Zhvillohet mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

NJOFTIM PËR SHTYP Mbi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 25 shkurt 2009

www.bankofalbania.org
Data e publikimit 25.02.2009

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 25 shkurt 2009, mori në analizë zhvillimet më të fundit në inflacion, në tregun financiar dhe në aktivitetin ekonomik të vendit.

Të dhënat e muajit janar për ekonominë botërore tregojnë tkurrje të mëtejshme të aktivitetit ekonomik të shkaktuar nga përçimi i krizës financiare në ekonominë reale. Rënia ekonomike është ndikuar ndjeshëm nga kërkesa e ulët në tregjet botërore. Presionet inflacioniste botërore janë zbutur, si pasojë e rënies së çmimeve të mallrave kryesore, por edhe të rënies së kërkesës botërore. Prirja rritëse e papunësisë si edhe rënia e indekseve të besimit kanë shtuar rreziqet e një rënie të mëtejshme të aktivitetit ekonomik botëror.

Inflacioni në muajin janar 2009 rezultoi 2.1 për qind, pothuajse në të njëjtin nivel me atë të fundvitit 2008. Tendenca në rënie e inflacionit është ndikuar nga rënia e çmimeve të lëndëve të para në tregun botëror, reflektuar dhe në tregun vendas, si dhe nga kushtet të qëndrueshme makroekonomike në vend.

Vrojtimet e besimit të bizneseve dhe konsumatorëve, për tremujorin e fundit të vitit 2008 kanë regjistruar një rënie prej 10 pikë përqindje të treguesit të tendencës ekonomike, i cili megjithatë është mbi nivelin mesatar të 5 viteve të fundit. Vlera e këtij treguesi pasqyron vlerësimin në rënie të bizneseve për nivelin e prodhimit, punësimit, kërkesës dhe situatës së tyre financiare.

Zhvillimet në sektorin e jashtëm tregojnë se në muajt e fundit të vitit 2008, shkëmbimet tregtare u rritën me 15 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Importet kanë ruajtur ritme të larta rritje, prej 16%, ndërkohë që eksportet kanë shfaqur ngadalësim të ritmeve të rritjes duke ndikuar në thellimin e mëtejshëm të deficitit tregtar.

Treguesit monetar paraqesin ngadalësim të ritmeve të rritjes në muajin dhjetor, duke transmetuar sinjale për një ngadalësim të mundshëm të kërkesës për mjete monetare. Ritmi vjetor i rritjes së parasë së gjerë shënoi rënie në nivelin 8%. Zgjerimi i M3 është mbështetur kryesisht nga kredia për ekonominë, si dhe nga rritja e financimit të sektorit publik në përgjigje të kërkesës më të lartë për fonde nga sektori fiskal. Portofoli i kredisë shënoi një ngadalësim të ritmeve vjetore në 35%, e ndikuar nga zgjerimi i ulët mujor që shënoi kredia në muajin dhjetor 2008.

Zhvillimet në tregun financiar tregojnë për transmetim të kënaqshëm të vendimit të fundit politikës monetare, duke reflektuar lehtësimin e kushteve monetare. Në tregun ndërbankar, në muajin shkurt, interesat për transaksionet njëditore dhe ato njëjavore reflektuan ulje. Në tregun primar yeild-et e letrave me vlerë të qeverisë kanë pasqyruar rënie për të gjitha maturitetet. Të dhënat paraprake për depozitat në lekë tregojnë reduktim të normave të interesit, por gjykohet se kjo është e lidhur dhe me përfundimin e disa ofertave promocionale të janarit, veçanërisht për depozitat afatshkurtra.

Në tregun e brendshëm valutor vihet re se gjatë muajit janar, në terma nominalë efektive, ecuria e lekut kundrejt shportës së monedhave kryesore ka vazhduar tendencën në kahun rënës. Ndryshimi vjetor i indeksit NEER (kursi nominal efektiv i këmbimit) ka rezultuar në rënie me 4.2 për qind. Përveç faktorit sezonal, gjykohet se në ecurinë aktuale të kursit të këmbimit ka dhënë ndikim edhe rritja e numrit dhe sasisë së kërkuar nga disa operatorë të veçantë, duke çuar në një përqendrim joracional të kërkesës në këtë periudhë të vitit.

