Home personazhi

-Personazhi i Ardian Kyçykut, Home Çkena, ose vreri i një brezi që s’kishte ku të kthehej

 

Kam pritur gjatë, shumë gjatë, për të bërë një ese për romanin “Home” të Ardian Kyçykut. Bëhen gati dy vjet që nga dalja e tij në dritën e botimit. Në të vërtetë prita dhe heshta, jo se nuk më befasoi ky roman, por kam qenë në pritje të një reagimi më kopetent të kritikës shqiptare, sepse jam e sigurtë se çdo kritik letrar i një vendi tjetër për këtë vepër, jo vetëm e ka thënë, por edhe ka shumë ç’të thotë për shkrimtarin Ardian Kyçyku. Me sa duket kritika shqiptare sot s’merret dhe aq me letërsi..!

Nuk e mohoj që kam lexuar aty këtu vlerësime dashamirëse të dy tre shkrimtarëve shqiptarë, por ata për fat të keq s’kanë mundur dot të ngrihen mbi modelin e vjetër të vlerësimit të letërsisë, duke u munduar të zbulojnë kryesisht elemente kombëtare, folklorike, patriotike, plagë mërgimi, etj,etj, siç ndodh rëndom.

***

Dy vjet pas botimit, ishte kohë e mjaftueshme për të takuar me lexuesit që janë magjepsur prej këtij romani, dhe më se e mjaftueshme për t’u bindur për vlerën e tij. Kështu, e pashë të udhës se nuk duhet lënë në heshtje kaq të gjatë një personazh me shpirt i letërsisë së re shqipe, që është Home Çkena e aq më pak romani “Home” që e mbart atë, një roman i përkthyer në mijëra vibracione stilistike dhe ti lexon në të shpirtin e një shqiptari që endet nëpër mërgatën e tij. Një mërgatë e çuditshme, rezonancë qindravjeçare që në vend ta pakësojë këtë vend të vogël, s’dihet se si e zmadhon, aq sa një kullë, një shtëpi, një njeri të pushtojë në mënyrë imagjinare hapësirën e tërë një kombi. Home Çkena është i tillë, për të përfaqësuar zhgënjimin e gjithë mërgatave të reja e të vjetra. Home ky mërgimtar me vrullin e pandalshëm të Ballkanit, i gatuar prej vrerit ngazëllimit dhe aventurës është po aq një shpikje estetike në letërsinë e re shqipe e më gjerë, shpikje duke parë parabolën e imagjinatës dhe zbulim në parabolën e stilit. Lexo romanin Home: “Askush nuk kish të drejtën ta kalonte natën në kullë, as edhe mërgimtarët e njomë, apo të sapoardhurit që s’kishin

strehë. As vetë Home Çkena nuk flinte në kullë. I kalonte netët në krahinat ku punonte, herë në motele, herë në ndonjë dhomë a qymez të lëshuar nga punëdhënësit. Mbyllte sytë me bindjen se do të çlodhej në bark të nënës, dhe kjo ia bënte të gjitha më të pranueshme. Pastaj lindej, domethënë zgjohej, lahej me ujë të ftohtë, përvishte mëngët dhe u futej gurëve e tullave, me llaç a dalta në duar, i frymëzuar nga ideali se po robtohet për kullën e pleqërisë së bardhë me Suzin dhe për vilën e pushimeve në Tiranë, Durrës a gjetkë.”

