Ulen interesat, qeveria rrit kërkesën për kredi

Ankandi, 2.5 miliardë lekë

Ulja e normës bazë të lekut ka dhënë shenjat e para pozitive për tregun bankar të kredisë. Efektet e para janë dukur te bonot 3-mujore, interesi i të cilave ka zbritur me 0.25 pikë përqindje, në krahasime me fundin e vitit të kaluar. Megjithatë, ende nuk mund të jepet një parashikim i saktë se deri kur do të ndihen efektet e plota të uljes së normës bazë me 0.5 pikë për qind, vendim i marrë javën që shkoi nga Banka e Shqipërisë. Çdo lëvizje të interesave në treg do të vijnë në raport me kërkesën e qeverisë për fonde nga bankat. Kësisoj, reduktimi i normës bazë bëri të mundur krijimin e një plani nga ana e qeverisë që të emetonte së fundmi një obligacion 5-vjeçar me vlerë nominale 2.5 miliardë lekë. Ankandi është zhvilluar tri ditë më parë, por rezultati i tij nuk është bërë ende i dituar nga ana e institucioneve përkatëse. Data e emetimit të këtij ankandi do të jetë 9 shkurti 2009, ndërsa maturimi më 9 shkurt 2014 (afati kur shlyhet e gjithë kredia). Vetëm gjatë vitit 2008, qeveria arriti të merrte nga bankat e nivelit të dytë dhe nga Banka e Shqipërisë rreth 15 miliardë lekë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).