Bardha: Korrupsioni, kanceri që pengon zhvillimin e Shqipërisë

INTERVISTA / Flet për “Korrierin” biznesmeni dhe lobisti më i njohur i shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rruga e mundimshme e diasporës për të bindur Uashingtonin të ndërhyjë në Kosovë

Ylli Pata

Ai është njeriu që ka futur thuajse gjithë politikanët kryesorë shqiptarë në korridoret hijerënda dhe shumë të mbyllura të “White House” dhe “Capitol Hill”. Që nga Berisha në vitin 1990 e deri te Hashim Thaçi. Ai një nga personazhet kryesorë të diasporës, që ka korrespondencë zyrtare dhe të rregullt me të gjithë krerët e Shtëpisë së Bardhë, që nga Riçard Niksoni e deri te Barak Obama. I njeh kongresmenët apo senatorët e SHBA-ve më mirë se kushdo dhe është padyshim shqiptari më i referuar nga politika zyrtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe këtë bagazh të fuqishëm e ka vënë në shërbim të vendit të tij që e adhuron shumë e që ka dhënë pjesën më të madhe të jetës së tij. Por që shteti i tij “amë”, Shqipëria, e drejtuar nga politikanët që ai i ka marrë për dore dhe u ka mësuar qoshet dhe sekretet e Amerikës, nuk ka vulosur qoftë edhe një rresht mirënjohjeje për këtë shqiptar të madh. Bëhet fjalë pikërisht për Ekrem Bardhën, 76-vjeçarin e lindur në Radanj të Leskovikut, por që aktualisht është një nga biznesmenët më të suksesshëm në SHBA dhe padyshim shqiptari më influent i diasporës së përtej Atlantikut. Energjik i pashtershëm, z. Bardha, i cili nuk i jep fare vitet që ka në shpinë, rrëfen në një intervistë për “Korrierin” rrugën e gjatë dhe të mundimshme të diasporës shqiptare në shërbim të çështjes shqiptare. Një rrugë që ka kërkuar shumë mund, para, por edhe përplasje për të arritur deri te pika finale: arritja që SHBA-të të jenë sot aleatët më të fuqishëm të shqiptarëve. Edhe pse e ka shitur resporantin në qendër të Tiranës, biznesmeni që cilësohet si një nga xhevahiret e superkorporatës “MC’Donalds”, thekson se do të investojë sërish në Shqipëri. Po, po, në bregdetin shqiptar, edhe pse qeveritë e njëpasnjëshme i kanë penguar vazhdimisht investitorët e diasporës, duke i kërkuar “hisen e majme”, apo duke mos hartuar politika favorizuese. Për Ekrem Bardhën, Shqipëria ka një problem të madh, që është korrupsioni. Sipas tij, “ai është një kancer që pengon të gjithë vendin”. Personaliteti i shquar shqiptar flet për shumë gjëra në intervistën për “Korrierin”, por veçanërisht i pëlqen të tregojë për Kosovën, çështjen që i dha aq shumë gjatë tërë këtyre viteve, por që nuk është vlerësuar siç duhet nga krerët e Kosovës...

-Zoti Bardha, tashmë festuam njëvjetorin e pavarësisë së Kosovës, një arritje e madhe për shqiptarët, por që u arrit falë mbështetjes së madhe të SHBA-ve. Por kjo përkrahje e Uashingtonit nuk erdhi brenda një dite, pasi ishte një proces i gjatë dhe i vështirë, ku diaspora shqiptare në SHBA pati një rol të jashtëzakonshëm. Ju jeni një nga përfaqësuesit më të shquar të diasporës në SHBA. Cilat kanë qenë fillimet e kësaj ndërmarrjeje të diasporës, por edhe e juaja personalisht?

