Humbjet e OSSH, 60 milionë euro

 

Qeveria firmos shitjen e aksioneve. Por CEZ vazhdon me kushte: Do të mbikëqyrim ERE-n. Shihemi pas 90 ditësh për kontratën finale

 

Pa arritur ende në marrëveshje të plotë, qeveria shqiptare firmos kontratën e shitjes së OSSH-së me kompaninë çeke CEZ, duke krijuar një situatë të dyshimtë në arritjen e rezultatit. Në deklaratat e të dyja palëve, paraqiteshin dukshëm dy standarde: euforia e qeverisë shqiptare dhe skepticizmi i kompanisë çeke. Vladimir Schmalz, drejtori i shitjeve në CEZ, tha para mediave se kanë mbetur pa u zgjidhur disa çështje në kontratë dhe për këtë fakt, negociatat do të vijojnë edhe për tre muaj të tjerë, deri në mbyllje të plotë të procesit. Brenda kësaj periudhe, që përkon me zgjedhjet parlamentare, kontrata e shitjes së OSSH duhet të kalojë në disa hallka ligjore, ku më me interes paraqitet miratimi nga Autoriteti i Konkurrencës dhe votimi nga Kuvendi i Shqipërisë. Për ministrin Ruli, i vënë në presion nga media, opinioni publik dhe politika, "marrëveshja e firmosur me CEZ është një sukses i qeverisë, nisur nga vështirësitë që paraqiste procesi". Kurse Camille Nuamah, drejtoresha e Bankës Botërore, pas firmosjes theksoi se "puna e vërtetë nis tani, nga ku presin rezultate". Deri tani është diskutuar mbi disa kushte, të cilat zëvendësoheshin me të tjera, por palët nuk kanë gjetur ende gjuhën e përbashkët. Çekët, gjatë pesë muajve negociata, vendosnin kushte të reja pas çdo rezultati të arritur, kurse qeveria përpiqej të gjente zgjidhje, ndikuar edhe nga faktori politik.

Marrëveshja e nënshkruar dje midis ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, dhe përfaqësuesit të CEZ, Vladimir Schmalz, në prani të drejtuesve të Bankës Botërore dhe IFC-së, duket se i jep fund odisesë së gjatë dhe të mundimshme të privatizimit të një prej sektorëve më problematikë në vend, atij të shpërndarjes së energjisë elektrike. Negociatat konkrete me CEZ, kur u shpallën fitues, kanë nisur që në muajin tetor, duke vijuar me diskutime të vështira dhe me deklarata optimiste nga qeveria, se vendimi do të merret shumë shpejt. Afati i privatizimit shtyhej çdo muaj, kurse palët përpiqeshin të gjenin një zgjidhje të përbashkët, që lidhej me çmimin e energjisë elektrike, arkëtimet dhe nivelin e humbjeve. Dy ditë më parë, Ministria e Ekonomisë konfirmoi ceremoninë e firmosjes së kontratës për shitjen e 76 për qind të OSSH-së për 102 milionë euro te CEZ, duke krijuar bindjen se gjithçka mori një fund pozitiv. Deklarata e një prej drejtorëve të kompanisë çeke, i cili firmosi marrëveshjen me Rulin, paraqiti një situatë jo fort optimiste, madje me ironi iu drejtua gazetarëve se, "pyesni ministrinë për kushtet. Ne nuk dimë gjë". Sipas ministrit Ruli, "me palën çeke ramë dakord, pa krijuar pengesa, në ruajtjen e një balance të arsyeshme për çmimin e energjisë elektrike në atë masë që të jetë i përballueshëm për publikun".

