Vetëvrasjet dhe roli i medias

Katërmbëdhjetë vetëvrasje për më pak se dy muaj. Mbi tridhjetë tjerë patën vullnet të vetëvriteshin, por dështuan në përpjekje.

Secila vetëvrasje më spektakulare se tjetra.

Dikush hidhet nga kati i nëntë, në mes të kryeqytetit, e trupi i tij u ekspozohet kureshtarëve për katër orë. Një tjetër person hidhet prej pendës së liqenit. Një adoleshent, me revole në dorë shkurton jetën e tij. Një amvise, me acid. Një kryefamiljar, në mënyrë pak më tradicionale, ia mësyn pemës në oborr me konop në dorë.

Dhe kjo nuk ka të ndalur.

Lajmi e mbyt lajmin. Një ditë një vetëvrasje, të nesërmen dy të tjera. Dhe mediat, përfshirë edhe gazetën ku unë jam Kryeredaktor, kemi raportuar sikur për çdo lajm tjetër. Nuk dua të flas për dështimin e organeve kompetente për të dhënë zgjidhje të shpejta për t’u dalë në rrugë këtyre ngjarjeve të dhimbshme. Ketë herë, dëshiroj të flas pak për dështimin tonë për mbulimin profesional të këtyre ngjarjeve tragjike.

Më duket se fjalëpërfjalshëm e kemi kuptuar fjalën “lajm” në këto raste. Ndoshta, se nuk kemi marrë kritika profesionale prej njerëzve kompetentë. Ndoshta, se ne nuk kemi qenë sa duhet të përgatitur për një katapultim të tillë të numrit të vetëvrasjeve. Mirëpo, pa vullnetin tonë, ndoshta nuk u kemi ndihmuar sa duhet atyre personave që kanë pasur kriza të natyrave të ndryshme. Për më keq, mund të kemi ndikuar që t’i paraqesim vetëvrasjet si një mënyrë për zgjidhjen e problemeve personale. Më duket që njerëzve të dëshpëruar u kemi ofruar, pa vetëdije, alternativa të errëta. E tillë ishte kjo javë dhe java që e kemi lënë pas. Të gjitha gazetat dhe televizionet kanë qenë të stërngarkuara me këtë lloj lajmi.

E di që askush nuk mund të na ndëshkojë për një raportim të tillë. E di që kjo është detyrë parësore e institucioneve dhe enteve gjegjëse të dalin me propozime konkrete për sensibilizimin e problemit.

Mirëpo, po filloj prej vetës dhe gazetës ku unë punoj, që të mundohemi t’u qasemi në mënyrë pak më humane këtyre problemeve.

Hulumtova pak në internet dhe hasa në debate të shumta për “Mediat dhe raportimi për vetëvrasjet”. Të shumtën, këto debate kishin konkluzione uniforme: mos të raportohet për vetëvrasjet individuale.

“Në mes të viteve 1984 dhe 1987, gazetarët e Vjenës kanë mbuluar rastet e vdekjeve të individëve që u kanë dalë trenave përpara, nëpër metro të ndryshme. Raportimet ishin masovike dhe dramatike. Në vitin 1987, u organizua një fushatë ku u jepej vërejtje gazetarëve që raportimet e tyre potencialisht mund të kenë efekte negative dhe u propozua për forma alternative të raportimit. Në gjashtë mujorin e parë, pas kësaj fushate, vetëvrasjet në metro ranë për tetë për qind. Numri i përgjithshëm i vetëvrasjeve në Vjenë zbriti gjithashtu”, thuhet në një raport për ketë temë, të shkruar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në bashkëpunim me dhjetëra institucione të ndryshme.

Në atë raport këshillues për mediat, është raportuar se “vetëvrasja është sëmundje ngjitëse”. Sipas këtij hulumtimi shkencor, është konstatuar se rritet numri i vetëvrasësve në mesin e lexuesve të gazetave, ose shikuesve të televizioneve, kur për vetëvrasjet raportohet në mënyrë specifike dhe në vazhdime. Raporti këshillon që rastet e vetëvrasjeve të mos dalin në ballina të gazetave, ose në fillim të lajmeve, dhe që në storie të mos jepen detaje të shumta se çka e shtyu dikë të kryejë aktin.

Duke e përmendur fillimisht Gazetën Express, mendoj që kemi gabuar rëndë, në vazhdimësi, me mënyrën se si kemi raportuar kohëve të fundit për vetëvrasjet. Këtij gabimi nuk i kanë shpëtuar as gazetat dhe televizionet tjera. Kulmi i gjithë kësaj tragjedie ishte për vetëvrasjen e kryer në qendër të Prishtinës. Gabimi i parë ishte i policisë, së cilës ju deshën katër orë që ta tërheqë të ndjerin prej vendit ku kishte rënë nga ballkoni. Dhe, gabimi i dytë ishte i mediave, që nuk hezituan ta paraqesin rastin më terë fuqinë që kishin.