“Jam larguar nga Shqipëria në vitin 1953 dhe deri në vitin 1966 kam qenë një i ri antikomunist që urreja diktaturën. Në një udhëtim që bëra atëherë në Paris, u takova me një nga personalitetet e njohura shqiptare, profesorin e nderuar Abaz Ermenji. Mund të them që zhvillova një bisedë të gjatë prej tri orësh me profesor Ermenjin, ku ai foli shumë për Kosovën. Në një moment unë i thashë: “Zoti profesor, a mund t’ju ndërpres? - Po, po, - ma ktheu ai”. Atëherë isha i ri dhe nuk dija shumë për Kosovën. E pyeta profesorin: “A ka ndonjë shpresë që ne të kthehemi në Shqipëri dhe të përmbyset regjimi komunist dhe Shqipëria të demokratizohet?Ai ma ktheu: More djalë, duam s’duam, sot kemi një shtet, kemi një Enver diktator, por gjithsesi kemi një shtet dhe atë që nuk e kemi dhe na është mohuar, është problemi i Kosovës. Të gjithë shqiptarët duhet të bashkohen dhe të mobilizojnë forcat pa përjashtim nga ana politike e të bëjmë Shqipërinë etnike, të bashkohemi me Kosovën”. Që atëherë unë u ktheva në Amerikë dhe të gjitha energjitë e mia i aktivizova për çështjen shqiptare. Njoha disa kongresmenë amerikanë, flas nga viti 1966, 1967, 1968. Në atë kohë arrita të realizoj një takim me Presidentin e SHBA-ve, zotin Riçard Nikson. Në atë kohë, gjeneralët grekë kërkonin copëtimin e Shqipërisë. Ne të diasporës u shqetësuam, ishte shumë rrezik atëherë. Në takimin me presidentin Nikson i fola për këtë shqetësim, edhe pse nuk ishte e lehtë për mua, pasi unë isha antikomunist dhe në atë kohë ishte kulmi i diktaturës. Unë e bëra këtë si patriot. Me dorën e tij, Nikson shkroi një premtim që e kam dhe origjinalin ku thuhet: “Unë nuk do të lejoj në asnjë mënyrë që kërkesat greke të jenë agresive për ndarjen e Shqipërisë”. Origjinalin e kësaj letre e kam në zyrë, ndërsa diplomatët amerikanë në Kongres nuk dinin atëherë për Kosovën. Jugosllavia e Titos ka qenë një ndër vendet më të favorizuara. Politika amerikane ishte që të mos ndahej Jugosllavia. Por ndodhi një ngjarje që ndryshoi paksa rrjedhën e zhvillimeve. Ishte një djalë nga Malësia e Madhe, Peter Ivezaj, që mori pjesë në një demonstratë paqësore në Uashington D.C. Ai u fotografua në atë miting, ishin shqiptarë ata që e bënë dhe e dërguan foton tek UDB-ja jugosllave. Konsullata jugosllave në Çikago i dha leje të kthehej në vendlindje, por sapo mbërriti, u arrestua nga UDB-ja. Qëllimi ishte të frikësohej diaspora që të mos organizohej. Ai u dënua me 7 vjet burg. Një miku im kongresmen, Brumfilld, që tani është tek të nëntëdhjetat, e ngriti këtë çështje në Kongres dhe brenda disa minutash, 160 vota u ngritën pro dënimit të aktit të qeverisë së Beogradit ndaj Peter Ivezajt. Kongresi kërcënoi Jugosllavinë për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike dhe tregtare, nëse shtetasi amerikan me kombësi shqiptare nuk lirohej nga burgu. Këto gjëra në fakt ende nuk dihet. Kjo ngjarje ndodhi në vitin 1986. Diaspora zhvilloi dhjetëra demonstrata në Nju Jork, Uashington D.C, Detroit etj., duke e kthyer në një çështje në kancelaritë amerikane. Diaspora shqiptare nuk ka dhënë vetëm energjitë dhe të ardhurat e saj për çështjen e Kosovës, por ka rrezikuar edhe jetën. Ka shumë raste, kur shumë veprimtarë të diasporës janë eliminuar nga UDB-ja jugosllave, ndërkohë që kanë dënuar një numër i madh aktivistësh të çështjes shqiptare”.

-Pas rrëzimit të komunizmit në Evropën Lindore erdhi edhe shpërbërja e Jugosllavisë, që u shoqërua me luftën në Slloveni, Kroaci e më pas Bosnje. Administrata amerikane e kishte dhimbje koke situatën në Ballkan, por Kosova ende ishte jashtë axhendës, sepse kishte gjëra më të ngutshme, si mbyllja e masakrave në Bosnje. Si erdhi dhe u poq ndërhyrja në Kosovë, me syrin tuaj që lobonit vazhdimisht në Uashington?