Qëndrimet

IFC, pjesë e grupit të Bankës Botërore, ka këshilluar qeverinë shqiptare për privatizimin e 76 për qind të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike (OSSH). Procesi i këshillimit lidhej me ndarjen e kompanisë, ristrukturimin e transaksionit dhe në mbarëvajtjen dhe realizimin e një procesi tenderimi të hapur, transparent dhe konkurrues. Në tetor 2008, CEZ u zgjodh si kompania fituese, duke ofruar 102 milionë euro. Pas konsultimeve të mëtejshme, vendimi u konfirmua edhe nga qeveria shqiptare. "Jemi të sigurt që CEZ do të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me energji elektrike në Shqipëri, duke përmbushur në këtë mënyrë kërkesat e klientëve", vuri në dukje Genc Ruli, ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë. Sipas tij, "zgjedhja e CEZ-it dhe procesi i tenderimit u zhvillua bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe në këtë drejtim, ne jemi shumë të kënaqur me bashkëpunimin tonë me IFC-në". Vladimir Schmalz, njëri prej drejtuesve të CEZ, theksoi se "grupi CEZ ka një eksperiencë të gjatë dhe të madhe në ristrukturimin e kompanive të shpërndarjes në Republikën Çeke, Bullgari dhe Rumani. Ne jemi shumë të kënaqur që të ofrojmë këtë përvojë në të mirë të sektorit shqiptar të shpërndarjes të energjisë elektrike". Ndërsa Shahbaz Mavaddat, drejtori për Departamentin e Evropës Jugore dhe Azisë Qendrore në IFC, nënvizoi se "realizimi i kontratës me CEZ është një tregues shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit si dhe rritjen e mirëqenies së shqiptarëve".

Banka Botërore

Roli i Bankës Botërore në procesin e privatizimit të OSSH ishte i rëndësishëm, pasi banka u bë garanti i qeverisë, në rast se ERE merrte ndonjë vendim në kundërshtim me marrëveshjen. Garancia e Bankës Botërore ishte 40 milionë euro, që gjithsesi është hua që do të paguhet nga qeveria shqiptare. E pranishme në ceremoninë e nënshkrimit, Nuamah tha se sektori i energjisë nuk ka ofruar rezultate pozitive, duke ndikuar negativisht në rritjen ekonomike të vendit. "Në janarin e këtij viti, më pak se 50 për qind e energjisë së përcjellë nga sistemi i shpërndarjes është paguar. Humbjet në sistemin e shpërndarjes për një kohë të gjatë kanë qenë më të këqijat në Evropë", u shpreh Nuamah. Drejtoresha e Bankës Botërore thekson se më tej se "marrëveshja e nënshkruar sot (dje) është hapi i parë dhe do të jetë efektive vetëm atëherë kur të plotësohen një numër kushtesh". Një nga ato përfshin që BB-ja të veprojë si garantues midis qeverisë, ERE-s dhe OSSH-së së privatizuar.

5 milionë USD

KESH, hiqet taksa

2 për qind e importit

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje heqjen e tarifës doganore prej 2 përqindësh që aplikohet për importin e energjisë elektrike. Heqja e kësaj takse lind nga detyrimi që qeveria shqiptare ka ndaj Bashkimit Evropian, por më shumë për të lehtësuar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare-KESH Gen, gjatë importimit të energjisë elektrike. Gjatë diskutimeve në komisionin parlamentar, deputeti i PS-së, Arben Malaj, u shpreh se ky ndryshim në ligjin "Për tarifat doganore", duhet të ishte bërë në shtatorin e kaluar, kur u miratuan nivelet e reja të taksave doganore dhe jo tani, kur një pjesë e kontratave është mbyllur. Përfaqësuesi i doganave tha në komision se ky është problem i Ministrisë së Ekonomisë, e cila neglizhoi rishikimin e kësaj takse. Efekti financiar nga heqja e taksës 2 për qind është rreth 5 milionë dollarë për vitin 2008, plus për KESH-in.