Ata që e kanë lexuar edhe e kanë vlerësuar tej mase romanin “Home”, nuk janë të fushës së eseistikës për të detajuar efektin e mrekullueshëm që u ka bërë leximi. Por ata e kuptojnë se si ky Home personazhi, i mbledh në grushtin e tij pjesët e shpirtit të një vendi ato më të mirat dhe i fal bujarisht ku të mundet. Edhe pse Home është njeri me zemër të madhe dhe dashnor me përmasa groteske, ai e gjen vdekjen nga vajza për të cilën digjej dashurie, të cilën e ndezi aq shumë me dhurata e para sa ajo iu kthye atij një ditë në formën e një plumbi të hidhur. Vetëm pak çaste shfaqet kjo vajzë në roman, me emrin Suzi, dhe e gjithë ngjarja në të vërtetë nuk vijon më të tregohet nga autori, por nga lexuesi. Lexo në romanin “Home”: “Ai robtohej në punë dhe shpinte kockat në kullën që po ndërtonte fshehurazi, duke ëndërruar që një ditë të kthehej në atdhe, të martohej me Suzin, të lindte pakashumë po aq fëmijë sa ç’ishim ne, dhe të plakej mbarë, në paqe, në pajtime gjaqesh e lexime librash të zgjedhur. Këtë punë kish nisur ta kryente kaherë, qysh në çastin kur i dërgoi Suzit tufën e parë të dollarëve, dhe e vazhdoi në heshtje deri kur i dërgoi tufën e mbrame të euro-ve. Nuk qe nevoja të na paralajmëronte se Suzi s’duhej ta merrte vesh në asnjë mënyrë nga ç’skuta të ferrit mbinin e korreshin ato të holla. As të afërmit tanë s’duhej ta merrnin vesh...”. Dhe, kush ishte kjo Suzi. Lexo në romanin “Home”: “Suzi qe lindur të gjente shtigje të parrahura për në zemrat e meshkujve. Ishte sa një dhi, zeshkane, me sy të gjelbër e buzë gjithnjë të plasaritura, mirpo se ç’kishte një rrezëllimë në gjeste, një mjegullinë, një si pjerrje nusërore e kurvërore shikimi, një shpërvjelje të muzgët buzësh, njëfarë shkëputjeje e lartimi nga tryeza ku ndodheshit, një ftesë të papërkthyeshme, së cilës nuk i bëje dot ballë, ngaqë nuk qe një ftesë e mbrapshtë. Mirëpo na kishte Suzi edhe një palë vithe të kërcyera, nga ato që mezi i mbrujt gjer edhe letërsia, njëpalë vithe si gjinj amazonash, e përherë dukej sikur kishte dy palë sisë të kërcyera, ose dy palë vithe. ”

 

***

 

Sidoqoftë aventurier deri në joshje Home Çkena është një personazh kompleks, i atij kompleksi të pazbuluar ende, “kompleksit ballkanik”, domethënë joshës. Lexo romanin “Home”: “Na dhimbte shpirti, sepse, dy javë pas vdekjes, pat premtuar të përuronte Kullën. Do të mblidheshim të gjithë pa përjashtim, përfshi fotografitë e atyre që patën vdekur ndërkohë, me gra, të dashura e fëmijë, - pavarësisht në ishin një, dy a trigjuhësh, - dhe do ta bënim fora. Do të ftoheshin edhe ziliqarët zemërkallkan, apo hasmët e pandryshueshëm, dhe do të përsërisnim të gjithë në kor, mes trokitjes së gotave, urimin e njohur të Home Çkenës: “T’rrofshin hasmët, që të t’shofin t’lumtun!” Me përjashtim të makthit të ëmbël të kthimit në një Shqipëri vetjake, të pushtuar mrekullisht nga Fëminia, Kulla e Home Çkenës ishte maja e kurreshtjes sonë.”

 

***

Ende habitem si nuk e ka zbuluar kritika shqiptare personazhin “Home”, sepse më e pakta që ka bërë në historishkrimin e saj ka qenë ndjeshmëria për historinë e personazheve të pllenuar në letërsinë shqipe, siç ka qenë rasti i zbulimit të personazhit Zylo të Dritëro Agollit (tek romani shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo) e ndonjë tjetër. Për Home Çkenën duhet thënë se nuk është parë ndonjë model letrar i servirur pas rënies së komunizmit e degëdisjes së metodës vrastare të soc-realitetit të saj që të vizatojë një personazh, një personazh të vërtetë, të fuqishëm të mbështjellë me frymë e gjak, që t’i dëgjohet fjala e psherëtima, që të qash e qeshësh me fatin e tij. Nuk ka ardhur deri më sot në letërsinë shqipe një personazh kaq fatlum si Home, si Home Çkena, si Home malësori, i ardhur që fëmijë në kryeqytet me dëshira dhe ëndrra të trazuara personale dhe familjare, i larguar mandej në rininë e tij nëpër botë për një të ardhme më më të mirë e me ideale bujarie galopante. Edhe pse romane të mirë e shumë të mirë ka pasur, një personazh si Home nuk ka pasur. Homen nuk e gjejmë dot gjithkund. Homen të duket sikur e ke njohur, diku të mbledhur grusht në ëndrrat njerëzore, në thellësitë më të fshehta të shpirtit, në thellinat e subkoshiencës, të duket sikur e ke mbledhur pjesë-pjesë në ata njerëz tragjikë e të mirë njëherësh, e pasi largohet imazhi i tij letrar ende ai krijon tek ty një marrëdhënie familjare, një gjendje dhimbsurie, një tëhuajtje dlirësie që po bjerohet pa pushim në brendinë njerëzore të postmodernit. Home pas leximit nuk të largohet nga mendja. Një krijesë e përmallshme disi primtive, do s’do, sa herë kujton se ke lexuar këtë roman të Ardian Kyçykut të duket sikur rri galiç në trurin tonë Home Çkena. Të duket sikur mes nesh qe gjallë e sapo vdiq Home Çkena. Lexo nga romani “Home”: “Na endej rreth kokash, si ca aureola të coptuara më dysh, në trajtë gjysmash hëne, pikëpyetjet e kahershme e Home Çkenës, etja për të gjetur se si bëhet jeta kur humbim një vend ku duam të kthehemi; një vend ku s’kthehemi dot as tani e as më; kur humbim një vend ku s’duam të kthehemi… Mungesa e përgjigjeve ishte, sipas tij, edhe sprova e madhe e mërgimit: synoje një hapësirë që s’të përkiste më dhe së cilës i përkisje qysh nga lindja, falë kujtesës dhe mallit. E mos vallë e cilësojë dhe e përjetojë si tënden vetëm ngaqë e synoje?!”

