Homo Habilix

Në behar sajohet me ngjyra. Gjatë dimrit, në një mënyrë gjoja si të pa kujdesëshme, hedh rreth qafës një shall të trashë të gjatë që i varet teposhtë duke iu tundur. Jo rrallë e ka mjekrrën të vizatuar. Ecën rrugës sikur nuk e ka mëndjen, sikur nuk i intereson asgjë shqiptare, sikur Shqipëria dhe shqiptarët janë një realitet që ky është lodhur shumë për t'a sjellë në din, por ka hequr dorë sepse këtu njerëzit janë të prapambetur, të pa gdhëndur, të egër, ndërsa ky është i përparuar, por ka humbur kohën kot, sepse për fatin e tij të zi është lindur gabimisht para kohe. Lëkurën e fytyrës e ka të hollë të verdhë si në të bardhë si prej të vdekuri me ta shpif. Nuk merr kurrë furgon. Pa makinë s'shkon kurrkund, zjarri t'i bjerë. Furgonat, sipas tij, janë plot me katundarë dhe malokë dhe morracakë që vijnë erë.

 

Po t'i dali përpara ndonjë pellg me baltë më ndonjë rrugë e konsideron si pllakosjen më të madhe të jetës dhe mallkon ditëlindjen. Sipas tij baltë bota ka vetëm nëpër filma me llogore luftrash. Nuk ha kurrë groshë apo të tjera të ngjajshme që hanë shqiptarët. I quan gjëra të rënda të padenja për stomakun e tij delikat prej metropolitani të lindur. Vetëm guzhinë italiane, me spagheti, fruta deti, dhe natyrisht mish. Ama mishin sakën se me kocka apo sado pak dhjamë. Mish me vetëm tul. Domethënë mish OMGJ. Por, këtë kontradiktë me kockë tul dhe OMGJ në mes që s'di se si ta pajtojë, meazallah se e zë në gojë. Se mbahet edhe genuin i madh, armik i betuar i modifikimeve genetike. Ama po i dhe një top pingpongu dhe i the ta hajë se nuk është top por vezë e trendy-t të fundit të pulave të qymezit, atypëraty i mahnitur me arritjet e inxhinierisë genetike, kullufit njëherësh të dyja, edhe gënjeshtrën spjeguese për të vërtetë, edhe topin e bardhë për vezë. Mbahet për pacifist i madh, flet kundër luftrave, ama i doli një pik gjak nga gishti duke prerë një fetë bukë zë e shan mbarë e prapë me kartë identiteti një nga një të gjithë banorët e Ballkanit dhe Azisë së Vogël. Për të nuk ekziston, s'ka asnjë haber, nga puna fizike, mjetet e punës, veglat, apo thjesht përveshja e llërëve. E ka mëndjen top se është lindur për të përdorur vetëm kokën. Të vetmet vegla që përdor, edhe ato jo me ndonjë efikasitet kushedi se çë, janë hallatet e poshtëme. Tallet me ata që ndërtojnë. Për shembull me fshatarët dhe vilat e tyre të reja. Thotë për t'a; Emo se i ndërtojnë shpejt për inat të njëri-tjetrit, pastaj bosh i lënë. Lë kokën për Internetin. Për ç'do gjë, thot' ik se e gjen në Ueb. Edhe për fshatin ku ka ndodhur një vrasje, edhe për vendin ku do bëjë pushimet e ardhëshme, edhe për ku do kalojë autostrada e re, joo që për të vajtur s'bëhet fjalë, por nuk lëviz kurrë nga vendi, as nuk merr në telefon për të pyetur ndonjërin nga ato anë, por në çast i vërsulet search-it të Google Earth-it. Kur është duke folur me ndonjërin dhe konstaton ndaj tij një çfardo mikro avantazh, fryhet si kapua dhe vetja i duket gjeni'. Shpik sentenca të përvjella tip "Lavdia dhe pasuria duhet të jenë të merituara". Dhe pa i lëvizur qerpiku atypëraty jep autorësinë si t'i vijë