Aksioni-Vlorë

Shkëputet energjia

për 50 abonentë

OSSH-ja e Fierit ka ndëshkuar gjatë javës së fundit 50 konsumatorë familjarë dhe subjekte private në Rrethin e Vlorës. Subjektet e penalizuara mësohet se rezultonin debitorë për periudha të ndryshme kohore. "Me anën e këtij aksioni kërkohet që të rriten treguesit e arkëtimeve të energjisë, si dhe pakësimi i nivelit të humbjeve", tha kreu i filialit në Fier. Aksioni i nisur në fillim të kësaj jave do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke zbatuar një grafik ndërhyrjeje sipas zonave më problematike. Në fund të vitit të kaluar, niveli i arkëtimeve në qytetin e Vlorës e kaloi atë të 85 përqindëshit, ndërsa ai i humbjeve në rrjet arriti në 34 për qind. Për dy muajt e parë të këtij viti, treguesi i arkëtimeve ishte 2 për qind më i lartë. Sipas drejtorit të filialit të OSSH-së së Fierit nga varet edhe Vlora mësohet se qyteti bregdetar regjistron 31 mijë abonentë.

Drejtori shitjeve, Vladimir Schmalz: Ne duhet të paguhemi, pasi do të investojmë

CEZ: Kërkojmë disiplinë nga konsumatori

CEZ e ka të qartë se rregullimi i sektorit energjetik në Shqipëri do të jetë një sfidë për ta. Vladimir Schmalz, një nga drejtuesit kryesorë të CEZ, i cili firmosi marrëveshjen për blerjen e 76 për qind të aksioneve të OSSH-së, u shpreh dje për "Top Channel" se situata me konsumatorin shqiptar do të ndryshojë në bazë të rregullave të reja. "Ne do të investojmë, për këtë duhet të paguhemi", tha ai gjatë intervistës. CEZ ofroi 102 milionë euro për blerjen e aksioneve, në një kohë që janë zotuar të investojnë të paktën 200 milionë euro në pesë vitet e ardhshme. "Ne do të përmirësojmë rrjetin energjetik për t‘i garantuar konsumatorit shqiptar energji të pandërprerë elektrike, ky është objekti kryesor. Por më duhet të shtoj se çështja e furnizimit me energji elektrike është problem rajonal dhe mund të zgjidhet përfundimisht vetëm atëherë kur rajoni të ketë krijuar infrastrukturën e nevojshme dhe ndërtimin e linjave që mundësojnë shkëmbimin e energjisë elektrike mes vendeve", u shpreh Schmalz. Lidhur me situatën ku ndodhet sektori energjetik shqiptar, komentet e palës çeke ishin se "ne jemi të ndërgjegjshëm dhe e dimë faktin se ecuria e sektorit energjetik në Shqipëri është ndër më të varfrat në Evropë. Por ne presim një disiplinë më të caktuar në të ardhmen nga konsumatorët, por edhe nga autoritetet, të cilat duhet t‘u përmbahen rregullave dhe të zbatojnë ligjet. Ne do të bëjmë investime të konsiderueshme për të përmirësuar rrjetin që arrin në disa qindra milionë gjatë viteve të ardhshme. Sigurisht këtej e tutje marrëdhëniet me konsumatorin do të jenë ndryshe. Ne do investojmë dhe presim që të paguhemi për këtë".

CEZ është një ndër kompanitë energjetike që udhëheq në Evropën Qendrore, me 7 milionë klientë dhe me një kapacitet të instaluar për prodhimin e energjisë, energjisë nukleare, nga qymyri dhe hidrocentraleve prej 14 300 MW. Grupi CEZ renditet ndër dhjetë kompanitë energjetike më të mëdha në Evropë. Përveçse në Republikën Çeke, ai operon në më shumë së dhjetë vende të Evropës Qendrore dhe Juglindore.