 

***

Pra, është më e drejtë ta nisim diskursin modest të analizës dhe studimit të kësaj vepre tek një fakt i pamohueshëm, i pakundërshtueshëm. Rëndësia e të gjitha përpjekjeve letrare të Adrian Kyçykut kësaj herë ngërthehet tek pllenimi i personazhit. Ai është shkrimtar i talentuar, por megjithatë për shkrimtarët e talentuar të gjithë botës pllenimi i një personazhi është mjaft i vështirë, tek e fundit është dukuri që ndodh rrallë, ka të bëjë pikërisht me një shtazani të gjatë me krijimtari letrare e madje të lindet ai. Edhe vetë Ardian Kyçyku, shkrimtari, nuk do të mundet dot ta pësëriste një personazh të kësaj natyre. Ndaj duhet ta njohim Home personazhin. Se ai është një pesonazh i atij xhinsi siç është personazh Don Kishoti i Servantesit, siç është pesonazhi Jozef K. i Kafkës. Madje Home Çkena është edhe më i çuditshëm se i ngjet herë Don Kishotit, e herë Jozef K-së. Madje Home Çkena është heroi postmodern i kohëve moderne. I ndarë mes dy botëve, asaj shqiptare e metropolit europian, ky përgjasim mes të dy personazheve është i përligjur; kur Home jeton me Shqipërinë në zemër, ngjan si Don Kishot, më shpesh si Don Kishot, kur jeton mes mistereve të Europës ngjan si Jozef K, më i përndritur se Jozef K. Ngjan si Don Kishot, e më kokëfortë se një Donkishot kur merr me vete martinën, trashëgimi muzeale të të parëve të tij, kur ngre një kullë-muze me arkitekturë shqiptare në zemër të Europës. Ndaj duhet lexuar Home personazhi, se është kaq i çuditshëm e i stilizuar, këtë herë me një talent absolut e frymëzim spontan të autorit. Home është një personazh dashurie, që në ngjizjen e tij ai të habit edhe për faktin se si një shqiptar i Jugut e dashuron aq tepër dhe e ndjen aq thellë një shqiptar të Veriut, saqë e ngre në piedestalin e veprave të tij letrare. Home personazhi është ende në pritje të fjalës së pamohueshme të kritikës, e shpresoj këtë që do zgjas aq shumë apo aq pak sa kur kritika letrare të ndahet nga politika, e të merret me shkrimtarët shkrimtarë e jo politik-bërës. Një emigrant si Home aq më pak i përket politikës, edhe emigranti në thelbin e tij është demaskimi i saj.

Përkthyer me stilin e shkrimtarit, personazhi Home Çkena është “vreri i një brezi që s’kishte ku të kthehej”. Lexo në romanin “Home”: “Nuk patëm varrosur kënd aty, por ajo u pagëzua e madje u bë skërka jonë qysh pak para se të merrte përsipër trupin e Home Çkenës. Kështu po e pushtonim botën mbarë: një grusht eshtrash diku, një thes kockash më tej, sipas parimit sa më shumë kocka të kesh nën një tokë, aq më e jotja është.”

