10 mijë bileta në një vit

Të dhënat e kinema Millenium tregojnë regres konstant të shikueshmërisë së filmit shqiptar. Mars 2008-mars 2009, për katër tituj të rinj, vetëm në Tiranë janë shitur 10148 bileta. Producentët regjisorë administrojnë sipas dëshirës projeksionin nëpër rrethe ku filmat nuk kryejnë xhiron e plotë. A ushtrohet kontroll nga autoritetet që iu japin fonde buxhetore?

Me mbylljen e muajit mars, mbyllet një vit plot i shfaqjes në kinema të filmave shqiptarë të dy viteve të fundit. Edhe në këtë rast, në mënyrë të padrejtë, Tirana përfaqëson Shqipërinë.

Të dhënat janë vetëm për shikueshmërinë në kryeqytet, sepse siç bëjnë të ditur burimet e Milleniumit, këta filma nuk kanë kryer ciklin e plotë të projeksioneve në kinematë Millenium në rrethe, për të mos thënë që janë shfaqur vetëm në Tiranë.

Millenium i dha "Shekullit" të dhënat e mëposhtme: "Trishtimi i Zonjës Shnajder" 5.200 bileta (mars 2008), "Sekretet" 1.191 bileta (maj 2008), "Koha e kometës" 2.279 bileta (shtator 2008), "Ne dhe Lenini" 1.478 bileta (janar 2009).
Nuk janë llogaritur projeksionet për publikun me ftesa.

Dhe më mirë kështu. Teatrot në Shqipëri (sallat e operës, baletit, teatrit, kinemas&eumlsmiley nuk i kanë bërë kulturë shfaqjet vetëm me bileta dhe llogaritjen e të dhënave vetëm mbi bazë të shitjes së biletave.

Është një marrëdhënie, që në rastin e kinemasë njihet nga Ligji "Për Kinematografinë" (1996), por nuk i jepet rëndësi sepse është më i fortë një nen tjetër i pashkruar, ai që pranon se filmat tanë nuk kanë publik dhe s'mund të kërkosh fitime nga shitja e biletave. Këto të ardhura hyjnë megjithatë tek të ardhurat që Qendra Kombëtare Kinematografike siguron "nga qarkullimi dhe shitja e veprave filmike, krijuar me fonde buxhetore ose pjesërisht buxhetore".

Në total, të katër filmat e projektuar në më pak se një vit, janë ndjekur nga 10.148 shikues me biletë. Krahasimet, me filma të tjerë shqiptarë dhe të huaj janë bërë shpeshherë, nuk thonë më shumë se sa fakti që kemi të bëjmë me një regres të pandryshueshëm të shikueshmërisë.

Gjashtë vjet përpara një film shqiptar që bënte xhiron e 3-4 kinemave në rrethe, arrinte të kapte edhe 8 mijë bileta të shitura.
Analiza e të dhënave tregon për një çrregullsi të shpërndarjes së filmit në sallat e kinemave në rrethe.

Producentët apo shtëpitë kinematografike që në shumicën e rasteve drejtohen nga vetë regjisorët, administrojnë sipas dëshirës sidomos projeksionin në rrethe ku filmat nuk kryejnë xhiron e plotë. Kështu ka ndodhur me tre nga katër filmat e listës së mësipërme. Premiera në Tiranë merr vëmendjen maksimale, pastaj të bëhet ç'të bëhet.

"Trishtimi i zonjës Shnajder" i regjisorit Pirro Milkani na dha dy modele të "shitjes" së veprës filmike, apo të promocionit: njëri ishte modeli korrekt, nëpërmjet reklamave në TV dhe tjetra ishte "shitja" e jetës private që regjisori përdori duke e çuar në ekstrem rrëfimin e autobiografisë së viteve të rinisë.

Po të shohësh titujt e gazetave kryesore apo të revistave për gratë, deklaratat e Milkanit janë veshur edhe me banalitete për "intimitetet me çeket". Ishte një lloj jete e nxjerrë në pazar.

Tek preventivi i projektit për filmin artistik (dhe për të gjitha e llojet e gjinive filmike) në zërin e pasprodhimit (përveç montazhit të figurës, montazhit të zërit, miksazhit, llogariten edhe "publiciteti, postera, reklamacion".

Kjo është shkalla e fundit e ferrit të vështirësive që duhet të kapërcejë regjisori shqiptar. Sa shpenzohet për promocionin?

Përvoja ka treguar se ai zë nuk merret fort në konsideratë. Propaganda në media është e vetmja formë promocioni (edhe kjo jo e ndërtuar sipas një modeli) që njihet për filmin shqiptar.

Nuk po llogarisim detyrimin ligjor që Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka për të mbështetur financiarisht me një fond të veçantë buxhetor, projektet e shpërndarjes së veprave filmike shqiptare, brenda dhe jashtë vendit.

Burimet e zyrës së shtypit pranë Milleniumit thanë se filmi i fundit shqiptar "Ne dhe Lenini" i regjisorit Saimir Kumbaro ka reshtur së shfaquri në kinematë e rretheve, për t'u rikthyer pak më vonë.

Pas premierës në Tiranë në fund të janarit, publiku në rrethe nëpërmjet medias mund të ishte duke pritur një dialog me këtë vepër (pavarësisht cilësis&eumlsmiley, ndërsa regjisori që është edhe përfaqësues i shtëpisë kinematografike e cila ka administruar fondet buxhetore, shkon dhe ia heq këtë të drejtë.

Ligji "Për kinematografinë" thotë se producentët që marrin fonde buxhetore nga Qendra Kombëtare Kinematografike duhet të paraqesin në QKK një raport të hollësishëm për përdorimin e fondit buxhetor.

Ndërsa distributori dhe shtëpitë kinematografike janë të detyruara që të deklarojnë në QKK të ardhurat që përfitohen nga tregtimi ose shpërndarja e veprës filmike. Veç kësaj, duhet të bëjnë deklarimin e të ardhurave një herë në tre muaj gjatë vitit të parë të shfrytëzimit të veprës filmike, "gjatë tre viteve pasardhëse deklarimi bëhet çdo gjashtë muaj, ndërsa për pjesën e mbetur deri në fund të 10 viteve, deklarimi bëhet çdo vit."

Po këto subjekte kanë detyrime përballë ligjit në rast se nuk respektojnë brenda afateve të duhura marrëdhëniet me televizionet. "Koha e kometës" e regjisorit Fatmir Koçi, megjithëse nuk ka mbushur një vit nga premiera, është shfaqur në ekranin e TV, aty ku "në marrëveshje me producentët a distributorët, veprat filmike të prodhuara me fond shtetëror" duhet të shfaqen "jo më parë se një vit nga data e prodhimit të filmit (data e premierës së veprës)."

Pyetja është: A ushtrohet kontroll nga autoritetet që u japin fonde buxhetore, Qendra Kombëtare Kinematografike? Me sa duket jo.

Shifra e biletave të shitura, 10148, sa është tregues i vetë veprës, nivelit të saj artistik, është po aq tregues që prodhuesit e filmit shqiptar djegin etapat nëpër të cilat duhet të kalojë qarkullimi i filmit sipas ligjit në fuqi. Kjo është humbja me vetëdije e publikut.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).