Edhe Pollo, edhe Standardi, fajtorë për shpifje

Sipas gazetes Shekulli, zv. kryeministri Genc Pollo është gjobitur sot nga Gjykata e Tiranës me 300 mijë lekë (të reja) për shpifje ndaj botuesit të gazetës Standard, Arjan Çukaj. Gjykata ka gjobitur edhe këtë të fundit me 100 mijë lekë të reja, për shpifjet që ndodheshin në reagimin e tij ndaj Pollos. Më poshtë shkrimi nga Shekulli.


Gjykata dënon për shpifje zv.kryeministrin Pollo dhe aksionerin e Standard

Për herë të parë një ministër në detyrë është dënuar nga gjykata për shpifje ndaj personave të tretë. Zv. kryeministri, Genc Pollo, është gjobitur sot me 300 mijë lekë (të reja) për shpifje ndaj botuesit të gazetës Standard, Arjan Çukaj. 

Debati mes tyre lindi në kohën kur Pollo ishte ministër Arsimi dhe botuesi në fjalë kërkoi licencë për hapjen e një universiteti privat.

E përditshmja Standard kreu publikime lajmesh që flisnin për abuzime të Pollos në krye të Arsimit dhe ky i fundit ne nje konference per shtyp ironizoi me të quajturin fenomeni i "çukizmit", duke satirizuar mbiemrin e botuesit.

Të dy palët u paditën në prokurori për shpifje. Sot gjykata ekzekutoi vendin për gjobitjen e zv.kryeministrit Genc Pollo me 300.000 lekë për shpifje ndaj sipërmarrësit Arjan Çukaj.

Sipas gjykatës, ministri ka përdorur fjalë të ulëta dhe shpifje përkundrejt sipërmarrësit.

Në të njëjtën kohë gjykata ka gjobitur edhe botuesin Çukaj me 100.000 lekë (të reja) për përmbajtjen e reagimit të tij ndaj shpifjeve të ministrit. Pra të dy këto persona u gjetën fajtorë për shpifje.


Deklarata e ish ministrit të Arsimit, Genc Pollo

- Do të doja të denoncoja një rast shantazhi mediatik që i bëhet ministrisë së Arsimit si dhe përgjigjen time për të.
Z. Arian Çuko, sic e shihni në këtë dokument noterial, i biri i Qerimit dhe Hamides, i datëlindjes '69, pronar i kompanisë "Ferar", ka bërë prej kohësh kërkesën për të hapur universitetin privat "Future University of Tirana". Partner akademik për këtë universitet, është një shkollë greko-qipriote, që sipas dokumentacionit të paraqitur e sipas ligjeve të vendit rezulton shkollë e mesme.
Nuk po ndalem në përmbushjen e standardeve të kërkesës së Arian Çukës, por në faktin tjetër që ky zotëri është edhe pronar i një gazete, të cilën ka 10 ditë që e përdor si kobure kërcënuese për të nxjerrë me dhunë licensën.
Siç e shikoni, në faqen e parë të kësaj gazete, emri im përmendet në kuadrin e shpifjeve dhe kërcënimeve mbi tre-katër herë. Ky është një rast shantazhi, një tentativë për të nxjerrë favore të pamerituara përmes kërcënimit të ofiqarëve publikë.
Një person i pasuruar rishtas dhe në mënyrë të paqartë, arrogant tipik, blen një gazetë dhe e përdor për të nxjerrë me dhunë licensën e një shkolle, pastaj të një universiteti, pastaj të një banke, pastaj për të marrë një tender pa garë, pastaj për të marrë ndonjë copë shteti e kështu me radhë.
Në këto 15 vjet aktivitet politik kam duruar e kapërcyer goditje më serioze dhe besoj se mund t'i përballoj çukitjet e këtij lloji.
Si ministër përgjigja ime për çukizmin është se, jo vetëm për shkak të dosjes, por edhe për shantazhin, kërkesa per universitet privat merr përgjigje negative .
Si deputet e qytetar mendoj se nuk mund e nuk duhet të injorohet por duhet të luftohet çukizmi, nuk duhet të bëjmë sikur nuk dimë çfare po ndodh; çukizmi përbën një kërcënim për shtetin ligjor; çukizimi përbën një kërcënim për interesin publik; çukizmi është diçka që duhet ndalur, sepse në të shkuarën kanë qenë jo të pakta rastet ku përmes shtantazhesh të tilla, ofiqarë të dobët ose të papërkrahur kanë çeduar dhe kanë dhënë koncesione të padrejta; çukistët nuk mund të lihen të qetë nga prokuroria apo të kenë akses të njëjtë me biznesmenët e ndershëm në prokurimet publike; çukizimi duhet luftuar nga gjithë maxhoranca, opozita, presidenti, OJF-të e dobishme dhe nga vetë gazetarët.
Unë shpreh mirëkuptim, por mendoj që edhe ju duhet të solidarizoheni me personelin e gazetës "Standard", duke filluar nga miku im Sami Neza, të cilët e ndjejnë veten kokëulur dhe të keqpërdorur në zanatin e tyre.