 

***

 

Home personazhin nga koha në kohë kritika do ta dojë më tepër, do ta kërkojë, sa herë të ketë nevojë për ushqim, se ku do t’i mbështes ajo parimet dhe kriteret e veta argumentuese?! Home i gjithi është një argument i madh letrar estetik e eseistik..! Duke e ditur mirë këtë mora guximin të shkruaj, jo aq për të bërë kritikën letrare, por të njoftuar zbulimin e personazhit Home Çkena në letërsinë e re shqiptare. Lexojeni Home personazhin, duajeni Homen, të cilit një ditë mosharët e tij çamarokë, duke e paragjykuar si të ardhur nga Veriu i Shqipërisë i vunë nofkën me ngjyra dialektore Home Çkena (“Ho me ç’kena!&rdquosmiley. Ishte një përpjekje e tij për të thyer drojen e për hyrë në shoqëri dhe ai hyri kështu me guxin pavarësisht nofkës që i vunë. Lexo në romanin “Home”: “E dinim që pat lexuar shumë, sidomos kur pat zbritur në Tiranë, kur moshatarët e mbanin larg, duke e damkosur “malok” dhe kur, që të mos vriste veten, hidhte rrënjë plot currila gjaku të padukshëm në qoshen e kuzhinës varfanjake dhe lexonte ç’të gjente, pa pushim, si në jerm, duke iu kursyer ndjeshëm prindërve ushqim e sidomos këpucë. “Nganjëherë jeta të godet si ndonjë sëpatë, na tha. Ballit, ose në zverk. Si t’ia bësh me kokën fërtele, ose pa kokë fare?! E merr kokën nën sqetull dhe e nxjerr shëtitje buzë detit… Apo jo? Që të çlodhet, të kuptojë se asgjë s’marrim me vete në botën tjetër, me përjashtim, ndofta, të këtyre bukurive. E kur tupin tonë s’e marrim dot me vete, si mund të shpresojmë të marrim edhe njerëzit e dashur?!

Kushedi… Mbase është më mirë që t’i humbim para kohe…”.

 

***

 

Me emrin Home Çkena ai (personazhi) u rrit, krijoi shoqërinë e tij, dha e mori dashuri dhe mbarti në shpatulla përgjegjësi e halle të mëdha. Home mbeti përfundimisht me këtë emër. Dhe autori sikur ta dinte se kishte sjellë në jetë personazhin, i vuri edhe romanit emrin e tij “Home”. Nuk e besoj dot se autori e di mirë se çfarë ka nxjerrë në dritë, ngaqë Home s’të lë të qetë me praninë e tij. Një personazh ngacmues, “i padisiplinuar”, ndërhyrës sa herë e lexon. E arsyeja tjetër është se sa më i talentuar të jetë një autor, aq më pak e di se çfarë realje letrare ka nxjerrë në dritë. Servantesi sikur të kishte jetuar edhe sot, pra gati 500 vjet nuk do ta kishte ditur se prej tij lindi një Don Kishot më madhështor se vetë shkrimtari.

Po ku i dihet mbase do të jetë edhe më e fortë ngjashmëria me Jozef K., nëse marrim parasysh një një shmangie figurative, simbolike. Home Çkena nuk hyn e del nga dyert e një institucioni, por nga formati i një pasaporte civile, pra nga foramti i vet indentitetit të tij, që ndërrohet pas vdekjes së tij nga një falsifikator dhe të vdekurin Home Çkena e mbart në shpinë një emigrant tjetër i gjallë. Metafizika përshkrimore këtu sjell një stil dhe figuracion të përsosur letrar, një vibrim nëntekstual që të ta bën dhimbjen edhe më të trishtë për vdekjen e heroit Home Çkena, personazhit Home Çkena që mbart gjithë barrën e mërgimit. Home personazhi, ky Don Kishot i arratisur dhe ky Jozef K. i trishtë i Ballkanit tashmë do të jetë i gdhendur në qiejtë universal të letërsisë.