“Ishte një punë mjaft e gjatë dhe e vështirë. Nuk reshtëm së takuari politikanët më influentë të Kongresit, që ende nuk kishin shumë ide për Kosovën, madje nuk dinin të shpreheshin se duhej “Kosova” apo “Kosovo”. Ne ngulitëm idenë e një racizmi shtetëror kundra shqiptarëve që përbënin 90 për qind të popullsisë në Kosovë. Folëm për persekutimet, vuajtjet etj. E rëndësishme është që për këtë çështje, të gjithë shqiptarët u bashkuan. Ne e morëm shumë seriozisht çështjen e Kosovës dhe diaspora u organizua shumë dhe roli i saj është i patjetërsueshëm, pasi në SHBA bëhet edhe politika e botës. Së bashku me ish-ambasadorin Uilliam Rajerson, jemi krijuesit e Këshillit Shqiptaro-Amerikan, që ka qenë dhe vazhdon të jetë ura lidhëse me politikanët amerikanë për problemet e Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Shqipërisë”.

-Presidenti Klinton kreu vendimtari për ndërhyrjen në Kosovë. Por pjekja e politikës amerikane erdhi që me administratën e presidentit Bush (të madhit). Cilët kanë qenë kontaktet tuaja me administratën amerikane?

“Mobilizimi ynë ka qenë i madh për të kontaktuar me qarqet më të larta të politikës amerikane, por ka pasur episode të veçanta, që i kanë dhënë një peshë të madhe kësaj pjekjeje të qëndrimit të Uashingtonit. Po ju jap një shembull: vajza ime, Donika, erdhi në Shqipëri për dy muaj, për të më ndihmuar mua për menaxhimin e restorantit, por qëndroi 13 vjet. Në vitin 1999, kur erdhi eksodi i madh i shqiptarëve të Kosovës në Shqipëri, vajza ime e ktheu restorantin në dispozicion të bashkatdhetarëve tanë. Rreth 85 familje atëherë janë ushqyer në restorant “Piazza”. Duke ndenjur me të dëbuarit nga Kosova, Donika zbuloi një rast ku kishte disa vajza të mitura 13-vjeçare që ishin përdhunuar nga serbët. Ajo shkoi bashkë me televizionin amerikan CNBC tek to, ku Donika përkthente, por vajzat refuzonin të dilnin nga çadrat. Donika e tronditur i shkruan Ilirit, djalit tim, një e-mail, ku i tregon rastin e vajzave të mitura. Këtë letër unë ia jap një mikut tim kongresmen. Ai ia dërgon menjëherë presidentit Klinton, i cili e mori seriozisht dhe kërkoi takim me familjen Bardha. Më pas unë zhvillova një takim që zgjati rreth 30 minuta me presidentin Klinton në Detroit. Ai më pyeti dhe u mërzit shumë për gjendjen e shqiptarëve. Presidenti Klinton më tha se “si mund të lejojmë ne të ndodhin gjëra të tilla”. Pas kthimit në Uashington mori vendimin për ndërhyrjen në Kosovë. Por kjo punë nuk u bë brenda një dite, ajo filloi që në vitet ‘60-të. Zhvilluam vite e vite të gjata lobimi dhe një fushatë të madhe për të informuar dhe ndërgjegjësuar kongresmenët dhe politikanët e lartë amerikanë. U shpenzuan miliona e miliona dollarë nga të ardhurat e diasporës sonë, zhvilluam shumë demonstrata kudo në qytetet e SHBA-ve”.

-Në fakt, lobimi në SHBA kryesisht kërkon fonde të mëdha dhe kjo është edhe ana e panjohur e punës së diasporës...

“Po, po të gjitha këto punë bëhen me dollarë. Ka shumë shqiptarë që kanë dhënë kontribute të mëdha. Për shembull në fushatën për president të SHBA-ve, shqiptarët mblodhën 650 mijë dollarë për Xhon Kerrin, nga të cilat vetëm unë dhashë 100 mijë dollarë. Të njëjtën shumë dhamë edhe për Bushin. Këtë politikë kanë bërë shqiptarët”.

-A ka pasur pengesa apo përçarje brenda diasporës shqiptare në SHBA?

“T’i bashkosh shqiptarët nuk është aq e lehtë, por unë e them me krenari, se në rastin e Kosovës, të gjithë u bëmë bashkë”.

