Imami dhe i biri i kasapit kosher

1.

Vera ishte aq e thatë sa imami i Prishtinës, Shefqet Krasniqi, iu kthye njërit prej riteve që njerëzimi i njeh para se të lindnin Islami, Krishterimi dhe Judaizmi, lutjes së shiut.

Ndërsa xhemati po djersitej, imami me gojë gjithnjë e më të tharë luste Zotin që t‘u sillte "fëmijëve të tij dhe hajvanëve të tij" ujë, që me shi të jepte jetë.

Lutja do të dukej si një përjetim skenik për studentët e antropologjisë, me një porosi universale të ujit të begatisë, po të mos ishte edhe konteksti i cili i përcjell religjionet monoteiste: dënimin. Në pikën kyçe të ligjërimit, imami luste Zotin që të mos i ndëshkonte "fëmijët e tij dhe hajvanët e tij" për shkak të mëkateve të të tjerëve.

E, mëkatet janë kategori interesante për këtë imam. Kur e pyesin se ku e ka vendin Nëna Terezë ai përgjigjet:

"Midis xhehenemi, thellë. Midis xhehenemi e ka vendin, sepse ajo nuk ka besuar Allahun, nuk e ka besuar Pejgamberin, nuk e ka besuar Kuranin... Edhe nëse e ka besuar Allahun, ajo e ka besuar me të meta, jo të plotë. Allahu nuk ka të meta. Të thuash se Allahu ka djalë, ajo është e metë. Allahu nuk e pranon atë adhurim.

Siç ka thënë Pejgamberi në hadith, Allahu nuk i bën zullum myslimanit. Kur bënë punë të mirë myslimani, Allahu i jep në këtë dynja dhe e shpërblen në ahiret.

I jep në këtë dynja, e ruan prej kaderreve, prej të këqijave, i jep evladë, fëmijë, ia shton pasurinë dhe të tjera të mira në këtë dynja myslimanit...

Ndërsa qafirit thotë a.s s. Allahu ia kthen të mirën në këtë dynja, në mënyrë që kur të del para Allahut del duarthatë dhe s‘ka kurrgjë. Pra, në këtë dynja ia ruan shëndetin, ia shton pasurinë, i jep evladë, i jep qetësi shpirtërore, i jep autoritet, pozitë, është deri diku i lumtur... Tana këto i ka pasur Tereza. Ka pas derën çelë, ku ka dashtë me shku, pa pare në këtë dynja, me hëngër çfarë ka dashtë, me pi çfarë të dojë, burra kënd të don me i ndërru. Pra, ka pas të mira në këtë dynja plotë ajo, autoritet sa të dush, vetëm se ata e kanë të ndaluar fenë normalisht, pra ia ka dhënë Allahu në këtë dynja të gjitha. Dhe kur të del para Allahut, në ditën e kiametit, nuk ka kurrgjë..."

2.

Natyrisht që deklaratat e Krasniqit janë dënuar me të shpejtë nga Bashkësia Islame e Kosovës dhe opinioni publik. Thelbi i tyre, siç do pritur, në Kosovën ku gjatë tërë kohës së konfliktit me pushtetin serb përkatësia fetare nuk ka mbisunduar mbi projektin kombëtar, e në masë të madhe po ashtu këtu qe krijuar edhe kulti i Nënës Terezë, ishte se janë gjuhë e urrejtjes ndaj katolikëve dhe figurës së Nënës Terezë.

Mua, pos këtyre më intrigoi fillimisht argumentimi primitiv i arsyes pse Nënës Terezë mund t‘i jetë e mbyllur dera e parajsës, xhenetit. Dijetarët islamikë, që në fillim të lindjes së këtij religjioni, kanë pasur kontakte shumë më intensive me filozofinë antike greke dhe tërë trashëgiminë e dijes prej Mesopotamisë e deri në Kinë. Është vështirë të kuptohet se si imami nuk gjeti më shumë inspirim intelektual e teologjik për shpjegimet e veta. Por, kjo është ndoshta e kuptueshme prej përmbajtjes së predikimit të tij, i cili mbështetet në nocionin, siç e lidhi edhe me Nënën Terezë, të frikës nga Dita e Kiametit. Sipas imamit, njeriun që i frikohet Allahut në këtë dynja, Allahu do ta ndihmojë të kalojë përtej në Ditën e Kiametit. Sipas imamit, prandaj jeta në këtë tokë është jetë frike nga Allahu, në mënyrë që shpërblimi të merret në dyert e parajsës.

3.

Nocioni i frikës nga Zoti, temë e preferuar e imamit, m‘u shfaq në një kohë dhe botë tjetër, ndërsa lexoja romanin e ri, të 29-in me radhë, të shkrimtarit më të madh të gjallë amerikan, Philip Roth. Në "Indinjatë" (Houghton Mifflin Company, Boston-New York, 2008), studenti shembullor Markie Messner, i biri i një kasapi kosher (sipas traditës hebreje) largohet nga New York-u dhe shkon për të vijuar studimet në Universitetin Winesburg të Ohios, i rrethuar me të krishterë. Janë vitet pesëdhjetë dhe në universitetet e këtilla të provincës së thellë amerikane është e obligueshme shkuarja në faltore (natyrisht e krishter&eumlsmiley. Për më tepër, nga shkuarja varet diplomimi e nga diplomimi pozicionimi për Luftën koreane; ata pa fakultet përfundojnë në transhetë e vijave të para të frontit, fakultetlinjtë në punë zyre dhe me gradë oficeri.

