Gjykata e Lartë kthen dosjen "Gërdeci"

Gjykata e Lartë kthen dosjen "Gërdeci"

Nesër, afati i fundit. Ina Rama, mbledhje urgjente me hetuesit: Bëjeni natën ditë

 

Një "incident" ka ndodhur midis Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme gjatë dorëzimit të dosjes "Gërdeci". Ditën e premte, më datë 13 mars, kur zyrtarët e akuzës qendrore firmosën përfundimin e dosjes voluminoze dhe dërgimin e saj për gjykim, sekretaria e Gjykatës Supreme në Shqipëri nuk i ka pranuar provat e dosjes, pasi ishin sjellë jashtë parametrave ligjorë të një prove materiale. Dëshmitë e punëtorëve të fabrikës, si dhe provat e gjetura nga hetuesit në kraterin e shpërthimit, ishin dërguar në gjykatë me kartonë të pambyllur, të cilët nuk kishin procesverbale përkatëse, si dhe numra protokolli, duke rrezikuar afatin e dorëzimit të dosjes në gjykatë. Incidenti ka ndodhur në momentin që hetuesit e çështjes janë paraqitur në sekretarinë e Gjykatës së Lartë së bashku me punonjësen e arkivës në Prokurorinë e Përgjithshme. Burime nga Gjykata e Lartë deklaruan se kanë pranuar si prova 80 fashikuj hetimi, të cilat kishin të gjitha elementët e provës materiale, por kanë refuzuar në mënyrë kategorike të marrin si prova shkresat e sjella "rifuxho" nga hetuesit e çështjes. Këta të fundit janë munduar gjatë ditës së dorëzimit të dosjes që gjithçka të jetë në konspiracion të plotë dhe personat që do të kishin në duar dokumentet të ishin të besuar. Por nuk kanë menduar "surprizën" e Gjykatës së Lartë, e cila nuk ka i konsideruar si provë dhjetëra dokumente nga akuza qendrore. Ky refuzim ka vënë në pikëpyetje edhe një herë përfundimin dhe dërgimin e dosjes në gjykatë, pasi interpretimet për këtë rast mund të jenë të ndryshme. Prokurorët i druhen një reagimi të të pandehurve, të cilët mund të mos pranojnë asnjë nga procedurat e dorëzimit të dosjes në gjykatë.

Provat e refuzuara
Paniku ka zënë hetuesit e dosjes "Gërdeci", të cilët teksa mundoheshin me mish e me shpirt që të dorëzonin dosjen ditën e premte, kanë kryer një sërë parregullsish, duke dorëzuar në gjykatë prova materiale pa numra protokolli. Madje hetuesit këto prova i kishin mbështjellë me kartonë të rastësishëm, me shpresën se gjykata do t‘i pranonte në atë gjendje. Materialet voluminoze janë dorëzuar brenda disa orëve, ku i gjithë grupi hetimor i dosjes "Gërdeci" ka marrë pjesë personalisht. Në aksion janë futur edhe zyrtarët më të lartë të akuzës qendrore, të cilët kanë kontribuuar duke vënë në dispozicion të operacionit deri edhe automjetet e tyre. Por i gjithë mundi duket se ka shkuar kot. Pas dorëzimit të 80 fashikujve, hetuesit janë "mundur" për dorëzimin e urdhrave dhe provave për 30 të pandehurit. Mësohet se provat e kthyera janë disa dëshmi të banorëve të Gërdecit, për mënyrën sesi ndodhi shpërthimi, sa persona kanë qenë duke punuar, e deri tek ata që udhëhiqnin operacionin për demontimin e municioneve. Provat të tjera të kthyera mbrapsht janë disa fakse dhe dëshmi fillestare të të pandehurve, si dhe sende e dokumente të gjetura në vendin e shpërthimit.

