atij që nuk mund t’i besohet, sigurisht që nuk i jep kush asnjë qindarkë. Por ministria e Financave ka dëshmuar rezultate të shkëlqyera të një disipline fiskale që vendi nuk e ka njohur ndonjëherë, ndaj dhe negocioi dhe konkludoi një kredi jashtëzakonisht të dobishme për zhvillimin ekonomik të vendit”.         

5 Komente

 " ....Kjo është një krizë e thellë dhe një krizë me shumë të panjohura. Kjo është e vërteta. Për fat të keq, ata që duhet t’i jepnin përgjigje, ekonomistët, nuk po i japin dot..." 

 Mavria si duket e ka fjalen per ekonomistat e PD. Pse nuk ndigjon te pakten dhe ekonomistet pa parti apo neutrale.

Jam kurrioz te di se cfare le peng/kolateral shteti shqiptar ne marrjen e kredise nga bankat e huaja?

A duhet te jete publike, pra lehtesisht e gjetshme per ta lexuar kontrata e huase prej 250 milion Euro qe disa banka tregetare te huaja i kane akorduar Shqiperise? Bode e konfirmon akordimin e kesaj kredie. Pra eshte fakt i kryer. Apo ja fus une kot?

 

Është një akt unik në Europë që, në një hark kohor 7 ditor, kjo qeveri finalizon dy akte madhore privatizimesh.

Ky ka rreshkit fare mer jahu.

Eshte kollaj ta thush prej se largu, por eshte e tmershme kur mendon pasojat afatgjata te vuajtjeve qe ky do u leje brezave qe vijne.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).