Ish-Pronarët: Pronat, mashtrim me kompesimin

Toro: Fondi i tokave për fushatë elektorale
 

Ish-pronarët e konsiderojnë lojë për efekte elektorale, deklaratën e qeverisë për të vënë në dispozicion të fondit të kompensimit fizikë, 4 mijë hektarë tokë shtetërore në bregdet. Sekretari i përgjithshëm i shoqatës "Pronësi me Drejtësi", Agim Toro, shprehet skeptik për vërtetësinë e një deklarate të tillë, pasi, sipas tij, shteti nuk zotëron toka në bregdet, përveç disa zonave të papërdorshme, siç është Laguna e Karavastasë.

Z. Toro, qeveria ka deklaruar së fundmi, se ka gati një fond prej 4 mijë hektarë tokë publike në zonat bregdetare, e cila do të vihet në dispozicion të kompensimit të ish-pronarëve. A e mirëpresin ish-pronarët një kategori të tillë toke për kompensim?

Ne jemi të bindur se kjo është më shumë pjesë e fushatës elektorale dhe e demagogjisë së vazhdueshme të qeverisë për zgjedhjen e problemit të pronave në Shqipëri, sesa fakt i ekzistencës së këtyre 4 mijë hektarëve në bregdetin shqiptar. Ne, me studimet që kemi bërë, na rezulton se, nga Vlora deri në Konispol, nuk ka asnjë pëllëmbë tokë shtetërore. Gjithashtu, edhe në bregun e Adriatikut, kryesisht janë parqe kombëtare, siç është Karavastaja, të cilat vërtet mund të jenë shtetërore, por nuk jemi të bindur sa këto mund t'i shërbejnë turizmit dhe të vihen në funksion të kompensimit të pronarëve.

Është parku i Divjakës, i cili është vërtetë një nga perlat e turizmit, por nuk e dimë nëse do të vihet në dispozicion një pjesë e tillë. Mbi të gjitha, ne mendojmë se ka ardhur koha që qeveria të bëj publike se cili është detyrimi që ka shteti shqiptar karshi subjekteve të shpronësuara. Duhet të bëjnë publike se sa mijëra hektarë tokë-troje ka për detyrim për t'i kompensuar, që nuk i ka kthyer.

Sa qindra mijëra hektarë tokë bujqësore që ka detyrim për të kompensuar, në mënyrë që të bëhet një bilanc midis asaj që ka detyrim për të realizuar brenda afatit të përcaktuar dhe kësaj që paraqet sot në mënyrë të dokumentuar, pasi ne kërkojmë që këto 4 mijë hektarë të bëhen publike të dokumentuara që janë pronë shtetërore, në mënyrë që të shohim nëse ato ekzistojnë vërtet. Në rast se ekzistojnë vërtet, natyrisht që ky është një lajm i mirë dhe ne e pranojmë. Megjithatë, duhet të theksojmë se, edhe në rast se ato ekzistojnë, kjo nuk e zgjidh problemin e pronave. Vetëm për qytetin e Tiranës janë 20 milionë metra katrorë tokë për t'u kompensuar.

Gati 1 vit më parë, qeveria ka bërë të ditur se ka evidentuar edhe një fond prej 20 mijë hektarësh tokë bujqësore publike, e cila edhe ajo u tha se do të vihej në dispozicion të këtij procesi. Çfarë është bërë me këtë fond deri tani?

Kjo deklaratë e Ministrisë së Bujqësisë rezulton të mos jetë e vërtetë, sepse në bazë të shifrave zyrtare, që kanë publikuar më parë kjo ministri apo të studimeve të tjera, që janë bërë në tokat bujqësore, rezulton se në total janë 700 mijë hektarë tokë, nga të cilat, 560 mijë hektarë në vitin 1991 u programuan për t'u ndarë me të famëkeqin ligjin 7501. Nga ky fond, sipas të dhënave zyrtare, u nda 99 për qind e kësaj sipërfaqeje, pra 550 apo 540 mijë hektarë janë të ndara.

Ngelen 150 mijë hektarë, nga të cilat 137 mijë hektarë janë toka të pafrytshme, siç është Biza e Martaneshit apo kullotat e Lurës, të cilat, dikur, Enver Hoxha i quajti toka buke për mbjelljen e patateve, por që realisht janë për fondin e kullotave, pasi nuk kanë prodhim dhe rendiment bujqësor. Madje, këto as nuk u planifikuan për t'u ndarë me 7501-shin, sepse ishin të pafrytshme dhe larg çdo lloj interesi ekonomik. Kështu që, shifra prej 20 mijë hektarësh është një shifër që realisht nuk ekziston. Ajo që e vërteton këtë, është vetë fakti se qeveria asnjëherë nuk ka bërë të ditur se ku janë këto toka, çfarë kategorie janë, etj.

