Ka te moderuar ne Shqiperi? Per ke do votojne?

Fjalimi i fundit i Edi Ramës në foltoren pranë Kryeministrisë me rastin e njëvjetorit të ngjarjes tragjike të Gërdecit ishte shprehja e qartë retorike e sjelljes politike të kohëve të fundit, që ai ka adoptuar në komunikimin me publikun: tone të kontrolluara, mesazhe të buta, gjuhë e latuar, profil jo veçanërisht agresiv me kundërshtarët në pushtet dhe një qasje më antagoniste ndaj një politike gati të impersonalizuar, të cilën e ka pagëzuar me emrin disi prozaik e jo shumë ndjellës "politika e vjetër".

Nëse do t‘i hiqnim kësaj sjelljeje e këtij qëndrimi (fjalimit të para dy ditëve, gjithashtu) atë ingredientin anti-LSI të hedhur me kujdes rrufjani aty-këtu (fraza "opozita e opozitës" është e gjetur, por sidoqoftë mistrece, gjë që nuk duket fort e përligjur me sulmet që vijnë nga krahu i LSI-s&eumlsmiley, nëse gjithashtu do të injoronim rolin kabá që zë Rama në leadership-in e PS-së, nëse më në fund kjo gjuhë e kjo sjellje do të shoqërohej dhe me një program "të shtruar" elektoral e qeverisës, PS-ja e Edi Ramës do të mund të merrej fare mirë për një parti të moderuar; me fjalë të tjera, një parti e qendrës, përfaqësuese e asaj lagjes elektorale gri, ku "banojnë" zgjedhës më të qetë, më të paqtë, më tolerantë, më empathikë, më racionalë, shikimi i të cilëve hidhet sa majtës, edhe djathtas, por pa arritur asnjëherë në stacionet e largëta ekstreme; një parti e qendrës, që do të përfaqësonte politikisht e kulturalisht të ashtuquajturën middle class, sipërmarrjen e mesme, por edhe të vogël, teknokratët, profesionistët, specialistët, manage-erët, intelligentsia-n, atë pjesë të shoqërisë që i ka (apo lakmon t‘i ket&eumlsmiley punët më në terezi se sa të tjerët e që ka interes ta mbrojë këtë terezí.

Është kështu? Hm, nuk është tamam kështu, pasi identiteti socio-ideologjik i një partie nuk përcaktohet vetëm e thjesht nga sjellja e gjuha e leader-it (socialistët mund të jenë më të moderuar se sa demokratët, por gjithsesi nuk janë të moderuar). Ky fakt nuk e zhbën megjithatë faktin tjetër: Edi Rama, pasi ka fjetur mendjen mbi votat e socialistëve të vet, po u vardiset zgjedhësve të moderuar shqiptarë, atyre zgjedhësve që nuk kanë asgjë të përbashkët me ekstremizmin politik të këtyre anëve, atyre zgjedhësve që ose i kanë braktisur prej kohësh kutitë e votimit, ose shkojnë drejt tyre për forcë të një tabiati që po e humbet forcën e vet, atyre zgjedhësve që merren pak me llafe e shumë me punë, atyre zgjedhësve që e duan këtë vend jo nga llogorja e patriotit patetik, por nga pozitat e pragmatistit të pabujë, atyre njerëzve që e shohin hairin te respektimi i ligjit, e jo te dhunimi brutal apo anashkalimi finok i tij, atyre zgjedhësve që nuk para shohin lajme, nuk para lexojnë gazeta, nuk para marrin pjesë nëpër tubime, nuk para kanë dëshirë as të organizohen, e ndoshta - në këto rrethana - as të përfaqësohen.

Dy pyetje lindin: 1. Ka gjasa që Rama të korrë frute në këtë histori? dhe 2. Sa janë këta zgjedhës në pikëpamje numerike? Ndonëse gjuha e Ramës është me siguri më elegante e më e ngjërueshme se sa ajo e Berishës dhe e Metës, fjalët e të cilëve janë të programuara për të rënë në vesh ekstremistësh, askush nga ne megjithatë nuk është në gjendje të japë një përgjigje të qartë lidhur me pyetjen e parë, pasi nuk dimë mirë së pari deri në ç‘shkallë ka arritur demotivimi, zhgënjimi e zvjerdhja e këtyre zgjedhësve, së dyti deri në ç‘masë e shohin ata Edi Ramën si një gjë të ndryshme në moçalin politik shqiptar, e së treti se si kjo masë njerëzish ia del të pajtojë appeasement-in e tij ndaj Berishës e qasjen çmontuese ndaj Metës me gjuhën prej të moderuari në komunikimin publik. Prandaj, po ua lë përgjigjen e kësaj pyetjeje agjentëve e agjencive lokale të "Zogby"-t.

