Fullani: Qeveria po rrezikon seriozisht ekonominë e vendit

Banka Qendrore kritikon ekzekutivin për buxhetin 2008. "Nuk ka para për ditë të vështira"

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi deklaratën më kritike në shumë vite kundër qeverisë dje, në një mbledhje maratonë që zgjati më shumë se dhjetë orë. Sipas deklaratës, qeveria tejkaloi objektivin e deficitit buxhetor, shkaktoi rritje marramendëse të importeve dhe deficitit të llogarisë korrente, rriti borxhin e brendshëm dhe, më e rëndësishmja, "kufizoi hapësirën për stimuj të tjerë fiskalë në të ardhmen". BSH vendosi të qëndrojë neutrale në politikën monetare në mbledhjen e djeshme, por i kërkoi qeverisë të shtrëngojë rripin këtë vit për të shmangur probleme të tjera. Kjo ishte deklarata më kritike që BSH-ja ka hartuar në shumë vite. Herën e fundit që Banka Qendrore kreu një sulm frontal kundër ekzekutivit, ishte në korrik të vitit 2001, kur qeveria e atëhershme u kritikua për shpenzimet e tepruara elektorale.

Kritikat

 

"Sektori fiskal e mbylli vitin 2008 me një deficit buxhetor në nivelin 5.7 për qind të PBB-së, duke shënuar një rritje të dukshme krahasuar me vitin 2007", thotë BSH. Qeveria i pati premtuar Fondit Monetar Ndërkombëtar ta ulë deficitin në 5.2%, por e pati të pamundur përballë rritjes së kostos së rrugës Durrës-Kukës.

 

"Stimuli i lartë fiskal për vitin 2008 shkoi kryesisht për financimin e shpenzimeve kapitale, por ai ndikoi edhe në rritjen e importeve dhe të deficitit tregtar të vendit", vijon më tej deklarata e BSH-së. Deficiti fiskal i vitit 2008 u reflektua në rritjen e borxhit publik në nivelin 55.6 për qind të PBB-së, duke kufizuar hapësirën për stimuj të tjerë fiskalë në të ardhmen.

 

Deficiti i llogarisë korrente arriti rreth nivelit 14.9 për qind të PBB-së, krahasuar me nivelin 11 për qind të shënuar në vitin 2007. Ky tregues rrezikon të sjellë zhvlerësim të monedhës kombëtare dhe vë në dyshim stabilitetin makroekonomik të vendit. Deficiti i llogarisë korrente vitin e kaluar ishte edhe më i lartë sesa deficiti i vitit 1997, kur vendi gjendej në anarki të plotë.

 

BSH-ja nuk lë pa përmendur se deficiti u shkaktua pjesërisht nga kriza financiare globale, por qeveria e përkeqësoi më tej situatën. Për pasojë, leku u dobësua me 6% kundrejt euros gjatë muajve të parë të këtij viti dhe ka tendencë për dobësim të mëtejshëm. Burime nga tregu valutor thonë se Banka e Shqipërisë po përpiqet çdo ditë të shmangë nënçmimin e mëtejshëm të monedhës kombëtare, por fati i lekut varet edhe nga politikat e qeverisë për këtë vit.

 

"Banka e Shqipërisë gjykon se ruajtja e deficitit buxhetor brenda niveleve të programuara gjatë gjithë harkut kohor të vitit 2009 do të përbënte një kontribut optimal të politikës fiskale në situatën aktuale. Ky kontribut do të materializohej në kontrollin e normave të interesit të letrave me vlerë të qeverisë dhe të kostos së shërbimit të borxhit publik, si dhe do të krijonte më shumë hapësirë për kreditimin e sektorit privat të ekonomisë", thotë Banka Qendrore në deklaratën e djeshme. Kjo është hera e parë në shumë vite që BSH-ja kërkon hapur nga qeveria të mos i tejkalojë shpenzimet.

