“Bëhuni faktori përshpejtues i zgjidhjes së titujve të pronësisë në zonën turistike”

 

Nga Niko Nesturi, Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Bregdeti”

Kërkesë ambasadorëve të KE, OSBE dhe SHBA në Tiranë

 

Duke falënderuar institucionet ndërkombëtare për ndihmën e dhënë në konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe problemin të pazgjidhur të pronës në emër të qytetarëve të zonës turistike Vlorë-Sarandë kërkojmë publikisht ndihmën tuaj që zgjidhja e drejtë dhe e qëndrueshme e problemit të pronave të fillojë me zonën turistike. Zona Vlorë-Sarandë është zona më e nxehtë, ku grabitjet e politikanëve duken haptas, ku anarkia institucionale është e plotë dhe po ashtu zgjidhja është e thjeshtë dhe e qartë.

Ambasadorët e nderuar të KE, OSBE, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës etj., me shumë të drejtë, janë shprehur publikisht dhe kanë sensibilizuar për domosdoshmërinë e respektimit të titujve të pronësisë.

Politikanët, praktikisht nuk duan të veprojnë dhe shtyjnë kohën, pa bërë asgjë konkrete. Zgjidhja e drejtë mund të lehtësohet prej ambasadorëve të BE, OSBE dhe SHBA në Tiranë. Për të gjithë është i njohur se Ligji 9235 (i ndryshuar në 2006), i miratuar me asistencën e ish-ambasadorit, z. Osmo Lipponen, i dha mbështetje korrupsionit dhe përvetësimit të pronave prej politikanëve, ndonëse grabitja e planizuar kishte filluar pas vendosjes së pluralizmit vitin 1991.

Ligji aktual i kthimit dhe i kompensimit, edhe sikur të zbatohet me përpikmëri, nuk zgjidh, por e ngatërron problemin e pronës. Është pikërisht ky ligj që mbron padrejtësinë dhe anarkinë e titujve të pronësisë, pa folur për shqetësimet e shkaktuara nga zbatimet e këqija të këtij ligji të keq nga ky apo ai kryetar i komisioni. Ndihma që kërkojnë pronarët e Bregdetit prej ambasadorëve të institucioneve ndërkombëtare është që në marrëdhëniet reciproke t’i kërkohet, dhe të vihen afate kohore qeverisë aktuale Berisha II që:

1. Të pranojë si detyrim të shtetit zgjidhjen e problemit të pronës.

2. Të abrogohet ligji për legalizimin e ndërtimeve të kundërligjshme që persona të tretë kanë bërë te

trojet e subjekteve të shpronësuara që vazhdojnë të mbahen peng për arsye korrupsioni nga komisionet e kthimit të pronave.

3. Të përcaktohet një afat kohor për përfundimin në zonën turistike Vlorë-Sarandë të kthimit fizik dhe shpalljen e pavlefshmërisë së akteve të kryera në shkelje të titujve të pronësisë sipas përcaktimit të nenit 41 dhe 181/2 të Kushtetutës. Draftin e këtij projektligji për zonat turistike, shoqata jonë e ka të përfunduar dhe e kemi në dispozicion për cilindo që është i interesuar. Nëse këto parime kushtetuese dhe të së drejtës do të realizohen në një ligj, që mund të miratohet në komisionet me procedurë të shpejtuar dhe ai të fillojë të zbatohet para zgjedhjeve, atëherë fushata elektorale do të shkarkohet nga premtimet boshe për kompensim me prona publike në bregdet. Për bregdetin Vlorë-Sarandë e vetmja zgjidhje është kthimi. Kompensimi për pronarët e tjerë është

absurditet dhe arsyet janë trajtuar në shkrimet e botuara në media javën e kaluar nga Rrapo Hajredin Danushi, Agim Toro, në datën 13.01.2009 në gazetat “TemA” dhe “Sot” dhe në datën 14.01.2009 në gazetat “Republika”, “Koha Jonë”, “Telegraf” dhe “Metropol” dhe për bregdetin turistik nga Niko Nesturi, në datën 28 shkurt 2009 në gazetat “Sot”, “TemA”, “Zëri i Popullit”, “Telegraf”, dhe në datat e tjera në gazetat “Koha Jonë”, “Ndryshe”, “Metropol” etj.