Mbledhje urgjente
Pasditen e së premtes, më datën 13 mars 2009, zyrtarët më të lartë të Prokurorisë së Përgjithshme kanë mbledhur urgjentisht grupin hetimor të tragjedisë së Gërdecit, duke u kërkuar të jenë të kujdesshëm që të gjitha provat e mbledhura gjatë harkut kohor të 12 muajve të jenë dorëzuar ligjërisht në gjykatë. Të shqetësuar në maksimum, drejtuesit e akuzës qendrore vendosën që të rimbledhin të gjitha aktet e refuzuara nga Gjykata e Lartë dhe gjatë ditëve në vazhdim (të shtunën, të dielën dhe të hënën) të rivlerësojnë dhe të rregullojnë ngërçin e krijuar, pasi rrezikohet që provat të mos pranohen nga Gjykata e Lartë, pasi të ketë mbaruar afati i hetimeve. Alarmi ka prekur edhe Kryeprokuroren Ina Rama, e cila ka urdhëruar që ditën e martë, më datë 17 mars (ditë kur përfundojnë hetimet) të dorëzohen edhe provat e tjera, duke përmbushur kështu një detyrim ligjor. Por hetuesit e çështjes i druhen një interpretimi të përfundimit të hetimeve nga të pandehurit dhe se ata mund të kërkojnë që provat që nuk janë regjistruar në Gjykatën e Lartë të mos merren parasysh. Megjithatë, kjo mbetet për t‘u parë në ditët në vazhdim, pasi procesi me 30 të pandehur mund të "kopjojë" procesin hetimor të dosjes "Durrës-Kukës".

Dokumentet e Delijorgjit, të gjetura në kraterin e shpërthimit, nuk janë regjistruar në gjykatë

Gjykata nuk e pranon si provë kompjuterin e Pinarit

Mundimi 12-mujor i 16 hetuesve të tragjedisë së Gërdecit mund të vihet në rrezik nga Gjykata e Lartë. Mosdorëzimi i provave sipas parametrave ligjorë vë në rrezik procesin gjyqësor që mund të hapet ditët e ardhshme. Të pandehurit mund të mos pranojnë provat që janë dorëzuar pa numër protokolli dhe janë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale. Kur dukej se gjithçka ishte dokumentuar, zyrtarët e akuzës qendrore janë më të frikësuar se kurrë për rrjedhën që mund të marrë dosja "Gërdeci", e cila ka në gjirin e saj 30 të pandehur. Burime nga Gjykata e Lartë deklaruan se sekretaria e gjykatës nuk e ka pranuar si provë materiale kompjuterin e të pandehurit Ylli Pinari, ish-drejtuesi i firmës MEICO, e cila i dha të drejtën firmës së Mihal Delijorgjit të demontonte municione në bazën e Gërdecit. I konsideruar si një nga provat më të rëndësishme të Prokurorisë së Përgjithshme, kompjuteri është kthyer pas, sepse nuk kishte asnjë dokument shoqërues dhe nuk ishte i siguruar siç duhej nga hetuesit. Mësohet se edhe provat që janë gjetur në kasafortën e Delijorgjit në kraterin e shpërthimit nuk janë pranuar nga Gjykata e Lartë, pasi nuk kishin dokumente shoqëruese ku të pasqyrohej përmbajtja. "Disa nga provat e organit qendror të akuzës për dosjen ‘Gërdeci‘ nuk kanë pasur parametrat ligjorë të një prove materiale. Për këtë arsye, sekretaria e Gjykatës së Lartë nuk i regjistroi, duke i cilësuar si të paligjshme për momentin", deklaruan burimet nga Gjykata e Lartë. s.ç

Të martën përfundon hetimi...

Një tjetër pikëpyetje e hetuesve të çështjes është përfundimi i hetimeve për tragjedinë e Gërdecit. Pas refuzimit të Gjykatës së Lartë të disa provave, hetuesit janë frikësuar, pasi afatet e hetimit mund të kundërshtohen nga ana e të pandehurve dhe të vihet në rrezik përfundimi i hetimeve. Gjithsesi mbetet të pritet dita e martë, kur organi i akuzës do të ridërgojë në gjykatë provat e kontestuara.