 

A është kompensimi fizik një mënyrë e pëlqyer për ish-pronarët, pasi zakonisht, më shumë zëri ngrihet përsa i përket fondit financiar?

Jo. Ne mendojmë se të dyja këto rrugë, pra si kompensimi fizik, edhe ai financiar, është i pamundur të realizohet. Realizimin dhe zgjidhjen e problemit ne e kemi parë tek kthimi fizik i tokës, por tek ajo tokë që ekziston fizikisht.

Një nga rrugët e mundshme është luftimi i korrupsionit me pronat, privatizimet abuzive që janë bërë deri më sot, ku janë dhënë mijëra hektarë tokë, përfshi edhe ato në zonat turistike, apo siç është edhe rasti i fundit, ai i dhënies me koncension të 1 mijë hektarëve tokë në Kavajë. Të gjitha këto mund të jenë rezervat më të mëdha për kompensimin fizik të ish-pronarëve. Pavarësisht demagogjive nga të dyja partitë, qoftë nga e majta qoftë nga e djathta, deri më sot nuk është realizuar asgjë në këtë drejtim.

Si po ecën procesi i kompensimit financiar për vitin 2009, pasi siç dihet, tashmë qeveria ka deklaruar se do të ketë një fond tjetër, përveç atij të mbarturit nga 2008-a, dhe që do të shpërndahet përpara zgjedhjeve të qershorit?

Ai proces është thuajse zero. Mezi na dhanë ato 500 milionë lekë, që thonë se ishin fond i vitit 2008, por që u ndanë në vitin 2009, pasi unë mendoj që fondi i vitit 2008 është djegur, nuk është realizuar. Ndërsa, për pyetjen që më bën, nuk dimë asgjë akoma, pasi çdo shpenzim realizohet pasi del një vendim qeverie. Ne, aktualisht, nuk kemi ende një vendim qeverie për këtë qëllim. Ne urojmë që ta bëjnë, por nuk dimë sa është shuma dhe kur ajo do të vihet në dispozicion. Për të gjitha këto duhet të dalë një akt normativ nga qeveria.

Ndërkohë që, ditët e fundit, një grup deputetësh të djathtë kanë paraqitur në Kuvend një nismë për të amenduar ligjin "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje", dhe që në thelb ka të bëjë me një rregullim teknik të nenit 10, por pa tentuar të rregullojë nenet e rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese.

Unë mendoj se ligji i legalizimeve, ashtu siç e kemi përcaktuar ne, nuk mund t'i realizojë legalizimet. Në radhë të parë, sepse shkel në mënyrë të dhunshme, të padrejtë dhe të paparë në gjithë botën, të drejtën e pronës. Pra, ai lejon që t'i hiqet prona një individi, për t'ia kaluar një individi tjetër. E drejta e pronësisë është një elementë bazë i një ekonomie kapitaliste, por vazhdon të shkelet me dhunë dhe, në krye të kësaj shkeljeje, është ligji i legalizimeve.

Në këtë aspekt, ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi kundër kësaj forme të legalizimit, pasi jemi të bindur se kjo formë nuk mund të realizohet në praktikë. Megjithëse u bënë tetë vjet që qeveritë përpiqen ta realizojnë atë, deri më sot nuk është legalizuar asgjë. Kjo tregon vërtetësinë e parashikimit tonë, se nuk mund të ketë legalizim, po nuk u zgjidh më parë çështja e pronësisë. Në këtë kuptim, dua të them se edhe ndryshimi që kërkon t'i bëjë përsëri qeveria, nuk sjell asgjë të re në drejtim të bërjes së ligjit kushtetues. Edhe me anë të këtij amendamenti, ruhet statuskuoja, por ndërkohë, synohet që ta përdorin ligjin për qëllime elektorale, duke i dhënë të drejtë qeverisë të përcaktojë afatet.
Ligji parashikon që të ecë paralelisht procesi i legalizimit, pra i marrjes së tapive, me shpronësimin financiar të pronarëve legjitimë.

Deri më tani është legalizuar një numër i konsiderueshëm ndërtimesh informale. Ju, si përfaqësues i kategorisë së pronarëve të ligjshëm, mund të na thoni nëse vërtet ky proces ka ecur paralelisht edhe me shpronësimet?

Të më gjejë dikush një qindarkë që është shpërndarë për këtë qëllim! Absolutisht, deri më tani nuk është bërë asgjë në këtë drejtim, nuk është shpërndarë asnjë qindarkë.

1 Komente

çeshtja e prones zgjidhet, por do vullnet dhe ndershmeri nga ter klasa politike shqiptare, gje e cila mungon fatkeqesisht. Sigurisht qe do/kerkon dhe 4-5 deri 7-8 vjet kohe.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).