Ekstaz

Jo ç’do gjë që ndodh është “e shkruar” nga Perëndia. Kur kupton se me tekst s’ia del dot, Perëndia heq dorë nga e shkruara; Flak penën, rrëmben penelin dhe pikturon, merr daltat dhe gdhënd, vete tek një piano dhe këndon.
Atë mbrëmje pranverore Perëndinë e gjeta në periferi të Tiranës tek po pikturonte një rrugë të gjallë nja njëqind metra të gjatë. Rruga edhe deshte edhe s’deshte të pikturohej, bënte naze. Por perëndia s’tutej, vazhdonte ta pikturonte.Mbi trotuarin e “Bankë”-s, shitet “Bar Miu”. Rrëzë murit të “Change”-it tregëtohet “Far Djathi”. Mbi vetrinën e “Fustane Nusërie”, janë nderë të mbathura. Mbi restorantin ku hahet mish viçi dhe pihet raki’, lexohet “Mish Derri i Freskët”. Atje ku lexon “Berber”, është instaluar një zgarë prushi me pula të shkuara në një hell. Në “Farmaci” nuk kuptohet se nga mund të hysh veçse nëpërmjet derës së dyqanit ku shiten patate me shumicë futur në thasë. Para një “Cash Point”-i, mbajnë rradhë për të tërhequr para’ pesë shqiptarë; Njëri nga Veriu, tjetri nga Jugu, njëri me mustaqe, tjetri pa dhëmbë, dhe një ushtarak. Në një dyqan të vetëm, në murin e të cilit mbështetet “Cash Point”-i,  shiten në të njëjtën kohë, edhe biçikleta, edhe Vajra Makinash, edhe Makarona, edhe shapka. Po ashtu tek “Travel Agency” ku priten bileta avionësh dhe tragetesh për të çarë qiejt dhe detet e Botës, po aty, luhet Bilardo dhe vihen Baste Sportive. “Këpucë të Vjetra” rrinë varur mbi ca kosha me presh. Ngjitur me koshat blegërijnë dy qingja të bardhë që blegërijnë ngaqë kanë nuhatur se pas pak do theren. “Pastiçeri”-a e të ëmbëlave i bën karshillëk një guve të errët pa dritare super të kripur, të piperosur dhe të yndyrosur të quajtur “Rostiçeri” brenda së cilës shqiptarë të kërrusr kullufisin male mishi shoqëruar me pilaf dhe kos. “Qilima”-t në trotuar mbulojnë “Telefona Celularë Orëndreqës”. “Elektroshtëpiake” ka mbushur trotuarin me hekurishta të ndryshkura. “Klinikë Dentare” që ndoshta ndodhet në ndonjë kat të epërm, ka vetëm tabelën. “Sallon Bukurie” dhe “Shërbime Funerale” i ndan një derë e vogël dërrase mbyllur me lloz që s’merret vesh ku të degdis po të hysh nëse çelësin e drynit të llozit e gjen. Një kamion, shoferi i të cilit s’duket kurrkund, është futur së prapthi në një si magazinë. Një e treta e kamionit brënda në magazinë, e treta tjetër mbi trotuar, e treta e tretë ka blllokuar gjysmën e rrugës. Tek “Berber”-i nuk mundesh as të rruhesh as të qethesh, sepse nga brenda ku piqen pula hungareze del një tym i zi pa shumë lidhje me bardhësinë e frikshme të brisqeve të rrojes dhe synetit. Benz-a dhe Mitsubisha dhe motoçikleta pafund. Disa “Piceri”. Pesë a gjashtë “Ëmbëltore”. “Dyer të Blinduara” sa duket ka blinduar edhe vetveten përderisa është mbyllur dhe nuk ka asnjë shënim orientues kur mund të hapet. “Fotograf”-i ka përmbledhur në gjirin e vet jo vetëm “Internet Kafe”-në, “Lojra Kompjuterike në Rrjet”, por edhe “Punime Duroalumini”. “Fizioterapist”-i rri sikletshëm një “Class Restorant” sipër, një “Picaso Bar” nga e majta, dhe “Gëlqere” nga e djathta
E pamundur t’i rezistosh kësaj rrënqethjeje.
