This is BBC

Ora 15.30. Dimër. Tiranë. E martë. Ose e premte. S'ka pikë rëndësie. Një shqiptar i ndershëm (dhe njëkohësisht skeptik) sapo ka ngrënë drekë dhe, në këtë orë, ka një nevojë fiziologjike për lajme - një lëndë kjo e njohur dhe efikase mesdhetare tretjeje.

Lajmet ndodhen brenda një kutie ambalazhi të blerë me paret e tij ose të ndonjë të afërmi që punon si distributor "farmaceutik" në Bashkimin Evropian.

Por, kutia televizive në fjalë nuk është thjesht një kuti që bën lajme të ndërprera çdo pesë minuta, nga 30 lepuj publicitarë, që dalin duke kërcyer në tentativë për të të shitur ty detergjentë enësh. Ajo është edhe një aparat ëndërrimi.

Disa e quanin "dritare", atëherë kur Shqipëria s'kishte as derë. Shqiptari vërtet i mirë, i ndershëm dhe i lodhur, por gjithmonë skeptik, fiks në orën 15.30 nis seancën e tij të përditshme spirituale të ëndërrimit përballë dritares prej xhami.

Ëndërrimet e çojnë larg. Sigla e njohur ku lexohen inicialet e TVSH-së publike, nis e i valëzohet ndër sy, me anë të disa efekteve vizuale magjike, që përdoreshin në fëmijërinë e kinemasë fantastiko-shkencore, duke iu shndërruar në BBC.

Ora 15.30 e dimrit të tij tiranas, në atë të martë apo të premte - kjo s'ka pikë rëndësie - i zhvendoset në orën 15.30 të një dimri tjetër, kësaj radhe londinez, në një të martë a të premte paralele - të cilat sërish s'kanë pikë rëndësie.

Shqiptari i mirë dhe skeptik, shpreson se në këtë realitet të ri, ai do të jetë dikush tjetër. Dikush pa këto cilësi kaq të thjeshta për këto kohëra të ndërlikuara. Ai është tani një britanik. Por, përsëri i mirë. Skeptik? Këtë do ta shohim.

Çfarë bën një britanik i mirë në ekuivalentin e orës 15.30 të shqiptarit të mirë? Sigurisht, edhe ai përgatitet të shohë lajmet tretëse pas "british lunch"-it të tij. Për aperitiv, urdhëro nja dhjetë minuta spot i Ministrisë britanike të Punëve të Brendshme. Meqenëse kjo është BBC-ja britanike, edhe spoti është sajuar me humor ishullor:

"Lajm sensacional. Qeveria e di se kush je ti. Pas 18 vjetësh bashkëpunimi të mundimshëm mes Home Office-it (Ministria e Brendshme) dhe Department for Local Government-it (Ministria e Pushtetit Vendor), u arrit suksesi më i madh i të gjitha kohërave.

Britaniku nuk është më një qenie pa identitet, pa emër, pa fytyrë dhe pa adresë. Qeverisë i ra bretku dhe më në fund arriti ta zbulojë se kush është shtetasi i vet dhe për të mos e humbur prapë, i dha atij një kartë identiteti".

Anglezi i mirë teleshikues merr frymë thellë dhe nis të krijojë një mendim më pozitiv se ç'duhet për qeverinë e tij. Por, pastaj përmendet nga ky mendim i rrezikshëm: "Prit një moment. Po a s'është kjo puna e zakonshme e qeverisë?

Pse duhet bërë reklamë për këtë punë? Reklamë bëjnë kompanitë komerciale për produktet që duan t'i shesin. U reklamohet klientëve dhe jo zgjedhësve".

Sidoqoftë, ai s'ka kohë të vazhdojë me revoltën e vet. BBC-ja, në këtë moment, e bombardon me tingujt e disa fanfarave triumfale, që pikërisht në orën me audiencën më të lartë, kur anglezi i mirë dhe skeptik ka ngrënë drekë dhe ka ngritur receptorët, i shpallin se "Her Majesty's treasury" (Ministria e Financave) ka bërë kërdinë me dogana e taksa dhe ka mbledhur 7348003759284538,3402434 sterlina, pra 229,32 mijë herë më tepër se në kohën kur në pushtet ishin opozitarët e urryer dhe të paaftë, ata lapangjozët e Dejvid Kameronit, që tani kanë fytyrë të kërkojnë prapë pushtetin, që kështu të mbledhin sërish 229,32 mijë herë më pak sterlina si të ardhura doganore apo nga taksat, duke i marrë në qafë qytetarët anembanë ishullit, nga Skocia deri në Dover.