Prandaj, Express ka marrë qëndrim editorial që radikalisht ta ndryshojë qasjen e raportimit për vetëvrasjet.

1. Storiet për vetëvrasjet nuk do të publikohen tash e tutje në faqen e parë të gazetës.
2. Nuk do të raportohen detajet e kryerjes së vetëvrasjeve.
3. Do të shmangemi maksimalisht për raportimet e rasteve individuale të kryerjes së vetëvrasjeve.

Organizata Botërore e Shëndetësisë këshillon që mediat më shumë hapësirë duhet t’i japin shkallës së numrit të vetëvrasjeve; trajtimin e personave që kanë provuar të kryejnë ketë akt dhe sa të suksesshme kanë qenë ato; të raportohet për mënyrën se si mund të parandalohet një vetëvrasje.

Kosova për 45 vjet ka qenë pakrahasimisht vendi me më së paku vetëvrasje në Jugosllavi. Nuk dua të spekuloj me shifra konkrete, por e di që në Kosovë janë kryer vetëvrasje për disa herë më pak, për kokë banori, sesa janë kryer në Vojvodinë, Slloveni e gjetiu në republikat tjera. Thuhet se në krejt rajonin e Drenicës për 45 vjet të komunizmit nuk ka ndodhur asnjë akt i vetëm vetëvrasjes.
E tash, çka dreqin përnjëherë u shndërruam në popull vetëvrasës? Çka ndodhi që xhevap nuk po mund t’u japim lajmeve për vetëvrasjet?

Nuk jam aspak kompetent që të flas në aspektin sociologjik për ketë dukuri.
Mund të jenë qindra arsyeje që një njeri e cyt ta marrë një vendim të tillë fatal: Traumat e luftës, problemet e shumëfishta sociale, dramat familjare, problemet e dashurisë tek tinejxherët dhe adoleshentët, krizat mendore etj.

Mirëpo, a nuk kanë ekzistuar të gjitha këto probleme prej kur është krijuar njeriu?
Varfëri gjithmonë ka pasur ne ketë vend. Xhelozia nuk është shpikur pas vitit 1999. Dramat sociale e ndjekin secilën shoqëri. Luftërat kurrë nuk janë ndalur.
Por, prapë po them, se si njëri prej njerëzve me jokompetent për të folur për ketë dukuri, unë po tërhiqem prej elaborimit shkencor të fenomenit të vetëvrasjes.
Ajo që dëshiroj tash të them ka të bëjë me mediat dhe raportimin për vetëvrasjet.
Express, tash e tutje, ndryshon qasjen e raportimit dhe fton mediat tjera ta konsiderojnë një hap të tillë.

(Titulli origjinal "Vetëvrasja, si sëmundje ngjitëse&quotsmiley

16 Komente

Ketij po qe i them reflektim i medias. Bravo Express-it dhe shpresoj qe te bejne te njejten gje dhe mediat e tjera. Dhe nuk e kam fjalen kur thote qe s'do te botojne me lajme te tilla ne faqen e pare te gazetes (kjo eshte thjesht turp nese ka ndodhur me pare!) por per pikat e tjera, dhe ne pergjithesi qe te jene shume te matur ndaj ketij fenomeni. Ka shume shkrime e studime qe flasin per rolin e medias ne vetevrasje, dmth qe analizojne statistikat dhe tregojne qarte qe menyra se si dhe sa pasqyrohen vetevrasjet ne media ndikon realisht ne nivelin e vetevrasjeve qe pasojne, sidomos kur keto vetevrasje bejne buje ne media si raste te vecanta (nga pasqyrimi negativ i mediave, ose nese jane celebrities).

Flm Penar qe e solle artikullin. Ky p.sh. eshte nje nga shembujt e artikujve qe personalisht do desha te theksoheshin tek Peshku dhe kudo. smiley Flet per nje problem serioz, per nje realitet qe eshte (dhe) shqiptar dhe ofron nje alternative lehtesisht te realizueshme dhe pozitive, ne kete rast ne pasqyrimin e mediave.

Ka nje shkrim interesant mbi mediat tek saktivista gjithashtu. 

Dhe per nje moment mendova se mos kjo gazete ishte prej shqiperie dhe kryeredaktori te ishte shqiptar i shqiperise, se spo i besoja syve

Por pastaj duke lexuar rashe ne kembe ne toke.

Jo s'kishte se si te ishte prej shkypnie jo.

Shkrimi ishte vertete i mire, dhe i rralle ne llojin e vet.

