Hi-Etno LOVE

TE DUA

 

(shkruar 2 vjet me pare...)

 

Eshtë pak cmenduri, por ama mund të ndodhë edhe kështu: lexon diku në internet një lajm për një kompani italiane që 5 vjet më parë merr në koncension 25 hidrocentrale të vendit duke premtuar miliarda dollarë investime, e pastaj papritur konstaton se s’ka hedhur as edhe një qindarke investim. Klikon i inatosur diku më poshtë dhe shikon se sipas një studimi të bërë në vitin 2002 e të riparë në 2003-shin rezulton se ndoshta, Shqipëria mund të ketë humbur 2.01 miliard dollarë nga kriza energjitike që e ka pllakosur. E që do të thotë gati 2/3 e të gjithë buxhetit të saj për vitin 2007.

 

I jep fund me indiferentizëm këtij leximi shqetësues faktesh tronditës e tenton të dëgjosh një muzikë me zë të ulët në një orë të vonë. E muzika thotë as më shumë e as më pak: “Kur ti më thua se më do, unë të dua më shumë…”.

 

Truri njerëzor mund të jetë vërtet i cuditshëm, por mbi të gjitha është skematik dhe skema parashikon menjëherë mendimin: Po, sa e vërtetë! Pastaj: dikush më ka thënë njëherë të dua… por dicka ndodhi, unë nuk e besova, mu duk shumë i stisur ai togfjalësh i thënë me aq ndrojtje, me zë të ulët si kjo kënga patetike, buzë veshit të pozicionuar në një jastëk të gjerë e të butë ku koka ishte fundosur në pozicion clodhës.

 

Pas momentit të shkurtër të humbjes në ndjesitë e fjalës të dua, i rikthehesh leximit në monitorin e ftohtë të kompjuterit, që sigurisht nuk ndjen dot si edhe ti!

 

Ok, le të vizitojmë google.com. Pak caste, dakort, ja dhe konfigurimi google… Prit pak, ah ok, tani është gati: gishtat shkelin njëra pas tjetrës gërmat: T E D U A… pastaj komandën “Kërko”; pak sekonda ekran i bardhë, pastaj linqe pafund. Shpjegimi hyrës: poezi, tekste këngësh… Sërish google: kësaj here në gjuhën që prej kohësh është latinishtja e Epokës së Globalizmit: I L O V E Y O U…

 

Ndërkohë, zëri i ulët i muzikës, papritur është bërë më i lartë dhe kënga që në një moment tjetër gjatë ditës do të ishte aq patetike, por jo në atë orë të vonë, thotë: “Kur ti më thua se më do, bota vazhdon me të njëjtin ritëm, por për mua ajo ska asnjë rëndësi, sepse në atë moment jemi vetëm unë e ti”.

 

“What do you love?”, është një prej linqeve kryesore që del pas kërkimit në gjuhën angleze. Dy rreshtat që e shoqërojnë me “bold” këtë link, sugjerojnë: a do Horoskop? Chat? Karta? Sondazh? Apo do një udhëtim në Europë?

 

Linku tjetër duket më interesant: Ka qysh në fillim emrin Erich Fromm, sipas të cilit: dashuria infantile ndjek principin: “të dua sepse ti më do”, dashuria e pjekur: “Unë duhem, sepse dua”, e më tej akoma dashuria e papjekur: “të dua, sepse kam nevojë për ty”, ndërsa dashuria ideale: “Kam nevojë për ty, sepse të dua”.

 

Tjetri, duket edhe më romantik: Herman Hesse: “Nëse do ta mësoj ndonjëherë se cfarë është dashuria, atë do ta mësoj vetëm falë teje”.

 

Në Shqipërinë e mbizotëruar nga veprime dhe sjellje që tentojnë të jenë sa më bashkëkohore, ashtu sic përkufizon në anglisht mbiemri “cool”, ky argument, është gjithnjë e më shumë një argument bosh! Bajat! Ndoshta infantil dhe mbi të gjitha, naiv! Njerëzit e shekullit të 21-të thonë më pak “të dua”, e thonë shumë më shpesh “më pëlqen”, “jë si shpirt”, apo: “dua të rri me ty”, “po kuptoj se me ty ndihem mirë”, “dua të jetojmë bashkë”, “sa më mungon”, e të tjera si këto që ndonëse janë shprehje e dashurisë, duket sikur në cdo moment thuhen vetëm e vetëm për të mos thënë shkurt: Të dua! Sepse kjo nuk është “cool”, nuk është e besueshme, kjo nuk thuhet më në ditët tona, si mundet të thuhet vallë (?!), është aq banale.

