Edhe një për komunitetin

- Eh moj bijë. Kollaj ti se je e re. Kush do të kujdeset për ne? Kujt do t'i biem në qafë? U kam thënë atyre të mijve, do të shkoj në azil, sa të ndiej që më la dora dhe këmba. Më mirë në vendin tim e në azil sesa në vend të huaj e të marr fëmijët në qafë.

Teto Maria* flet me vetëbindje të plotë por sytë e saj janë të frikësuar. Nuk i pëlqen e ardhmja që ka përpara. Fëmijët e saj e bindën të vijë në New York para 8 viteve, se nuk i kishte mbetur kush andej. Teto Maria ishte e fortë dhe gatuante shumë mirë. Ndonëse ankohej, ndihej tepër e dobishme tek ngjeshte bukën që vetëm ajo dinte ta bënte aq të mirë, tek gatuante gjellët e saj të thjeshta "me lugë", dhe tek shihte mirënjohjen në sytë e fëmijve dhe të bashkëshortëve të tyre teksa vinin të lodhur  e të rraskapitur nga puna dhe e gjenin çdo gjë gati.

 

Tani, kushtet kanë ndryshuar disi. Fëmijët e saj blenë shtëpi të re dhe u vendosën në një zonë të largët dhe pa shqiptarë të tjerë rreth e rrotull. Teto Maria nuk mund ta ndezë më sobën për shkak se e harron hapur, nuk mund të bëjë më bukë se nuk rri dot në këmbë aq gjatë, dhe nuk ka ku të shkojë të bëjë pazar se nuk ka pazar aty afër dhe i dhemb koka në supermarket. Fëmijët janë në punë, mbesa refuzon të mbetet shtatzanë pa vënë karrierën në vijë, dhe nuk ndihet aq e zonja sa të shkojë e të vijë nga Shqipëria dy herë në vit siç bënte dikur. Plus që edhe shtëpine e shitën tre vjet më parë dhe paratë i vunë kapar për këtë në Amerikë.

Prandaj hyj unë në skenë. Kompania që prezantoj ofron ndihmëse në shtëpi, mjek personal, vizita nga infermjerja, qendër shoqërore, terapi dhe sa e sa të mira të tjera. Për më tepër Medicaid paguan, pra teto Maria i merr tërë këto shërbime falas. Zgjidhje e mrekullueshme për fëmijët e saj gjithashtu, sepse nuk kanë nevojë të lenë punën e ta shoqërojnë kudo, kur duan të marrin vesh për shëndetin e nënës kanë me kë të flasin, dhe mbi të gjitha nuk do të kenë vulen e "turpit" se e kanë çuar nënën në azil. Perfekt!

Por...ç'do të thonë komshijtë kur ta marrin vesh se dikush i huaj kujdeset për teto Marian në vend të familjes? Si do t'u dalin përpara miqve të tyre nëpër gëzime familjare kur të marrin vesh se tetoja nuk e ha më mëngjesin në shtëpinë e vet? Aq më tepër që infermierja e cila viziton shtëpinë muaj për muaj nuk është e bardhë. E mirë është dhe e sjellshme po...ashtu...me ngjyrë...sesi iu duket. Prandaj më mirë le të rrijë vetëm teto Maria dhe të zhytet në depresion akoma më të thellë. Plakë është dhe nuk bëhet më 20 vjeç. Kur ka nevojë (por jo më shpesh se një herë në muaj) lë shkollën ndonjë nga nipërit e mbesat dhe e çon. Shyqyr që ka këmbë e dorë akoma.

E kam hasur këtë problem shumë herë. Ndryshe nga komunitetet e tjera që kërkojnë dhe provojnë çdo shërbim të mundshëm të ofruar nga shteti i New York-ut, shqiptarët nuk afrohen hiç. Ato pak organizata të komunitetit ose nuk ofrojnë ndihmë, ose e ofrojnë me pikatore. Nuk kanë guxim të afrohen e të pyesin, nuk shohin leverdi tek seminaret, leksionet falas mbi shëndetin, preferojnë të mos "i bezdisin" pjesëtarët e tyre dhe nëse nuk të kanë kushëri, nuk ndihmojnë hiç. Nëse nuk ofron shërbime të "aprovuara" ose nëse nuk je i rekomanduar nga "shoku i Lames, ai mo që luan bixhoz me mua te Pelhami", më mirë të mbledhësh fletushkat e tua dhe të shkosh t'u shesësh inshuranca spanjollëve.