Nëse Kryeministri Berisha, siç e ka pohuar edhe vetë në takimet me ne, pronarët, në zgjedhjet e mëparshme, “se ka ecur në rrugë të gabuar, se pronat do t’i kthejmë tek i zoti, se prona nuk mund të shfrytëzohet më për fushatë elektorale etj., etj”, pikërisht sot, i ka të gjitha mundësitë të punojë për korrigjimin e gabimeve të tij. Janë të gjitha mundësitë që para zgjedhjeve të përfundojë ligji dhe të fillojë reforma për respektimin e së drejtës së pronës së trashëguar që po shkelet brutalisht.

Meqenëse skandali dhe gafa e ministrit të Turizmit do të shfrytëzohet për një kohë të gjatë për të tërhequr vëmendjen nga problemet themelore, kushtëzimi nga ndërkombëtarët do të ndihmojë popullin, por dhe politikanët. Ne, pronarët autoktonë të Bregdetit Vlorë-Sarandë, kërkojnë pronat e trashëguara prej të parëve tanë, ato që janë të lira dhe ato që na kanë përvetësuar politikanët kleptokratë pas vitit 1991. Pronarët e Bregdetit dhe shoqata jonë nuk mashtrohet dhe nuk kërkon kompensim me troje në bregdet, se ne jemi në pjesën më të bukur të bregdetit.

Ne nuk kemi kërkuar as pará. E para, sepse nuk duam ta shesim me pará atdheun tonë, e dyta, ato pará nga do dalin, kush do të paguajë dhe kur do të shlyhet përfundimisht pronari. Me llogaritë e thjeshta pronarët do të shlyhen pas më shumë se 1000 vjetësh. Është më e logjikshme që secili, pasi ta marrë pronën në dorëzim të jetë i lirë ta shesë dhe ta disponojë sipas ligjeve dhe normave të njohura. Kjo kërkesë, që duket e pakonceptueshme për ndërkombëtarët, është baras me thirrjen: O ju politikanë dhe pushtetarë, mos vazhdoni më tej të shkelni Kushtetutën, por zbatojeni atë në praktikë. Një ligj me parimet e nenit 41dhe 181 të Kushtetutës, siç kërkohet në 12 kërkesat tona dhe të shoqatës “Pronësi me Drejtësi” dhe siç po kërkojmë edhe veçanërisht ne, pronarët autoktonë të Bregdetit, duke qenë detyrim i shtetit, do të zbatohet brenda një kohe të shkurtër. Ky ligj do të çlirojë nga kthetrat e mafies së trojeve turistike pronat, ose tokat e shtetit, ose publike dhe sipërfaqet që i përkasin pronës së pronarëve të shtetëzuar nga diktatura komuniste. Në nivel republike pronarëve, sipas statistikave të B. Botërore, iu përkasin 48%. Në zonën turistike shumica e sipërfaqes së shpronësuar padrejtësisht nga shteti komunist është e lirë. Zbatimi i ligjit mban të pandryshuar gjithçka që është bërë mirë në këto 18 vjet, por do anulohen vetëm ato vendime që juridikisht janë pa bazë ligjore, pasi janë nxjerrë në zbatim të keq të ligjit ose në raste të tjera bien ndesh me detyrimet kushtetuese parimet ndërkombëtare për të drejtën e pronës. Këto parime i anatemojnë politikanët që kanë vjedhur dhe skandali i ministrit të Turizmit që mobilizoi mediet e vendit dhe ato ndërkombëtare është shumë herë më pak i keq sesa anarkia institucionale me titujt e pronësisë. Me bërjen e shpejtë të këtij ligji, e drejta do t’iu kthehet faktikisht dhe fizikisht pronarëve, duke plotësuar një detyrim kushtetues që po shkelet prej vitit 1991. Kërkojmë që prona të shpallet detyrim i shtetit, pasi këto prona pas vitit 1991 nuk mund të quhen më të shtetit, dhe shteti që në 1991 kishte detyrim kushtetues t’i kthente në origjinë. Shteti gjithashtu i ka të gjitha levat, ai ka dokumentet kadastrale, ato të Arkivit të Shtetit dhe dokumentet e shpronësimeve (shpronësime të bëra në kohë të ndryshme pas vitit 1944 deri 1976). Ne nuk duam të bëhemi “Palestinë”, pasi shteti ta dokumentojë cila është prona e tij, siç kemi sqaruar në Rezolutën e Kuvendit Mbarëbregdetar për kthimin e pronës.