*****

Reagimi i botuesit Arjan Çukaj

- I nderuar z. Pollo! Dy ditë më parë keni bërë një denoncim publik ndaj sipërmarrjes sime, dhe ndaj meje personalisht. Nuk u çudita aspak. Doli ajo që shumë vetë mendojnë rreth teje, se ke qejf të shmangësh substancën e problemit dhe të merresh me gjëra që nuk të përkasin, si fyerja e personalitetit të një biznesmeni dhe botuesi, gjëra që të argëtojnë.
Argëtimi yt i pafre ka nisur herët në fakt, dhe po del se po shkon shumë larg. Ju jeni i pakontrollueshëm në dafrungën tuaj në drejtimin e Ministrisë së Arsimit.
Keni thënë në denoncimin tuaj se unë ju bëj shantazh. Nëse konsideroni se insistimi im prej dy vjetësh për të sjellë një filial të një universiteti prestigjioz në Tiranë, (me eksperiencë 40-vjeçare, dhe i përgëzuar nga Komisioni i Vlerësimit në ministrinë tuaj) kundrejt të gjitha rregullave, me një investim prej disa milionë eurosh, është shantazh, atëherë po jam duke shantazhuar. Nëse mendoni se futja e një emri të tillë, e një katedre të tillë në Shqipëri, prish rehatinë e universiteteve që keni krijuar ju dhe që i mëkoni vazhdimisht, atëherë po, jam duke bërë shantazh.
"Shantazhi" që po bëj është se po kërkoj që konform ligjeve dhe politikave të qeverisë "Berisha" për liberalizimin e tregut universitar, të hap filialin e një emri të njohur në botën akademike të Evropës. Po qe se ky është një sakrilegj, meritoj "të digjem në turrën e licencave" të zotit Pollo.
Gazeta ku unë jam botues, "standard", vazhdimisht ka denoncuar disa fakte drithëruese që kanë të bëjnë me politika të mbrapshta që ju aplikoni si ministër. Jam i kënaqur që stafi i gazetës i ka shërbyer publikut dhe interesave të tij, si dhe që ka nxitur reagimin tuaj pas një periudhe të gjatë shurdhërie. Por sigurisht jam i zhgënjyer me mënyrën se si ju reaguat.
Ju zoti ministër i "lapsuseve" nuk keni shmangur dot një gënjeshtër të madhe, kur thoni që ky institucion është shkollë e mesme. Përveç shumë dokumenteve mjafton të klikoni në web-in e universitetit për të kuptuar ndryshe dhe krejt ndryshe nga deklarata që ju bëtë për shtyp.
Ju abuzoni me mbiemrin tim, duke tentuar të përgjithësoni rastin me atë që e quani "çukizmi". Sipas jush, një fenomen negativ që kërkon të përfitojë duke goditur me media. Dua t'ju siguroj ju dhe publikun, se nëse ka një gjë të dëmshme në shoqërinë tonë sot, nuk janë aspak mediat. Por mënyra se si ju zoti ministër qeverisni. Ose thënë në gjuhën tuaj, "pollizmi". "Pollizmi" zotëri është i dëmshëm, pasi i trajton licencat si një atribut që ta ka dhënë Zoti, dhe se bën me to çfarë të duash. Shpërblen klientelën, ata që të rrahin shpatullat, ose ata që kontribuojnë që cilësia jote e jetës të vazhdojë të jetë e lartë, edhe pasi të mos jeni më ministër, dhe nga ana tjetër përdhunon punën, djersën dhe përpjekjen e atyre që nuk janë miqtë dhe oborri juaj, por që çuditërisht plotësojnë standardet evropiane dhe janë ambicioze.
"Pollizmi" zotëri është e keqja e këtij vendi, pasiqë trajton si të njerkës ata që nuk preferojnë t'u nënshtrohen rrugëve ekstraligjore për të marrë një licencë, pra paratë në dorë, një mënyrë e sugjeruar tek unë prej dy vitesh nga bashkëpunëtorët e tu të ngushtë.
Ju më denonconi publikisht, dhe më quani si të pasuruar rishtas dhe në mënyrë të paqartë. Zoti Pollo, ose lider i "pollizmit", po ju ftoj ju dhe të gjithë inspektorët që kryejnë porositë tuaja, por seriozisht edhe opinionin publik, që të shohë se si jam pasuruar unë. Zyra e Taksave mund të tregojë gjithçka. Paratë e mia janë të qarta, të pastra dhe janë fryt i punës, lodhjes dhe sipërmarrjes sime disavjeçare.
Paratë e mia ndryshojnë nga të tuat, pasiqë nuk vijnë si rezultat i shpërdorimit të zyrës, të tagrit, të tenderave, të lidhjeve me shtëpi botuese etj. Ato ndryshojnë nga të tuat, se janë të pastra. Paratë e mia zoti Pollo janë vënë me mund, dhe askush nuk mund të fusë dorën në to në këmbim të dhënies se një licence. As edhe ju. Ne ju sigurojmë zoti Ministër se do ta kërkojmë të drejtën tonë deri në fund, në mënyrë që ky projekt ambicioz në favor të edukimit dhe arsimimit dhe i ligjshëm, të realizohet dhe të mos shkatërrohet nga "pollizmi".
Me respekt
Arjan Çukaj