Shqiptarët emigrantë po plaken e po jetojnë përtej planit, në një vend, gjuhën e të cilit nuk e njohin, me familjarë të cilët nuk i shohin tërë ditën, dhe pa respektin e shoqërinë që ofron rrjeti fisnor në atdhe. Është koha për familjet e tyre të planifikojnë ndryshe. Gratë nuk munden më të rrisin katër fëmijë, të punojnë turni i tretë, të gatuajnë për burrat e t'i shërbejnë pleqve. Burrat nuk mund të kalojnë çdo ditë pushimi nëpër zyra mjekësh e dhoma urgjencash, ose nëpër miqtë e vjehrrës. Nipërit e mbesat nuk duhet të humbin shkollën për të përkthyer tek gjinekologu për mamin a për gjyshen.

Shkurt, interesi i mirëqenies personale dikton se ka ardhur koha të përkrahim njëri-tjetrin përsëri, dhe të forcojmë rrjetin e bashkëpunimit në diasporë. Nje fjalë thotë që ne shqiptarët jemi të tërë kushërinj. Atëherë përse të mos ta mbajmë njëri-tjetrin me hatër? Përse të mos përkrahim aktivitetet që organizohen, në një farë mënyre të investojmë moralisht në to, në mënyrë që nesër, kur të na duhen shërbimet në gjuhën tonë, t'i gjejmë ato lehtësisht? Për më tepër, nëse kompanitë shërbim-ofruese shohin përkrahje, zgjidhin qeset dhe sponsorizojnë aktivitete nga më të ndryshmet. Ndoshta një  shfaqje amatore, bluza për studentët, materiale në shqip, etj.

Natyrisht që teto Maries këto gjëra nuk i interesojnë. Por familjes së saj po. Ata duhet të kishin planifikuar për të që kur e morën këtu, në vend që të rrudhin supet e të ngrenë duart nga dëshpërimi se nuk e dinë si të bëjnë tani që ajo ka nevojë për një specialist të ri çdo muaj. Dhe planifikimi fillon me uljen në një karrige në bodrumin e kishës, dhe dëgjimi i ligjëratës së atij përfaqësuesit të ri me veshët e skuqur si spec nga turpi që po prezanton shërbimet e veta dhe po i duket pak vetja si UFO. Ndryshe, Lamja vazhdon të luajë bixhoz tek Pelhami, dhe është hapur nga ora 10-1 tërë ditët e javës.

27 Komente

Ehhhh moj bletë!! Sa mire bere qe e hape kete temë. E sa here do t'i kthehemi kesaj... Ne te gjitha komunitetet shqiptare ne amerike, dhe jo vetem atje ky problem po nxjerr koken gjithnje e me shpesh. Personalisht di te numeroj dhjetra raste njerezish ne moshe te shkuar qe jane mbyllur neper shtepira e jane bere "kukuth"... 

Vajzat e djemte i kane neper punera, ditet i shtyjne merzitshem. Distancat jane te gjata, makina s'dine te ngasin. Televizorit nuk ia marrin vesh gjuhen - sec ndodh ne Shqiperi (se bota pak u intereson) e marrin vesh ndonje muaj me vonese... Ca mbajne nipat e mbesat, por keta rriten shpejt e pleqte plaken po aq me vertik. Dhe nisin nevojat, vizitat tek mjeku, ilacet... mendimi i tmerrshem i azilit zvarriet tinez.

Dhe komunitetet shqiptare te diaspores jane pak ose aspak te organizuara, per rrjedhoje me shpejt te asimilueshmet. Dominote dhe letrat ne park i luajne vetem pleqte, keta rrallohen. Shqiptaret sebashku mblidhen ndonje here ne vit kur vjen te jape koncert ndonje kengetar qe ka rene nga fiku ne Shqiperi. Pertej ketyre "eventeve kulturore" ka fare pak organizime komunitare te qenesishme si ato qe permend ti. Dhe te trishton fati i teto Marive qe vdesin nga pak perdite se brendshmi. Sa e madhe dhe e shtrire, aq e vetmuar ndihet ShBA per ta.

