Depozitat, garancia rritet në 25 mijë euro

Berisha: Me këtë ligj garantojmë, së bashku me bankën, mbi 80 për qind të të gjitha depozitave bankare

Një projektligj, që do të miratohet së shpejti, parashikon rritjen e kufirit të garancisë nga 700 mijë lekë, në 25 mijë euro

Depozitat në banka do të kenë një kufi të ri garantimit. Qeveria pritet të miratojë shumë shpejt një projektligj, i cili parashikon që, depozitat e qytetarëve në bankat e nivelit të dytë, të jenë të mbrojtura deri në 25 mijë euro, ose ekuivalentia e kësaj shume në monedhat e tjera. Deri tani, niveli i garantimit 100 për qind i depozitave, është 700 mijë lekë.

"Trendi pozitiv i rritjes së kursimeve në bankat e vendit, gjatë dy muajve të fundit, inkurajon qeverinë që, së bashku me bankat, të rrisë garancinë e plotë për kursimet deri në 25 mijë euro të qytetarëve.

Me këtë projektligj, qeveria shqiptare vendos një standard europian të garantimit të depozitave të qytetarëve",- tha Kryeministri, në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave. Sipas tij, me këtë projektligj, qeveria merr përsipër të garantojë mbi 80 për qind të të gjitha depozitave bankare, së bashku me bankën. Qeveria ka vlerësuar vendimin si të domosdoshëm për të garantuar edhe kursimet e emigracionit shqiptar.

"Ky është vendim me impakt shumë pozitiv për të gjithë emigrantët, të cilët depozitojnë në bankat e Shqipërisë paratë e tyre, duke i pasur 100 për qind të sigurta, në masën deri në 25 mijë euro.

Edhe ndrojtjet që ata mund të kenë në vendet e tjera ku jetojnë, këtu do të kenë një strehë të sigurt, një vendosje të sigurt për paratë e tyre",- tha Kryeministri para anëtarëve të kabinetit.

Ky projektligj pritet t'i japë një fuqi më të madhe Agjencisë së Garantimit të Depozitave. Rritja e kufirit të sigurimit të depozitave merret në një kohë kur vendet e zhvilluara po përballen me një krizë të rëndë financiare, e ardhur pas kolapsit të disa bankave.

Ndërkohë, sistemi bankar në vendin tonë është konsideruar i shëndoshë dhe me imunitet ndaj kësaj krize. Garantimi 100% i depozitave me vlerë deri në 25 mijë euro rikonfirmon besimin në sistemin bankar. Aktualisht, rreth 80% e depozitave janë deri në 700 mijë lekë dhe ndodhen brenda kufirit ligjor të garancisë.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, tha pak kohë më parë se qytetarët besojnë në sistemin shqiptar bankar dhe tregues është rritja e depozitave gjatë dy muajve të parë të këtij viti.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).