Dita e Verës, karaoke dhe sfilata në rrugët e qytetit

Të shtunën kremtohet 14 Marsi, Dita e Verës. Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me organizatorët kanë përgatitur aktivitete të shumëllojshme për festimin e kësaj dite. Festa do të fillojë të shtunën paradite në qendër të Tiranës, në sheshin "Skënderbej". Do të jenë këngët dhe vallet e Ansamblit "Tirana" prologu i kësaj feste. Më pas akrobatë dhe klounë nga Cirku i Tiranës do të argëtojnë fëmijët e pranishëm, ndërsa Banda e Qytetit do të fillojë rrugëtimin në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Në shesh, qytetarët do të gjejnë edhe këndin e kuzhinës shtëpiake, gatime tradicionale të zonës, të cilat do të ofrohen për shijim nga një grup amvisash të qytetit të Tiranës, bashkë me recetën e gatimit. Lulishtja "Skënderbeu" do të jetë e gjitha e fëmijëve që nga mesdita. Nuk do të mungojë muzika, këngët dhe vallet popullore, por i pranishëm do të jetë edhe libri, përmes projektit "Të lindur për të lexuar". Bulevardi "Dëshmorët e Kombit" do të kthehet në një panair argëtues, plot me kënde dhe çadra ku të rinjtë e Rrjetit Rinor do të krijojnë një atmosferë krijuese dhe gazmore. Një vend të veçantë do të ketë edhe prezantimi i botimeve nga shtëpitë botuese shqiptare. Ndërkohë, duke ecur poshtë në sheshin përpara Piramidës, një kuartet instrumental do të performojë nga ora 12:00 deri në 16:00. Në Parkun Rinia, Bashkia e Tiranës do të instalojë një sistem karaoke, ku i fton të gjithë të bëhen protagonistë të këngës. Një risi në këto festime është projekti "Pasarela", që organizohet nga Shoqata e Stilistëve Profesionistë, me koleksione të studentëve të modës. Pasarela do të vendoset para hotel "Rogner" dhe show do të zhvillohet në oraret 11:00-12:00 e më pas, nga ora 13:30 deri në 14:30. Publiku mund të ndjekë gjatë kësaj kohe parakalimin e 30 modeleve të reja, të cilat do të krijojnë një estetikë krejt të veçantë në bulevard. Sheshi "Nënë Tereza" do të jetë hapësira për të gjithë të apasionuarit e Skateboard-it dhe Grafitit. Të shtunën, zona e ish-Bllokut do të jetë "Rock-Euro-Zone", një pellg festiv, dedikuar muzikës rock dhe vlerave përbashkuese europiane. Koncerti do të fillojë në orën 20:00 me grupe të muzikës rock dhe alternative nga vende europiane, si dhe grupe shqiptare. Skena do të vendoset në rrugën pedonale "Ismail Qemali" dhe në të do të ngjiten për të performuar disa grupe muzikore.

3 Komente

Po ne darke do hedhin fishekzjarre? smiley. Se ashtu behet tamam si paradat ne kohen e "ndritur" te xhaxhi Enverit. Populli eshte i lumtur, i begate, ndaj feston. "Luan qeni kallajxhiut, ore..."

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).