Po c'aktivitete dashkeni te organizoni ne Amerike kur thjesht per te blere buke te duhet te marresh makinen?

Shoke e shoqe ! Amerika nuk eshte per kete sistem marredheniesh familjare qe kemi ne. Me duket sikur lutjet e pashpresa te Bletes vijne nga zemra e plasur : "e di shume mire qe s'behet gje, por hajt ishalla !" E pra jo. Kjo ceshtje eshte e varrosur njehere e mire.

Ju te rinjte, ose behuni fare amerikane dhe shporrini pleqte te mos ju zene kembet, ose rrini shqiptare por pastaj formoni ndonje fshat si ne Llakatund, bythe e breke bashke, dhe kercet pastaj sherri e dyfeku si per qejf te vet.

Mos i merrni ne qafe pleqte duke i mbyllur neper burgje shtepiake ne USA (se fundja nuk i shikoni dhe aq nga puna e stermadhe dhe metroja qe te ha shpirtin), por lerini pleqte te vdesin atje ne fshatin e tyre te lindjes, e te gezojne me kusherinjte e me motrat e vellezerit qe kane mbetur ende atje. Me siguri qe do te jene shume me te kenaqur. Teletajpa ka sot sa te duash, merresh vesh per bukuri. Por ama kur dalin jashte ne mengjes atje ne fshat, e gjeli kendon e bilbili ciceron, mos u beni merak se edhe pse pleqte nuk ju kane prane, ata jane fort te kenaqur.

Jo po rrasini neper ashensora qe te mos dine te dalin gjithe diten.

ps : ketu nuk po flas per ata qe i kane prinderit me kyltyre te gjere dhe qe e shperfillin katundarin e vet si mos me qene hic. Keta e kane ne terezi, keta jane tashme kozmopollituqer.

97, une nuk po flas per ato zona te cilat nuk i ndihmoj dot. une po flas per Bronksin, vatren e shqiptareve, ku ka aq shume mundesi te behet dicka saqe nuk di c'te te them. Mjafton vetem deshira e mire dhe mendja e hapur.

Eshte problem qe e shoh perdite, dhe me vjen teper keq. Injoranca shfrytezohet nga njerez te paskrupullt, duke nisur qe nga pergatitja e dokumenteve qe normalisht duhet te jete falas, shitja e formulareve qe gjenden ne internet po falas, kurimi i kancerit me nuska, e ku di une se cfare. (nje ne tre familje tek te cilat shkoj, ngulin kembe te me japin para per ndihmen qe une e kam per detyre t'ua jap.)

 Dhe ata qe vuajne me shume jane pikerisht pjesa me e pambrojtur, te moshuarit. te rinjte e hedhin disi, femijet kane prinderit qe kujdesen per ta, kurse te moshuarve u jepet vetem aq kujdes sa ka mundesi pjestari me zemermire i familjes. dhe kaq.

une synoj tek krijimi dhe mbajtja e nje rrjeti komunikimi dhe referimi per te ndihmuar gjithe komunitetin. te tere ne kemi shume pervoje ne fushat tona. nuk jemi me femije ose emigrante te paditur. nuk jemi me njerez te papergjegjshem ose me interesa vetem per mbijetese, dhe  mbi te gjitha kemi mundesi komunikimi te mrekullueshme. pse te mos i shfrytezojme?

