Ambasadorë të kryeministrit, ambasadorë të presidentit

Në të gjithë librat për diplomacinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare ambasadorët përkufizohen si të dërguar dhe përfaqësues të shtetit. Nuk ndodh kështu në Ballkan, ku si rregull çdo gjë është përjashtim nga rregulli botëror. Ambasadorët e Ballkanit, para se të jenë të shtetit, janë të detyruar të jenë të kryeministrit, të presidentit, të kryetarit të parlamentit, të kryetarëve të partive të koalicionit etj, etj. Nëse dikush jashtë Ballkanit kishte ndonjë dyshim për këtë të vërtetë, përplasja mes kryeministrit kroat, Ivo Sanader dhe presidentit kroat, Stipe Mesiç, për ambasadorët, sjell një dëshmi të re të përjashtimit ballkanik, ku rregullat e Europës dhe të botës ose nuk hyjnë fare, ose hyjnë me 100 vjet vonesë.
“Një përplasje e ashpër mes presidentit Stipe Mesiç dhe kryeministrit Ivo Sanader është rritur në mënyrë shumë të hidhur këto ditë për çështjen e politikës së jashtme dhe të ambasadorëve, dhe detajet e një lufte pothuaj të hapur kanë dalë në publik. Një numër shumë i madh ambasadorësh po jetojnë me frikën e humbjes së postit të tyre, për shkak se lufta mes udhëheqësve të shtetit po bëhet nëpërmjet tyre”, shkruante me 3 mars gazeta kroate “Nacional”, e cila bënte edhe një listë, duke thënë se nga mbi 50 ambasadorë, rreth 30 janë të kryeministrit, 15 janë njerëz të presidentit, dhe rreth 10 të tjerët janë neutralë, diplomatë profesionistë. Kryeministri po kërkon me çdo mënyrë të heqë ambasadorët e presidentit dhe të vendosë kontrollin e tij të plotë në rrjetin e ambasadorëve, për t’i paraprirë situatës dhe ta ketë mbushur shërbimin e jashtëm me njerëzit e tij, kur të zgjidhet presidenti i ri. Presidenti, i cili është në muajt e fundit të mandatit të tij presidencial, nga ana e vet po kërkon që të mbrojë njerëzit e tij në rrjetin e ambasadorëve, duke iu kundërpërgjigjur në terren kryeministrit. Të dy së bashku, nëpërmjet dërgimit të njerëzve të tyre të besuar politikë, pakësojnë numrin e ambasadoreve profesionistë, të cilët siç shihet janë katandisur në më pak se një të dhjetën e trupit ambasadorial.
Në këtë përplasje mes kryeministrit dhe presidentit për emërimet dhe kontrollin e rrjetit të ambasadorëve, janë interesante dhe tërheqin vëmendjen metodat e përdorura në këtë luftë “diplomatike” të nivelit më të lartë shtetëror. Siç nuk mund të ishte ndryshe në Ballkan, si trashëgimtar i denjë i Bizantit, lufta për ambasadorët po bëhet mbi bazën e intrigave të sofistikuara të njërit klan kundër tjetrit, dhe ku ambasadorë e diplomatë janë instrumente dhe viktima.
Metoda e parë është ajo tradicionale ballkanike: e spiunimit të njeri-tjetrit. Ambasadorët dhe diplomatët nëpër ambasadat spiunojnë dhe spiunohen në bazë të lidhjeve, vartësive dhe interesave, që kanë me njerëzit e fuqishëm, që i kanë dërguar. Njerëzit e kryeministrit spiunojnë kundër njerëzve të presidentit dhe njerëzit e presidentit spiunojnë kundër njerëzve të kryeministrit.
Në Ministrinë e Jashtme të Kroacisë është një drejtori, Drejtoria e Shtatë, e cila merret me ushtrimin e zbulimit dhe kundërzbulimit të jashtëm. Është praktikë e njohur e organizimit të ministrive të jashtme të shteteve të ndryshme, që kanë nga një drejtori të posaçme brenda strukturës së tyre, e cila ka emërtim numërori si kjo Drejtori e Shtatë, dhe që ka mandat të mbrojë interesat e vendit, duke kombinuar dhe bashkëpunuar diplomacia me zbulimin. Por në Ballkan kjo praktikë ndërkombëtare si rregull shtrembërohet dhe këto lloj drejtorish me numra, në vend që të mbrojnë interesat e shtetit në përballimet me sfidat dhe kërcënimet, që mund të vijnë nga jashtë, shndërrohen në një instrument të luftës për pushtet dhe ndikim mes kryeministrit dhe presidentit.
