Zhvendosja e depozitave dhe data e munguar

Qeveria, në vazhdën e vendimeve të saj paradokse për tregun e karburanteve, siç janë 5 udhëzimet e famshme kontradiktore të Ministrisë së Financave, të lëshuara brenda 5 muajve, vendim pas vendimi (VKM) për ndalimin e naftës D2, tashmë duket se nuk do të zbatojë në kohë as vendimet që i miraton vetë. Bëhet fjalë për Vendimin e Këshillit të Ministrave numër 486, datë 25.07.2007 "Për ndërprerjen e veprimtarisë së përpunimit të anijeve që transportojnë naftë, gaz dhe nënprodukte të tyre, në portet e Durrësit dhe Shëngjinit", i cili ka hyrë në fuqi mbas publikimit në Fletoren Zyrtare me numër 109, datë 14.08.2007.

Pra, mbetet më pak se një muaj (afati i fundit është 14 shkurti i këtij viti) që ky vendim të hyjë në fuqi, por që asgjë nuk është bërë që kjo të arrihet. Konkretisht, nëpërmjet nenit 1 të këtij vendimi, qeveria ka vendosur që brenda 18 muajve nga hyrja në fuqi e tij (vendimit), do të ndalohet përpunimi i anijeve me naftë, gaz ose nënprodukte të tyre në portet e Durrësit dhe Shëngjinit. Gjithashtu, neni 2 vendos që përpunimi i këtyre anijeve do të kryhet vetëm në portet e miratuara për këtë qëllim! Megjithëse në vendim nuk përmenden këto porte, me vendime të mëparshme është caktuar që këto porte do të ndërtohen në Porto Romano (në Durrës) dhe në Vlorë.

Që në fillim të vendimit, duket qartë se qeveria nuk ka vendosur direkt për zhvendosjen e depozitave nga portet e Durrësit dhe Shëngjinit, siç do ishte dhe normale, por e ka përcaktuar këtë indirekt me moslejimin e shkarkimit të anijeve që transportojnë karburant në këto porte. Arsyeja kryesore që qeveria nuk preferon të vendosë përfundimisht për zhvendosjen e këtyre depozitave, është dëmshpërblimi jashtëzakonisht i madh që duhet t‘u japë shoqërive që i zotërojnë këto depozita, me kontrata afatgjata qiraje të rregullta (që nuk janë vetëm greke, siç thuhet shpesh në media, por edhe shqiptare), dëmshpërblim që ajo e ka pothuajse të pamundur ta akordojë. Në këtë rast, ndalimi i përpunimit të anijeve të naftës në portet e lartpërmendura, është zgjidhja më origjinale që mund të gjente qeveria, e cila arrin njëkohësisht dhe qëllimin e saj për zhvendosjen e afërt të depozitave (për shkak se transportimi alternativ me autobote është shumë më i kushtueshëm se ai me anije), por edhe shmangien e dëmshpërblimit të këtyre shoqërive, sepse teknikisht nuk shkelet asnjë ligj i shtetit shqiptar.

Megjithëse porti i karburanteve i ndërtuar në Porto Romano është pothuajse gati, mungesa e dallgëthyesit (shumë i domosdoshëm, për shkak se gjiri në Porto Romano nuk është shumë i mbyllur, siç ndodh rëndom në bot&eumlsmiley dhe infrastrukturës rrugore e bëjnë atë të pafunksionueshëm edhe për të paktën 5-6 muaj. Gjithashtu, shumica e shoqërive të karburanteve nuk janë zhvendosur akoma plotësisht në Porto Romano, duke e thelluar më shumë problemin. Së fundmi, me gjithë studimet e shumta gjeologjike që vërtetojnë të kundërtën, përbërja ranore e tokës krijon probleme thelbësore me vendosjen e depozitave të naftës atje. Nga ana tjetër, ndërtimi i depozitave të karburantit nga Petrolifera në Vlorë nuk ka mbaruar akoma, duke qenë një faktor shtesë që e bën afatin e vendosur nga qeveria të paarritshëm.

Këto vonesa në zhvendosjen e depozitave të naftës në Portin e Durrësit, do të shkaktojnë probleme në implementimin e master-planit për rindërtimin e këtij porti, më i madhi në Shqipëri. E po ashtu, lidhja e Portit të Durrësit me rrugën Durrës-Kukës, e cila sipas kontratës mbaron në qershor të këtij viti, do të vonohet, duke mos shfrytëzuar kështu avantazhin e madh që krijohet nga ndërtimi i kësaj rruge.

Për shkak se duhet një kohë e madhe për zhvendosjen e të gjitha depozitave nga Porti i Durrësit, si dhe për shkak se shoqëritë greke akoma nuk kanë filluar realisht të bëjnë përpjekje të lëvizin nga ky port, vlerësohet se do të duhen akoma të paktën edhe dy apo tre vite që të gjitha depozitat e naftës të zhvendosen përfundimisht nga Porti i Durrësit.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).