Berisha ul çmimin për pensionistët dhe studentët

Nishani: 300 lekë kushton karta për pensionistët dhe 200 lekë për studentët

Qeveria ‘dorëzohet‘ përballë thirrjes së kryesocialistit Edi Rama për kartat e identitetit. Duke filluar nga data 1 prill deri në 1 maj 2009, të gjithë personat që do të aplikojnë për kartë do të përfitojnë ulje çmimi deri në falas. Sipas propozimit të qeverisë, personat me aftësi të kufizuara do ta marrin letërnjoftimin falas, ndërsa pensionistët dhe studentët do të përfitojnë ulje të ndjeshme. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka bërë publik dje vendimin që përcakton ndarjen e kartave të identitetit për studentët kundrejt vlerës 200 lekë dhe për pensionistët me çmim 300 lekë. Kushti i vetëm i propozuar nga Ministria e Brendshme është që aplikimi të bëhet brenda një afati kohor njëmujor. "Për të gjithë ata pensionistë të cilët marrin pensionet minimale në qytet, për të gjithë pensionistët e fshatit, çmimi për letërnjoftimin elektronik do të jetë 300 lekë, pjesa tjetër do të subvencionohet nga qeveria. Për të gjithë studentët, ata që përfitojnë ndihmë ekonomike për shkak të papunësisë, apo për të gjithë ata të cilët deri në 28 qershor mbushin 18 vjeç dhe votojnë për herë të parë, që kanë aplikuar për letërnjoftim apo do të aplikojnë deri në 1 maj 2009, çmimi për letërnjoftimin elektronik do të jetë 200 lekë. Për të gjithë personat paratetraplegjikë dhe për të gjithë të verbrit aplikimi do të jetë falas", tha ministri i Brendshëm, Bujar Nishani.

Kategoria e përfituesve

Të gjithë pensionistët që marrin pension minimal në qytet dhe në fshat do të përfitojnë uljen e përcaktuar në vendimin më të ri të qeverisë për letërnjoftimet. Çmimi i kartës për këtë kategori do të jetë 300 lekë të reja. Studentët do të paguajnë vetëm 200 lekë nëse arrijnë të aplikojnë brenda afatit të përcaktuar nga Ministria e Brendshme, 1 maj. Pas kësaj date, Këshilli i Ministrave do të ndajë fondin prej 500 milionë lekësh për kompensimin e pensionistëve, studentëve apo qytetarëve të tjerë që kanë bërë aplikimet për t‘u pajisur me letërnjoftime. Kartat e identitetit nuk do të përdoren vetëm për të votuar në zgjedhjet e 28 qershorit, por do të shërbejnë edhe për të udhëtuar, apo për të përfituar shërbimet publike. Çmimi 200 lekë do të jetë edhe për të rinjtë të cilët sapo kanë mbushur moshën për të votuar në këto zgjedhje. 18-vjeçarët do t‘i tërheqin këto karta kundrejt vlerës 200 lekë të reja. Falas karta e identitetit do të shpërndahet për të verbrit dhe personat me aftësi të kufizuara.

Përplasja PD-PS

Në kohën kur opozita i mëshon fort faktit për t‘i ndarë kartat e identitetit falas për shqiptarët, qeveria miraton një paketë tjetër masash nxitëse për pajisjen e qytetarëve sa më parë me dokumentet e reja të identifikimit. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, bëri me dije se duke filluar nga 1 prilli, shtetasit e pajisur me pasaporta nuk do të lejohen të aplikojnë për karta ndërsa e cilësoi si të pakuptimtë këmbënguljen e opozitës për shpërndarjen e kartave falas. "Kërkesa për karta falas nuk ka sens, po ky është një vendim i marrë në bazën e një argumenti të cilën qeveria shqiptare e shikon si të domosdoshëm për të ndihmuar procesin zgjedhor", theksoi ministri Nishani. Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, deri në datën 26 Mars 2009 kanë aplikuar 350 mijë shtetas, ndërkohë në Qendrën Kombëtare të Personalizimit të të Dhënave janë prodhuar 250 mijë karta identiteti. Ministria e Brendshme pohon gjithashtu se procesi i aplikimit të kartave ka nisur në 110 njësi vendore.