 

ne france sipas statistikave zyrtare, mesatarisht ne dite vdesin 14 vete nga aksidentet rrugore.

politika ben ne asamble parlamentare me keq se qente e se macet!

 behen gati cdo jave greve per cdo lloj arsyeje!

shto ketu vrasjet, zjarret, vetevrasjet, shkarkimet e zyrtareve, debatet per krizen, permbytjet etj etj.  me kaq gjera qe ndodhin ktu, nqs mediat do te kishin te njejten "pavaresi" si ne shqiperi, dhe te njejten shkalle paanshmerie, etike a ku ta di un, atehere francezet duhet te ishin bere te gjithe me depresion! por jo, cuditerisht mediat ktu ktyre gjerave i kushtojne 10% te vemendjes se tyre( flas per lajmet ne tv)! pak halle e probleme kane kta, por duhet qe te degjojne dhe hallet e te tjereve me altoparlant!

media ne shqiperi eshte bere si vahmirresi, te ngushellon njehere pastaj te ben sherbimin mortor.

 

media ne shqiperi eshte bere si vahmirresi, te ngushellon njehere pastaj te ben sherbimin mortor.

Kete e ke thene tamam. E sugjeroj dhe kete per tek theniet. smiley

Por fatkeqsisht debati per mediat, dmth kur bie fjala per punen e tyre te dobet dhe efektet negative, zakonisht mungon ne media, kudo, dhe ketej, dhe padyshim dhe ne Shqiperi. Dhe ne ato rastet qe behet prezent tek mediat tona, behet i balto-dhjerosur, si analiza e Mucit mbi analizat, dmth per ti paraprire kritikave dhe per te qitur veten nga tabela e qitjes, jo se ka debate te qena dhe vertet reflektuese.

Prandaj me impresionoi ky artikull dhe qendrimi i kryeredaktorit (shqiptar gjithsesi, packa se jo ne Shqiperi), dhe shpresoj ta zbatoje dhe ti vere ne seder dhe mediat e tjera per cka (jashte)qisin, jo vetem per vetevrasjet, po dhe lajmet dhe "lajmet" e tjera ne pergjithesi.

thuaj kurrëherë më ka ndodhur të lexoj një artikull më  inteligjent dhe (auto)kritik se sa ky i Buzhalës për një fenomen të tillë tragjik si ai i vetvrasjes.

Por ajo çka më tronditi ishte zotimi "i sinqertë" i gazetarit:

Prandaj, Express ka marrë qëndrim editorial që radikalisht ta ndryshojë qasjen e raportimit për vetëvrasjet.

    1. Storiet për vetëvrasjet nuk do të publikohen tash e tutje në faqen e parë të gazetës.
    2. Nuk do të raportohen detajet e kryerjes së vetëvrasjeve.
    3. Do të shmangemi maksimalisht për raportimet e rasteve individuale të kryerjes së vetëvrasjeve.

Po pres me padurim numrat e ardhshëm, për të gërmuar faqet e dyta apo të treta lidhur me storjet e rradhës, natyrisht pa detaje makabre... duke u lutur që këto raste të mbeten gjithmonë "individuale". Ruajna zot (i shqiptarëve të Shqipëris&eumlsmiley  si dhe pejgamer (i kosovarëve të Kosovës) që ato të mës shëndrrohen në kolektive. Pasi, në këtë rast, ja vlen vallahi të dalin në faqe të parë!

Sa për arsyet, s'ka nevojë të jesh as psikolog dhe aq më pak gazetar për t'i kuptuar:

Varfëri gjithmonë ka pasur ne ketë vend. Xhelozia nuk është shpikur pas vitit 1999. Dramat sociale e ndjekin secilën shoqëri. Luftërat kurrë nuk janë ndalur.

Ajo çka i mungon skemës berat-ekspres është vetmia e frikshme e individit; pafuqia e tij e plotë për të përballuar vështirësitë materiale të jetës; shthurja deri në këputje e lidhjeve sociale e familjare; humbja e perspektivës personale ndaj të ardhmes, çoroditja mendore e gjeneruar nga një mjedis vital, mekanizmat e tê cilit nuk arrin as t'i ndjekë as t'i kuptojë;.. troç, psikoza agresive e pushtetarit ujk i pangopur dhe e qytetarit qingj i pambrojtur që media si ajo gazeta e juaja i ngjallin përditë dhe përminutë.
 

Xixe,

ti lexove nje shkrim te Fahri Balliut te Kosoves deri ne fund ?!

E pra Koth,

arrita dhe e bëra këtë gabim. Nuk e di ç'më zuri - ndoshta një boshllëk i brendshëm, nga ato që shtyjnë drejt vetvrasjes...

shqetesim i drejte dhe i mire.

Ky shkrim e meriton te dale tek faqja kryesore e peshkut. 

Plotesisht te drejte Buzhales qe po ngre zerin per pergjegjesine qe ka media ne shumefishimin e vetvrasjeve.