Eshte ceshtje mentalitetesh qe shqipot ndeshen per here te pare jashte strukturave psikologjike te "bashkejeteses se brezave" te rrenjosura prej shekujve.. Por gjithsesi nuk ka te beje me mentalitetin  katundaresk te shtresezuar pas kosaxhijve qe bertasin akoma " eshte bere ta presesh me thike" smiley ..Eshte fenomen qe do te duhet te kalojne me patjeter edhe shqiptaret e merguar dhe zgjidhjet qe rekomandohen nga Blete per kohen jane nga me normalet, pa perjashtuar deshira te te tjereve (vete te moshuarve) qe desherojne te shkojne per te "mbyllur syte" ne vatren e origjines . Problemi nuk eshte Dramatik eshte REAL i PASHMANGSHEM qe sa me shpejt te futet ne rruge te mbara aq me teper e larteson komunitetin shqiptar ne aftesine fenomenale qe ka te "ripershtatjes" me nje shpejtesi te jashtezakoneshme ndaj situatave te reja . Dhe blete e rekomandon nga pervoja nje gje te tille.

Une e kam patur shpesh mamen time ketu me mua.Me besoni eshte e lodhshme.Para se gjithash mama nuk ndihet ne shtepine e vet por te shtepia e "dhendrrit".Pa pritur behet jo autosufiçente,e humbet edhe ate pavaresi,qartesi e sens humori qe ka.Behet e trishte.Kalojne ca kohe e kap nostalgjia te shkoje ne varreza tek te dashurit,per kafen qe pinte me Anen,per fesligenin e mullagat ne ballkon.Ne kur kthehemi pas nje dite te lodhshme,trafik ,probleme,semundje...mbase nuk i kushtojme vemendjen qe do.....Me mire ne Shkoder me siguri.....

une dua te shtoj dicka tjeter ketu. Kur na vijne prinderit te na vizitojne e te rrine me ne, problemi me i madh qe kane eshte gjuha, POR NUK DUAN TE MESOJNE.  Une di plot raste ku ata mund te regjistrohen ne kurse per moshen e tyre, por nuk duan "jo mor bir, mua ne kete moshe ketj me hyjne  e ketej me dalin keto fjale te shkreta".  Gjuthashtu mund te njohin njerz ne palestra per moshen e thyer, por edhe per kete e kane nga nje justifikim.  Eshte e veshtire e pranoj, dhe kur nuk ka femije te kalojne kohen (arsyeja kryesore me te cilen englendiset mosha e madhe jashte atdheut), atehere mundesite per t'u integruar apo per t'u perfshire ne komunitet pa nusen a djalin, apo anasjelltas behn pothuajse te pamundura.  Une besoj qe vete mosha e madhe ka qejf te integrohet, por ama vdesin t'i lutesh per gjithcka (flas edhe nga eksperienca)

Shkrim i mire shume, blete. Kot me duket se sorollatesh andej nga letersia, se gazetaria te shkon shume mire.

smiley

...ky shkrim eshte shume i vertet....por shumica e shqiptareve edhe nuk dine, ose edhe ata qe dine veshtire se te tregojne!!!!...

...une nuk kuptova mire...nese ka sherbime mjeksore falas per te moshuarit qe te vijne ne shtepi?!!!...dhe edhe nese ka eshte per ata qe jane citizen patjeter...apo edhe me gcard??

...sa per mentalitetin, ky i yni eshte veshtire te ndryshoje, pasi nuk eshte e lehte te ndryshosh menyren e jeteses edhe ketu ne usa....dhe ata qe e kane "ndryshuar" mua me duken skifo,...ndoshta femijet tane qe do rriten ne keto lloj shkollash e shoqeri mundet...

shkrimi 10*

nga pervoja ime me te moshuar, e di se kane deshire te marrin informacione vetem nga "burimet e aprovuara". plus qe pas nje moshe te caktuar eshte teper e veshtire te nderrojne mendim e te zgjerojne horizontin. puna eshte qe percarja e komunitetit vihet re pikerisht tek pika e tij me e dobet dhe me e pambrojtur, te moshuarit. dhe qe edhe ato pak organizata komuniteti qe egzistojne nuk japin kurrfare ndihme pertej buzeqeshjes dhe shtrengimit te dores. Me thene te drejten, me teper rekomandime kam pasur nga "Lamja" i Pelham Parkut, sesa nga tere keto organizata te marra se bashku.

