Athina në flakë, sulm bankave e zyrave publike

ATHINE -Sulm kundër zyrave të administratës publike dhe bankave të huaja në Greqi. Situata në vendin fqinj acarohet ditë pas dite, ndërsa dje ekstremistët e majtë sulmuan zyrat e administratës si dhe institucioneve bankare. Një zyrë e agjencisë greke për punësimin, një degë e inspektoratit të punës dhe një magazinë me materiale sportive u dogjën gjatë natës së kaluar si pasojë e këtyre sulmeve. "Sulmet kanë shkaktuar dëme të mëdha, por jo të plagosur dhe ndërkohë asnjë person nuk është arrestuar ende lidhur me këto ngjarje", - njoftoi policia. Ato kanë ndodhur rreth mesnatës, me diferencë kohe prej 10 minutash nga secila prej tyre. Policia nuk i ka identifikuar autorët e këtyre tri zjarreve, por mendon se ata mund të kenë lidhje me sulmin me acid kundër një sindikalisti bullgar në muajin dhjetor. Në mëngjes një bombë shpërtheu pranë një agjencie të bankës "Citibank", degë e gjigantit amerikan Citigroup, në veri të Athinës. Policia njoftoi se bomba shkaktoi dëme materiale, por me sa duket jo viktima. Dy makina u dëmtuan gjithashtu nga shpërthimi. Përpara një muaji policia çaktivizoi një bombë të fuqishme, të vendosur në një makinë që ishte parkuar përpara selisë së "Citibank" në lagjen "Kifisia", disa kilometra nga vendi ku ndodhi shpërthimi i mëngjesit të sotëm. Asnjë arrestim nuk u bë pas këtij shpërthimi. Policia greke dyshon se "Organizata Revolucionare", një organizatë e ekstremit të majtë që konsiderohet si më e rrezikshmja në Greqi, është përfshirë në këtë atentat. "Organizata Revolucionare" ka organizuar një sulm me raketa kundër ambasadës së Shteteve të Bashkuara në vitin 2007. Bankat e vendit janë shpesh objektiv i sulmeve që vijnë nga grupe anarkiste. Ndërkohë, gjatë dy netëve më parë në Athinë u dogjën zyrat e disa agjencive të tjera shtetërore si dhe të institucioneve sportive e kulturore. Sulmet u kryen brenda një ore. Incidentet e fundit si dhe vdekja e një adoleshenti të vrarë me armë zjarri nga policia në Athinë, kanë rritur tensionin social në Greqi. Sulmet kriminale kundër godinave qeveritare janë shtuar veçanërisht gjatë muajve të fundit në Athinë dhe Selanik. Protestat nisën që në fund të muajit dhjetor në Athinë si dhe në qytete të tjera kryesore të vendit mënjëherë pas vrasjes së adoleshentit nga policia dhe ende nuk janë qetësuar. Opozita ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Kostas Karamanlis, por ky i fundit ka bërë të ditur se nuk do të lërë pushtetin, ndërsa kandryshuar disa prej ministrave në kabinetin e tij qeveritar. Ai ka bërë të ditur nuk do të shpallë zgjedhjet e parakohshme në vend, pasi nuk është ende koha për to.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).