ndërmënt. Përvjelljen që e shet për erudicion thotë e ka thënë, Shekspiri, Migjeni, Fan Noli, Konica, Konfuci, Pashko Vasa, Makiaveli. Sipas tij, të gjithë pa përjashtim, hebrejt janë inteligjentë, rusët biondë, kinezët dinakë, dhe natyrisht Shqipja rrjedh nga Kirgizishtja. Është aestetik i lindur. Ndonjëherë vete në koncerte me muzikë serioze ku hyn kallam e del dru, pra kot, sepse as ndjen as kupton gjë. Po t'i tregosh për shembull një kryevepër të vërtetë inxhinierike estetike të vet' Perëndisë, ta zemë kafkën pa mish të një të vdekuri, tmerrohet dhe është e kotë të lodhesh ta bindësh se kafka është e bukur se nuk të beson kurrë edhe kafkën t'ia thyesh mbi kafkë. Ngatërron në mënyrë të përbindëshme "jashtësinë" me "brendësinë". Llumrat e brëndshëm shpirtërorë dhe cerebralë i nxjerr përjashta si vlera. Cektësinë e jashtëme me turli plehra, mburret që e ka të rrasur brenda. Papo mbahet edhe për mbrojtës i madh i ambientit. Mirë bën. Por problemi është se mosvepruesi i madh që kosh plehrash ka kokën, të gjithën e redukton në vetëm mos flakjen e hedhurinave në rrugë. Natyrisht flet edhe për ndotjen në përgjithësi. Por ja fut kot sepse sapo dëgjon diçka për pastërtinë e ambientit, në mënt nuk i vijnë, ta zemë fresku i valbonës, osumit, a llogorasë, por ajri i kondicionuar. Me autostradat, aeroportet, bankat, lokalet, shërbimet e ndryshme dhe në përgjithësi kollajllëqet urbane, sillet mirë. Sillet mirë dhe i respekton, por edhe ankohet shumë. Sepse, sipas tarallakut, pa llogaritur Internetin që e konsideron të gjithin të tijin sikur t'ia ketë lënë xhaxhai kurbetli, nga kokëboshësia mendon që ato kollajllëqe ndërtuar nga qënie inferiore, aty janë dhe aty kanë qënë gjithmonë, dhe nuk amortizohen kurrë, dhe as kanë nevojë për ndonjë mirëmbajtje, vetëm presin t'i shfrytëzojë ditëziu. Kur flitet për Lirinë elektrizohet i tëri dhe nis e llap e llap pafund demek në mbrojtje të saj. Nuk konsideron fare së Shqipëria ka kaluar Diktaturë. Flet për Shqipërinë, për kushtet sociale politike dhe infrastrukturore të saj njëlloj si për Italinë, Zvicrën, Anglinë. Por po ta vësh re mirë, kuptimi i tij për Lirinë është i reduktuar në bindjen që ajo atij, Liria pra, të jetë e tillë që ai të punojë sa më pak dhe të shpërblehet sa më shumë. Kur rrethanat e sjelllin t'i drejtohet ndonjë pune, nis me një farë entuziazmi, por, duke vazhduar, ky entuziazëm i bie proporcionalisht me zvogëlimin e distancës ndaj asaj pune, derisa, sapo e prek vet' punën, pra kur llafet s'pinë më ujë, entuziazmi për tre dit' i bëhet zero, pa folur për rendimentin i cili në muajin e tretë bëhet minus infinit. Kur është në Shqipëri thotë nuk rrihet në këtë vend. Kur është jashtë thotë nuk kthehem po s'u ndreq. Hiqet mbrojtës i femrave. Por s'kuptohet se pse dhe si i mbron. Sepse po t'i pyesësh vet' femrat si po ia kalojnë, i kanë punët, hallet, dertet, a janë të lumtura, ato, nisin e të përshkruajnë një prototip të tillë nga 20 në 40 vjeç si dëshpërimin e tyre më të madh, duke shtuar se në Shqipëri meshkuj që vërtet të të duan nuk ka.

Kush është ky ?!

Po s'e pate kuptuar domethënë je vet'.