Rruga Durrës-Kukës

 

Pjesa dërrmuese e problemeve të vërejtura në ekonominë shqiptare gjatë dy viteve të fundit lidhen drejtpërsëdrejti me projektin për ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash. Rruga i kushtoi ekonomisë 1.9% të PBB-së gjatë vitit 2007 dhe 2.9% gjatë vitit 2008. Këtë vit pritet të kushtojë 3.2% të PBB-së. FMN-ja vlerëson se 80% e këtyre parave shkojnë për importe. Për rrjedhojë rriten deficitet e vendit dhe pakësohet valuta në treg. Këto shpenzime u shoqëruan për fat të keq gjatë vitit të kaluar me rënie të remitancave nga emigrantët, për shkak të krizës botërore dhe u bënë barrë e rëndë për ekonominë kombëtare. Më pak se një e treta e kostos së deritanishme të rrugës është mbuluar me kredi të huaj. Pjesa tjetër është grumbulluar në tregun e brendshëm, gjë që ka sjellë pakësim të valutës së disponueshme në tregun e brendshëm. Problemi më i madh qëndron në faktin se shpenzimet për këtë projekt priten të jenë më të mëdha se kurrë këtë vit, ndërsa qeveria kërkon parà shtesë për të rritur paga e pensione para zgjedhjeve të verës. Këta faktorë, të kombinuar, rrezikojnë shumë nga ato që vendi ka arritur nën mbikëqyrjen e FMN-së në dhjetë vitet e fundit. Edhe BSH-ja është e shqetësuar seriozisht për stabilitetin makroekonomik.

 

"Banka e Shqipërisë mbetet e vendosur për të marrë të gjitha masat e lejuara nga hapësira e saj ligjore dhe nga nevoja për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, për të mbështetur ekonominë me likuiditet dhe për të garantuar shëndetin e sistemit financiar", thuhet në deklaratën e djeshme.

 

Sipas vlerësimeve të FMN-së, sistemi financiar shqiptar rrezikohet të tronditet thellë në rast se leku pëson zhvlerësim të shpejtë, për shkak se 75% e kredive janë në euro dhe sa më shumë të shtrenjtohet euro kundrejt lekut, aq më shumë njerëz bëhen të paaftë të shlyejnë kreditë e tyre. Shpenzimet e qeverisë kanë shkaktuar sakaq shtrenjtim të lekut në tregun e brendshëm dhe qeveria e ka pasur të vështirë të arkëtojë të gjithë nevojën që ka për borxh. Rritja e kërkesës së qeverisë për borxh nga njëra anë rrit koston e borxhit dhe, nga ana tjetër, heq nga tregu para që mund të përdoren më me eficensë në kreditimin e sektorit privat.

 

Nëse qeveria nuk i tejkalon shpenzimet këtë vit, sipas BSH-së kjo gjë do të materializohej në kontrollin e normave të interesit të letrave me vlerë të qeverisë dhe të kostos së shërbimit të borxhit publik, si dhe do të krijonte më shumë hapësirë për kreditimin e sektorit privat të ekonomisë".

Para shtesë për tunelin

 

Operatori i Sistemit të Transmetimit do të detyrohet të investojë 4 milionë dollarë të marra borxh nga qeveria për ndërtimin e një nënstacioni të ri dhe një linje 110 kilovolt në drejtim të Kalimashit. Projekti synon të furnizojë me energji elektrike pajisjet e ajrimit të tunelit të Kalimashit. Furnizimi i rregullt me energji i impianteve të ajrimit në vepra të tilla është thelbësore për të mos shkaktuar aksidente të rënda.

 

I dizajnuar fillimisht si një projekt që kushton 418 milionë euro, rruga Rrëshen-Kalimash ka kushtuar deri tani shumë më tepër, ndërsa deri në fund mund të kushtojë deri në 800 milionë euro. Qeveria nuk ka pranuar të deklarojë se sa ka kushtuar rruga deri tani dhe se sa pritet të kushtojë deri në përfundim. Tunelet priten të hapen para zgjedhjeve të qershorit, por punimet në rrugë do të vijojnë deri në mes të vitit 2010.

