Imazhi i kulturës dhe kultura e mllefit

Para disa ditësh lexova një shkrim të Fatos Lubonjës me titull: “Kultura e imazhit ... dhe mungesa e kulturës”. Nëse do ta sintetizoja me dy fjalë shkrimin, në thelbin e tij qëndronte ideja (ose mungesa e idesë, ku ta dish) që kundërshton idenë e Artan Fugës, se në Shqipëri ka një konflikt brezash si pasojë e ndryshimit të llojit dhe niveleve të komunikimit. Lubonja që, përveç gjithçkaje tjetër, qenka edhe sociolog, me siguri që duhet t’i dijë mirë këto punë, meqë i di të gjitha. Se po të mos i dinte, natyrisht që nuk do fliste kot. Kjo është edhe arsyeja që ndenja dhe e lexova me kënaqësi të madhe shkrimin e tij. U kënaqa aq shumë saqë s’do ta kisha marrë kurrë mundimin ta prishja këtë kënaqësi pasive të të lexuarit e të ulesha për të shkruar këto radhë, sikur të mos më vriste syrin në mënyrë të përsëritur e këmbëngulëse, në rreshtat e artikullit të Omnidijetarit, emri im dhe i emisionit që bëj vetë.

Nuk e fsheh aspak që një prirje e lehtë narciziste më bëri që, fillimisht, të ndihesha krenar teksa shikoja emrin tim të shkruar kaq herë nga penda e intelektualit të madh. E ç’fat tjetër më të mirë nga ky, thashë me vete, mund të pretendojë një njeri si unë që s’bëj gjë tjetër veçse “një emision banal dhe vulgar”? Kjo ndjesi ma lartësoi figurën time para syve të mi. Mendova se nuk qenkam edhe aq pa vlera, se “Zonë e lirë” nuk është vetëm “një emision banal dhe vulgar”, përderisa një mjeshtër i mendimit të kulluar si Lubonja po e përmend si një nga fenomenet më përfaqësues të epokës sonë audiovizive. Në shkrimin e tij, krahas mikut tim Fuga, ndjehesha shumë mirë edhe midis figurash të tilla si Borges-i, Hitleri dhe Umberto Eco. Në atë çast kuptova se njeriu universal më kishte kushtuar të njëjtën rëndësi, e ndoshta edhe më tepër, sa edhe Fugës, Hitlerit, Borges-it apo Eco-s. Kuptova që i kishte ndjekur të gjitha emisionet e mia pa i hequr sytë asnjë çast prej ekranit të televizionit që ai e anatemon kaq shumë. Kuptova gjithashtu se ai mezi priste çdo të premte mbrëma për t’u ulur para televizorit, duke lënë mënjanë librat e tij të dashur dhe autorët e tij të preferuar për të parë “Zonën e Lirë”.

Mirëpo, më pas, pasi m’u fashit disi kjo valë ngazëllimi, ajo që më mbeti ishte një shije e keqe që më la mllefi i pafund i këtij njeriu ndaj gjithkujt dhe gjithçkaje. Natyrisht, edhe shumë faj nuk ka. Nuk është se Lubonja ka kaluar ndonjë jetë për t’u patur zili dhe vitet më të bukura të jetës i ka kaluar në burgjet e komunizmit. Dhe kjo nuk është pa pasoja. Me sa duket, pasoja më e rëndë është përjashtimi. Ky ithtar i madh i lirive dhe të drejtave të njeriut mezi pret rastin të përjashtojë nga “Republika e tij e Mllefit” të gjithë ata që nuk i pëlqejnë dhe që nuk mendojnë si ai. I është përveshur herë Kadaresë, herë George W. Bush-it, herë Ed Ramës, e plot të tjerëve. Kësaj here i përjashtuari i radhës ishte Fuga. Dhe në ç’mënyrë e përjashton pa: “Jam thelbësisht në kundërshtim me këto ide të Fugës, madje, po e them që në fillim, e shoh këtë shkrim si shenjë dorëzimi të mëtejshëm të inteligjencës shqiptare ndaj një sistemi të bazuar mbi kulturën e manipulimit të publikut që vetëm në dukje ka ndryshuar, por në thelb është vazhdim i sistemit të vjetër”. A thua se u bë qameti që Lubonja është thelbësisht në kundërshtim. Lubonja me sa duket nuk e ka marrë vesh akoma që në fushën e opinioneve çdo ide mund të jetë e kundërshtueshme nga një tjetër, mund të zëvendësohet nga një tjetër, mund të anulohet nga një tjetër, ose mund të plotësohet nga një tjetër. Po mirë, po që të përjashtosh gjithçka që nuk të përshtatet, a nuk është në thelb vazhdim i sistemit të vjetër?