Drejtohem tek “Berber”-i prej nga del tymi i pulave të pjekura në hell me prush nën të. Shtje syt’ brenda; Mal me pula të ngrira Hungarie hedhur drejt në dysheme në pritje për tu shkrirë. Pulapjekësi është një tip i qeshur, një hokatar nga Mati. Duket që n’surrat që i shkon mirë biznesi. I them të lezeçmit nga Mati; Dua qofte ! Patjetër, përgjigjet. Por unë nuk kam, shton, ik merri tek ajo Zonja atje. Dhe më drejton pak metra më tutje atje ku hahet mish viçi por lart lexohet “Mish Derri i Freskët”. Zonja në fjalë, paksa e bëshme, brenda lokalit të të cilës katër shqiptarë të ngrysur në gjysëm errësirë seç llafosin me zë të ulët kok’-më-kokë, tregohet e gatshme. I sjell vet qoftet tek matjani i qeshur, i cili thotë me shaka; Siç e sheh pulat i shita të tëra, tani më ka mbetur helli bosh dhe prushi. Do t’i pjek qoftet e tua dhe nuk do të të marr asnjë lek, se sot kam fituar boll. Mirë qoftet, po bukë, i them, dhe një birrë, ku t’i gjej ?! Birrën, ose te minimarketi përballë, ose përsëri tek Zonja e qofteve. Bukën ik merre atje tek “Bukë Speciale”. Marr birrën dhe drejtohem tek Specialja ku rrëmbej dy panine. Të papame paninet, të rrumbullakta, të ngrohta, me ullinj, spec, dhe erëza brënda.
Duke kafshuar qoftet si Pranverën, duke ndukur bukën si Jetën, duke rrëkëllyer birrën si Elisirin, më shkundin ca vibracione vertebrale që mund t’i shprehi me mënyrat e veta Ajoo që përmenda në krye, Perëndia
Tek ha dhe pi dhe dehem, ka rënë nata, është errur. Pamja është vështirësuar sepse s’ka korent. S’ka video, por ka audio, ka muzikë, buçasin motorrët e dritave.
Por Perëndia që i di dhe i ndjen të gjitha i ka marrë masat. Pas penës së tekstit, ka flakur tashmë edhe penelin dhe ngjyrat, dhe është ulur mbi piano.
Klithma dhe piskama të mbytura të pa deshifrueshme nga të katër anët. Një Golf 4 me 5 veta brënda, dreqi e di pse dhe si, nga rruga e ngushtë bën të hyjë i tëri brenda një dyqani. Tek merr kthesën flak përtok’ një motoçiklist me Honda. Ulëret motoçiklisti, klithin kalimtarët. Por pas një minute qetsohet gjithçka sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Një Benz i madh me të gjitha dritat ndezur ka bllokuar rrugën. U bien boriave dhe bërtasin sa kanë në kokë ata që nga pas presin. Hajdutë xhepash vërtiten si hije. Nga një furgon i vjetër plot zhurmë e tym bien mbi asfalt ca arka bosh. Një i përndjekur ish-i burgosur që ka njohur vëllain t’im në Spaç më jep të njohur me të uluritura të gëzueshme. Avitet berberi i pulave të pjekura më pëshpërit në vesh; Më quajnë Budallai i Mëhallës. Heheheeee ! Le të më quajnë. S’më bëhet vonë fare. Fitoj mirë. Të gjithë fitojnë këtu. Unë pak më mirë se ata që më quajnë budalla. Unë budallai ha buk’ me domate dhe djathë. Të mënçurit hanë bukë me gjizë.
S’e dëgjova mirë matianin. Se po mendohesha;
Për këtë palcë, këtë poezi, zjarrmi’, delir, ekstazë. Për këtë përsosmëri kaotike që quhet Shqipëri e Vërtetë. Këtë këtu ku dëshpërimi për zararet e burokratëve, hilet e politikanëve, mburrjet e sharlatanëve, shpifjet e gazetarëve, dredhitë e zagarëve, të qarat e dembelëve, ankesat e të dështuarve, pretendimet e sondazheve, të gjitha zhduken për pak minuta si me abrakadabra.
Po mendohesha për këtë mrekulli këtu; Ku gratë mund të jenë që ç’ke me të joshëse edhepse paksa të shëndosha, ku Moda s’para ndiqet, ku eduakata s’para lypset, ku pastërtia nuk është fort e domosdodhme, ku e folura s’gjen arsye të jetë e rrjedhëshme, e megjithatë gjejnë përgjigje të gjitha pyetjet.
Ika nëpër fusha nëpër ferra të marr penën ku e pat’ flakur Perëndia, por dot s’e gjeta. Pash’ ç’pash’, bëra-ç’bëra, guxova. U ula, u krrusa, me kompjuter e shkrova.