Britaniku i mirë, si fillim kujton se mos ka filluar edicioni i lajmeve dhe kjo s'është reklamë, por ndonjë reportazh nga ata të paanshmit dhe profesionalët, me të cilët është mësuar jet' e mot. Për këtë arsye, si fillim pëson një tjetër ofensivë nderimi solemn për heronjtë kokulur të qeverisë së tij, që ngrysin jetët e tyre aty në labirintet e pashpirta të Thesarit Mbretëror.

Por pastaj i kujtohet se, përveçse një shtetas mirënjohës, ai është njëkohësisht edhe skeptik i pashërueshëm dhe i rikthehet buzëqeshjes së vet cinike. Pas pak kutia televizive shndërrohet në "rrugë drejt ferrit".

Chris Rea shfaqet aty bashkë me kitarën e tij, në një fushatë sensibilizuese të "Department of Transport"-it. Pikërisht në momentin kur kënga kulmon me vargun "this is the road to hell" (kjo është rruga drejt ferrit), Chris-i qesh në ekran, ul syzet me një gjest teatral dhe fiks atëherë kur askujt s'ia pret mendja, deklaron: "Në fakt, kjo është rruga drejt integrimit evropian.

Qeveria ka ndërtuar në katër vjet, aq rrugë sa nuk janë ndërtuar që nga koha e Oliver Kromuellit. Madje, edhe disa hekurudha. Mos ngurro. Bashkohu edhe ti me ne".

Në këtë pikë, britaniku i mirë, ngrihet në këmbë me një respekt të ndarë 50 me 50 midis muzikës rock të viteve '80 dhe heroizmit të dragonjve qeveritarë, që po çajnë një tunel në Murin e Hadrianit për ndërtimin e autostradës Birmingham - Glasgow.

Por, qëndrimi gatitu nuk zgjat shumë. Pas pak, ëndrra merr fund. Fillojnë lajmet. "This is not BBC". Anglezi shkund gjumin, rikthehet shqiptar, merr telekomandën dhe ndërron kanalin.

7 Komente

Si të bëhesh një analist shqiptar i shquar dhe i pavdekshëm

1. Shkruaj. Shkruaj dhe shkruaj. Nje analize.

2. Mundohu qe analiza te kete nje fillim, vazhdim dhe fund. Mos harro ta lidhesh fundin me fillimin.

3. Mendo nje metafore. Te bukur. Te forte. Te papare. Dhe, vertite gjithe artikullin rreth asaj metafore. Cdo gje tjeter do harrohet, metafora jo.

Kjo dita-dites po shnderrohet dhe ne "si te mundesosh qe analiza jote te dale tek PPU", fatmjeresisht. Dmth e shprehur me pak fjale, pordhe me rigon qe nuk mund ti shmangesh as tek mediat shqiptare, po as tek PPU, mjafton qe ato te tingellojne te sofistikuara, dmth me rigon, ose me erëza te tjera, si ne kete rast me metafora BBC-rash Shekull-Shamet-ore.

O Xhibo,

A more vesh gjo ti plako, se mu me duket se ktij i paska honger "Dhija Librat"?!

E vetmja gje qe mora vesh ishte qe metaFORA ne kete rast kishte te bente me BBC-ne, dmth me nje gur vriten dy zogj, dhe behet metafora--pjese kjo kryesore e nje artikulli/esjeje shqiptar/e-- dhe permendet dicka e huaj, qe dhe kjo eshte nga elementet kryesore ne receten e nej artikulli, qe ai te dale ne mediat shqiptare.

Nuk e ka degjuar se si i tha Gimi ne telefon nga Londra shokut te tij ne Shqiperi.

- O Tani , keto dijne te gjithe ti bien saksit, per kete i quajne Anglo-Saksofon, ne Shqiptaret dime ti biem fyllit , e na quajne popull-fyell. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).