Po ky Lubonja vetë, xhanëm, që s’la gazetë pa shkruar e ekran televizioni pa dalë, a nuk është edhe vetë pjesë e sistemit të bazuar mbi kulturën e manipulimit të publikut? Ah, jo. Fuga është. Ky Lubonja nuk manipulon. Ky ka monopolin e së vërtetës. Sipas të gjitha gjasave, Lubonja do donte që të gjithë ne, njerëzit e medias, të bënim emisionin “Opinion”, ku ai të dilte e të ligjëronte dhe gjithë të tjerët të dëgjonin gojëhapur xhevahiret e tij. Dhe mirë e ka. Sepse me siguri që ky emisioni i Fevzos është sui generis, ndërsa gjithë të tjerët të imituar. Do t’i sugjeroja Fatos kompetentit, meqë duket se e ka për zemër Borges-in, të lexonte prej këtij të fundit edhe tregimin Pjer Menari, autor i Kishotit. Mbase do ta kuptonte që nuk ka imitim, që nuk mund të bëhen dy gjëra njëlloj, sepse uji i lumit të Heraklitit rrjedh. Mirëpo, ndonëse i di të gjitha, Omnidijetari nuk i kupton të gjitha.

Por më e bukura e gjithë këtyre është që, si dhe shumë gjëra të tjera në këtë vend, këto “të vërteta të mëdha” Lubonja i thotë me seriozitet të madh. A thua se gjithë dynjaja ishte duke pritur me veshët ngritur se cili do të ishte vallë qëndrimi që do mbante Lubonja ndaj ideve të Fugës. Ky njeri që qahet nga emisionet që e bëjnë gjithë ditës qesharak, nuk arrin ta kuptojë që qesharak bëhesh kur je vërtet i tillë dhe jo kur qesh nëpër emisione. Qesharak bëhesh kur kujton se ke monopolin e së vërtetës; kur përjashton zërin e tjetrit; kur kërkon t’u imponosh të tjerëve standardet e tua.

Fatos, njih vetveten, do thoshte Sokrati, pastaj merru me të tjerët! Meqë ra fjala, Lubonja e di, meqë i di të gjitha, që Sokrati nuk shkroi asgjë gjatë gjithë jetës. I pëlqente fjala dhe sidomos dialogu. Sipas logjikës së Lubonjës, i bie që Sokrati të jetë më i rrezikshëm se Hitleri (meqë ky i fundit na e ka lënë të paktën një libër). Lubonja, si dikush që i di të gjitha, e di edhe vazhdimin: Sokrati nuk pranoi të arratisej e t’i shpëtonte vdekjes dhe piu helmin, duke dhënë kështu shembullin më të shkëlqyer të respektimit të vendimit të shumicës, pra, të demokracisë. Ky ishte Sokrati, njeriu që nuk besonte te librat, por te dialogu. Ndërsa Lubonja, me ç’po shohim, nuk ka ndërmend as të respektojë demokracinë, e, aq më pak, të pijë helmin. Dhe kështu që s’do na lerë rehat asnjëherë duke na treguar të vërtetat e mëdha dhe duke ndjekur çdo të premte mbrëma, i shtangur para televizorit, emisionin tim “Zonë e lirë”.

7 Komente

Nuk e di, por cdo dite e me teper une behem pesimiste per te ardhmen e ketij vendi, ku perfshihet dhe e ardhmja ime personale. Emisionin e Canit e kam ndjekur disa here dhe mendoj qe pervec budallalleqeve pa fund, pervec antivlerave kulturore ( e sidomos muzikore), ka dhe nje ironi ndaj gjithe ketij mishmashi qe perben boshtin e emisionit te tij.

Ketu nuk behet fjale me per nje "Zone te lire" apo per nje "Opinion", ajo qe me shqeteson mua eshte ngritja e zerit, ulerimat, fjalet fyese qe te ftuarit "intelektuale" i drejtojne njeri-tjetrit. Sillen sikur te gjithe dine gjithcka dhe tjetri asgje. ( edhe populli sylesh e injorant eshte?!) Jo me larg por po ne emisionin e Canit, zoterinjte e nderuar per te cilet gjithnje kam ushqyer nje respekt te vecante si njerez te letrave, A. Klosi dhe M. Marku nuk kishin as durimin, as miresjelljen ta degjonin njeri-tjetrin gjer ne fund, e mandej te pergjigjeshin. Perpos temes qe qene ftuar si pale kundershtare ( ceshtja Marubi), dukej acik qe mllefet ndaj njeri-tjetrit i kishin rrenjet me te thella. Epitetet me shumice qe shkembeheshin si bresheri  nuk i lane t'i vinin pikat mbi i ceshtjes dhe muhabeti mbeti pa koke. E njejta gje vlen dhe per shume te tjere ( perfshi dhe Lubonjen, qe eshte kokefortesisht i vendosur dhe i bindur ne ato qe thote, packa ne jane te drejta apo te gabuara). Kultura qytetare ku ka mbetur, o njerez? Perulesia dhe modestia, apo dhe pranimi i nje gabimi ne gjykim, jane te teperta per kohen tone? Atehere une dhe shume te tjere si puna ime, qenkemi demode... Kur "kokat e kultures"( parlamentin s'po e ze fare n'goje, se eshte per turp te Zotit)  i japin munxet njeri-tjetrit, s'lene gur e kusur gjersa t'ju dale e tyrja, them qe hakmarrja e gjakmarrja po na pushton keq. E trishtueshme. smiley

Epo te kapesh peng xha Sokratin per te dale tek zonat e lira, kesaj i thone kapercim viganesh.