Për këtë qëllim Banka e Shqipërisë tërheq vëmendjen e të gjithë aktorëve në tregun valutor, përfshirë edhe publikun e gjerë, për të qenë më racional në lidhje me vlerësimin dhe administrimin e rrezikut të kursit të këmbimit. Banka e Shqipërisë gjykon se ka ardhur koha që të rritet përdorimi i instrumenteve më komplekse financiare, siç mund të jenë kontratat e së ardhmes.

Mbështetur në analizën e mësipërme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi: “Të mbajë të pandryshuar, në nivelin 5.75 për qind, normën e interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes me afat maturimi një javor”.

Ky vendim do ti shërbejë qëndrueshmërisë së situatës makroekonomike në vend, nëpërmjet një përputhje më të mirë të faktorëve të kërkesës me ato të ofertës, si dhe për kontrollin e presioneve inflacioniste brenda objektivit të politikës monetare. Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë gjykon se ky vendim do të ndihmojë në konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar në vend, kryesisht nëpërmjet ruajtjes në nivele pozitive nxitëse të diferencës së normave të interesit mes lekut dhe valutës.

Në këtë mbledhje, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi :

1. Të miratojë rregulloren “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka”.

Rregullorja “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka” u hartua në zbatim të ligjit nr. 9662, datë 18.12.2006 “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe zëvendëson rregulloren “Për licencimin e subjekteve jobanka”, miratuar me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës nr. 96, datë 26.11.2003 dhe ndryshuar me vendimin nr. 88, datë 16.11.2005. kjo rregullore ka dhënë dhe disa përcaktime të reja, si më poshtë:

*përcaktohen veprimtaritë financiare, të cilat në ndryshim nga rregullorja ekzistuese janë përcaktuar në përputhje me veprimtaritë financiare të përcaktuara në nenin 54, pika 2, të ligjit të ri “Për Bankat në Republikën e Shqipërisë”, duke përjashtuar ato veprimtari ushtrimi i të cilave kërkon praninë e depozitave monetare dhe/ose të fondeve të ripagueshme nga publiku;
*përfshihet në veprimtaritë e subjekteve edhe veprimtaria e këmbimit valutor, si veprimtari deri më sot jo e lejuar për subjektet financiare jobanka;
*përcaktohen kërkesat për kapital për të ushtruar qiranë financiare dhe factoring-un në përputhje me nivelet e kërkuara për kapital në ligjet përkatës që rregullojnë këto veprimtari;
*përcaktohen lehtësira në nivelet e kërkuara të kapitalit për institucionet financiare të mikrokredisë në proçesin e licencimit të tyre;
*përcaktohet kërkesa për pagesën e kapitalin fillestar minimal vetëm në monedhën vendase (lek&eumlsmiley;
*përcaktohen kërkesa për verifikimin e burimit të kapitalit, që do të kërkojë një deklaratë nga themeluesit e shoqëruar kjo edhe me dokumente të tjerë vërtetues;
*përkufizohet “mikrokredia” dhe “institucioni financiar i mikrokredisë” në përshtatje me rekomandimet e grupit të ekspertëve të Bankës Botërore për këtë qëllim;
*përcaktohen disa kërkesa minimale për administratoret, në përshtatje me parimet e Komitetit te Bazelit për përzgjedhjen e administratoreve;
*përkufizohet dhe përcaktohen kërkesa për miratimin e agjentit për të ushtruar veprimtarinë financiare të transferimit te parave;
*përkufizohen dhe përcaktohen karakteristikat e liçencës dhe rastet e revokimit të saj, në përputhje me ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”;
*përcaktohen, në analogji me ligjin të ri “Për Bankat në Republikën e Shqipërisë”, rastet dhe dokumentacioni i nevojshëm për marrjen e disa “miratimeve paraprake” nga Banka e Shqipërisë;
*përcaktohen, në analogji me ligjin të ri “Për Bankat në Republikën e Shqipërisë”, rastet e “detyrimit për njoftim”, menjëherë dhe brenda 30 ditëve;

Rregullorja “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka” hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë.