 

Në mentalitetin ballkanik të brumosur nga mitet legjendare të përbërë nga meshkuj të fortë, me fuqi mbinatyrore që mund të kthejnë edhe gjithë botën përmbys për hir të dashurisë përmes veprave heroike, por ama edhe sikur bota të kthehet përmbys ata asnjëherë nuk do thonë fjalën “të dua”, shprehja e ndjenjave vazhdon të konsiderohet si një dobësi. Dhe është pothuajse një tabu kur meshkujt shfaqin dobësi ose e thënë ndryshe, kur shfaqin ndjenjat e tyre.

 

Në Shqipëri, një mentalitet i tillë vazhdon të jetë mbizotërues. Antropologët sugjerojnë se përgjithësisht mentaliteti historik i një populli duket më qartë në rastet e vdekjeve dhe mënyrës se si përcillet ky fenomen, se në rastet e gëzimeve. Jo rastësisht, edhe në Shqipëri, 16 vjetët e tranzicionit, e kalimit nga një sistem vlerash në një tjetër, i kanë ndryshuar pothuajse rrënjësisht ceremonitë martesore, por nuk kanë mundur qoftë edhe në paraqitje që të ndryshojnë ceremonitë mortore! Shqiptarët lehtësisht mund te parakalojnë tashmë në martesat e tyre me himnin e martesës në sfond, por ama kurrë nuk do të lejonin që të afërmit e tyre që kanë ndërruar jetë të mos “gëzojnë” të gjitha, deri në fund, ritet e hershme shqiptare, të përcjelljes për në banesën e fundit. Dhe në thelb të këtyre ceremonive mortore qëndron parimi sipas të cilit “burri nuk duhet të derdhë asnjë pikë loti”…

 

Në sfond, tashmë këngës gjatë së cilës këngëtari shqiptonte fjalët: “Kur ti më thua se më do unë ndjej se të dua më shumë”, i ka lënë vendin një këngë tjetër që në refren ka fjalinë: “When you say nothing at all”… Edhe kjo këngë, në tekstin e së cilës nuk dëgjohet asnjëherë fjala të dua, është megjithatë, një këngë që i kushtohet dashurisë.

 

Psikologët mendojnë se ti shprehësh dikujt me zë të lartë një ndjenjë positive i jep autmotakisht edhe mundësinë të ndjejë më shumë vetëvlerësim për veten. E thjeshtë: Nëse dikush të thotë se të do, ndihesh shumë mirë, mendon se jeta mund të jetë më e bukur, dhe se në fakt e tillë është, ndjen se je i vlefshëm, se ia vlen të bësh atë që bën e të jesh ai që je, pikërisht ashtu sic je!

 

Në këtë moment teksti i këngës në sfond thotë se “kuptoj atë që ndjen përmes buzëqeshjes dhe syve të tu”, por ende mungon “të dua”.

 

Sot, edhe kur dikush thotë të dua, zakonisht i shton kësaj ndjenje një fjalë tjetër. Për shembull: të dua shpirt i vogël.

 

Në Shqipëri baballarët mund të sakrifikojnë gjithcka që kanë duke bërë një punë të rëndë. Preferojnë të tregojnë vuajtje për hir të familjes, ose më saktë për hir të dashurisë, por më thoni një grua shqiptare që dëgjon nga buzët e të njëjtit burrë që mundohet aq shumë në punë, foljen: “të dua”.

 

Në Shqipëri, nënat roptohen e sakrifikojnë po aq sa edhe bashkëshortët e tyre, duke punuar në cdo moment, në cdo orë, për këdo pjesëtar tjetër të familjes. Preferojnë të ankohen gjithaq në cdo moment e në cdo orë ama, për moshën e tyre nuk do të ishte asnjëherë e denjë që dashurinë, në vend të sakrifikimit, ta shprehnin qoftë edhe njëherë përmes foljes “të dua”.

 

Leo Bruscalia, psikolog i njohur, cuditi eprorët e tij të universitetit ku jepte mësim prej vitesh, kur u propozoi pak vjet më parë se kishte ndërmend të hapte një kurs për dashurinë!

 

Erazmi i Rotërdamit u la menjëherë mënjanë, kur në epokën e kundërshtive të mëdha, të reformës së artikuluar me fjalë të ankthshme e me vrull luftarak nga Martin Luteri, i propozoi botës dashuri, mirëkuptim dhe tolerancë…

 

Kur Pali u shkruante letrën e parë korintasve, ku u thoshte atyre se një njeri pa dashuri është si një gur i heshtur, bota po ndjente frikshëm lëkundjen e dhunshme të luftërave barbare.