Drejtoria e Shtatë e MPJ të Kroacisë ka dërguar agjentë të saj në rangjet e ulëta të ambasadave, të cilët, siç shkruan “Nacional”: “monitorojnë nga afër hap pas hapi shefat e misioneve dhe i çojnë raporte të përditshme Drejtorisë së Shtatë për këtë qëllim”. Natyrisht ky “monitorim” nuk është gjë tjetër veçse spiunimi i përditshëm, që diplomatët spiunë i bëjnë ambasadorëve dhe i raportojnë njeriut apo qendrës, që i ka dërguar dhe ka interes të kontrollojë “besnikërinë” politike të rrjetit të shërbimit diplomatik. Nëse shefi i misionit konsiderohet i presidentit, spiunët e ministrisë synojnë ta godasin, nëse është i kryeministrit, spiunët e ministrisë i mbulojnë bëmat. Kështu u dogj një nga ambasadorët, që konsiderohesh njeri i presidentit, ambasadori kroat në Portugali, Zelimir Brala, të cilin e përgjonte dhe e spiunonte shoferi i tij, një spiun i Drejtorisë së Shtatë, dhe e raportonte në Zagreb sikur ambasadori frekuentonte lokalet e prostitutave, meqë Instituti i Gjuhës Portugeze, ku ambasadori mbronte doktoraturën, ndodhej në një zonë të Lisbonës me lokale të tilla. Mbi këto raporte spiunimi të shoferit agjent, ambasadori u largua nga posti në prill 2007.
Nga këto përvoja bizantine të standardit të spiunimit dhe të intrigave brenda shërbimit diplomatik, është e kuptueshme se i humburi i parë është vetë shërbimi diplomatik. Sepse ambasadorët dhe diplomatët, në vend që të merren me diplomaci, do të angazhohen si të spiunojnë dhe si të ruhen nga spiunimet e njeri-tjetrit. I humburi i dytë është vetë shteti, sepse këtë praktika godasin dhe pakësojnë kapacitetet e shërbimit të vet diplomatik, dhe e kthen rrjetin diplomatik në një shesh lufte politike për pushtet mes presidentit dhe kryeministrit, apo mes partive politike, e cila njëra mund të ketë presidentin dhe tjetra mund të ketë kryeministrin.
Ajo që rezulton nga këto historira ngatërresash dhe intrigash ballkanike në nivelet e larta të diplomacisë dhe të shtetit, është e vërteta e hidhur se sa pak ka ndikuar dhe po ndikon procesi i integrimit europian në europeizimin e jetës dhe të mentalitetit ballkanik. Kroacia është konsideruar si një nga shtetet me standardet më të zhvilluara të Ballkanit dhe fakti, që ajo është më afër anëtarësimit në BE sesa shtetet e tjera të të ashtuquajturit Ballkan Perëndimor, tregon se në Bruksel dhe në shtetet europiane ekziston opinioni që shoqëria kroate ka bërë hapa të mëdha drejt europeizimit të saj. Por kur ky nivel europeizimi është kaq i katranosur me bizantinizëm e ballkanizëm në këtë shoqëri dhe në nivelet e larta e shtresat e larta të saj, është e lehtë të merret me mend se si mund të jetë në shtetet e tjera të Ballkanit.
Rasti kroat është një rregull ballkanik. Janë të njohura përplasjet zyrtare dhe publike mes presidentit maqedonas, Branko Cervenkovski, dhe kryeministrit, Nikolla Gruevski, për çështjen e ambasadorëve, ku secili kërkonte të dërgonte njerëzit e vet dhe bllokonin njëri-tjetrin. Janë të njohura përplasjet zyrtare e publike mes presidentit rumun Trajan Basesku dhe kryeministrit të tij Kalin Popesku. Janë të njohura përplasjet zyrtare e publike për ambasadorët mes presidentit serb Boris Tadiç dhe kryeministrit te tij, Vojislav Koshtunica.
Gjëja tjetër që bie në sy, është se fenomenin e përplasjeve dhe të luftës për ambasadorët, mes presidentit dhe kryeministrit, luftë e shndërruar në një qëllim më vete, e konstaton si praktikë dhe si standard në ato shtete të Ballkanit, të cilat vijnë nga regjimet komuniste. Nuk e has këtë luftë për ambasadorë në Greqi apo në Turqi. Me sa duket ideologjia komuniste është e ngjashme dhe do të ketë huazuar shumë nga mentaliteti dhe metodat bizantine. Dhe kuptohet se çfarë hibridi mund të ketë dalë nga shartimi i komunizmit me bizantinizmin, dhe se sa larg janë nga europeizimi i vërtetë shoqëritë dhe shtetet ballkanike.

1 Komente

Epo hajde artikull hajde! Duhet ta kete perkthyer ky boti, se nuk eshte e mundur qe nje shqiptar te mos jete ne dijeni te katastrofes diplomatike te vete shtetit shqiptar!

Te ne nuk ka rrugac, injorant, kriminel e halabak qe nuk eshte bere ambasador, e keta vene e merren me Kroacine dhe "i qajne hallet" atyre...

Zot i madh...  e harxhova dhe nje koment kot me kot me budallalleqet e shqiptareve... ika se me zuri koka...peshq, shihemi pas nja 2 muajsh te tjere.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).