Ndërsa lidhur me pyetjen e dytë, gjërat janë më të dukshme e më të qarta. Numri i zgjedhësve të moderuar në Shqipëri është relativisht i vogël. Është i vogël në radhë të parë për një rregull universal të antagonizmit dialektik, i cili krijon dy pole magnetikë të fortë në skaje. Nuk është gabim të mendohet që shumica e njerëzve të kësaj bote kanë prirjen për t‘u sjellë si të moderuar; e bëjnë të tyren këtë prirje, ja, ashtu si Edi Rama, jo prej hirit, por prej pahirit, jo prej natyrës, por prej nevojës. Por në të njëjtën kohë e në mënyrë paradoksale, është po nevoja, tok me fuqinë ndjellëse të rrymave dominante, që bëjnë atashimin e tyre te (apo fqinjërimin e tyre me) këto të fundit. Dhe kështu, shumica e shumicës, ndonëse mendërisht janë (ose do donin të ishin) të moderuar, praktikisht e fizikisht futen në të njëjtën strehë me ekstremistët. Po, është e vërtetë që ata janë gjithmonë aty në të djathtë të së majtës e në të majtë të së djathtës, por kjo nuk e zhbën faktin e rreshtimit në të majtë apo në të djathtë, domethënë arratisjen (të paktën elektorale) prej lagjes së të moderuarve.

Kudo ku dialektika demokratike shfaqet e fortë dhe e ashpër, siç është rasti i Shqipërisë, middle-ground-i është një terren i ngushtë, e jo aq i ngrohtë; në këtë terren shumëkush ndihet ligsht, i braktisur e jashtë radhëve; ndihet gjithashtu i diskriminuar - në mos, i kërcënuar (këtejpari pushteti në veçanti e politika në përgjithësi ngrihen mbi klientelizmin, domethënë u ofrojnë mbështetje mbështetësve e penalizojnë "snobët" indiferent&eumlsmiley. Kjo është arsyeja që middle-ground-i këtejpari është një terren pothuaj i shkretë; nga vëzhgimet e mia tepër empirike (sa do doja të kisha në dorë statistika e sondazhe të besueshme!), të moderuarit e parreshtuar mund të arrijnë gjithë-gjithë nivelin e 5%-it në korpusin elektoral. Mirëpo një pjesë e kësaj pjese është, për arsye nga më të ndryshmet, jo vetëm e parreshtuar, por edhe e parreshtueshme. Kujt i drejtohet pra Edi Rama? Përfundimi do të ishte: i drejtohet asaj që mbetet, le të themi një 1%-i, dhe kjo nuk është fare pak në terma elektoralë. Por qari i tij në fakt (qari i menduar dhe i synuar, kuptohet) nuk është këtu; qari i tij është gjetiu: gjuha e sjellja e moderuar motivon mbi të gjitha ata që janë në të djathtë të së majtës, e që jo gjithmonë marrin mundimin për të votuar, e ata që janë në të majtë të së djathtës, e që nuk e kanë për gjë t‘i japin munxët të djathtës.

Nuk ka diskutim pra që Edi Rama nuk humbet asgjë nga ky profil prej "the moderate", e për këtë arsye, është një profil që duhet ta mbajë e ta theksojë. Puna është që kjo qasje së pari nuk duhet të jetë vetëm e thjesht me funksione elektorale, së dyti nuk duhet të jetë thjesht retorike e declarative (ca bëma të Ramës nuk janë dhe aq shumë prej të moderuari), së treti nuk duhet të jetë si një monedhë, e cila dikujt i dhurohet e dikujt tjetër i hidhet në fytyrë (është koha për t‘i dhënë fund sherrit banal, fare banal, të bërë në mënyrë banale e me mjete banale, midis PS-së e LSI-së; kurrë mos u bëfshin bashkë, por le t‘i japin fund kësaj gërricjeje që ta shpif në çdo pikëpamje!), së katërti të shkarkohet prej pozave prej shpëtimtari (Edi Rama në rastin më të mirë do të bëhet Kryeministër), së katërti duhet të kompletohet me një program politiko-qeverisës, i cili, pa qenë domosdoshmërisht i qendrës, është mirë të dallohet megjithatë për një frymë larg ekstremeve tona, që deri më sot na kanë prodhuar shumë andralla.