20 Komente

Gocat dhe cunat e adminit, sot keni vendosur perfundimisht te na nxirrni nga shinat apo te na hidhni ne depresion? Juela e Ajola nga njera ane, ose nga shume ane, tani dhe Ypin me kete piskame alarmi:

"Për këtë përsosmëri kaotike që quhet Shqipëri e Vërtetë. Këtë këtu ku dëshpërimi për zararet e burokratëve, hilet e politikanëve, mburrjet e sharlatanëve, shpifjet e gazetarëve, dredhitë e zagarëve, të qarat e dembelëve, ankesat e të dështuarve, pretendimet e sondazheve, të gjitha zhduken për pak minuta si me abrakadabra."

Ata qe jane jashte tremben po e po, por edhe ne qe jemi ketu brenda na duket ma zi s'ka ku te veje gjendja! Hopeless cdo dite e me teper! smiley  Po mire te pakten, qe ka alternativa: o ndiq keshillen e Tushes, dmth. vodka redbull e ne i qep e ullij, ose mbathja nga syte kembet, sic thote ujku. ose, m'shoj venit, mos lexo asgje, qepe gojen, mbyll syte dhe... futu ne nje bote virtuale ku te gjithe jane gjoja te lumtur. ( i bie te shikosh e te degjosh reklama gjithe diten)

Shume e bukur kjo dyrnjaja e pershkruar me siper.

Siç eshte thene edhe here te tjera: Kujtesa eshte shkence, harresa nje mrekulli.

Shijoje paninen shoku shkrimtar, se jeta pret ngeshem per drejtues trafiku.

Faleminderit per permbledhjen....mezi po pres megjithate te shkoj per nje vizite ne Tirane pas dy javesh, po sic e ka thene edhe autori, edhe aida, eshte per te ardhur keq! Me shume qejf, padurim dhe nostalgji e pres gjithmone udhetimin per ne Shqiperi, po qe te jem fare e sinqerte, edhe kur iki sikur ndiej nje fare lehtesimi qe bota ku po kthehem funksionon sipas disa rregullave. Turp t'a thuash, e di, po fatkeqesisht keshtu eshte....Kushedi, mbase e gjej me mire kesaj here sesa vitin e kaluar!

Mua me pelqeu shume.Kisha kohe pa lexuar nga Ypi...Eshte i vetmi ne keto kendveshtrime origjinale te Shqiperise.....Bukur fare

E ka qa kët, Flor! Me kë-to ta ha mëlçinëëë... e-dheee zëëë-mrë-nëëëë....

Ej, ca mu kujtu, permes kti budallallikut te Ypit... po se mos ma vjedh njeri se ju griva smiley 

Isha tu kalu mu ke Treni. Ne te majte te rruges, shof i dyqan ku shkruheshe tek xhami: Kancelari. Bizhuteri. Peshqira.

E pashe una ket, u mpiva. kush e ka pa ket dyqanin ne tirone, te ngreje doren.

PS: A mund te bej nje pershendetje? Pershendes Ajolen, Gertin, dhe Irisen si dhe te gjithe ata qe me duan dhe i dua. Jeni yll bote.

Ika nëpër fusha nëpër ferra të marr penën ku e pat’ flakur Perëndia, por dot s’e gjeta. Pash’ ç’pash’, bëra-ç’bëra, guxova. U ula, u krrusa, me kompjuter e shkrova.

 

Dhe mund ta kishte shtuar....

 

Mora edhe pagesen per perroin e rradhes dhe jeta vazhdoi si gjithnje smiley

Pagesen po e marrin shume...por jane myteberr...Te pakten Ypi here pas here na sjell nje Shqiperi te hatashme.....

