Berisha harxhon 80 mijë euro në fushatë me mësuesit

Shfaqja e djeshme e kryeministrit Berisha para më suesve, të ardhur nga e gjithë Shqipëria, me rastin e 7 marsit, ka kushtuar rreth 80 mijë euro. Në kohën e një krize të thellë ekonomike në të cilën është përfshirë edhe vendi ynë, nga buxheti i shtetit janë dhënë mijëra euro për të plotësuar një nga skenat e fushatës elektorale.

Për të bërë transportin e mësuesve, për të marrë sallën me qera, për të pajisur me pankarta dhe me ekrane të mëdhenj një sallë festive, janë derdhur goxha lekë nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. “Ka kushtuar më pak sesa aktiviteti i Inva Mulës” thonë organizatorët. Në fakt, koncerti i Invës i kaloi shpenzimet e 100 mijë eurove. Mund të ketë qenë më kollaj për aktivitetin e sotëm të Berishës, sepse ky i fundit, skenën e ka pasur pothuajse gati: ka shfrytëzuar atë që ka pasur Meta vetëm një ditë më parë në konventën e grave. Vetëm është hequr copa, nga e kuqe, është ndryshuar blu. Sa për monitorin e madh, atë e ka përdorur si Meta ashtu edhe Berisha. “Nuk di gjë se sa ka kushtuar ky aktivitet” thotë zyrtarisht sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Gjergj Lezhja, ndërkohë që fshihet shifra e saktë e kostos së tij.

Viti i parë

Që ky aktivitet i 7 marsit, është frytëzuar për fushatë elektorale, kjo bëhet e qartë po të shohësh sesi kryeministri Sali Berisha ka festuar në vitet e kaluara të qeverisjes së tij. Në vitin 2006, 2007 dhe 2008, nuk është bërë asnjë aktivitet i tillë me mësuesit. Berisha është mjaftuar me vajtjen e tij në ndonjë nga shkollat e kryeqytetit, ku hidhte larg e larg batuta me Edi Ramën se kush i kishte rikonstruktuar shkollat. Fakti që ky është një vit elektoral, e ka “detyruar” kryeministrin që në sallën e Pallatit të Kongreseve të paraqitet me një shoë të jashtëzakonshëm, duke harxhuar edhe me mijëra euro nga buxheti i shtetit, të cilat do të duhet të ishin harxhuar më mirë për rikonstruksionin e shkollave.

Ndër të tjera ai sulmoi Edi Ramën, kryetarin e bashkisë së Tiranës, të cilin e akuzoi se ka marrë paratë e qeverisë po nuk ka ndërtuar dot shkollat.

“Në katër vjet u ndërtuan apo janë në ndërtim 361 shkolla të reja dhe konvikte. U rikonstruktuan 680 të tjera në të gjitha qytetet dhe komunat e vendit, por kjo mjerisht nuk është e vërtetë për Bashkinë e Tiranës. Në Tiranë sërish fëmijët mësojnë në klasa me nga 40 nxënës, në Tiranë 2/3 e shkollave nuk kanë ngrohje dhe kjo jo se qeveria ime ka diskriminuar Tiranën”, - u shpreh dje kryeministri. “I kemi dhënë Tiranës fondet më të mëdha, i kemi dhënë 2.2 miliardë lekë kredi të Bankës Evropiane të Këshillit të Evropës për të ndërtuar jo një apo dy, por tetë shkolla të reja dhe rikonstruktuar 18 të tjera. Sot pas katër vitesh në këtë qytet janë ndërtuar në periferinë e saj në toka të komunave, dhe s`ka ndonjë të keqe vetëm dy shkolla të reja, janë rikonstruktuar 6 palestra sportive dhe asgjë tjetër.”, deklaroi dje Berisha. Kryeministri i bëri thirrje kryetarit të Bashkisë Rama që “t’i japë fund babëzisë, me urgjencë të përcaktojë trojet për shkollave në kryeqytetin e vendit”.

Në fillim të aktivitetit kryeministri foli me anë të video-projektorit me një mësues nga shkolla e mesme e Fushë-Arrëzit, për të vërtetuar se premtimi i tij për të çuar internetin në çdo shkollë është mbajtur. Pas komunikimit me mësuesin nga Fushë-Arrëzi, Berisha theksoi se del para mësuesve i nderuar pasi kishte mbajtur premtimet e tij, ka rritur rrogat e tyre në masën 50 për qind, ka ndërtuar shkolla si dhe do të arrijë që në mandatin tjetër, për çdo një mijë banorë të ketë 40 nxënës.

1 Komente

Natyrisht që e shfrytëzon rastin për propogandë elektorale... dhe flet sepse ka gojë të flasë.

Fakti që të tjerët nuk flasin, nuk do të thotë se janë më të mirë sepse kursejnë 80mijë euro për një konferencë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).