@ardi jon. Ne NYC dhe me gjere ka plot programe per pleqte te paguara nga Medicaid/Medicare qe ofrojne vizita mujore te infermiereve, ndihmese ne shtepi, terapiste te ndryshem (fizike, te te folurit etj), makina per transport tek mjeku, applikime per banesa me cmim te ulet, mjeke te pergjithshem dhe specialiste, Access-A-Ride, etj.Nese ke nevoje per dicka te tille, te lutem me dergo nje mesazh personal dhe do te mundem te te ndihmoj ose te te tregoj ku te kerkosh me tutje.

 

..blete,

...une kam mamane qe pak a shume merr ndihme por sic shkruaje , gjithmone dikush le punen apo shkollen ta shoqeroje (...megjithese ne krahasim me ndihmen mjeksore qe merr sakrifica jone=0)...

...une vetem doja te dija nese dokumentat bejne diference ...dhe nese ke ndonje website ku mund te kerkoje

faleminderit ne advance

blete,

jam dakort me ty deri ne nje pike. Ne shkrim ti flet per teto Marine e cila kishte shkuar ne New York te pakten 8 vjet me pare.  Femijet e perdoren thuajse si sherbyese (me falni per kete fjale, por si te tille i trajtojme, buka e bere, gjella gati, dera hapur...etj). Atehre ishte e forte, pra femijet munda ta kishin perfshire ne aktivitete apo kurse, qe te pakten mos te tregonte me gisht ne dyqan per ate c'fare i duhej po te dinte disa fjale qe t'ia dilte ball vete deri ne nje fare pike.

Une nuk e di se si eshte ne USa, por ketu ku jam une komuniteti shqiptar, sidomos pjesa e moshuar e ka te veshtire te integrohet, dhe kjo vjen kryesisht nga menyra se si femijet e tyre sillen me ta, nuk i perfshijne ne komunitet, nuk dalin me ta per te ngrene jashte, i lene ne shtepi qe te na bejne hyzmet. Te moshuarit e kane te veshtire, por ne duhet t'i inkurajojme dhe t'ua heqim ate frike nga e panjohura.  Une njoh nje plake 67 vjece, qe nuk donte te mesonte ne fillim, por tani flet mjaftueshem per te bere pazaret vete ne dyqanet e vogla,flet me komshijen, bile dhe pine kafe e ndajne receta gatimi (plaka shqiptare me ndihme, por ajo e pelqen tani kete liri e pavaresi qe ia jep njohja e ca fjaleve). Njehere kur e mora ne tel, nuk me njohu dhe me tha "he not here, call later lol

Paguani sherbetoren ne shtepi ne Shqiperi, shkoni dhe vizitojini nga 3-4 here/vit(kaloni veren me ato), krijojuni kushtet qe te ndihen mire brenda atij komunitetit te pleqve te lagjes ne Shqiperi,... Pleqte e njefare moshe s'kane c'bejne ne nje vend te huaj(te pakten jo nese nuk kane jetuar kur kane qene te rinj aty). Persa i perket integrimit do thoja integrim qepe ne ate moshe; ajo eshte mosha ne te cilen duhet te gjesh stabilitet dhe qetesi shpirterore ne nje ambient te njohur dhe konsoliduar.

E persa i perket edukates te shqipove qe te rrine me prinderit, thjeshte nuk e kane. Bashkejetesa ne harmoni me nje gjenerate tjeter mund te vije vetem atehere kur zgjedhja e çiftit behet ne baza deshire te lire dhe jo nga presioni i opinionit. Qendrojne me prinderit por prinderit e tyre kalojne ne nje rol sekondar. Perendimoret e kane kuptuar me kohe qe mbret i keshtjelles tende mund te jesh vetem nese nuk ke ndonje prapanice-kripur(e quajtur nuse djali) qe te sillet ne shtepi e te lufton per 'pushtet' edhe atehere kur ka bere zero per te ndertuar keshtjellen.

Po degjoja nje grua ketu te ardhur per vizite dhe demek po levdonte te vjehrren e saje 'me mban femijet, kur kthehem nga puna gjej cdogje gati, gatuan gjellen,...'vallai, syte me lot m'u mbushen vetem duke degjuar barbarizma te tilla. Gjithe kemi prinder dhe t'i imagjinosh nje dite ne nje rol te tille...gje e rende.

