Gjykata e Lartë konfirmon largimin e Ardian Nunit në SHBA. Ndjehej i pasigurt

Ardian Nuni është larguar jo për pushime, por për të jetuar në SHBA. Ikja e tij sot konfirmohet edhe nga Gjykata e Lartë, ku Nuni ishte gjyqtar. Sipas burimeve, dosjet që ai kishte, i janë ndarë gjyqtarëve të tjerë. Lajmi që u dha nga gazeta "Shekulli" dy javë më parë për largimin e Nunit, tashmë konfirmohet zyrtarisht. "Shekulli" më datë 5 Mars shkruante "Nuni bashkë me familjen braktisin Shqipërinë".

Ai vetë deklaroi për gazetën në momentin e largimit se po ikte për pushime. Por sot dy javë pas largimit Gjykata e Lartë bën me dije se "të gjitha dosjet që kishte nën gjykim gjyqtari Nuni i janë ndarë kolegëve të tij në këtë gjykatë". Po kështu mësohet se Nuni ka ikur për arsye sigurie, pasi agresorët që e sulmuan janë ende të lirë. "Policia nuk ka mundur të bëjë identifikimin dhe arrestimin e tyre, ndaj gjyqtari ndjehej i kërcenuar", shprehen kolegët e tij.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë mbeti i plagosur në një atentat në katin e parë të pallatit ku banonte, më 8 Shkurt 2009. Ai ka udhëtuar me bashkëshorten dhe djalin drejt SHBA. Gjyqtari ka pohuar për "Shekullin", se ishte larguar për të pushuar ca kohë dhe për t'u kuruar pas plagëve të marra nga atentati.

Shkrimi i Shekullit datë 05.03.2009 "Nuni bashkë me familjen braktisin Shqipërinë"

TIRANË- Ardian Nuni, gjyqtari i Gjykatës së Lartë i plagosur rreth 20 ditë më parë në kryeqytet, braktis Shqipërinë duke udhëtuar në drejtim të SHBA-së, bashkë me familjen. Largimi i Nunit në drejtim të SHBA-së, është konfirmuar nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit, të cilët theksuan se bashkë me familjen fundjavën e kaluar gjyqtari Nuni është larguar nga Shqipëria duke udhëtuar matanë Atlantikut.
Largimi i tij nga Shqipëria, është konfirmuar edhe nga kolegët e tij të Gjykatës së Lartë dhe pedagogët e Fakultetit të Drejtësisë ku ai ligjëron lëndën e së Drejtës Civile.
Sipas tyre, ka disa ditë që gjyqtari Nuni është larguar nga Shqipëria bashkë me familjen, për shkak të rrezikut që i kanoset për jetën. Këtë version, vetë gjyqtari Nuni i kontaktuar nga "Shekulli" e ka hedhur poshtë, duke u shprehur se "jam duke bërë disa kontrolle mjekësore dhe po pushoj.
Shumë shpejt do të kthehem në punë pranë Gjykatës së Lartë",- ka sqaruar gjyqtari me anë të një mesazhi telefonik me tekst. Ndërkohë burime zyrtare pranë Avokatit të Popullit, ku bashkëshortja e gjyqtarit Nuni kryen detyrën e nën\komisioneres, konfirmuan largimin e saj nga puna, me një leje dy javore.
Gjyqtari Ardian Nuni, 40 vjeç, anëtar i Gjykatës së Lartë mbeti i plagosur pas një atentati nga persona ende të panjohur. Për fatin e tij të mirë gjyqtari mori plagë anësore që nuk i rrezikonin atij jetën.
Nga hetimet gati një mujore të çështjes, policia, nuk ka mundur të zbardhë ndonjë detaj me vlerë për identifikimin që do të dërgojë në arrestimin e atentatorit, që qëlloi me katër plumba ndaj anëtarit të Gjykatës së Lartë, gjyqtarit Ardian Nuni. Si pasojë e këtij atentati të dështuar, gjyqtari Nuni mbeti vetëm i plagosur me tre plumba në trup. Policia e ka shtrirë hetimin e saj në disa pista, me qëllim zbardhjen e motiveve dhe shkaqeve të ngjarjes dhe autorëve të saj.
Nuni, që prej ditës së plagosjes së tij, ka munguar në punë dhe për shkak të kësaj ngjarjeje burimet thonë se ai mund të mungojë për një periudhë prej 6 muajsh.
Ndërkaq, burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës sqaruan se "hetimet për zbardhjen e ngjarjes së 8 shkurtit 2008 ku u plagos gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, po vazhdojnë, por deri më tani ende nuk mund të thuhet asgjë në lidhje me këtë çështje".
Ndërkohe, theksuan se atentati ndaj gjyqtarit Nuni i dënuar nga i gjithë spektri politik gjyqësor dhe opinionin në vend përfshi dhe institucionet e huaja në Tiranë, ndodhi rreth orës 23:45 minuta të mbrëmjes së 8 shkurtit 2008, në lagjen "Komuna e Parisit" pranë hyrjes së pallatit ku gjyqtari banonte.
"Mbrëmjen e së dielës së datës 8 shkurt, në kohën kur gjyqtari Nuni po kthehej nga një darkë me disa miq dhe sapo ka parkuar makinën në lagjen pranë pallatit ku ai banonte është drejtuar për në hyrjen e banesës.
Sapo ka arritur tek shkallët e hyrjes së pallatit ku ai banonte në lagjen "Komuna e Parisit" është qëlluar me katër plumba nga një person i veshur me të zeza dhe me kapuç dimëror.
Nga katër të shtënat e dala nga gryka e pistoletës nga një largësi prej një metër, tre prej tyre e kanë qëlluar duke i shkaktuar edhe plagë në këmbë, shpatull dhe krah"-thuhet nga prokuroria.
Menjëherë pas ngjarjes, gjyqtari Nuni u mor në pyetje, por dëshmia e tij, nuk ka dhënë ndonjë orientim të qartë për pistat e hetimit të nevojshme për policinë. Sipas hetuesve ato janë renditur në disa të tilla, që nga ajo personale e deri tek shkaku i punës si gjyqtar pranë Gjykatës së Lartë.

5 Komente

Ngjarje shume e rende per sigurine e jetes ne Shqiperi.

Largimi familjar i nje gjyqtari te Gjykates se Larte eshte shume domethenes.

Edhe ish-kryetari i kazacionit u largua vite me pare per ne Amerike. Megjithse tani sikur punon per USAID ne Tirane.

Hmm, me atentat dhe plagosje, nuk e ka problem fare te marri Azilin Politik ne Amerike smiley Smart move!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).