 

Kur në 1942-shin, Gjermania sulmoi Rusinë, për ti dhënë startin fillimit të fundit të një qytetërimi, shumë njerëz të ndjeshëm, kryesisht artistë refuzuan të krijonin për dashurinë dhe zgjodhën përkundrejt kësaj një revoltë ekstreme, vetëvrasjen! Njëri prej këtyre njerëzve me ndjenja tepër të holla, që ndonëse nuk e vetëvra, u mbyll në një botë vetmitare, Erih Maria Remarque, teksa krijonte një ndër personazhet e tij më fatkeqë e fatlumë njëkohësisht, Izabelën e Obeliskut të Zi, vendosi t’i vinte asaj në gojë fjalët refuzuese: “Nuk të njoh”, sapo njeriu që e kishte dashur i tha se e donte. Izabela, (ndoshta jo rastësisht) kishte qenë skizofrene (me dyzim të personalitetit) përpara se të shqiptonte fjalët e mësipërme refuzuese. Këto fjalë, pra, i shqiptoi sapo u shërua nga dyzimi, pra sapo u rikthye në këtë botë… Në botën reale ajo nuk e njohu dot dashurinë

 

Ndoshta mungesa e dëshirës për të thënë të dua, është pasojë e tendencës për të mos thënë asnjëherë atë që vërtet mendon. Tendencë e epokës kur formulat e PR dhe shitja e imazhit që nuk është, janë më të rëndësishme se formulat e të qenit vetvetja, brenda por dhe jashtë teje. Eshtë kështu epoka, kur jo vetëm politikanët apo njerëzit publikë, por kushdo duhet me të gjithë mundin të tregojë më të mirën edhe atëherë kur ska më asgjë të mirë për të treguar. Epoka kur mashtrimi, është tashmë mencuri, investim për të ardhmen dhe makiazhi më frutdhënës që fsheh edhe të metat më të mëdha.

 

Kënga e rradhës tashmë i le vendin një tjetre, teksti i së cilës përmban këtë situatë: Kur më the të dua, befas ndala frymëmarrjen… për të kuptuar se c’doje të thoje…

 

Post Scriptum:

 

Sipas studimit të vitit 2003, rezulton se Shqipëria ka hyrë në atë që shkencëtarët e kanë parashikuar si “skenari pasiv”, skenari që ndodh atëherë kur ka një keqmenaxhim të energjisë elektrike. Konkluzioni që arrijnë shkencëtarët e Akademisë së Shkencave është që Shqipëria, si pasojë e këtij skenari, humb 2.01 miliard dollarë amerikanë…

 

K. Pinderi

7 Komente

Sipas kalendarit Gregorian sot eshte 4 marsi dhe jo 14 shkurti.

Post koment: ???

ç'do me thënë hi-etno?

më tundoi paragrafi pas atij kushtuar obeliskut të zi, po nuk dakord, sepse më duket se nuk është se e mendojmë dhe nuk e thomë, por nuk e mendojmë fare. po që humbja e dollarëve është shqetësuese, është...

Kur në 1942-shin, Gjermania sulmoi Rusinë...

Kur e ngre tërë shkrimin mbi idenë e kërkimit në Google, një gabim i tillë nuk është aspak serioz.

Riktheju edhe një herë Google-s Krist dhe do të shohësh se sulmi ka bërë vaki n,ë 22 qershor 1941.

 

xixe, jashte teme: nga sa ke lexu, a ka ndonje ngarkese simbolike apo tjeter shkas data e fillimit te Barbaroses? (psh e lidhur me solsticin)

 "....Konkluzioni që arrijnë shkencëtarët e Akademisë së Shkencave është që Shqipëria, si pasojë e këtij skenari, humb 2.01 miliard dollarë amerikanë…."

 

Kjo tregon se sa fort e duan Shqiperine, politikanet shqiptar. 

Nuk di pse ky shkrim do dukej teper i kendshem nen tingujt e kenges "Aquarian age" smiley

Emigrant,

Ndoshta lidhet me solsticin e verës, ndoshta edhe me ndonjë strofë nga të Nostradamus-it; e vetmja lidhje që kam krijuar është personale, të njejtën ditë - gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, lindte im atë.

Përshëndetje dhe përgatitu të lexosh vijimin e "Ferrit jugosllav"..

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).