 

Fatkeqesisht ne shqiptaret mbahemi sikur jemi shume te lidhur me familjen, por fakti me siper tregon qe kjo lidhje shpesh behet per interes. Me duket shume brutale dhe pashpirt te perdoresh nenen per punet e shtepise dhe pastaj ta lesh pas dore kur ajo nuk mundet me. Me e renda nga te gjitha eshte shitja e shtepise ne Shqiperi. Mire keta "amerikanet e sumes" qe nuk duan me t'ja dine per Shqiperine dhe nuk duan me t'ja dine as per te mbajtur nje lidhje me vendlindjen, po si nuk menduan per pleqte??!!! Personalisht jam i lumtur qe kjo lloj fare (seed) eshte larguar per fare nga Shqiperia, ka akoma shprese per pastrim ai vend.

...edhe une keshtu mendoj (keq per veten) sikur po e shfytezoj mamane time, dhe shpesh i them qe mos lodhet e merzitet e po te doje te shkoj ne shqiperi se mbase ndjehet me mire...por  - Jo- thote...kam kenaqesi dhe detyre te te rrise femijet...te tjerat jane secondare.....

.....dhe vleren e rritjes se femijeve nga nena jote ska gje ne bote ta paguaj.....

Mu duk shkrim interesant dhe me pelqeu. Do te doja te flisja e te flsja gjate per kete teme kaq terheqese per evoluimin e personalitetit te njeriut ne kushtet e reja qe i paraqesin rrethanat jetike.

... dhe c'te besh, per gjerat e bukura me vine pak fjale ne mendje ndersa per te keqijat nuk pushoj dot.

Me duket mua, mentaliteti i njeriut eshte si nje veshje e jashtme e tij me te cilen mesohet dhe lidhet fort me mijra fije te padukshme; nga ana tjeter Njeriu ne thelbin e tij nuk ndryshon. Te me falin dialektiket per kete kundershti.

Dikur ne si shqiptare krenoheshim kur mblidheshim te gjithe se bashku dhe qanim hallet e i gjendeshim njeri tjeterit, ndersa tani si me magji i kemi kthyer shpinen njeri tjetrit e aqe me keq kur behet fjale per prinderit (tane )qe e ndjejne veten si te huaje nder femijet e tyre.  Sepse jane femijet qe i kane bere prinderit te ndihen ashtu....

Kam pershtypjen se nje pjes e mire e bashkeatdhetareve  kane mentalitet te lekundur e te lidhur forte  me interesin dhe me rreflektimin e shtetit prites.  smiley

Nuk besoje se mentaliteti eshte nje veshje e jashtme e  njeriut pasi mentaliteti krijohet dhe bazohet ne karakterin e njeriut duke u ndertuar bashke me vete egzistencen e tij e cila lidhet ne menyre direkte me prinderit.

Nje shprehje popullore thote: Femija eshte pasqyra e prindit.

Kishim komshinj që hynim e dilnim prej 3-4 vitesh një çift pensionistash... që nuk flisnin as italisht jo, sepse flisnin vetëm në dialekt. kur erdhi plaka, për dy javë filloi të fliste shqip ajo komshija smiley

Ndërsa plaka: Pallate këtu, pallate në Mamurras, makina këtu makina atje... s'të shikoj atje, por s'të shikoj as këtu... më mirë po shkoj e të rri me plakat e lagjes... të paktën atje ke se me kë kthen një filxhan kafe smiley

Ndërsa plaka: Pallate këtu, pallate në Mamurras, makina këtu makina atje... s'të shikoj atje, por s'të shikoj as këtu... më mirë po shkoj e të rri me plakat e lagjes... të paktën atje ke se me kë kthen një filxhan kafe Smile

E madhe e madhe plaka jot e. smiley

Por me e madhe ajo e Zanes, me varrezat. Aman, se vajtja ne varreza eshte zakoni qe nuk mund tju shkulesh kurre ...e paaaaaamundur..

E cte thuash ne kete teme, ja i keni thene te gjitha. Te gjithe me te njejtat histori.....

Kohe te poshtra per brezin e prinderve tane. Brez fatkeq, me fatkeq nuk behet.