Banka Qendrore dhe qeveria

 

Banka e Shqipërisë ka si detyrë primare ligjore të ruajë stabilitetin makroekonomik të vendit, gjë që gjatë viteve të fundit e ka arritur me sukses të plotë. Por, të paktën në dy raste ekzigjencat elektorale të qeverisë e kanë vënë në rrezik këtë gjë. Në vitin 2001, ish-guvernatori Shkëlqim Cani e kritikoi ashpër qeverinë e drejtuar në atë kohë nga Ilir Meta për shpenzimet e tepruara të parave në rritje pagash e pensionesh dhe investime në infrastrukturë, në përpjekje për të fituar zgjedhjet e vitit 2001. BSH-ja pati një politikë mirëkuptimi me qeverinë gjatë vitit 2005, por duket se ka mbërritur në prag të luftës me ekzekutivin e sotëm. Pas largimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Banka e Shqipërisë pritet të bëhet kontrolluesi më efektiv i delirancave elektorale të ekzekutivit, për sa kohë vendi nuk ka nënshkruar traktatin e Mastrihtit për anëtarësim në Eurozonë. Kjo gjë pritet të ndodhë jo më parë se viti 2020.

Kritikat e BSH

 

* Qeveria tejkaloi deficitin

 

* Qeveria rriti borxhin e brendshëm

 

* Qeveria shkaktoi rritjen e importeve

 

* Qeveria shkaktoi rritjen e interesave të lekut

9 Komente

Po si nuk iken nje here me nder keta zoraxhinj? Ashtu si ne 97-ten qe e lane vendin ne gjendje kaosi social dhe humbje maramendese te kursimeve te popullsise, tani duan prape tia lene pushtetin socialisteve me vendin ne krize te thelle ekonomike dhe psikollogjike, ne menyre qe mbas disa muajsh drejtimi nga te majtet, te kene mundesi te sulmojne, ashtu sic dine vetem kafshet, per corben e prishur qe vete e krijuan.

 Vagabonda, more shoke te Bonkes, po kaloni nga ana a Socialisteve me shprese te nje konfirmimi...po ku ishit ca dite e ca vjete perpara more piskuriqer? pu, pu, pu çfare horrash.

Dmth:

  1. 80% e shpenzimit per Rrugen e Arbrit shkon per import
  2. 75% e kredise konsumatore qenka ne Evro
  3. prurjet e emigranteve po zvogelohen

Ky eshte rasti klasik i asaj qe Malcolm X quante "the chickens are coming home to roost". 20 vjet politika idiote qe inkurajonin emigrimin dhe importin me se fundi do pjellin l'enfant terrible qe po e con Shqiperine drejt shkaterrimit ekonomik pikerisht me rastin e 100 vjetorit (qe perkon me kalendarin e Majavesmiley

Sapo perktheva nje artikull ne blog-un tim qe shpjegon shume gjera per ata qe jane te interesuar per ceshtje makro-ekonomike ne tregje si Ballkani. Vlen te theksohet qe ne keto kohera zhvleresimi i lekut nuk eshte domosdoshmerisht dicka e keqe per aq kohe sa EKZISTON nje dysheme poshte te ciles kursi i shkembimit nuk mund te bjere. Gjithcka tani eshte ne dore te Fullanit: ne paste rezerva te mjaftueshme valutore mund te ndrise gjithcka. Megjithese me sa kam pare Shqiperia ka vetem 3 muaj importe rezerve valutore. S'eshte gje e mire

Nje pjese nga artikulli qe perktheva. FMN-ja fatkeqsisht po ben presion qe edhe vete qeveria e Shqiperise te ule shpenzimet...dmth..ta perkeqesoje situaten pas daljes jashte loje te individideve dhe bizneseve.

Pra, eshte shume e veshtire per keto shtete te zgjidhin problemet ne sektorin bankar, dhe per qeverite perkatese te mbeshtesin rritjen ekonomike kur nuk kane mundesi te implementojne politika fiskale ekspasionare(zgjeruese). Madje, c’eshte me e keqja, po ushtrohet trysni mbi keto vete qe implementojne politika pro-ciklike(nderkohe qe ne Evropen Perendimore, ShBA dhe Japoni po behet e kunderta), gje qe thellon me tej tkurrjen e ekonomive perkatese. Rezultati i poltikave te ‘rekomanduara’ nuk eshte domosdoshmerisht nje deficit fiskal me i vogel apo nje ulje e rriskut te shtetit perkates; perkundrazi, deficitet fiskale po rriten megjithese shpenzimet publike po ulen, pasi te ardhurat e qeverive jane ne ulje gjithashtu dhe kostoja e financimit te borxhit qe eshte marre deri tani eshte ne rritje. Per me teper, politika pro-ciklike e shtyn me teper sektorin bankar per te ’shkarkuar’ barren e kredive te dhena. Pra gjithe keto ushtrojne trysni mbi kursin e shkembimit te parase, duke rritur keshtu probabilitetin e instabilitetit ekonomik dhe politik ne keto vende.