OSSH humbi 60 milionë euro në 2008

"Heqja e borxheve nga OSSH dhe transferimi i tyre te KESH u krye për shkak të humbjeve të mëdha që Operatori i Sistemit të Shpërndarjes pati gjatë vitit të kaluar". Ky qe shpjegimi i dhënë dje në një konferencë për shtyp nga drejtori i Korporatës Financiare Ndërkombëtare për rajonin z.Shahbaz Mavaddat. "Çmimi i ofruar prej 102 milionë eurosh në shtator ‘08, bazohej në bilancin e OSSH të vitit 2007. Për shkak të humbjeve të krijuara gjatë vitit të shkuar dhe fillimit të këtij viti, u vumë para dilemës nëse duhej të ndryshonim çmimin apo të ndryshonim bilancin", deklaroi Mavaddat, i pyetur nga "Shqip" mbi arsyet që e shtynë qeverinë për korrigjimet në bilanc të kryera javën e kaluar.

Me një vendim surprizë, qeveria vendosi në 6 mars të transferojë borxhe dhe të anulojë fatura të papaguara të OSSH me vlerë të përgjithshme prej afërsisht 60 milionë euro. Rreth 5.16 miliardë lekë borxhe afatgjata u transferuan nga OSSH te KESH; 1.1 miliardë lekë asete të realizuara në vitin 08 nga KESH iu transferuan OSSH dhe 1 miliardë lekë fatura të pashlyera nga OSSH u anuluan dhe u konsideruan rritje kapitali. Në bazë të këtyre të dhënave, çmimi final real i OSSH ra nga 102 milionë euro të premtuara në shtator 2008 në rreth 42 milionë euro. CEZ do të paguajë shumën e plotë prej 102 milionë euro, por mbi KESH dhe OST, të cilat mbeten nën pronësi publike, do të rëndojë pjesa tjetër prej 60 milionë eurosh.

Por për 2008 nuk ka ende bilanc

Ndërsa përfaqësuesi i IFC tha se humbjet e OSSH qenë 60 milionë euro gjatë vitit të kaluar, përfaqësuesi i qeverisë shqiptare në konferencë refuzoi të japë të dhënat e bilancit të kompanisë. "Bilanci i vitit të kaluar nuk ka përfunduar ende së hartuari nga eksperti kontabël", tha z.Alfred Rushaj, këshilltar i ministrit të Ekonomisë, z.Genc Ruli.

OSSH u nda nga KESH vite më parë, por deri më sot nuk e ka bërë kurrë publik bilancin e vet. Të dhëna dytësore flasin për përkeqësim të shpejtë të situatës së saj financiare, kryesisht për shkak të importeve të energjisë elektrike me çmime shumë të larta gjatë vitit të kaluar, por veçanërisht për shkak të performancës së keqe në arkëtime. Sipas Bankës Botërore, në janar të këtij viti, vetëm 50 për qind e energjisë së furnizuar në Shqipëri u pagua nga konsumatorët.

"Rezultati i sektorit të energjisë elektrike në Shqipëri ka qenë shumë problematik për shumë vite", tha përfaqësuesja e Bankës Botërore, Camille Nuamah dje. "Në janar, më pak se 50% e energjisë së furnizuar u pagua nga konsumatorët", tha ajo. Kjo do të thotë se vetëm brenda një muaji, humbjet e OSSH kanë qenë në rendin e 10-20 milionë eurove.

Gjatë gjashtëmujorit të parë ‘08, vetëm 60% e energjisë së furnizuar iu faturua konsumatorëve, por edhe një pjesë e kësaj energjie është e papaguar. Humbjet qenë të barabarta me 74 milionë euro vlerë tregtare vetëm për gjashtë muaj.