 

II

 

ARDIAN-CHRISTIAN KYÇYKU

 

Ardian KYÇYKU (pseudonim letrar: Ardian-Christian Kyçyku) lindur në Pogradec më 23 gusht 1969. Ph.D., doktorand në teologji dhe docent në shkencat humane dhe të komunikimit. Dekan i Fakultetit të Arteve dhe Shkencave në U.R.S.A. “Gh.Cristea” të Bukureshtit. Vepra letrare shkruar e botuar në shqip: Në perandorinë e gurit, Mortët, Nata pas vitit zero, Përkthimi, Muza e Lojës, Lumenjtë e Saharasë, Oreksi për bukën e qiellit, Diva ose Ngrënësi i Luleve, Engjëjt e tepërt, Kristali dhe hienat, Sy, Si u pushtua Çmendustani, Home, Në vend të Përjetësisë, Puthmë skelet, zv.Libri; në rumanisht: Viti kur u shpik mjellma, E fshehta e ëmbël e marrëzisë, Një fis i lavdishëm e që jep shpirt, Hyu Epigon, Dashuri me shikim të fundit, Trilogjia, Shtetrrethim - roman i shkruar me shumë pak thonjëza, Ish - roman me dashuri & konspiracion, Libri i jetës së parakohëshme, Vend për një kukull të vetme; Një alfabet i poezisë shqipe, antologji; Koha e zëvendësve, libër-intervistë; Hyrje në semiotikë, Shenjat dhe Kështjella (ligjërata universitare). Bashkëthemelues dhe bashkëdrejtues i Revistës Haemus. Themelues dhe kryeredaktor i revistës universitare ComunIQue.

4 Komente

Shkrimi ishte i bukur dhe me beri shume kureshtare ta lexoj kete liber, megjithese me vjen keq ta pranoj qe nuk e kisha njohur me pare kete shkrimtar. Behet shume pak pune per te nxjerre ne pah ata qe vertet shkruajne bukur dhe ia vlen t'i lexosh.

 N'cik si jashte teme: nje artikull te ngjashem, e kam lexuar po tek "TemA" para rreth 1 viti, per te njejtin autor, per te njejtin liber... 

KRIJIMI SI RIKUJTIM

(romani HOME i Ardian-Christian Kyçykut)