Të gjithë të pandehurit nuk e kanë pranuar akuzën

Krahas parregullsive procedurale, dosja "Gërdeci" mund të endet disa vjet në drejtësinë shqiptare. Numri i madh i të pandehurve (gjithsej 30, një numër rekord për një proces gjyqësor) por edhe mospranimi i akuzës nga personat e dyshuar si shkaktarë të mundshëm të tragjedisë mund të sjellë një "dështim" për prokurorinë. Një tjetër shkak që procesi të zgjatet është akuza që rëndon ndaj të pandehurve për "shpërdorim detyre". Ish-zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, të marrë të pandehur pas tragjedisë së Gërdecit, kanë refuzuar organin qendror të akuzës për të firmosur kërkesën për gjykim. Ata nuk kanë denjuar të paraqiten para prokurorëve të çështjes për t‘u njohur formalisht me përfundimin e hetimeve. Ndërkohë, të pandehurit në burg kanë mohuar në mënyrë kategorike akuzat e ngritura, duke u vetëshpallur të pafajshëm. Mihal Delijorgji, pronar i firmës "Albademil", e cila kishte fituar të drejtën për të kryer demontime në Gërdec, nuk ka pranuar të firmosë përfundimin e hetimeve, duke deklaruar se "është i pafajshëm". Ndërkaq në Prokurorinë e Përgjithshme janë ftuar gjeneralët, të cilët kanë "akuzuar" drejtuesin e hetimeve për tragjedinë e Gërdecit se po u prishte karrierën, duke u ngritur akuza të pabaza.

3 Komente

Gazeta Shqip. 21 dhjetor 2008

Prokuroria, një lojë me "oraret" e hetimit

 