 2.    Të miratojë “Dokumentin mbi politikat e licencimit të subjekteve bankare ”.

Banka e Shqipërisë, nëpërmjet miratimit të këtij dokumenti, synon të mbështesë hyrjen në treg të subjekteve bankare të shëndosha dhe të qëndrueshme: që mbështeten nga aksionerë të fuqishëm dhe me përvojë në industrinë bankare; që zbatojnë standardet më të mira të përgjegjshmërisë në drejtim; që realizojnë një veprimtari të ekuilibruar me rreziqe të miradministruara; që janë në gjendje të përballojnë dhe të zhvillohen në kushtet e konkurrencës së lirë që ofron një treg i hapur dhe i integruar në tregun financiar ndërkombëtar; që janë në gjendje të përballojnë me kapitale dhe likuiditete situatat e krizave, që mbështesin zhvillimin e ekonomisë së vendit dhe që, në mënyrë transparente, i ofrojnë publikut shërbime dhe produkte bankare cilësore dhe eficiente.

 *Në këtë mbledhje, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi raportet “Mbi gjendjen e sistemit bankar në tremujorin e katërt të vitit 2008” dhe “Mbi veprimtarinë e audit të brendshëm në vitin 2008”, si dhe disa materiale të tjera, që kanë të bëjnë me aktivitetin e brendshëm të Bankës së Shqipërisë.
 

7 Komente

...Importet kanë ruajtur ritme të larta rritje, prej 16%, ndërkohë që eksportet kanë shfaqur ngadalësim të ritmeve të rritjes duke ndikuar në thellimin e mëtejshëm të deficitit tregtar....

 

Duhet te kish qene e kunderta ne kushtet e ndryshimit te kursit smiley

Llukan, ke harruar fjaline perpara kesaj te cituares, e cila do te te ndihmonte me termat kohore. Kjo nuk dmth qe tani qe ka rene leku te jene rritur domosdoshmerisht eksportet, por e para per kete nuk kemi akoma te dhena, e dyta duhet pare pak si eksportet dhe kursi ndikojne njeri-tjetrin ne afatin e shkurter, dmth cila veze pjell cilen pule, duke qene se renia e eksporteve ndikon sasine e valutes, etj.

Zhvillimet në sektorin e jashtëm tregojnë se në muajt e fundit të vitit 2008, shkëmbimet tregtare u rritën me 15 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Importet kanë ruajtur ...

Qafir besoj se futures po hidhen si koncept. Eshte gjynah ne fakt qe pas 18 vjet 'ekonomi tregu' tani po hidhet koncepti madje nga nje institucion shteteror, por ja qe ky treg eshte, me keta tregues sasiore dhe cilesore...

Shef ti reeee? Dashka Fullani qe publiku i 'gjon'(me gjith ate te 'ngushtin')  me perdor futures me 'krasit' rriskun!!

 

Banka e Shqipërisë tërheq vëmendjen e të gjithë aktorëve në tregun valutor, përfshirë edhe publikun e gjerë, për të qenë më racional në lidhje me vlerësimin dhe administrimin e rrezikut të kursit të këmbimit. Banka e Shqipërisë gjykon se ka ardhur koha që të rritet përdorimi i instrumenteve më komplekse financiare, siç mund të jenë kontratat e së ardhmes.

 

O Qafir cfare syri pishe qe paske smiley

 

Mire qe e keshillon guvernatori per te gjithe, duke perfshire edhe publikun e gjere, po ku ti gjeje publiku i gjere keto produkte qe s'i ofrohen as bankave.

Referenca per 'PUBlikun e gjone' duhet kete qene thjesht per rritjen e vigjilences. po s'e kush do i perdore 'futures/forwards contrats' per krasitje 'rrisku' s'po e merr vesh njeri.

 

Ll; "....po ku ti gjeje publiku i gjere keto produkte qe s'i ofrohen as bankave..."

 

Tek Bursa bashkohore Llukan , e jo tek Bursa primitive e sotme. 

Tani u kujtua Fullani, per ate qe une kam folur me vite , e para shum viteve.

Paska cof kredia ene atje

 

Portofoli i kredisë shënoi një ngadalësim të ritmeve vjetore në 35%, e ndikuar nga zgjerimi i ulët mujor që shënoi kredia në muajin dhjetor 2008.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).