4 Komente

ironizoi me të quajturin fenomeni i "çukizmit", duke satirizuar mbiemrin e botuesit.

Kush ishte SHPIFJA?!!!

Edhe une nuk e kuptova fare kete shpifjen. Cukizem shpifje?! Epo atehere te festojme o burra se erdhen koherat e monizmit, s'guxojme te themi asgje.

Po presidenti yne, Obama, qe i thone Obamania? Kushedi sa meleona do bente ky ne Shqiperi, me gjykates rrembythje si ky i ceshtjes sone. Po berluskonizmi? Ububuja!

Kujdes! Mos perdorni keto shprehje se e hengret keq:

Peshkizmi.
Llukanizmi.
Edrusizmi.
Nentedhjete e shtatizmi.

dhe per ta mbyllur tabelen, beni shume kujdes me fjalen "IDIOTIZMI". Ketu rrezikoni te hidheni ne gjyq nga jo me pak se 1.5 milion shqiptare.

me duket se po tallin b.... me ne . jane bere keta pronaret e medias si al capone. kjo eshte shume e rrezikshme

Nje gazete ben presion ndaj nje ministri per te arritur favore. Ministri pergjigjet. Gjoba ndaj pales te demtuar eshte tre here me e madhe se gjoba ndaj demtuesit.

Rrofshin gjykatat shqiptare!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).