Nje media jo profesionale ne teresi por sidomos ne raportimin e ketyre rasteve, thellesisht e politizuar, qe edhe vetvrasjet i shfrytezon per tituj te medhenj ne faqet e gazetave apo edicionet e lajmeve, ne funksion te propagandes politike.

Shikoni paradoksin, kur nje person publik vdes nga shkaqe natyrore, ne lajmin per vdjekjen e personit zakonisht nuk permendet semundja e cila shkaktoi vdekjen e tij/saj, por mjaftohet vetem me, "vuante nga nje semundje e rende".

Nderkohe, per vetvrasjet jepen detaje te hollesishme.  Tregohet menyra, mjeti, shkaqet qe e shtyne qe ne te shumten jane jo te sakta etj.

Varferia materiale ne shqiptareve na ka shoqeruar gjithmone. Pra nuk eshte shkak primar ky llaf makaber qe del nga goja e ketyre gazetareve dhe neomarksisteve qe gjallojne kudo. 

Eshte nje akumulim gjerash qe ne nje cast, ne nje tronditje te thelle ose depresion te madh, dikush vendos t'i jape fund cdo gjeje toksore.

Cfare bejne organizatat e shoqerise civile qe marrin miliona euro donacione?  Sa studime per kete fenomen kane financuar?  Sa qendra per keshillim falas kane hapur per njerezit qe vuajne nga depresioni etj.?  Ne vendet e perendimit, shume organizata qe merren me kete problem financohen me donacione dhe njerezit qe punojne jane vullnetare etj.

Megjithate, meqe ketu po flitet per median, ajo qe ofron Buzhala, d.m.th. shembulli (qe do ta beje) i gazetes qe drejton, eshte mjaft domethenes.  Shkrime te mira ose medioker mund te bejne te gjithe per kete problem, por e gjithe ceshtja eshte te ndryshohet dicka ne raportimin dhe menyren e trajtimit te ketyre rasteve nga media.  Menyra se si e ka shtruar Buzhala eshte per t'u pershendetur dhe uruar se edhe kryredaktore te tjere qe drejtojne media te bejne te njejten gje.

Shkrim i dobet dhe naiv.

"E tash, çka dreqin përnjëherë u shndërruam në popull vetëvrasës? Çka ndodhi që xhevap nuk po mund t’u japim lajmeve për vetëvrasjet"

Kete te shpjegoje autori!

Autori u shpreh qarte e mire se s'eshte kompetent ne fushe.  Perse ta shpjegoje dukurine?  Gjithe artikulli eshte shkruar nen pikepamjen dhe rolin e medias, e jo me arsyet sociale, psikologjike etj.  

Me vjen mire qe si rralle here te gjej dicka ne media qe t'i them plotesisht bravo. 

Autokritika me duket krej naive kur dihet boterisht qe ekziston nje etike ne publicistike. Autori permes hulumtimeve duket sikur sapo e ka zbuluar...Nuk e kam ndjekur shtypin kosovar, por nese i kane hyre detajeve sesi mund te vetvritesh, atehere thjesht kjo eshte mungese profesionalizmi dhe mbyllet ketu ceshtja.

Nga ana tjeter, me duket sikur autori i meshon shume faktit qe mediatizimi i vetvrasjeve eshte shkak i shtimit te numrit te tyre, nderkohe qe kjo mund te kete nje efekt krejt te kundert si per shembull ne sensibilizimin e shoqerise duke mos e lene tabu kete fakt social, por duke e evidentuar problemin. 

Autori eshte gazetar, edhe sikur te mos jete sociolog, psikolog, punonjes social etj etj, ne rolin e tij si gazetar, mund te kishte bere nje minimum per te kuptuar "perse'ne" qe shtyn individet ne vetvrasje. Dhe kjo do te ishte nje prurje me e vlefshme sesa nje zotim absurd qe tregon paaftesine e shtypit kosovar. 

Jo vetëm vetvrasjet, por edhe korrupsioni nuk do të egzistonte po të mos flitej në gazeta smiley

E tash, çka dreqin përnjëherë u shndërruam në popull vetëvrasës?

 

As shqiptaret e Shqipnise s'e kane marre vesh akoma se ca dreqin i ka gjet. Dhe ta mendosh qe kane me fillu me vra veten ne mase tash 12 vjet perpara.

 Ne fakt vetvrasje ndodhin dhe kendej ne perendim, biles ne shifra alarmante, mirpo shum pak njoftime gjen ne shtyp per kete teme, a thua se s'ndodhin. Me statistika, ne çdo vend te EU, vrasin veten çdo dite 5,7,9,10,12,15, veta, qe po ti shumezosh me 27 vende qe ka EU, bejeni vet llogarine.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).