Messner është refuzues i dyfishtë. Fillimisht refuzon të deklarojë se është hebre, ngase nuk e konsideron veten besimtar. Pastaj refuzon të shkojë në faltore sepse "nuk kam nevojë predikimet e moralistëve profesionalë të më tregojnë se si duhet të sillem". Duke i shpjeguar arsyet e mosshkuarjes, ia citon esenë e nobelistit Bertrand Russel të vitit 1927 me titull "Pse nuk jam i krishterë":

"Feja, deklaron ai, është e bazuar fillimisht dhe kryesisht mbi frikën - frikën nga e panjohura, frikën nga dështimi dhe frikën nga vdekja... Fitoje botën me inteligjencë, thotë Russell, dhe jo duke iu nënshtruar skllavërisht terrorit që e përcjell të jetuarit në të".

4.

Nuk ka shumë paralele mes Amerikës në kohën e luftës së Koresë dhe Kosovës në përvjetorin e pavarësisë. E mora shembull këtë libër të Rothit, për shkak të rrëfimit të vet universal (si edhe në librat e tij të mëhershëm) të rebelimit kundër konventave, apo siç pasqyrohen ato me një fjalë: represionit.

Studenti Messner, para se të rebelohej kundër obligimit për të shkuar në faltore, ishte rebeluar kundër vet familjes së tij, çifutë të New Jerseyt që shkollojnë të birin në mënyrë që të jetë i pari i Messnerëve që nuk përfundon kasap, por avokat me nam e para. Shkuarja e tij nga New Jersey për në Ohio është ikje nga një baba që "është i çmendur me zbulimin e llahtarshëm se fëmija po i rritet, lëshon shtat, i tejkalon prindërit dhe nuk mund ta mbash brenda, se duhet t‘ia lëshosh botës". Babai i tij instalon frikën në shtëpi, një frikë e pambështetur, një frikë që për fillim e fund ka të njëjtën formulë: se diçka do t‘i ndodhë djalit. Dhe, shkuarja e studentit për në Ohio është ikje nga kjo frikë.

Metafora e kasapit kosher, sado e largët, është universale dhe e aplikueshme si te të gjitha religjionet monoteiste sot, edhe tek imami Krasniqi. Xhemati, fëmijët e tij kushtimisht, po rriten dhe janë gjithnjë para sfidës të të zbuluarit të një bote jashtë asaj të frikës. Dhe e vetmja përgjigje që ka imami për ta është më shumë frikë, është regjimi jetësor i frikës, represioni, që do të shpërblehet në Ditën e Kiametit.

5.

Messner vritet në frontin e luftës. Gjegjësisht është në gjendjen e paravdekjes, prej nga bëhet rrëfimtar i këtij libri dhe pyetet se a "shërben përjetësia për këtë, për t‘u përqendruar mbi hollësitë e jetës? Kush mund të imagjinonte se mund të mbash përgjithmonë në mend çdo moment të jetës deri në përbërësin e tij më të vogël".

Kur vritet, dëgjon himnin kinez dhe fjalën "Indinjatë" që është fjala motorike para rebelimit, fjalë të cilin Messner e përsëriste në vete kur konfrontohej me babanë apo me dekanin e Universitetit. Paradoksalisht, për herë të fundit do ta dëgjojë nga ushtarët kinezë, të nisur drejt transheve amerikane, me bajoneta.

Përfundon në frontin e luftës, për shkak të refuzimit për t‘iu nënshtruar autoritetit, qoftë atij universitar qoftë atij moral, duke vërtetuar paradoksalisht atë "që babai i tij i paedukuar përpiqej kaq shumë ta mësojë gjithandej: për mënyrën e tmerrshme dhe të pakuptueshme se si zgjidhjet banale, incidentale apo madje edhe komike të njërit mund të arrijnë një rezultat krejtësisht jopërpjestimor".

A ka kjo lidhje me predikimet e imamit? Jo, këtu përfundojnë analogjitë e mundshme metaforike. E shënova vetëm si liri që e ka letërsia dhe që do të duhej ta kishin njerëzit. Liri nga frika.

3 Komente

Me pelqeu Veton Surroi ketu! Ka lidhur ceshtjen si duhet. Nje roman me subjekt rebelimin e nje hebreu ndaj familjes dhe fese eshte konteksti i duhur per te kuptuar (si qafir) zellin e tepruar te Shefqetit.

Shefqetit i eshte mbushur mendja se eshte Hebre(ashtu si cdo mysliman dhe i krishter i mire). Madje Shefqeti per termin parajse perdor emrin hebraik 'gehenna' (xhehenem). Por e keqja e Shefqetit eshte se po ti thuash qe ti je si hebre (dhe cdo Hebre e denon cdo te krishtere si hajdut idesh dhe ndjekes i nje rabini rrebel), ai do te ta kepuse kaptinen.

Shefqeti nuk eshte Hebre, aq me teper i rrebeluar, por ne qe do i rrebelohemi Shefqetit shume shpejt do ta gjejme edhe ne veten si Messner: ne frontin e luftes.

Pritna o Shefqet se erdhem!

 

Amin

Po te shikoni ne youtube jan disa video me predikimet e ketij imamit dhe ka shume perplasje midis shqiptarve.Mbeshtetsit e ketij imamit trumpetojn me te madhe se me pare jan musliman se sa jan shqiptare.Sharjet ofendimet dhe kercenimet jan te cdo lloj.

Mbeshtetsit e ketij imamit trumpetojn me te madhe se me pare jan musliman se sa jan shqiptare.

Se jane muslimane te mire prandaj..Muslimani i mire o shqiptar i keq

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).