Esé nga Hiqmet Meçaj

Home Çkena është një nga Ne. Ka pak nga të gjithë Ne. Kështu pohojnë aty nga fundi i romanit gjithë ata Ne. Home Çkena të bën për të qeshur deri sa të mos vdesësh dhe të pikëllon derisa të mos mbytesh në pikëllim. Home Çkena ka ikur nga atdheu dhe mundohet ta rikrijojë atdheun e tij atje larg. E krijon si rikujtim, si një kullë me frëngji që të mbrohet, se Home nuk mund të rrojë dot pa kullë dhe pa u mbyllur në të. Është thelbi i qenies së tij mbrojtja nga hasmët dhe, kur nuk ka hasmë, duhet t'i rikrijojë ata, ndryshe s'ka se si të jetë nga një atdhe i kullave me frëngji pa patur hasmë. Homes ia kanë prishur kullën e malësisë, fisi i hasmëve është shuar, e fundit grua që ka mbetur, kur ia çon e ëma foshnjë në shpërgënj e të bëjë ç'të dojë me të, e përkëdhel, (sa tmerr!) dhe kjo është një fyerje e turpshme për Homen, i cili priste prej saj plumbin. Megjithatë Homja përpiqet të krijojë kullën e vet e bashkë me të edhe hasmët e vet. Kulla nuk shkon pa armë, ndaj Martina, arma pa plumb dhe shumë kohë e pambërthyer, bëhet kuadri përmbyllës i rikrijimit të atdheut diku larg, në dhera të huaja. Pas kësaj Homja nuk ka ç'pret tjetër, veçse dy gjëra: të lërë pas një djalë, pasi ia ka ndërtuar kullën e më pas ta vrasin. Djali duhet të vazhdojë gjakmarrjen, kurse Homja duhet ta ketë shlyer. Më kujtohet se si, para disa vjetësh këtu në Athinë e njoha edhe unë Home Çkenën. Ishte një djalë i gjatë e i fuqishëm, i mençur e punëtor. Desh të më takonte sepse shkruante vjersha. Deri këtu nuk ka gjë të veçantë, por, kur folëm për kanunin, për gjakmarrjen, burrërinë e gjëra të tjera, mendimet tona ishin krejt të kundërta. Kur më tha se babai i tij kishte vdekur me turp, se nuk e kishte marrë gjakun e të jatit, se atë gjak duhej ta merrte ai, nipi, unë fillova të qesh. Homes tim i skuqeshin sytë kur qeshja unë. Si të mos qeshja e në të njëjtën kohë të mos rrënqethesha. Gjyshi i tij ishte vrarë nga hasmi në vitin 1943 dhe Homja im nuk e njihte. Kishte vendosur t'i merrte hakun pas më shumë se gjashtëdhjetë vjetësh. Mirëpo problemi ishte se duhej të zgjidhte më të mirin e fisit të hasmit, pasi "dora" tretej prej kohësh nën dhé. I thashë Homes tim se këto janë komedira me tragjedi brënda, se komedia qëndron në faktin që ti nuk mendon ta nderosh gjyshin duke bërë gjëra që mbahen mënd, por duke u shndërruar në vrasës, duke i lënë edhe djalit një hasm pas. A e dini pse nuk po vepronte Homja im? Nuk po vepronte sepse gruaja i kishte bërë vetëm çupa, dhe ishte betuar se do të merrte grua tjetër, në se fëmija i katërt nuk do t'i dilte djalë. Dhe Homja im ishte njëzet e gjashtë vjeç, me tre fëmijë e një në bark, raskapitej në punë të rënda t'i ushqente gjithë ato gojë, dhe kjo ndodhte pikërisht për hir të gjakmarrjes... Romani i Kyçykut e krijon Homen si rikujtim, ashtu siç krijohet edhe hasmi i tij si rikujtim. Ç'rëndësi ka në se një njeri ka jetuar fizikisht pranë nesh, kur ai ndodhet i shtruar këmbëkryq brënda nesh, më i prekshëm e më i plotë. Ne e dimë atë përmendësh edhe pa e parë, kur dimë se prej nga vjen. Ai është si bima që, kur shkulet, merr bashkë me rrënjët edhe copëra të baltës e gurë nga trualli ku ka qënë. Kudo që ta mbjellësh, frutat e saj do të kenë shije të njëjtë me të mëparshmen. "Jo rrallë, Home Çkena dilte nga trupi, na rrëmbente dhe na hipte në njëfarë qilimi fluturues dhe ndaleshim ku na donte zemra. Pas nja dhjetë vjet fluturimesh, pasi qemë ndalur të çmalleshim e të lanim ndonjë hesap nëpër fshatrat dhe qytetet nga vinim, filluam të udhëtonim nëpër botë". (f. e romanit 25-26). Në një anketë të zhvilluar me nobelistë dhe personalitete letrarë nga e gjithë bota, u vlerësua si romani më i mirë i të gjitha kohëve Don Kishoti i Mançës. Kjo figurë është krijuar si rikujtim dhe ngjarjet brenda tij të duken aq të pavërteta sa të habisin. Don Kishoti i ngjan një të burgosuri të harruar në kujtesën popullore, për t'u rikujtuar pas shumë kohe, atëherë kur ngjan aq i pavërtetë, sa që na bën të qeshim, por edhe të prekemi, të ndjejmë edhe dhimbje kur shikojmë sa thellë dashuron ai një krijesë që e ka shpikur nga fantazia e vet, sa me heroizëm lufton kundër armiqve të njerëzimit, që ka ai në mëndje, por që nuk ekzistojnë, se janë bagëti, mullinj ere e shakuj vere. Don Kishoti shkund pluhurin e kujtesës popullore dhe të librave, i krijon të gjitha si rikujtim. Home Çkena i Kyçykut nuk del vetëm nga kujtesa popullore dhe librat, ai jeton në një cep të Ballkanit, udhëton me kullën e vet në shpirt nëpër botë, banon në shpirtrat e të gjithëve Ne, aq sa, kur e vret martina e pambërthyer dhe pa plumb, "ishim aq të kapitur, jetimë e të mrekulluar, saqë çdonjëri prej nesh mund të betohej se nuk ishim kaherë njerëz, shqiptarë në mish e eshtra, emra flakur vorbullave të mërgatës, po shpirtra. Ose shpikje. (f. e romanit 102). Të jesh shpikje është gjë e vyer, sepse pikërisht shpikjet na kanë shtyrë gjithnjë përpara. Më mirë të jetosh si rikujtim, se sa të mos kujtohesh pasi ke jetuar.

Romani i Ardian Ch. Kyçykut është libër i vyer, sepse ka shpikjen brënda, ka atë që e presim prej kohe të na hipë në një qilim fluturues e të na çojë larg.

e hënë, 09- 07-2007

Ju lutem mund te me thoni ku mund ta gjej kete librin se ne asnje librari te Durrsit nuk ishte .Flm ne avanc!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).