4.3 muaj Qafir, sipas raportit te Janarit te FMN-se - si e gjete treshin? Po ate kufirin minimal te kursit ku e gjete?

Ajo 75% e kredive ne euro, mua me duket caze e rrezikshme. Nga taksat qe vendoret po mbledhin kete vit, me nje mesatare prej 100 euro minimumi per familje, i bie qe ky shtet me nje administrate qe i sorrollat njerzit, te mbledhe rreth 100 milion euro vetem kete pranvere. Asnjeri nuk mund te marre nje certifikate per karte identiteti pa paguar taksat e prapambetura. Flitet se nje pjese e ketyre milionave do te perdoren per zgjedhjet. Turp per faqen e zeze.

Shkrimi nuk i shmanget dot politikes dhe "harron" qe ne krye te njoftimit per shtyp te BQ shkruhet se

Të dhënat e ekonomisë shqiptare vijojnë të ruajnë tendenca krahasimisht pozitive në kontekstin e zhvillimeve ndërkombëtare. Sistemi financiar shqiptar paraqitet i shëndetshëm ndërsa treguesit kryesorë të ekuilibrave makroekonomikë mbeten nën kontroll.

Pavarsisht kesaj, s'eshte e veshtire te kuptohet qe qeveria po luan me horizont afatshkurter deri me 28 qershor dhe per krizen do te kujtohet vetem nese i fiton zgjedhjet. Ne ate pike do ti kene ngelur disa mundesi:

1) Te shpresoje qe kriza boterore te kete kaluar piken me te keqe dhe renia do te ndaloje vete;

2) Ti drejtohet per ndihme FMN-se dhe BB-se;

3) Te filloje te shtype para si e cmendur (dhe te na marri te gjitheve lumi);

S'do ishte ndonje cudi e madhe po te zgjidhte 2-shin.

 

 

Thuhet "

"Sipas vlerësimeve të FMN-së, sistemi financiar shqiptar rrezikohet të tronditet thellë në rast se leku pëson zhvlerësim të shpejtë, për shkak se 75% e kredive janë në euro dhe sa më shumë të shtrenjtohet euro kundrejt lekut, aq më shumë njerëz bëhen të paaftë të shlyejnë kreditë e tyre. Shpenzimet e qeverisë kanë shkaktuar sakaq shtrenjtim të lekut në tregun e brendshëm dhe qeveria e ka pasur të vështirë të arkëtojë të gjithë nevojën që ka për borxh. Rritja e kërkesës së qeverisë për borxh nga njëra anë rrit koston e borxhit dhe, nga ana tjetër, heq nga tregu para që mund të përdoren më me eficensë në kreditimin e sektorit privat."

Pra do te shtoja qe sot dihet qe Bangat e nivelit te dyte ne Shqiperi kane kredi te keqija nga individet dhe nga bizneset, 

dhe ma zhvleresimin e shpejte te lekut qe mund te ndodhe sipas artikullit te mesiperm dhe nga PAAFTESIA e Qeverise+B.Shqiperise do te beje qe pervece shtimit te krizes duke sjelle SHTENJTIMIN E KREDIVE DHE SHUME KREDI TE "KEQIJA" .

Banka e Shqiperise po perpiqet nepermjet injektimeve me narkoze te qetesoje perpelitjet e kesaj qeverie ne prag vdekje. Ne ankandin e radhes te dates 31 Mars 2009, BSH ka vendosur te financoje (nepermjet blerjes se bonove te thesarit me afat 3 mujor) shpenzimet e kesaj qeverie ne masen prej 12.1 miliard leke ose rreth 121 milion Dollare Amerikan. A jane duke vepruar drejt drejtuesit e kesaj banke?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).