Arian, qe te mos llapashtosh me teper, po te them vetem qe xha Sokrati nuk fliste gjepura ne emisione brekesh dhe buzkuqesh, por kishte hesape te tjera ay miku. Dhe sidomos, ai nuk ishte nga ata te "la mauvaise foi", qe tek ty eshte MONUMENTALE.

Uji i Heraklitit rrjedh por ama shigjeta e Zenonit rri pezull ne ajer. Apo jo, Arian?

Te vijme tek Pier Menari yt i famshem. Per ata qe nuk e dine, historia e Pier Menar eshte kjo : Borges, ne nje novele te tij, shkruan per njefare Pieri qe vendos te shkruaje Don Kishotin. Por kujdes ! Jo Don Kishotin e Cervantes por nje Don Kishot pa lidhje me Cervantes por qe te ishte ama nje Don Kishot KREJTESISHT i njejte me vepren e Cervantes. Me nje fjale, nese s'e moret vesh, Pieri donte te SHKRUANTE dhe jo RISHKRUANTE apo KOPJONTE apo IMITONTE Cervantesin e gjore me nje dore. Dhe c'ben Pieri i famshem ? I futet spanjishtes se shekujve te Cervantes dhe e ben uje. Rigjen besimin katolik, harron historine e Europes qe nga 1600 e kendej... Mirepo kjo s'e kenaq (gje e lehte per te), se pastaj c'kuptim do te kishte? Ai nuk donte te ishte nje Cervantes i dyte, por thjesht vetvetja qe do te shkruante fjale per fjale Don Kishotin e Cervantes. Me nje fjale, Borges thjesht deshiron te vere ne dukje qe trillimi dhe realiteti humbasin kuptimin dhe ngaterrohen tek njeri-tjetri. Madje, nganjehere trillimi paraprin realitetin.

Tani, qe ta marr vesh une, c'dreqin hyn ketu Borges me emisionin tend te breckave ? Borges flet per shuarje te konceptit te ndertekstualitetit (futja e nje teksti ne nje tekst tjeter - haptas ose fshehtas) e ti perrallis per sutjenat dhe tangat e Rromaportomaciles.

Dhe puna e imitimit, qe te flesh rehat njehere e mire, deri ne fund te jeteve, GJITHCKA ESHTE E PREJARDHUR. Asgje nuk vjen nga hici. EX NIHILO NIHIL. Gjithashtu dhe emisioni "YT".

Te na rroje kyltyra qe na percjell me emisionin tend, pa te do te ishim nga ata qe i ushqejne gomeret me lule.

Lubonja që, përveç gjithçkaje tjetër, qenka edhe sociolog, me siguri që duhet t’i dijë mirë këto punë, meqë i di të gjitha. Se po të mos i dinte, natyrisht që nuk do fliste kot.

Me pelqen kjo!

Asnjë argument në këtë artikull. "Lexo këtë! Po këtë a e ke lexuar? Ti ke vuajtuar, prandaj ke rrjedhur. Ti vdes për emisionin tim, mos bëj sikur nuk është kështu." - kjo është esenca e artikullit të Çanit. 

Çani është një gastor i mirë, një shembull i keq, një opinionist inekzistent. Dhe apologjia që i bën Fuga në esenë-aventurë që nisi meselenë është së paku e pabesueshme dhe shumë e guximshme. 

Dhe në fund, një pytje e hedhur kështu në treg: cila është filozofia e filozofit Fuga?

Nice, Cani. Lubonja nuk ka ndermend as te pije helmin. Domethene doli korruptues i te rinjve. Gjoja e trashe, nuk e kupton as kur ben kompliment. Mire mire.

Njeriu pa cilesi, pergjigje do ishte: nje pragmatizem teper i theksuar.

Me qe nuk e pelqyen te paren  ? shkurt : CANI je i MADH !je i "bukur"...Mini malisht nuk je i soit te hapjes se zorreve si nje fare ministri per arsim qe nuk di shkrim e kendim ne berjen e "dyluftimeve" ose replikave te Joz -parlamentit  smiley Je i qyteteruar dhe plot humor.

Shkrimi shkon paralel me imazhine e dhise se zgjebosur me bishtin perpjete. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).