-Zoti Bardha, sipas jush, cila ka qenë performanca e partneritetit të Tiranës zyrtare me qeveri të ndryshme në lidhje me diasporën në SHBA?

“Ka pasur kontakte të ngushta. Unë personalisht kam sponsorizuar Sali Berishën dhe Gramoz Pashkon që në fillim, më vonë erdhi edhe Azem Hajdari. Unë i vura në kontakt me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, me senatorë dhe kongresmenë”.

-Në fakt, qeveritarët tanë kryesisht këto takime apo suksese ndërkombëtare i kanë marrë si merita personale, duke harruar edhe një mirënjohje kortezie ndaj diasporës...

“(Qesh) Në deklaratat e tyre, qeveritarët shqiptarë kanë vlerësuar rolin e diasporës. Këtë e tha edhe Berisha gjatë takimit që zhvilloi së fundmi në SHBA me shqiptarët. Por, gjithsesi, publikisht të gjithë politikanët mungojnë të thonë fjalën: Faleminderit diasporë”! Nuk di se sa shqiptarë nga diaspora janë vlerësuar me dekorata apo nderuar me medalje, ndërkohë që presidenti jep shumë medalje. Nuk e di sesi kjo diasporë, nuk flas për veten time, pasi ka dhe vajza dhe djem të rinj që janë shkolluar në Harvard dhe universitetet më të mira amerikane, që nuk janë emëruar në administratën shqiptare. Nuk ke asnjë nga djemtë dhe vajzat tona, që të jenë emëruar në diplomaci, kur kanë të gjitha atributet për të dhënë ndihmesën e tyre, falë edhe shkollimit apo dhe përgatitjes”.

-Kosova sapo festoi njëvjetorin e pavarësisë. A keni qenë ju në Prishtinë dhe si e konsideroni qëndrimin e krerëve të Kosovës, nga të cilët mungoi referimi për kontributin e diasporës?

“Në fakt, nga krerët e Kosovës ka munguar edhe mirënjohja edhe për punën e Shqipërisë. Ishin shqiptarët e Shqipërisë që hapën zemrat dhe i bashkuan me ata të vëllezërve të ardhur nga Kosova. Edhe shteti shqiptar pati një kontribut të jashtëzakonshme. Duhej një falënderim për këtë kontribut. Kam qenë dy herë në Kosovë, por kur president ishte zoti Rugova, ndërsa tani nuk kam qenë. E kam takuar Thaçin në Detroit. Kur ata kishin nevojë vinin edhe në Detroit, edhe në Filadelfia, edhe në Boston të më takonin. Ndërsa tani...”

-Zoti Bardha, si e shikoni ju aktivitetin në Shqipëri, a keni menduar t’i hyni politikës?

“Këtë pyetje ma kanë bërë shumë. Unë kurrë s’kam menduar të merrem me politikë. Dëshira ime ka qenë që, sa të kem mundësi dhe fuqi, të kontribuoj për vendin tim. Unë i mungova vendit tim për dyzet e ca vjet, por gjithmonë kam bërë thirrje që diaspora të kthehet dhe të ndihmojë. Diaspora nuk i është përgjigjur aq sa duhet. Lobi ynë është i madh dhe i fuqishëm. Ka pasur tërheqje dhe pasiguri, por unë gjithë jetën time kam qenë optimist, ndaj dhe mendoj se gjërat do të përmirësohen”.

-Në këtë kohë krize, cila është receta e Ekrem Bardhës për të ecur përpara dhe si mendoni, a e favorizon shteti shqiptar klimën për investitorët?

“Nuk është e lehtë për biznesin e huaj të investojë në Shqipëri, por një investim i jashtëzakonshëm mund të nisë nga turizmi. Një e tillë ka nisur edhe unë në bregdetin shqiptar. Por kjo nuk do të thotë se të gjithë mund të investojnë, Shqipëria nuk ka shumë tokë, ndaj duhet që shqiptarët të kthehen në vendin e tyre dhe të investojë. Një nga defektet që Shqipëria ka është korrupsioni, i cili e pengon seriozisht zhvillimin. Të gjithë flasin për të luftuar korrupsionin, por ai është kthyer si kanceri që vete te doktori dhe të thotë që ke vetëm 6 muaj jetë. Ai nuk zhduket kollaj...”

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).