Mentor Kikia

Prej disa ditësh, prokuroria shqiptare është vënë në qendër të debateve politike e publike, si pasojë e përpjekjeve të mazhorancës për të miratuar nxitimthi ligjin për pastërtinë e figurës, i cili pritet të lërë jashtë zyrave edhe disa gjykatës e prokurorë. Kryeministri Berisha nuk u kujdes fare ta fshehë entuziazmin për "dëbimin" edhe të një prokurori, Zamir Shtylla, i cili sipas tij ka qenë një ndër inkuizitorët në regjimin komunist por që tani drejton grupin e prokurorëve që hetojnë çështjen e Gërdecit dhe skandalit të trafikut të fishekëve mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë së amerikanit, Efrahim Diveroli. Por jo vetëm kaq, prokuroria është bërë molla e sherrit politik edhe për çështjen e rrugës Rrëshen - Kalimash, ku është vënë nën akuzë edhe ministri i Jashtëm, Lulzim Basha. Pas një serie padish e vendimesh gjyqësore, Basha është tashmë nën akuzë nga prokuroria e pa akuzë nga gjykata, pasi Fatmira Hajdari zhvlerësoi veprimet e prokurorisë pas datës 6 nëntor, afati zyrtar i përfundimit të hetimeve. Të dy kampet politike janë vënë në garë. Mazhoranca e akuzon prokurorinë si vegël të Partisë Socialiste, edhe pse është absurde të besosh që një prokurore e emëruar nga një President demokrat dhe e bekuar nga një Kryeministër demokrat, të jetë vegël e opozitës socialiste. Ndërsa opozita nuk lë pod pa shfrytëzuar për të denoncuar presionin që po i bën qeveria prokurorisë, për të mos hetuar korrupsionin.
Me ardhjen e zonjës Ina Rama në krye të prokurorisë, besuam dhe shpresuam gjerësisht për një impuls të ri të luftës kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, ndaj dhe ofruam gjerësisht një mbështetje për të. Mediat në kor u bashkuan për t‘i dhënë asaj suportin moral të nevojshëm, edhe për faktin se është e para grua në krye të organit të akuzës, një grua që do të duhej të vinte pak rregull në folenë e grerëzave.
Por, deri tani, për fat të keq, ne nuk kemi parë një impuls të ri të të bërit drejtësi, por po shikojmë një institucion qaraman që nuk lë vend pa u ankuar se nuk po e lënë të qetë. Në ndihmë të saj është vënë edhe opozita, e cila para çdo mikrofoni vajton vazhdimisht presionin që po i bëhet këtij organi.
Do të ishte naivitet i madh që të besohej se prokuroria do të jetë fare e qetë të bëjë punën e saj. Kjo, pasi prokurorët janë nëpunës të shtetit që hetojnë kriminelë, zyrtarë të korruptuar, trafikantë, mashtrues, ministra e kryeministra, pra ata fusin njerëz në burg dhe burgun askush nuk e pëlqen. Pikërisht për këtë arsye, mes tyre dhe pushtetit nuk ka kurrë paqe dhe mirëkuptim. Po për këtë arsye, ata e dinë fare mirë se rruga e tyre nuk është e shtruar me dafina, por përkundrazi e mbushur edhe me rreziqe. Prokurorët nuk janë yjet e Hollivudit, të cilëve u shtrohen tapetet e kuq kur ecin, u merren autografe, u bëhen fotografi dhe ftohen të pozojnë para kamerave. Jo, prokurorët janë ushtarë të shtetit, janë skaljoni i parë i armatës që lufton për të bërë drejtësi. E përderisa flitet për një luftë në emër të drejtësisë, ata duhet të sillen si ushtarë e jo si femra delikate pasarelash. Mos vallë Ina Rama mendonte se Sali Berisha do ta thërriste në mbledhjen e kabinetit të tij dhe do t‘i thoshte të vinte gishtin e të dërgonte në burg të gjithë ministrat e tij që janë të korruptuar? A nuk ishte Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, ai që bëri lëmsh drejtësinë e vendit të tij dhe miratoi ligje që i ndaluan gjykatës të vazhdojë proceset që ishin hapur kundër tij për korrupsion? Por një javë më parë, policia dhe prokuroria atje arrestuan 99 mafiozë, që po rithemelonin "Cosa Nostrën", të gjithë njerëz të lidhur me politikën. A mos vallë ka qenë krejt e lirë prokuroria në Shtetet e Bashkuara të hetojë urdhrat e Donald Rumsfeldit për dhunën në Guantanamo, apo kontratat e Diverolit me Pentagonin që tronditën Shtëpinë e Bardhë? Po kështu, a mos vallë është e lirë Prokuroria e Moskës të zbulojë se kush e urdhëroi vrasjen e gazetares Politkovskaya?
Por, përtej qaravitjes për presionet, mund të ngrihen dyshime serioze për një lojë të dyfishtë, e cila nëse do të jenë e vërtetë, do të ishte një krim edhe më i rëndë se vetë krimet që duhet të hetojë ky organ.
