Berisha dhe Mediu, zyrtarizojnë koalicionin PD-PR

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, Partia Demokratike ka zyrtarizuar dje marrëveshjen elektorale me njërin prej aleatëve më të ngushtë të saj, Partinë Republikane. Marrëveshja është nënshkruar nga kryetari i Partisë Demokratike, kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kreu i ekzekutivit shqiptar ka vlerësuar se koalicioni që do të çojë drejt një mandati të dytë të djathtën, do të jetë një bashkim i gjerë, ashtu sikurse solli në fitore katër vjet më parë Partinë Demokratike dhe aleatët e saj. "Koalicioni do të jetë i gjerë. Ky koalicion u hap me aleatin kryesor. Në katër vjet, ky koalicion e shndërroi Shqipërinë nga vendi i krimit në vendin që e votuan 27 Parlamentet e vendeve europiane dhe 26 vendet e NATO-s", vlerësoi kryeministri. Ai theksoi se Partia Demokratike nënshkruan këtë marrëveshje elektorale dhe qeverisje të përbashkët me Partinë Republikane në 17-vjetorin e fitores së përbashkët mbi diktaturën komuniste, në 17 vite aleance të plotë, të përshkuar fund e krye nga luajaliteti dhe përkushtimi ndaj vlerave progresive, në 4 vitet e qeverisjes së përbashkët dhe transformimeve më të mëdha të këtij vendi, të kontributit thelbësor të dy forcave politike në realizimin e projektit më të madh në historinë e këtij kombi, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Ai shprehu besimin e plotë se ky koalicion me Partinë Republikane dhe forcat e tjera të spektrit politik të qendrës së djathtë, i jep ritmeve të zhvillimit dhe integrimit të këtij vendi, shpejtësi që nuk janë njohur më parë. Kryeministri ka vlerësuar se në katër vite, ky koalicion shndërroi Shqipërinë që vërtitej në labirintet e krimit të organizuar dhe sistemit të kleptokracisë në një vend të sigurtë, që do të bëhet shumë shpejt anëtar i NATO-s. Kryeministri vlerësoi gjithashtu se ishte ky koalicion që e shndërroi Shqipërinë nga vendi i kronikave të zeza në vendin serioz, në vendin që e votuan në Parlamentet e tyre për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe për Protokollin e Anëtarësimit në NATO, 27 vende anëtare të BE-së dhe 26 vende anëtare të NATO-s. Berisha theksoi po ashtu se ishte puna e shkëlqyer e kësaj mazhorance që Shqipëria, më datën 4 prill, do të ulet në Strasburg si anëtare e Atlantikut të Veriut dhe ngre flamurin e saj në Bruksel, si flamur i një vendi anëtar. Nga ana e tij, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, vlerësoi kontributin e përbashkët të dy forcave aleate, duke u ndalur në veçanti tek përmbushja e njërit prej angazhimeve që e përafroi Shqipërinë me vendet anëtare të NATO-s dhe që pritet të formalizohet në fillim të muajit prill.

Vlerësimet e Brukselit, optimizëm për një mandat të dytë

Duke iu referuar vizitës së tij pak ditë më parë në Bruksel, kryeministri Berisha ka theksuar se ka marrë nga personalitetet më të larta të vendeve anëtare të BE një klimë vlerësuese, pozitive, për përpjekjet dhe arritjet serioze të kësaj qeverie. "Më duket se në mënyrën më të qartë dhe më të kthjellët e shprehën këtë dy liderët e Europës së sotme; Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Presidenti francez, Nikolas Sarkozy, që bashkërisht theksuan respektimin e qartë të shqiptarëve dhe inkurajimin në rrugën e nisur", vlerësoi kryeministri.

Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se kjo mazhorancë ka të drejtë të krenohet me mandatin që po lë pas dhe të jetë shumë optimist gjithashtu për mandatin e dytë, se këtë mandat nuk e kemi vetëm me fjalë. "Këtë mandat e bazojmë në ato premtime që kemi mbajtur. Por ne nuk i kërkojmë votën askërkujt thjesht për ato që kemi mbajtur, por besimin po. Ka njëmijë arsye që të na besojnë qytetarët shqiptarë se ne i mbajmë premtimet tona. Ne ua kërkojmë votën atyre, për projektet e mëdha që do të realizojmë në katër vitet që vijnë, në infrastrukturë, në arsim, shëndetësi, në softin social të kësaj shoqërie, në integrim, në fushën e energjisë dhe në çdo fushë tjetër", tha kryeministri. Gjithashtu, ai vuri në dukje se duke çelur siparin e një seri marrëveshjesh, pasi koalicioni do të jetë i gjerë, ky sipar natyrisht, do të hapej me aleatin kryesor, me të cilin PD e ka rrugën tashmë 17-vjeçare, që nga themelimi dhe përmbysja e diktaturës komuniste. "Edhe njëherë, dua të shpreh falenderimin tim më të madh për republikanët shqiptarë, për luajalitetin e tyre, për përkushtimin e tyre dhe të siguroj kryetarin e tyre dhe të gjithë zotërinjtë e kësaj partie se, PD është mirënjohëse, vlerësuese për gjithë rolin e kontributin e tyre", tha kryeministri në fund të fjalës së tij.

3 Komente

E di ca tregon kjo? Qe birisha eshte peng, dhe peng i fuqishem madje, i Mediut. Se si nje kryeminister mund te beje apo vazhdoj koalicionin me nje person me dosje te hapur ne gjykate, me nje person neglizhenca e te cilit mund te kete qene shkaku themelor per 26 te vdekur, eshte pertej imagjinates. Cfare dreqin i di Berishes ky qe Berisha rrezikon nje vetvrasje te tille politike? Nuk besoj do e mesojme kurre.

Kjo eshte vetevrasja politike e Berishes. Se ku e kane kap, e ka shpjeguar Baze disa here.

Do te kishte qene vertet mire qe, prap sic thote Baze, opozita te kishte perkrahur levizjen per menjanimin e Medi-Gerdecit nga politika. Jo se per nje kufome te tille politike do te mund te bejne ndonje mrekulli litrat e formalines, por se do te kishte qene nje premtim i opozites per te mos patur te tille dordolece ne dollap ne te ardhmen.

Por mesa duket, sic u pa dhe nga reagimet, tashme njevjecare te opozites, kesaj i duhet pushteti, dhe nuk eshte e interesuar te denonje njeri, se sic thone, bota eshte e rrumbullaket. Asgje te re nga mizerja e pollitikes shqiptare, pavaresisht vitit te lindjes.

 

State capture - do te uleriste Berisha 5 vjet me pare per qeverine e kapur dhe te koruptuar te Nanos. Berisha capture - peshperit populli per sjelljen cuditerisht miqesore dhe bashkepunuese te ketij udheheqesi demokrat me teakuzuarin kryesor te tragjedise se Gerdecit te pandehurin F. M. Cfare e shtyn kete kryeminister ta mbaje afer kete te pandehur per sa kohe qe akoma nuk ka perfunduar dhenja e drejtesise? Cfare e shtyn kete kryeminister ti beje presione nga me te cuditeshmet prokurorise ne lidhje me ceshtjen Gerdeci, dhe nga ana tjeter te mos kerkoje qofte edhe nje here zyrtarisht dhe shpirterisht denimin sa me shpejt te shkaktareve, si dhe te shtyje prokurorine qe te avancoje edhe ne hetimin e hamendjeve per korupsion ne miliarda leke me pasurine kombetare te armatimeve dhe municioneve ushtarake?

E kush e njeh mire kete njeri, e di se eshte i pameshirshem per te "ekzekutuar" te tijte kur kapen ne gabim duke treguar vlera morale ekstreme. Po ne rastin Mehdiu pse eshte terhequr? A mos valle ky i fundit e ka mberthyer per hunde dhe i shkreti eshte i detyruar ti shkoje nga mbrapa?  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).