In love with Jazz

Jazz-i është mundësia më e mirë për t’u ndjerë i çliruar. Por pak e pëlqejnë atë, sepse nuk e njohin, ndonëse në vendet më të zhvilluara qëndron në top listën e shijeve muzikore. Këtë ndjesi kanë tentuar ta provojnë një pjesë e studentëve të Akademisë së Arteve, nëpërmjet orkestrës “Big Bend”, drejtuar nga prof. Fatos Qerimaj. Pikërisht njëri prej pjesëmarrësve, në një intervistë për “standard” tregon hendekun e shijeve dhe emocioneve për këtë muzikë. Indrit Lelo është në vit të tretë, studion për kompozicion në Akademinë e Arteve, edhe pse në shkollën fillore dhe atë të mesme ka studiuar piano. Është ky instrument që i dha mundësinë, që të plotësonte një dëshirë “filmash”. Lelo një natë më parë luajti jazz dhe u ndje më i lirë. “Është një lloj alternative që tregon dhe shpreh shumë elementë, që me anë të mënyrave të tjera është e pamundur. Me anë të jazz-it transmeton një tjetër emocion, përçon një liri të të interpretuarit, duke qenë se gjithçka buron thellësisht nga shpirti. Në muzikën klasike çdo artist duhet më domosdo që të respektojë gjithçka që përmban partitura përpara tij/saj, në të kundërt del jashtë loje. Për këtë duhet të jesh shumë preciz kur luan në një pjesë klasike. Në jazz nuk qëndron ky rregull. Aty je më i lirë, nuk ka “kufizime” të tilla. Ky është edhe “Big Bend””, - shprehet studenti Lelo për atë që ka përjetuar prej frymës më të re, të luajtur për herë të parë.

Cili ishte roli juaj në “Big Bend”?
Jam në vit të tretë dhe studioj për kompozicion në Akademinë e Arteve, ndërsa mbrëmë kam qenë pjesë e “Big Bend”-it përgjatë një pjese të cilën e kam interpretuar me anë të instrumentit të pianos. Kjo është një mundësi e re që i është dhënë akademisë sonë, e cila është shumë e vlefshme për ne, studentët e saj. Kjo është një mundësi që na erdhi falë profesor Fatos Qerimajt, të cilin unë gjej rastin për ta falënderuar. Ky ishte një koncert shumë i veçantë në llojin e tij, ishte një mësim i mirë.

Ishit pianist në “Big Bend”, çfarë morët nga ky koncert?
“Big Bend” është një koncert, i cili siç e theksova përgjithësisht edhe në fillim, që të mundëson shumë favore, sidomos ne të rinjve të Akademisë së Arteve. Ky “Bend” të hapë një dritë jeshile për të depërtuar edhe nëpër rrymat e tjera muzikore të jazz-it, si dhe për të dalë paksa nga klasikja. Pra, me anë të kësaj orkestre ne kemi luajtur muzikë jazz, e cila është një frymë dhe një gjuhë e re për ne. Rrjedhimisht me anë të kësaj rryme, e cila më pëlqen jashtë mase, kam marrë ndihmesë më së shumti.

Për çfarë ju ka ndihmuar jazz-i?
Jazz-i është një rrymë muzikore që të ndihmon në disa aspekte në të njëjtën kohë. Teksa e interpretoj pikë së pari, personalisht ndihem shumë mirë. Më tej, mund të them se është një lloj alternative që tregon dhe shpreh shumë elementë, që me anë të mënyrave të tjera është e pamundur. Me anë të jazz-it transmeton një tjetër emocion, përçon një liri të interpretuarit, duke qenë se gjithçka buron thellësisht nga shpirti. Pra, është diçka që është e lidhur drejtpërdrejt me anën tonë të brendshme, emocionale. Për këtë më vjen mirë që isha pjesë e orkestrës së “Big Bend”-it.

