ARMO para një skandali të ri në privatizim: Ka fshehur investimin e Eurodieselit nga inventari

 

ARMO para një skandali të ri në privatizim: Ka fshehur investimin e Eurodieselit nga inventariMinistria e Ekonomisë ka heshtur për deklaratën e pronarit të ri të ARMO-s, Rezart Taçi, rreth prodhimit të eurodieselit në rafinerinë e ARMO-s në Ballsh.

Lajmi fillimisht ka shqetësuar zyrtarët e lartë të Ministrisë së Ekonomisë, të cilët thirrën dje në takim për rreth dy orë biznesmenin në fjalë. Taçi në takim më zyrtarët e lartë të ministrisë ka zbuluar pa dashje një tjetër skandal nga privatizimi i ARMO-s. Ai u ka shpjeguar atyre se brenda rafinerisë së vjetër të Ballshit, e cila nga gjithë ekspertët është konsideruar një grumbull hekurishtesh, qenkëshin bërë disa investime të reja nga shteti shqiptar në një repart për prodhimin e D1, që nuk ishte përdorur asnjëherë. Ky repart nuk figuron në inventarin e ARMO-s, i përshkruar si investim i ri teknologjik. Nuk dihet sa e vërtetë është kjo, por, nëse vërtetohet, atëherë jemi para një skandali të ri me privatizimin e kësaj kompanie. Taçi ka siguruar zyrtarët e lartë të Ministrisë së Ekonomisë se ai mund të prodhojë deri në 1 mijë tonë D1 në ditë me këtë teknologji, që e ka gjetur të gatshme dhe që në planin e biznesit të tij parashihej të bëhej për tre deri në pesë vjet. Pra, jemi para një mashtrimi nga shteti për llogari të Taçit ose mashtrim nga Taçi për llogari të vet, duke maskuar futjen kontrabandë në tregun shqiptar të naftës D1 dhe përzierjes të saj me naftën e Ballshit.

Zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë janë befasuar nga deklarata e bujshme gjatë takimit që kanë pasur në orët e vona të mbrëmjes së datës 18 në ministri. Burime bëjnë të ditura se i ka shprehur shqetësimin për situata të tilla të nxituara, të cilat vënë në pozitë të vështirë vetë ministrin Ruli, i cili pati deklaruar kohë më parë se ARMO është një teknologji e vjetruar dhe ndaj nuk pati interes nga investitorë strategjikë për ta blerë atë.

Pritet që disa nga konkurrentët në garën për ARMO-n të nisin procedurat për të paditur ministrin Ruli në prokurori për mashtrim publik dhe ndikim për pabarazi në privatizimin e ARMO-s.

Ky hap do të ndihmojë për zbardhjen e së vërtetës për deklaratat e Taçit se ARMO prodhon eurodiesel dhe indiferencën e ministrisë, e cila në rastin më të keq merr në mbrojtje biznesmenë si Rezart Taçi, të lidhur drejtpërdrejt me pastrimin e parave nga Azerbajxhani. Për këtë arsye duket se partneret e Taçit në konsorcium nuk po dalin më në skenë dhe për këtë shkak ministria nuk bën publik asnjë dokument për pagesën e blerjes së ARMO-s.

Inspektorati i Kontrollit të Hidrokarbureve, i cili jo në pak raste ka konstatuar se “Taçi Oil” ka shitur D2 për eurodiesel, duhet të shprehet që mos ta pësojë konsumatori, i cili është në rrezik, pasi kjo është një skemë e qartë përfitimi në kurriz të publikut dhe shkelje e rregullave të konkurrencës.

Nga ana tjetër duket e pashpjegueshme dhe heshtja e Bankës së Shqipërisë dhe guvernatorit Fullani për një deklaratë tjetër të Taçit se ka blerë një bankë në Shqipëri, që në fakt, sipas vetë zyrtarëve të kësaj banke, ka mbrapa qarqe të dyshimta nga Azerbajxhani që kanë nën kontroll të plotë Rezart Taçin, i cili përdoret për të pastruar paratë e tyre në Shqipëri.

2 Komente

ose mashtrim nga Taçi për llogari të vet, duke maskuar futjen kontrabandë në tregun shqiptar të naftës D1

Kaq e veshtire qeka te vertetohet nese kjo fabrika (qe s'besoj se eshte e vogel sa nje lavatrice) ekziston ose jo atje ne Ballsh?

 

Nga ana tjetër duket e pashpjegueshme dhe heshtja e Bankës së Shqipërisë dhe guvernatorit Fullani për një deklaratë tjetër të Taçit se ka blerë një bankë në Shqipëri

Haha! Me verte prisni qe Fullani te thote gje? Pse nuk pyesni sa para i jane fut ne xhep Fullanit? Gojet e keqija (por qe kane qene prezente kur beheshin kontratat) thone qe ende pa ardhur ne detyre Fullani (por pasi ishte miratuar), Banka Pugliese ia zbuti pak xhepin Fullanit me te pakten 250 mije euro qe te lejohej te blinte banken Dardania.

 

a behet ndonje "aksident teknologjik" andej nga armo?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).