Gërdeci, Berisha nën akuzë

Trashëgimtarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit padisin në Gjykatën e Lartë, në procesin penal, Kryeministrinë. Me veprimet dhe mosveprimet e Kryeministrit Berisha, Këshilli i Ministrave i ka hapur rrugë procedurës së trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, nga ku zë fill gjithë kjo veprimtari demontimi, e cila ka sjellë këtë pasojë kriminale. Padia civile në procesin penal është depozituar disa javë më parë në Prokurorinë e Përgjithshme, por dje është dërguar në Gjykatën e Lartë, vend ku, sipas ligjit, gjykohet një deputet dhe një ministër apo Kryeministër, si në rastin në fjalë. Gazeta "Shqip" ka siguruar nga organi i akuzës një pjesë të padisë së familjarëve. Këta të fundit deklarojnë se vdekja e njerëzve të dashur ishte pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve apo mosveprimeve të paligjshme dhe me faj të të paditurve, dhe kërkojnë prej tyre, solidarisht, shpërblimin e dëmit nga vdekja e shkaktuar.


Kryeministria, e paditur

Trashëgimtarët e viktimave të Gërdecit kanë paditur Kryeministrinë, si një person juridik publik, duke u bazuar në ligjin "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave", ku parashikohet se: "Kryeministria është person juridik, publik, që mbështet veprimtarinë e Këshillit të Ministrave, të Kryeministrit, të zëvendëskryeministrit dhe të ministrit të Shtetit", përgjigjet civilisht, me pasurinë e saj, për shkak të miratimit të vendimit nr.138, datë 14.03.2007, që nuk arrin të rregullojë të gjithë procedurën siç parashikohet në ligj, si dhe për shkak të mosveprimit të Kryeministrit, për të siguruar zbatimin e atij vendimi. "Siç del nga aktet e administruara në dosje, Këshilli i Ministrave ka miratuar me vendimin e tij nr.138, datë 14.03.2007, procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, nga ku zë fill gjithë kjo veprimtari demontimi, e cila ka sjellë këtë pasojë kriminale. Megjithëse synon të ketë normuar të gjithë procedurën, Këshilli i Ministrave nuk ka arritur me atë vendim që të normojë momente të tilla si: mënyrën e përzgjedhjes së kontraktorit për shitjen e municioneve për demontim, çfarë ndodh dhe kush mban përgjegjësi nëse ai dëmton të tretët, çfarë lloj kushtesh sigurie duhet të plotësojë, a duhet të depozitojë ndonjë garanci për llogari të ministrisë në rast dëmi, pasi është një veprimtari me burim rreziku të shtuar etj", thuhet në padi. Sipas saj, të gjitha këto çështje, por edhe të tjera janë lënë pa trajtuar në atë VKM. "Edhe sikur vendimi nr.138, datë 14.03.2007, i Këshillit të Ministrave të ishte një akt krejt në përputhje me ligjin, përsëri organi i administratës publike përgjigjet për dëmet që u shkakton të tretëve. Kjo parashikohet shprehimisht në nenin 3, shkronja "b", të ligjit nr.8510, datë 15.07.1999. "Për përgjegjësinë jashtëkontraktore të organeve të administratës shtetërore", ku parashikohet se "organet e administratës publike përgjigjen për dëmet që u shkaktojnë personave fizikë a juridikë privatë në rastet që vijojnë: "b) kur kryejnë veprime a mosveprime të ligjshme, por që sjellin dëmtimin e interesave të ligjshme të personave fizikë a juridikë privatë". Po ashtu, në këtë vendim, Këshilli i Ministrave në pikën XII të tij e ka ngarkuar Ministrinë e Mbrojtjes me zbatimin e vendimit, por në të njëjtën kohë edhe pse ka ngarkuar një institucion të caktuar, ka një garanci tjetër më vete, kushtetuese për zbatimin e tij dhe ky është Kryeministri", thuhet më tej në padi. Ndërkohë në Kushtetutë parashikohet se "Kryeministri:...c) siguron zbatimin e legjislacionit dhe të politikave të miratuara nga Këshilli i Ministrave. Sipas padisë, Kryeministri ka disa kompetenca specifike, për shembull kur një ministër miraton një urdhër në kundërshtim me ligjin apo me një vendim të Këshillit të Ministrave, Kryeministri e pezullon aktin menjëherë dhe e shfuqizon atë pas shqyrtimit.