Penalizimet

"Pa karta, s‘do merrni rrogat"

Pa karta identiteti, pensionistët, arsimtarët, mjekët dhe studentët s‘do të mund të marrin dot pagat mujore. Ministria e Brendshme paralajmëron qytetarët se nuk do të përfitojnë asnjë shërbim nga institucionet shtetërore nëse nuk pajisen me kartat e identitetit. Kjo ministri ka bërë me dije gjithashtu se pa kartat e identitetit qytetarët s‘do të mund të marrin dot rrogat, pensionet apo të marrin shërbimet publike. "Ministria e Brendshme rikujton edhe njëherë se letërnjoftimi elektronik është një dokument që nuk vlen vetëm për zgjedhjet parlamentare të qershorit, por edhe për të marrë shërbimet e institucioneve shtetërore. Mospasja e kartës së identitetit do të krijojë pamundësinë e marrjes së këtyre shërbimeve për pensionistët, studentët dhe të gjithë qytetarët e tjerë", thuhet në njoftimin për shtyp të kësaj ministrie.

Pretendimet

Në kohën kur opozita i mëshon fort faktit për t‘i ndarë kartat e identitetit falas për shqiptarët, qeveria miraton një paketë tjetër masash nxitëse për pajisjen e qytetarëve sa më parë me dokumentet e reja të identifikimit

Çmimet

Për pensionistët të cilët marrin pensionet minimale në qytet dhe pensionistët e fshatit letërnjoftimi elektronik do të kushtojë 300 lekë, pjesa tjetër do të subvencionohet nga qeveria. Studentët do ta blejnë kartën kundrejt vlerës 200 lekë dhe po i njëjti çmim do të jetë për të gjithë ata persona që përfitojnë pagesën e papunësisë. 200 lekë, karta do të kushtojë edhe për ata persona që sapo kanë mbushur 18 vjeç dhe votojnë për herë të parë. Tetraplegjikët dhe të verbrit do ta përfitojnë kartën falas.

4 Komente

Po taksen per shtepine qe trashegon nga prinderit, kur do ta uli qeveria

Problemi nuk qendronte tek cmimi i kartave por tek taksat e pastrimit, se pa paguar ato nuk te jepshin certifikate per te bere veprime te metejshme. Kishte njerez qe pagojshin nga 70-80 leke te reja per pastrimin, disa me teper , une pagova 11 mij = 85 euro dhe 85 euro per vellain = 170 euro megjithse jetoj jashte dhe kur vij ketu ate letren/kartpeceten e byrekut, qoftes, donerit, e hedh gjithmon ne kosh plehrash, nderkoh qe te tjeret qe paguajne me pak apo asfare e hidhnin ne toke.

çar thua? me te vertete ke paguar 110 mije leke per te marre nje çertifikate? hahaha, o zot çfare hajdutash!

Po kush ben kerkesen per karte identiteti, edhe ato duhet te tregojne se kane paguar taksen e pastrimit?

Kjo qe po ben qeveria eshte gabim.

Kartat duhen leshuar kundrejt pageses,pasi ato nuk jane bere falas.Dmth une qe punoj duhet te paguaj dhe dikush qe eshte ne pension apo student duhet ta marri falas.Po jam i sigurte qe edhe une qe punoj do te paguaj edhe karten e tyre falas.

Para disa ditesh bera rinovimin e patentes se shoferit ketu ne SHBA.Ky eshte dokumenti me i rendesishem i identifikimit ketu.Pagova 40$ vetem per rinovimin.Por pashe ne rradhe edhe pensioniste dhe studente qe po paguanin po kete shume paresh.Jam i sigurte qe asnje nga keta nuk eshte ankuar se po ju shkelet e drejta kushtetuese nese nuk kane te paguajne.

Nese kerkoni qe te keni te drejta duhet edhe te paguani detyrimet!Pra duhet te paguani per te marre karten e identifikimit!

Gabim qeveria gabim,per kete hap qe po merr!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).