Fajin e ka kriza

Ndonëse privatizime të tilla janë afatgjata dhe nuk preken nga ciklet ekonomike, zyrtarë të qeverisë dhe ndërkombëtarët e përmendën shpesh gjatë ditëve të fundit krizën financiare botërore. "Është një mrekulli që ne gjendemi sot këtu, në mes të krizës botërore. Ky është një lajm i gëzuar jo vetëm për popullin shqiptar, por edhe për të gjithë rajonin", - tha drejtori i IFC z.Mavaddat. ICF ka kryer rolin e këshilltarit për qeverinë në procedurat e privatizimit, përkundrejt një përqindjeje mbi vlerën e arkëtuar nga shitja. Për grupin e Bankës Botërore, privatizimi dhe reforma në KESH ka qenë gjithmonë një prioritet i dorës së parë, për shkak se këto institucione kanë qenë financuesit kryesorë të sektorit energjetik gjatë njëzet viteve të fundit. KESH i detyrohet atyre borxhe me vlerën e disa qindra milionë eurove. Që nga viti 1998 deri në vitin 2002, kreditë e BB për KESH u pezulluan si pasojë e papërgjegjshmërisë së qeverisë në reduktimin e humbjeve dhe mosrritjen e çmimeve. Fondet u rihapën kur qeveria filloi të zbatojë manovra financiare për të paraqitur një bilanc më pozitiv. Konsumi i institucioneve publike u faturua artificialisht i lartë me qëllim që KESH të rriste të ardhurat përmes pagesave nga buxheti i shtetit, por në mënyrë indirekte. Praktika të tilla vijojnë prej vitesh. Vetë OSSH ka nevojë për investime të shumta me qëllim zgjerimin e rrjetit të shpërndarjes dhe reduktimin e vjedhjeve.

Qytetarët do ta paguajnë përmes KESH

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, negociatat e qeverisë me CEZ për mosarritjen e çmimeve për konsumatorin final, do të paguhen nga qytetarët shqiptarë indirekt përmes KESH.

Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e tij të fundit për Shqipërinë, thotë se në negociata është rënë dakord për një "subvencionim të fshehtë" të OSSH-së, përmes ngarkimit të humbjeve financiare të KESH-it sh.a. Në total, humbje vjetore në rendin e 0.7% të PBB-së do të duhet të mbulohen nga buxheti i shtetit përmes kësaj skeme, sipas FMN-së.

Enti Rregullator do të detyrohet të respektojë kontratën me CEZ

Kontrata mbikëqyr rregullatorin e energjisë

Kontrata për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes përmban një aneks mbi "rregullatorin" e tregut të energjisë elektrike dhe rolin e tij përballë privatizuesit. Kjo pjesë e kontratës u kërkua me ngulm nga CEZ për shkak të eksperiencave të hidhura me qeveri të papërgjegjshme nëpër Ballkan. CEZ ka aktivitete prodhuese dhe shpërndarëse në shumë vende të rajonit dhe në të gjitha vendet, problemi është i njëjtë: qeveritë ndërhyjnë tek entet rregullatore, të cilat teorikisht duhet të jenë të pavarura dhe ndalojnë rritjen e çmimeve për arsye politike. Këto lloj ndërhyrjesh konsiderohen si "të palogjikshme" dhe "të papërgjegjshme" nga ekspertët perëndimorë, pasi i zhysin investitorët në humbje dhe sistemet në rrugë pa krye. Për pasojë, në rastin e Bullgarisë, kompanitë që kanë privatizuar sistemet e shpërndarjes nuk kanë para të mjaftueshme për të investuar në përmirësimin e rrjetit, ndërsa sot për sot, arrijnë të realizojnë fitime falë prodhimit të bollshëm vendës. Por në Maqedoni, Operatori i Shpërndarjes rezulton me humbje të konsiderueshme për shkak të rezistencës së ofruar nga politika për rritjen e çmimeve. Të dyja këto vende kanë çmime më të ulëta për konsumatorin sesa Shqipëria.

Për pasojë, në bazë të këtyre eksperiencave, investitorët kërkojnë garanci kontraktuale dhe financiare. Për modelin e tregut të energjisë elektrike, kjo krijon një problem që pritet të diskutohet nga Autoriteti i Konkurrencës. ERE është sot një institucion teorikisht i pavarur nga qeveria dhe i varur nga Parlamenti, i ngjashëm me Bankën e Shqipërisë. Por ky institucion do të varet së shpejti nga kontrata e privatizimit të OSSH. Në rast se ERE nuk respekton kontratën, CEZ do të rikuperojë humbjet nga letërkrediti, një garanci e mbuluar nga qeveria.