Paraziti që aq pak jep, aq shumë merr, aq tepër ankohet, dhe aq shumë po shtohet duke e përmbytur Shqipërinë si karkalecat që mbushin fushën, burokrati që po logështon zyrat dhe shkollat, orteku i pambukut që po na merr frymën, idioti që aq lehtë manipulohet nga horrat të cilëve shtimi i kësaj rrace u intereson, budallai që po i mbështillet Shqipërisë si dhjamë duke i marrë frymën, ky njeri i vogël i cili i vetëm të ha munë por bashkë me të ngjajshmit bëhet shumë, të bën gjëmën sepse të zë rrugën, nuk ka emër. Emër nuk ka por edhe mund t'i gjindet sepse. Sepse ngjan goxha me simetrikun e tij kohor parahistorik, njëriun që ka jetuar mbi tokë nja dy milionë vite të shkuara kur sapo kishte mësuar të përdorte veglat dhe quhej Homo Habilis. Për ta dalluar, duke ia ruajtur ndryshimin minimal në favor të parahistorikut të cilit i merr të ligat, le ta quajmë Homo Habilix.

Njerzimi nuk po i administron mirë mbeturinat humane të rrugës së progresit. Brimës së Ozonit edhe mund t'i gjindet dermani. Po brimës së barkës që po e kalb ngadalë ky kërrmill i jargët që po shkakton, krizat shqiptare po e po, por sigurisht edhe atë botërore, asaj si i bëhet, ajo si mbyllet ?!

14 Komente

Deri sa arrita tek pyetja "Kush është ky ?!" kujtova se kishte bërë ndonjë shkrim autobiografik smiley

Ypi ka te gjithe mentalitetin e keq qe ekziston ne shqiperi ,ate me te keqin , paragjykimin, merr neper goje tipat,personat qe shikon ne rruge qe mund ti njohi dhe fillon ti pershkruaj si ecin , si jane ,ku shkojne,cfare bejne,sa e kane rrogen,si vishen, me ke shkojne ,me nje fjale, Edi Ypi eshte plakur dhe si ka ngelur gje tjeter vetem te PARAGJYKOJE me shume mllef,Edi Ypi ne kete rast eshte nje shpirt i keq,qe pergjon dhe hap syte si nje idiot cfare bejne te tjeter!

..merr nje laps dhe zhgaravit,ja si ky shkrimi!

 e ka me Fatosin me duket. Ky Ypi eshte negativ i pandreqshem...

Kesaj rradhe e ke xhveshur "portokallen"... smiley Ketu mbaje...se ke dhene shenja lajthitjeje . Nje sinteze Fishtiane...A nin zotni qe rrin mi shkam?/Une pas sodjet shqiptar ma nuk jam. Mire



Kush është ky ?!

Po s'e pate kuptuar domethënë je vet'.

I tha YPI vetevetes kur krihej perpara pasqyres me nje njefare terngalleku  dhe ne menndjen e tij kalonin mendime naltmadhnie  lajthitjeje......   smiley

....mire Ypi eshte "vet" po ju qe i tregoni atij kush eshte cere jeni ju.....

...une besoj ai e ka pershkruar mire tipin "modern/snob"...sme duket qe ai eshte i tille....nga ato qe ka shkruar vetem ai i Mbazes mu duk pak i egzagjeru...shkrimet e tjera me kane pelqyer....

e paska me adil carcanin.

Per keto pershkrimet humoristike sarkastike eshte i mire ky Ypi.Pyes veten si ka mundesi qe i shpjegon kaq mire e me shembuj deri ne detaje....mesa duket e njeh veten shume mire smiley...ja keta jane njerezit qe na japin mend neper tv uebe apo gazeta..

 

 

@ Aero...  smiley  smiley   hahahaaa...

PS e di ate shprehjen e jugut: Hic, po Habili?    smiley  

me thone te drejten cimo nuk e di.

ky ypi ka nje fantazi prej te cmenduri, edhe te cmendurit po ti degjosh me kujdes i thone ca te verteta, po e meta e tyre eshte qe i thone gjerat pa kaluar nga dogana.

Vrojtues shume i vemendshem e i sakte.....

Ypi/Upi eshte shembulli me perfekt i thenies "hedh nje idiot nje gur ne lum dhe te gjithe te tjerat i shkojne mbrapa" dhe ne kete rast i bie te jem edhe une. Nuk e kuptoj se kush e boton kete person shoqerisht te rezikshem dhe delirant qe ndot , si shume idiot te tjere hapesiren mediatike shqiptare

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).