Por dhe ne pergjys te mallkuar, gjys zemre te shkulur ne cdo rast e ne cdo vend ku jemi. ....

Keq dhe bile shume keq mund te jene brezi i prinderve tane, desdemona, por me fatzinjte jane ata prinder qe dalin tek Klani dhe pergjerohen per te degjuar zerin e  femijeve te tyre te larguar ne menyra nga me te cuditshmet.

Kur vjen Emisioni i Aida Shtinos, ne ne familje te gjitheve na mbushen syte me lote.

po c'm.tin doni deri ne amerike ore.

 

Plot me pleq e me plaka eshte gjithmone avioni nga treviso.

50-100 euro (3 dite pune mo) dhe me shpejt arrin ne rinas sesa nga rinasi ne shtepi.

Te kenoqin me muhabet pleqte sa here te bie rasti te udhetosh.

Nje muaj ne shqiperi e nje muaj ketej qe te mos i mbetet hatri askujt.

 

Une nuk mendoj se brezi i ri i ka te gjitha fajet. Se edhe brezin e nenave tona i kane ndihmuar gjyshet tona. Shumica kishin vjehrra, ose u vinte mamaja edhe i ndihmonte. Shumica nga ju jeni rritur nga gjyshet para se te shkonine shkolla. Pse qenka torture tu kerkosh prinderve ndihme. Ne ketu kthehemi me 7 te darkes (pas trafikut) ndersa ata ne kohen e dulles ne 3:30 te drekes ishin ne shtepi.

Ne ketej punojme gjithe diten, vijme vone edhe kur te vijme duhet te gatuajme per vete, femijet edhe prinderit/vjehrrin vjehrren se ata nuk ndihmokan dot se jane ne shtepi te huaj? C'mon!

Hipokrizi! Mua me erdhen prinderit,e dhe sme ndihmuan FARE!!!! Jo po jane mysafire, jo po sjane ne shtepine e vet, etj etj. Po kur isha une ne shtepine e tyre, nuk i ndihmoja une ata? Tani qe une e kam nevojen, edhe vijme ne 7 te darkes, duhet te gatuajme per 10 vete e te mos rrime me femijet tani, se mos po "shfrytezojme" brezin e vjeter.

Rri me me, se pleqete ne shqiperi ne shtepite e tyre bejne pune, se nuk i mbysh zhuli e pa buke nuk rrijne, po kete tek ne pse te mos na ndihmojne? Kur vjen nje moshe qe nuk kane fuqi, patjeter, po kur jane 60 vjec e te te bejne per te huaj se pertojne, eshte krim mbi shpinen tone.

Ky artikull me duket shume i njeanshem edhe pa thellesi! Nese prinderit duan rehatin e vetmine larg femijeve qe te pijne nje kafe me komshijte e te bejne thashetheme , ok. Ata qe duan femijet, qe te pakten i shohin 4-5 ore ne darke, qe lozin me niperit e mbesat, mirese te rrijne me femijet.

Sa per televizorin, gjen sa te duash per $300 ne vit, televizion shqiptar edhe u mbush veshet me lajme e telenovela sa te duash prinderve shqiptare.

Cdo problem ka zgjidhje, mjafton qe njerezit te shprehin ate e duan. nese teto Maria do te kthehet ne Shqiperi, ok. Nuk me duket se femijet po  e hedhin ne rruge se po i ofrojne opsione te ndryshme. Por nese at anuk duan ta lene ate vetem ne Shqiperi, e bejne nga meraku se e kane me mire para syve.

Nejse, doja te sillja nje kendveshtrim tjeter mbi kete ceshtje, se mjaft na martirizuat brezin e vjeter qe mbajti kominizmin edhe spiunonin njeri-tjetrin e jetonin me frike deri ne palce, keta e kane fajin qe ata edhe ne jemi si jemi sot!

 te paskan bere prinderit ceco. (shaka)

natyrisht qe nje kendveshtrim tjeter eshte gjithnje i mirepritur. por une po  flisja kryesisht per ato cka u ofrohen te moshuarve ne mergim, dhe faktin qe nuk po shfrytezohen aq sa mundet, nga dobesia e komunitetit ne New York.

komenti yt meriton nje teme a nje sondazh me vete, dhe per mua do t'ia vlente te hapej.