Ka dicka nga Alice in wonderland!

ps. s'mbaj mend a ia rujta kocken... me befasoi vertet, zogu i k... se i kisha humb shpresat!

ypi kerkon perversen. me sakte e sajon ate duke bashkuar ne hapsiredhe kohe elemente perverse. pamja tjeter e kundert eshte se ne shqiperi ka vitalitet dhe shpesh perpjekje per mbijetese.

Ore na eshte bo ky Ypi si ato kafshet e egra te ralla qe megjithse jane te rezikshme dhe grabitqare duhet patjeter te ruhen e pse jo edhe te shumohen!

Mire te jashmit, por po me cudisni dhe ju peshqit e brendshem. Pse ore, duhej Ypi qe t'ua tregonte juve keto? Apo po beni si me Pangon, yyy ca ka bo ai?! Me pak dell "poetik", mund te pershkruajme jo vetem nje rruge piktoreske ne Tirane, por dhe trafikun ( jo ate te mishit te bardhe, doemos), sidomos ne dite shiu ( bobo ca tmerri ishte sot, apo s'isha dhe vone per pune), ato gropat ku po u zhyte, nuk ka komunale qe te nxjerri, edhe pallatet qe muza krijuese e krietarit tone i ka pikturuar ngjyra-ngjyra, lulka-lulka, shigjetka -shigjetka,  brek... ups... sa turp! smiley brecka-brecka... Po c'turp them dhe une, atij tjetrit ia kane pikturuar me mjeshtri te madhe ne ballkon, ku piktori-bojaxhi ka derdhur gjithe talentin, deshirat, endrrat e tij rinore per nje medalje ari e per nje gjyshe heroine... smiley, qe fatkeqesisht per shkak te disa koincidencave dhe rrethanave te jetes ende i ka te mbyllura ne sirtar. Dhe bojaxhiu yne, teksa pikturon brecka enderron... ... Pandoren me kutine e saj qe nje dite do te hapet dhe ai do te realizoje endrrat e tij... Dola fare nga tema tani... me rrembeu endrra e bojaxhiut...

Vijon... kur ta sillni koken ketu, ta shikoni me syte tuaj... smiley

p.s. Diku nga Kavaja eshte nje dyqan ( nje zgeqe)  qe ka nje tabele, dmth. nje cope derrase te shkruar me shkums: "minimarket shesim gozhde ene mill misri". kjo e fundit eshte shkruar me shkums te kuq... ato te parat me te bardhe... smiley

kjo rruga mos eshte m.shyri? vetem aty ka nje larmishmeri dyqanesh si kjo qe pershkruan ypi.

nje verejtje, titulli eshte shkruar gabim: eshte ekstaze! harruat e-ne.

sa per shkrimin, ehh, si duket kto kohet e fundit ypi duhet te kete lexuar Bodlerin qe e ka kapur nje pesimizem kaq i madh. mgjthse cka thote jane te verteta, duhet te ishin zgjeruar pak me shume, jane shume te ngjeshura per nje shkrim kaq te shkurter.

O Lefti, si na e shan M. Shyrin ti, miii?! Ne me ate krenohemi, se dhe trotuaret i ka te rregulluar dhe s'te mbeten "takat" neper vrima... Pastaj, aty jane dhe dyqanet e modes se fundit me vitrina llamburitese e xhepshkaterruese... smiley

nuk po e shaj, e di qe eshte nder rruget me te kenshme ntiron, thjesht pyeta mos ypi ishte frymezuar ngaqe ka shume dyqane.

dy gjera:

fjala "e papame" smiley A mund te botohet nje artikull qe shkryhet me fjale te tilla?

e dyta, cfare ka me berberin smiley

Nqse titullit do i vihej nje "ë" ne fund, pjesa humbet rreth 36.9% ne cilesi artistike.

Jo me kot ka nje version xhenerik te isos labe, ku sqarohet:

ëëëëëëë....ëëë... me "ë" në fundëëëëëëëë...... aaa-tëëë diii-tëëën e xhuuu-maaaaaaa...... ëëëëëëë....ëëë...

Me duket se eshte tek rruga e Durresit, afer gjimnazit.

Jane nje varg dyqanesh, me shkalle poshte, me shkalle lart, veshtire se merret vesht se çfare tregtojne.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).