Procesi i kthimit me ndihmën e degëve të shoqatës tonë në fshatra përfundon në 6-8 javë pas hyrjes në fuqi të ligjit dhe kështu zgjidhja nuk kërkon

faturë financiare për shtetin. Nga kjo sipërfaqe (48%), që është e pronarëve, ne kërkojmë kompensim vetëm ato sipërfaqe të zëna me godina banimi para vitit 1991 dhe ato sipërfaqe që janë tjetërsuar për nevoja publike, që në bregdetin turistik Vlorë-Sarandë nuk përbëjnë as 2-3 %. Me këtë ligj që ne kërkojmë, qeveria do të detyrohet të deklarojë dhe të çlirojë pjesën 52%, ku titujt e pronësisë i përkasin shtetit dhe kuptohet se kompensimi i pronarëve nuk është problem, pasi kërkon një pjesë të vogël të kësaj sipërfaqeje dhe përsëri edhe pas përfundimit të kompensimit (që kërkon pak kohë, pas përfundimit të kthimit), shteti mbetet pronari më i pasur. Ndofta Shqipëria renditet nga shtetet me më shumë pasuri si përqindje dhe raport.

Ndërkombëtarët nuk duhet të investohen për këta lloj politikanësh që gjenerojnë korrupsion. Korrupsioni fillimisht u injektua me komisionet e kthimit të pronave. Kryetarët e komisioneve ndryshoheshin shumë shpejt, sepse pasuroheshin shumë, aq sa dilnin nga kontrolli i shefave. Ka kohë që në qarkun e Vlorës administrata është e tejngopur me korrupsion. Afrimi i fushatës elektorale duket se e detyroi kryeministrin Berisha dhe kundërshtarin e tij politik, z. Edi Rama, të flasin përsëri për pronën, por asnjëherë ata nuk kanë folur për respektim të titujve të pronësisë dhe për nenin 181 të Kushtetutës që vazhdon të shkelet. Jo vetëm këta, por edhe kryetari i LSI, z. Ilir Meta, dhe të tjerët po fillojnë të bëjnë fushatë elektorale me pronat, por ata nuk kanë guxuar t’i referohen termave “pronar” dhe “titujt e pronësisë” dhe domosdoshmërisë së respektimit të neneve 41 apo 181 të Kushtetutës. Sot, duhet të bëhet fushatë dhe do jetë i suksesshëm ai grupim politik që do të pranojë pa kushte dhe fut në program respektimin e titujve të pronësisë në përputhje me 12 pikat e parashtruar nga shoqatat tona, “Pronësi me drejtësi” dhe “Bregdeti” që janë e vetmja zgjidhje e butë, e thjeshtë, e qëndrueshme dhe pa faturë

financiare dhe në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe me rekomandimet e përsëritura të institucioneve ndërkombëtare.

Këtë radhë asnjë pronar nuk duhet ta hedhë votën kot, por deri në qershor ne kërkojmë të kemi përfunduar kthimin fizik. Ne pronarët e zonës turistike Vlorë -Sarandë, shpresojmë, me afrimin e afatit të pranimit të Shqipërisë në NATO dhe BE, dhe rikujtojmë letrat e zotit O. Rehn për domosdoshmërinë e kthimit të pronës në përputhje me titujt e pronësisë dhe kompensim në përputhje me detyrimet kushtetuese. Me përmbajtjen e këtyre letrave qytetarët janë njohur nëpërmjet medias. Kërkesa që i drejtojmë publikisht ambasadorëve të institucioneve ndërkombëtare për ta kushtëzuar shtetin shqiptar të respektojë liritë dhe të drejtat e njeriut dhe titujt e pronësisë të konkretizuar me kthimin fizik të pronës tek i zoti do të jetë distancimi konkret nga krimet e diktaturës dhe deformimi moral që vazhdojnë të jetojnë në oligarkinë e politikanëve

3 Komente

 Dikur kryetar i kesaj shoqate ka qene z. Vangjel, ndoshta nuk jeton me. Me autorin e ketyre radheve, jam dakort, se pa zgjidhur mire çeshtjen e prones, nuk ka prosperitet. 

sfide e forte e Bregut per Qeverine.

 

 

Këtë radhë asnjë pronar nuk duhet ta hedhë votën kot

 Kujdes me keto thirrje se pastaj e kuptojne qarte fare shqiptaret konfliktin e interesit dhe veshtire se zonja topalli fiton te tjere shorte per demshperblime pronash ne parlament. Jo per gje po ka plote demshperblime per te dhene shteti shqipetar sa te mos kene me kuptim kerkesat e ish pronareve te tokave te bukes.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).