 

Le te mos e ngaterrojme kontradikten e perjetshme midis brezave me mentalitet e reja te krijuar per arsye te ndryshme te zhvillimit apo edhe te levizjeve per mbijetese.

Prinderit shqiptare si dhe prinderit e kombeve te tjera nuk ndryshojne nga ata prinder egjitpiane mendimet dhe pretendimet e te cileve jane hedhur ne pllakate e argjitlit:  (5000 vjete me pare)  Mallkuar qofte kjo kohe e veshtire kur femijet tane nuk i respektojne prinderit e tyre dhe po marrin zakone te tjera.

 Brezi i prinderve tane "mbajti kominizmin edhe spiunonin njeri-tjetrin"    Kjo shprehje eshte mjaft ofenduese per brezin e vjeter dhe mendoj se kushdo qe do ta shprehte kete, me e pakta, do te konsiderohej si njeri me mungesa totale informacioni, si dhe mjaft cinik ne shhpirtin e vet te paekuilibruar.

Adriatiko, po kur te duash merri familjaret e mij edhe mbaji, paguaji rrugen, shtetit ne restorante, pushime edhe te te hedhin vickla se nuk po ja blen rrobat te shtrejta e te firmes, edhe te mos te mbushin nje gote me uje se jane "mysafire" edhe s'eshte shtepia e tyre, jo gatime e pune shtepie jo e jo.

Sa per ate, brezi i prinderve tani ishin ata qe ishin e jane teper egoiste ne maksimum, qe per te ruajtur ate vendin e punes edhe "karieren" qe ishte "vend pellumbash" harruan din e iman, fe e njerzillik e spiunonin, genjenin, mbyllnin syte ne fakeqesine e te tjereve. Genjenin veten edhe nuk mendonin per prinderit e tyre apo femijet e tyre e cfare po i linin, vendi i pellumbave kishte rendesi. Ishte brezi i ketyre qe perkrahen komunizmin, e vune ne vend edhe vrane 1/4 e kombit. Keta jane brymosur me egoizmin, mendje ngushtesine, e perfitimit ne kurriz te te tjereve. Keta brezi i vjeter jane ata qe une i quaj fajtoret e jeteses se tyre. Nuk ngriheshin dot e te organizoheshin si ne Hungari, Ceki, Poloni etj, sic nuk ngrihen sot e nuk organizohen po ndjekin nje parti ose nje tjeter me fanatizem, se ashtu jane mesuar. Edhe eshte politika edhe Shqiperia ne nje status "gjysem-komunizen edhe e tera korrupsion" se vaszhdon i njerjti mentalitet si ne kohen e dulles.

 Une as qe pres ndihme, as kam marre ndihme nga brezi i vjeter, po te beni brezin e vjeter "heroj" e "martire" kur kane qene nenpunesa medioker qe benin sikur punonin, edhe mbyllnin gojen se kishin "pushtet" mbi disa njerez te tjere eshte idiotllik. 

Po duket qe ti i ke familjaret e mire, edhe nuk i koncepton dot gjerat qe them une, se te duken shume ekstreme. Ndoshta jane, por jane te verteta.

Ky problemi i nje komuniteti te shendosh qe organizohet per te dhene nje ndihmen maksimale (qofte kjo informative, morale, fizike apo financjare) eshte nje pbm qe ekziston gjithandej....mos kujtoni se ne vendet e tjera eshte me mire...cope cope eshte gjithandej.

Thjeshte me ben pershtypje menyra se si jane ndare rolet ne kete shkrim  (femijet = egoistet karrierist, prinderit = te braktisur pa ndihme)......sme duket aq evidente per ti dhene vendin gjerave/personave....jane ca pikpamje te tjera qe mungojne.

Sa per nje fund jete te rehatshem, une do preferoja te vdisja ne nje vend te panjohur, me te gjitha kushtet (mjekesore mbi te gjitha)....sesa ne atdhe pa piken e ndihmes e me komshillikun qe jane aty thjeshte per thashetheme (jo se i intereson najgjo) 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).