Gjyqtarët, si i transferojnë pasuritë

Gjyqtarë e prokurorë kanë transferuar pasuritë tek të afërmit pa deklaruar të ardhurat e fituara prej tyre. Qendra për Transparencën dhe Informimin e lirë ka nxjerrë rezultatet e një investigimi të vitit 2008 në sistemin gjyqësor për sa i përket deklarimit të pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas këtyre të dhënave rezulton se 3 gjyqtarë kanë fshehur pasurinë, ndërsa 7 gjyqtarë të tjerë dhe 3 prokurorë kanë transferuar pasurinë.
Pasuritë
Në vëzhgim janë marrë 25 gjyqtarë dhe 5 prokurorë, ndërkohë që i gjithë sistemi i drejtësisë ka 646 zyrtarë në këto dy poste. Emrat janë seleksionuar me zgjedhje të lirë në 26 raste, ndërsa vetëm në katër raste është bërë zgjedhje e dedikuar për shkak të posteve. Lidhur me transferimin e pasurisë, raporti thekson se “ky është momenti më i dukshëm i fshehjes së abuzimit të zyrtarëve. Kemi dhurim vilash, apartamentesh, makinash. Deklarime për marrje borxhi në shuma të mëdha nga familjarë, veçanërisht nga ata që kanë të afërm emigrantë. Në të gjitha rastet nuk është shpjeguar burimi i të ardhurave të përfituara nga transferimi apo të transferuara tek të tjerët, kryesisht vjehrri, vjehrra, nëna, babai ose vëllai”. Për sa i përket fshehjes së pasurisë, në vëzhgim thuhet se është vërejtur fshehje e deklarimit të garazheve, trojeve dhe apartamenteve.
Shtëpitë
Në rastet e vëzhguara rezulton se “shumica e zyrtarëve të drejtësisë jetojnë në një apartament, më pak kanë dy apartamente, si dhe më pak kanë vila. Sipas raportit, prokurorët janë edhe më të “rehatuarit” nga pikëpamja e banesave, ndërkaq gjyqtarët kanë më shumë biznese, të cilat drejtohen nga burri ose gruaja që nuk janë gjykatës, ose janë rrjedhim i trashëgimisë”. Duke iu referuar raportit, rezulton se 17 nga 25 gjyqtarët e marrë në vëzhgim, kanë një apartament, katër gjyqtarë kanë biznese familjare, ndërkohë që vetëm një gjyqtar ka vilë. Për sa i përket prokurorëve, dy prej tyre janë pa shtëpi, ndërkohë që dy të tjerë kanë nga dy apartamente. “Shpesh deklarimi i pasurisë së tyre është mjaft strikt: Një gjyqtar ka deklaruar aksione, ndërsa një tjetër ka deklaruar kompensimin që merr nga shtetit për bukë, ndërkaq një tjetër ka deklaruar edhe një sasi të madhe eurosh të transferuara në llogarinë e tij e më pas të shkarkuara, pasi i duheshin si garanci për një vizë”, vijon më tej vëzhgimi.
Konkluzione
Grupi “Watch Dog” vlerëson se pasuria e gjykatësve është shpeshherë mbi mundësitë që iu jep pagesa mujore për shkak të detyrës që kryejnë. “Investigimi i udhëtimeve të tyre jashtë shtetit në tre vite tregon se edhe jeta e tyre e përditshme ka më cilësi se sa kushtet që mund t’u krijojnë të ardhurat e tyre të ligjshme. Mesatarja e udhëtimeve nuk është shifër e jashtëzakonshme, por investigimi rast pas rasti thekson raste të dukshme abuzimi. Një zyrtar gjykate ka udhëtuar gati çdo dhjetë ditë jashtë përgjatë tre viteve”, thuhet në kapitullin e konkluzioneve. Ndërkaq një zyrtar tjetër ka përdorur të paktën 19 herë linjat ajrore për udhëtim, që me çmim minimal të biletës i bie të shpenzojë 40 për qind të rrogës së tij vjetore vetëm për bileta, pa llogaritur shpenzimet e tjera.

Të dhënat e vëzhgimit

    30 zyrtarë të drejtësisë janë marrë në vëzhgim
    25 gjyqtarë, shumica nga Gjykata e Tiranës
    5 prokurorë, ku 4 janë nga Prokuroria e Tiranës
    4 gjyqtarë kanë bërë gabime teknike në deklarim
    1 prokuror ka bërë gabime teknike në deklarim
    9 gjyqtarë kanë bërë gabime financiare
    1 prokuror ka bërë gabim financiar
    3 gjyqtarë kanë fshehur pasurinë
    7 gjyqtarë kanë transferuar pasuritë
    3 prokurorë kanë transferuar pasuritë
    17 gjyqtarë kanë nga një apartament
    1 prokuror nga një apartament
    2 gjyqtarë kanë nga dy apartamente
    2 prokurorë kanë nga dy apartamente
    4 gjyqtarë kanë biznese familjare
    118 udhëtime kanë bërë gjyqtarët dhe prokurorët jashtë vendit

Vëzhgimi i financuar nga britanikët

Raporti i përgatitur nga “watch dog” në përbërje të Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë përfshin kontrollin e deklarimeve të pasurisë dhe konfliktit të interesit për zyrtarët e sistemit të drejtësisë, konkretisht gjyqtarëve në të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe prokurorëve. Po ashtu përfshin investigimin mbi pasuritë e këtyre zyrtarëve dhe konfliktin e interesit, si dhe ka matur indikatorë të tjerë jashtë deklaratës së pasurisë. Ky studim është financuar nga ambasada britanike në Tiranë. Anëtarët e “ëatch dog” janë gazetarë, juristë, vlerësues pasurie dhe avokatë të çështjeve civile. Investigimi është zhvilluar përgjatë tetë muajve, duke filluar në prillin e 2008-ës deri në fund të dhjetorit të 2008-ës.

4 Komente

Ku eshte indinjimi i "shoqerise civile", i OJQ, OJF, Komitetit te Jeltsinit lapsus Helsinkit, Zyres te Mbrojtjes te Konsumatorit, Avokatit te Popullit, OSBE, intelektualeve te impenjuar, shoqates te gjykateseve, analistave-editorialistave-opinionistave, ambasadorit "larg duart nga gjygjesori" Withers, etj. etj. etj.  

Jane te zene duke diskutuar mbertheckat...

Anëtarët e “ëatch dog” janë gazetarë, juristë, vlerësues pasurie dhe avokatë të çështjeve civile.

po pse kane gazetare, juriste dhe avokate te huaj ne komision??? Aty duhet te jen vleresues pasurie shqiptar dhe jo anglez! Plus shqiptaret i dine me mire menyrat e te fshehurit apo te vertetn e lidhjeve te Shqiptareve.

Keto punonjes drejtesie duhen te ndigjen njeri-pas-njeriu deri sa te gjinden se ku i kane marre pasurite ato njerez qe u trensferojne leke atyre

Te mendosh qe mund apo do te arrestohen te gjithe ato qe kane vjedhur eshte thjesht utopike. Ajo qe me shqeteson eshte indiferenca e te gjitheve ndaj nje kaste te supermbrojtur e cila prek drejtpersedrejti jeten e qytetareve. Eshte fale kesaj indiference qe prokuroret/gjykatesit mund te vazhdojne te rregullojne proceset penale ne favor te krimineleve apo te shkelin te drejtat e qytetareve ne proceset civile. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).