Procesi i privatizimit nuk ka përfunduar ende. Fillimisht, Banka Botërore do të duhet të lëshojë garancinë për mbulimin e pjesshëm të rrezikut dhe më pas kontrata duhet të miratohet nga Parlamenti dhe nga Autoriteti i Konkurrencës. Paratë nga shitja e OSSH për pasojë mund të vonohen. Gj. Erebara

Kërkesa për treg rajonal

Përfaqësuesit e kompanisë CEZ bënë të qartë dje se zgjidhja e problemit të energjisë elektrike në Shqipëri varet nga liberalizimi i tregut të energjisë në rajonin e Ballkanit. Vendet e rajonit e kanë pranuar parimisht liberalizimin dhe kanë nënshkruar marrëveshjet përkatëse, por në praktikë duket se nuk është bërë asgjë. CEZ ka interes të veçantë në këtë drejtim për shkak se zotëron termocentrale qymyrguri në Bullgari dhe aktualisht është e detyruar ta shesë prodhimin e vet me çmim të ulët. Pengesa më e madhe e liberalizimit të tregtisë së energjisë në Ballkan është Serbia, vend që ka një monopol virtual në linjat e interkonjeksionit veri-jug dhe lindje-perëndim. Vendet e Ballkanit Perëndimor si Kroacia, Bosnja, Mali i Zi dhe Shqipëria janë ankuar se detyrohen të paguajnë dy herë më shtrenjtë energjinë e prodhuar në Bullgari e Rumani për shkak të monopolit serb mbi linjat e interkonjeksionit.

Diplomacia

Çekia: Kemi kompani serioze

Ambasadorja çeke nuk ka anashkaluar edhe procesin e privatizimit të OSSH-së nga kompania CEZ. Pa pritur ndonjë pyetje enkas rreth këtij problemi, ajo ka deklaruar se firma fituese e tenderit për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes kishte një përvojë jo të paktë në këtë sferë, pasi ishte fituese në jo pak vende të BE-së. "Unë shpresoj se qeveria shqiptare do të mbyllë me sukses procedurat e këtij privatizimi dhe me sa kam informacion, kjo çështje mbyllet të mërkurën e ardhshme", ka deklaruar ambasadorja. Ndërkohë, ajo ka siguruar se firma fituese e vendit që përfaqëson, mbetet tepër serioze dhe partnere e sigurt në të gjitha vendet që ka fituar një proces të tillë privatizues.

3 Komente

qe te shkepusim lajmet

 

1- ossh pati 60 milione euro humbje vitin e fundit gjate administrimit te zakonshem (keshtu thote konsulenti i paguar se bilanc publik nuk kemi akoma)

2- ossh-ja merr nga qeveria 60 milione euro si mrekulli nga qielli.

3- ossh-ja do te jete monopol privat i subvencionuar

4- eshte firmosur nje kontrate por negociatat nuk jane mbyllur!!!!!!!!!

 

Fillojme nga e para.

 

Keto humbjet kane ardhur gjate administrimit te zakonshem apo kane bere ndonje zullum te paparashikueshem administratoret e ossh (qeveria mo - shkurt muhabeti)?

A ishin te parashikueshme keto humbje ne momentin e tenderit pra?

Ose aty jane vjedhur para me kamiona, ose cez eshte e paafte te bejne nje analize financiare, ose ketu kemi nje tender te falsifikuar qe ne nisje.

 

Hohoho! Its gonna be Cochabamba all over again.. Robt sdo paguajn faturat. Policia me kerbac! CEZ del si Bechtel-i nga Bolivia(pa i hyre gjemb ne kembe).

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).