Shkeljet e Berishës

"Nga tërësia e akteve të administruara në dosje rezulton se Kryeministri nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që të përmbushë detyrimin e tij kushtetues, pra të siguronte zbatimin e legjislacionit dhe të politikave të miratuara nga Këshilli i Ministrave", thuhet në padi, duke shtuar se nëse ai (Sali Berisha) do të kishte vepruar në mënyrë aktive, siç Kushtetuta e ngarkon, do të kishte ndaluar një ministër të nxirrte akte të tilla të kundraligjshme, apo më tej do të kishte parandaluar një ngjarje të tillë kriminale, apo së paku për atë vetë do të arrinte të shkarkonte vetveten nga pas rrjedhja e një përgjegjësie të paktën civile. "Në këto kushte, duke qenë se Kryeministria është personi juridik publik (pra subjekt në qarkullimin civil, me pasuri dhe buxhet), që përgjigjet dhe i mbështet institucione të tilla si Këshillin e Ministrave apo Kryeministrin etj., dhe duke qenë se Këshilli i Ministrave ka miratuar atë vendim, si dhe për shkak të mosveprimit të Kryeministrit gjatë ushtrimit të detyrës, ka ardhur dhe ky dëm civil, atëherë kërkojmë që ky person juridik, Kryeministria, të përgjigjet civilisht, solidarisht, me të paditurit e tjerë në pagimin e dëmshpërblimit për ne, paditësit", përfundon padia për Kryeministrin.

Familjarët padisin edhe
Ministrinë e Mbrojtjes

E paditura tjetër nga trashëgimtarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit është edhe Ministria e Mbrojtjes, e cila ka pozitën juridike të një personi juridik publik, që mbështet ministrin në aspektin teknik, por dhe si person juridik me pasuri përballon dëmet që u shkakton të tretëve në qarkullimin civil. "Në rastin tonë, procesi i demontimit të municioneve ishte pjesë e veprimtarisë së Ministrisë së Mbrojtjes, po ashtu gjithë veprimet dhe aktet e nxjerra janë produkt i zyrtarëve dhe i punonjësve të kësaj ministrie, pasi vetë municioni, territori dhe depoja ku po kryhej demontimi, ishin pasuri e kësaj ministrie. Në këto kushte, ky person juridik publik, Ministria e Mbrojtjes, përgjigjet me pasurinë e saj për shpërblimin e dëmit që na është shkaktuar", thuhet në padi. S.Ç.

Tri kërkesat

1- Kërkohet të vendoset pagimi i dëmshpërblimit solidarisht, në shumën totale prej 360000000 lekësh të reja për humbjen e jetës së viktimave të sipërcituara në tragjedinë e Gërdecit, ose në vlerë të individualizuar 20000000 lekë për çdo viktimë.

2. Vënien e sekuestros konservative mbi pasuritë e të paditurve.

3. Dhënien e vendimit me ekzekutim të përkohshëm.

Viktimat

Homet Hazizaj,

Shefki Cani

Bukurije Cani

Rajmonda Durdaj

Nafie Laçi

Zelie Kaca

Zelije Prini

Edison Durdaj

Zelfi Ahmeti

Arben Ase

Azem Hamolli

Reshit Kruja

Qemal Deliu

Korre Deliu

Jetmir Deliu

Liljana Deliu

Flavio Deliu

Hysen Cani


Të paditur nga familjarët

1- Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, deputet, i pandehur

2- Ylli Pinari, ish-drejtor i MEICO-s, i pandehur, Burgu 313

3- Mihal Delijorgji, ortak dhe administrator i shoqërisë "Albademil" shpk, i pandehur, Burgu 313

4- Shoqëria "Albademil" shpk, me adresë: Gërdec, Vorë, Tiranë

5- Ndërmarrja "MEICO", adresa: rruga "4 Shkurti", nr.5, Tiranë

6- Ministria e Mbrojtjes, adresa: bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

7- Kryeministria, adresa: bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

1 Komente

... nuk eshte cudi qe edhe ata qe jane brenda mund te dalin nga burgu jo te hyjne te tjere...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).