Po në muzikën klasike, nuk ndiheni i çliruar?
Nuk mund të them se nuk mund të ndihem i çliruar, pasi edhe ajo ka veçorinë e saj si natyrë klasike. Por ndërkohë, në muzikën klasike çdo artist duhet më domosdo që të respektojë gjithçka që përmban partitura përpara tij/saj, në të kundërt del jashtë loje. Për këtë duhet të jesh shumë preciz kur luan në një pjesë klasike. Ndërsa në muzikën jazz nuk qëndron ky rregull. Aty je më i lirë, nuk ka “kufizime” të tilla. Ky është edhe “Big Bend”.

Kjo është hera e parë për ju që luani në muzikën jazz?
Në mënyrë autodidakte është hera e parë për mua që luaj në “Big Bend”. Në këtë lloj organizmi nuk kam marrë pjesë asnjëherë. Kjo është hera e parë për mua. Por megjithatë, më përpara kam mundur të punoj në mënyrë të pavarur, po thjesht për eksperimentim të vetvetes. Megjithatë, më shërbeu jashtë mase si një eksperiencë e re, e ndryshme dhe e dobishme.

Veçse jeni i çliruar, çfarë shpreh me anë të jazz-it, nëse bëjmë një krahasim edhe me mundësitë që ju jep kompozicioni?
Të dyja janë drejtime të ndryshme në këtë rrafsh. Sigurisht që në jazz je shumë herë më i çliruar, por ndryshimi nuk qëndron vetëm këtu. Në jazz shpreh atë që ndjen në një moment të caktuar, je i lirë. Dhe kjo nuk është pak për një muzikant. Domethënë, atë që unë apo dikush tjetër në vendin tim, nëse interpreton diçka në jazz, një tjetër herë po të njëjtën gjendje interpretative do ta përcjellë në një tjetër formë. Ndërsa në kompozicion, pra në degën që unë studioj aktualisht, ke mundësinë që të shprehesh vetëm me nota.

A e kërkon tregu ynë muzikën jazz?
Jazz-i është një stil muzike shumë kompleks. Kjo për shkak se ka shumë rryma specifike të po këtij stili, si elektrik jazz, kontemporan jazz, standard Jazz etj., ku ne kemi luajtur pikërisht llojin e fundit që sapo përmenda. Ndërsa të parat dhe disa të tjera janë shumë të vështira për t’u absorbuar nga publiku ynë shqiptar. Ndërsa ajo që luajmë ne është më e kuptueshme për ta në këtë rast, për të na lënë të kuptojmë se kjo është edhe arsyeja që ne interpretojmë vetëm standard Jazz, i cili është më tepër stil “Frenk Sinatra”.

Keni luajtur edhe mambo nga orkestra e “Big Bend”, një muzikë e parë përgjithësisht vetëm nëpër filma, ndërsa ju si studentë të akademisë interpretoni për të parën herë mes kësaj orkestre. Çfarë do të thotë për ju?
Është një frymë e re për ne, pasi më në fund po vihemi në të njëjtën pozitë me orkestrat e mëdha që kemi parë dhe dëgjuar nga “Big Bend”-i. Ata luanin dhe në thjesht merrnin apo marrim kënaqësinë që na dhuronin. Ndërsa mbrëmë këtë lloj sadisfaksioni e kemi transmetuar ne.

Ju merrni dhe jepni kënaqësi, po publiku çfarë merr, pasi në fund të fundit ju për atë po luani?
Publiku, përveçse është pjesë e kënaqësive tona, edukohet edhe më muzikën jazz. Mundësitë për të shijuar këtë lloj stili janë shumë të pakta edhe këtu në Shqipëri përveç dy-tre klubeve ose gjatë atyre rasteve kur shfrytëzojmë muzikën e grupeve të huaja në Akademinë e Arteve, por edhe këta të fundit vijnë shumë rrallë.

Pse mendoni se jazz është ende i palëvrueshëm në Shqipëri?
Mendoj se është i palëvrueshëm ngaqë është një muzikë e cila arrihet të kuptohet me vështirësi nga publiku. Ka ndërthurje filozofike dhe është derivat i muzikës klasike. I përket muzikës serioze, pavarësisht se përbëhet nga formacione të vogla të ndryshme dhe për këtë mendoj se janë të paktë ata njerëz që kanë njohuri mbi muzikën jazz dhe rrjedhimisht ta pëlqejnë atë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).