Familjet e viktimave dhe Mjaft perkujtojne tragjedine ne Gerdec

Sot në mesditë, familjarë të viktimave të tragjedisë së Gërdecit dhe aktivistë të Lëvizjes Mjaft, banorë të Gërdecit dhe të fshatrave përreth, grupime sindikale dhe organizata të tjera të pamotivuara politikisht, intelektualë dhe qytetarë të Tiranës dhe të qyteteve të tjera, organizuan në Gërdec një tubim përkujtimor, një vit pas tragjedisë. Të pranishmit iu drejtuan me lule në dorë dhe qirinj kraterit, ku zhvilluan homazhe në nderim të atyre që humbën jetën një vit më parë në këtë ngjarje të rëndë.

Grupi 15 Mars zgjodhi pikërisht ditën e shtunë në mesditë dhe vendin pranë kraterit në Gërdec për të përkujtuar viktimat dhe për të kërkuar drejtësi, në mënyrë të pavarur nga zhvillimet e politizuara të ditës së diel. Kjo përkujtimore u organizua në mënyrë që familjarët e viktimave të kishin mundësi të shprehin qëndrimin dhe shqetësimet e tyre, të pavarur nga manifestimet dhe deklaratat politike.

Feruzan Durda, përfaqësues i familjeve të viktimave të Gërdecit, u shpreh se si sot një vit më parë, mesditën e së shtunës, ndodhi shpërthimi tragjik që vrau dhjetëra shqiptarë dhe plagosi qindra të tjerë. “Ne jemi këtu sot, për të përkujtuar të dashurit tanë që humbën jetën në këtë tragjedi dhe për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi jo vetëm për vdekurit por dhe për të gjallët” , tha Durda. Ai theksoi se aktualisht familjet e viktimave janë përfshirë në një proces ligjor që kërkon drejtësi dhe se nuk do të ndalen për asnjë çast deri sa diçka e tillë të vihet në vend. “Kjo është një ditë për të nderuar humbjen tonë dhe për të kërkuar drejtësi e jo për t’u përdorur nga politika për qëllimet e saj”, përfundoi ai.

Bajram Leti, një tjetër banor i Gërdecit që ka humbur të afërmit në këtë tragjedi falënderoi të pranishmit për mbështetjen e vazhdueshme dhe deklaroi se ky ishte vetëm fillimi i betejës për drejtësi. “Ne të gjallët nuk do të gjejmë asnjë çast prehje deri sa të gjejmë përgjegjësit dhe të vihet drejtësi për të dashurit tanë që vdiqën në këtë tragjedi”, tha ai.

Leart Kola, përfaqësues i Lëvizjes Mjaft u shpreh se këta viktima dhe të afërmit e tyre, në këtë ditë duhet të nderohen. “Kjo ditë duhet të jetë një moment heshtjeje nga politika dhe të na kujtojë se në çdo çast, secili prej nesh mund të jetë viktimë e korrupsionit të këtij sistemi jofunksional. Kjo duhet të jetë një ditë reflektimi dhe jo një ditë e politikës që të mos shfrytëzohet për qëllime elektorale, sepse duhet respektuar vdekja ashtu si dhe jeta”, vërejti Kola. Ai theksoi se Grupi i 15 Marsit, nuk është një grupim i krijuar aty për aty, për një rast të veçantë, por ka punuar dhe do të vazhdojë punojë për të garantuar drejtësi për viktimat e kësaj tragjedie, para 15 marsit, në 15 mars dhe pas 15 marsit.

“Është mbi dhimbjen e vërtetë të këtyre njerëzve që duhet ndërtuar një institucion moral, një Shqipëri tjetër, me të gjitha garancitë që tragjedi të tilla varresh masive të mos përsëriten më. Është mbi dashurinë që këta njerëz kanë për të afërmit e humbur dhe dashurinë që ata kanë për ata që janë gjallë që ne duhet të ndërtojmë një kult të asaj se si duhet të jetë Shqipëria e së nesërmes”, tha Kola (Mjaft).

Ndërkaq, kreu i Konfederatës së Sindikatave të pavarura, Kol Nikolla deklaroi se kjo ditë do të shpallet dita e sigurisë në punë, sepse tragjedia e Gërdecit simbolizon rastin më ekstrem të shkeljes dhe dhunimit të të drejtave të punëtorëve. “Kjo duhet të jetë një ditë që të na bëjë të reflektojmë, sepse në Shqipëri jeta e njeriut ka çmim shumë të lirë”, vërejti ai. Nikolla u bëri thirrje politikës dhe qytetarëve që të angazhohen dhe të solidarizohen që tragjedi të tilla të mos përsëriten më të dhe të respektohen të drejtat themelore të shqiptarëve.

Organizuesit e tubimit përkujtimor u bënë thirrje të gjithë shqiptarëve që këtë mbrëmje, brenda mundësive të gjithsecilit, në shtëpi apo ku të ndodhen, të ndezin një qiri në kujtim dhe nderim të vëllezërve të tyre të humbur në këtë tragjedi.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).