Ka arsye serioze për ta besuar këtë. Prokuroria e mbajti afro dy vjet në sirtar dosjen e rrugës Rrëshen - Kalimash dhe u kujtua ta thërrasë Lulzim Bashën për t‘i komunikuar akuzën, ta marrë atë të pandehur e ta dërgojë dosjen në gjykatë, pikërisht pasi hetimit i kishte skaduar afati zyrtar. Detyra e avokatëve është që në një kazan me supë të gjejnë qoftë dhe një mizë, që t‘ia derdhin kuzhinierit te këmbët. Ndërkohë që në kazanin që kishte gatuar prokuroria për Lulzim Bashën kishte jo një, por një koloni insektesh. Normalisht, a nuk duhet të pyesim ne, se përse prokuroria nuk i bëri më herët këto veprime, kur kishte rreth 2 vjet kohë, por priti të kalojë afati e të kërkojë kohë shtesë? Është e vërtetë, se të gjitha veprimet finale, prokuroria i kreu pas datës 6 nëntor, kur kishte dhe një vendim gjykate që i konsideronte të paligjshme këto veprime. Kemi të gjithë të drejtën të dyshojmë se çështja u zvarrit qëllimisht derisa të skadojnë afatet e hetimit dhe të tjerat më pas i rregullojnë avokatët.
E njëjta panoramë është edhe në çështjen e Gërdecit. Në mars bëhet një vit nga shpërthimi tragjik që u mori jetën 26 njerëzve dhe në burg janë vetëm Ylli Pinari dhe Mihal Delijorgji. U konsumuan debate të shumta politike, faqe të tëra gazetash dhe orë të tëra transmetimesh televizive për të bërë presion që deputetit Fatmir Mediu t‘i hiqej imuniteti. Dhe çfarë është bërë gjashtë pas kësaj? Asgjë!
Fatmir Mediu e riktheu partinë e tij në qeveri dhe tani bën fushatë elektorale dhe premton se do të luftojë korrupsionin dhe krimin nëse shqiptarët do të votojnë që partia e tij të jetë sërish në pushtet. Edhe në këtë rast, prokuroria ankohej se politika nuk po e lejon ta bëjë drejtësinë, por tashmë duket se po pret që sërish të kalojnë afatet e hetimit për t‘i komunikuar zotit Mediu ndonjë akuzë, që më pas edhe avokatët e tij të nisin serinë e padi-kundërpadive, për ta dërguar çështjen në muze. Në SHBA, prokurorët nuk hezituan, që brenda vetëm një jave nga zbulimi i skandalit, t‘i vënë prangat dhe t‘i komunikojnë akuzën e shpërdorimit të detyrës guvernatorit të Ilinoisit, mikut të Presidentit të ri, Barak Obama, Rod Blagojevic.
Duke iu referuar ligjit për pastërtinë e figurave zyrtare, përtej dëshirës së Kryeministrit për ta larguar Zamir Shtyllën nga grupi hetimor i Gërdecit, na duket krejt pa vend alarmi, i mbështetur edhe nga opozita, se do të dëmtohen hetimet për këtë çështje. Ky ligj mund të bëjë dëm në institucione, por mbi hetimet e kësaj çështjeje jo. Nëse Zamir Shtylla është i implikuar në procese politike gjatë komunizmit, personalisht nuk do të dëshiroja që të vazhdonte ta bënte ai drejtësinë në këtë vend. Por, mbi të gjitha, ajo çështje nuk ka pse preket, pasi atë e hetojnë një grup prej katër prokurorësh dhe tetë hetuesish, dhe mes tyre ka prokurorë edhe më të zotë se Shtylla, sikundër është Sokol Stojani, të cilit nuk i është rrëzuar asnjë çështje në gjykatë deri tani. Kështu që e gjithë gurguleja ngjan me një alarm të rremë, për të mbuluar paaftësinë, apo me keq, ndoshta një lojë tjetër me "oraret" e hetimit.
Prokurorët i kishin në dorë faktet se si Lulzim Basha kishte përzgjedhur firmën ndërtuese mbi bazën e një VKM-je të miratuar disa javë më pas. Prokurorët i kanë në dorë faktet se si Fatmir Mediu ka hartuar projektligjin pasi Delijorgji kishte themeluar më parë firmën për demontimin e fishekëve, se si Famtir Mediu ka caktuar Gërdecin si vend demontimi, pasi Delijorgji e kishte caktuar atë më parë si "seli" të kompanisë së tij. Por në asnjë rast nuk kanë vepruar.
Në këtë lojë me dy porta, opozita, që vajton presionin ndaj prokurorisë, duket fare jashtë loje.
 

Ina Ramen e ka vene vete doktori ne ate post dhe doktori nuk eshte budalla, cdo gje e ka mendu mire qe me pare. Priteni tani kur te dalin provat me te forta te akuzes si te pavlefshme. Ju mbahet mend ne momentin e arrestimit, njeri nga keta 4 te burgosurit, Pinari me duket ka dash te flase e te tregoje peshqit e medhenj, por ja mbyllen gojen menjehere. Duhet ti kene premtu se ka per te dale shume shpejt qe andej, ndoshta edhe si i pafajshem.

Besoj se asnje s'ka per tu denu se po u denu qofte edhe peshku me i vogel, ky ka per te fol per te shpetuar vete e ka per ti nxjerre edhe Peshqit me te medhenj qe nga Mediu e Hoxha  e deri tek Shkelzeni e Berisha. 

 

Epo mire, prokurorise ju desh 1 vit te pergatiste ceshtjen por sic duket edhe 1 vit s'i paska dale e paskan bere me nxitim. Me verte kaq shume kohe duhet te besh hetime per Gerdecin - sidomos kur nuk kane per te bere analiza gishtash, ADN e ku di une?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).