4 Komente

Nano, ke harruar mundësinë e tretë, me këtë "moderim" Rama mund të humbasë shumë më tepër (duke ju dhuruar listës së të pavendosurve) elektorat të majtë që nuk e shikon vehten në këtë PS kaq të moderuar... Rama duhej të tregohej i majtë duke i lënë Velisë rolin e katalizatorit të të moderuarve.

Duke u bërë Rama i moderuar dhe duke shkuar Veliaj drejt së majtës, kanë bërë më dëm se sa qar... dhe në mos përfitoftë edhe këtë rradhë PD-ja, ka shumë mundësi që të rritet akoma Opozita e opozitës.

gri, i qete, tolerant dhe i paqte jane cilesi qe bien ndesh me te qenit empathik dhe racional

Me duket qesharak kjo teori e Nanos (M) pasi flitet per nje parti shqiptare sikur te jesh ne traffalgar square me pi nje kafe e me fol ne menyre filozofike lidhur me te qenit i moderuar apo jo. Ai harron te thote se e thene shqip dhe ne kuadrin shqiptar -socialistet kane qene gjithmone (pas periudhes 96-96) qindra here me te moderuar sesa te ashtequajturit demokrat e Berishian. Pastaj a i konsideron shumicen e shqiptareve te moderuar Muci??

se dyti qe tej partise socialist ekziston nje elektorat i gjere qe deri me sot ka votuar per PS duke e pare ate si e keqja me e vogel.

se treti - (megjithese keto jane thjesht vazhdim i te njejtit mendim) - cfare lideri ka ne dore eshte qe ne menyre graduale ti jape nje mase amorfe njerezish qe perbejne partite - nje shift ne nje drejtim te caktuar qe Rama e ka bere deri me tash mjaft mire e zgjuar jo me llogjet pa kuptim te Nanos tjeter (qe ska lidhje me Mucin) por me pune, vepre e mesad duket me nje mendim tw qarte politik. Sot partia socialiste - pa qene vete as simpatizant i kesaj force politike - eshte e vetmja force politike jo vetem moderne dhe e moderuar por mbi te gjitha nje parti elektorale qe verpon me disipline dhe me demokraci te brendshme ne dukje normale dhe qe duket gati per zgjedhje ne cdo cast. 

Elektorati do te zgjedhe ate qe ai e quan me te aresyeshme - por kete here te pakten personat nuk kane perse te votojne per PS si e keqja me e vogel.

Nga ana tjeter nje udheheqes mundet vetem te nise reforma dhe ti jape ketyre reformave nje kahje te caktuar - besoj se muci nuk ka parasysh nje lider si muji i prallave qe mud Bajlozin e zi - dhe na takon ne si elektorat dhe si qytetar nese duam te shkojme ne nje drejtim apo te ngelim aty ku jemi e kemi qene per pjesen me te madhe te historise sose te mjre ballkanike.

Se fundi ekziston nje menyre realiste e te parit te gjerave dhe ne shumicen dermuese (e me te drejte) njerezit votojne per nje parti duke e pare kete thellesisht te lidhur me interesin personal e te komunitetit ku ata jetojne dhe fare pak ose as0pak me cfare ngjyre apo forme ka partia apo lideri i saj. Nese do te donim te votonim per nje parti sipas midese sone atehere jam i sigurt qe secili do te votonte per vetveten.

Angsti filozofik qe e ka perfshire mund te jete i drejte por disi lart realitetit tone te dhimbshem.

Per ua Rama ja ka arritur qellimit duke e ndyrshuar teresisht horizontin politik dhe menyren e te berit politik ne shqiperi - nese kjo eshte dicka e perkohshme dhe jeteshkurter,  kete duhet taj leme kohes. Por do te ishte fatkeqesi e katastrofale per te gjithe ne dhe  per momentin duket e pamundur.

dhe une si i moderuar dhe absolutisht jo vulgar qe jam, ne menyre te moderuar shtoj se sado te sforcohem te lexoj Mustafa Nanon, me bijne ne toke testikujt nga merzia

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).