Të keqpërdorur nga keqedukimi

Në vitet e para, kur protestat për demokraci gëlonin gjithandej dhe kur frika e Sigurimit të Shtetit  nuk ishte  fashitur ende në skutat e trurit tonë, burrat u bënë trima të çartur, paçka se nxirrnin përpara tyre fëmijët dhe gratë si mburojë…Aq yrysh e fuqi morën asokohe kalamajtë e periferive, sa pasi fituan lirinë për të braktisur bankat e shkollës dhe disiplinën e saj, edhe pa shkas, zunë të qëllojnë me gurë xhamat e shkollave, e veçanërisht makinat që kalonin nëpër rrugët nacionale vetëm pse ato kishin targa të qyteteve të tjera…Askush nuk e kuptonte dot këtë lloj “revolte” mbi “mallin pa zot”, revoltë që në të vërtetë i kapërcente kufijtë e anarkisë e të marrëzisë…Rrugët e Shqipërisë u bënë të rrezikshme e thuajse të pakalueshme jo vetëm natën, nga maskat, po edhe ditën, nga fëmijët e inatosur kotekot!...Televizionet e huaja në vitin 1997 filmonin me qejf fëmijë që qëllonin qiellin me kallashnikov…Prindërit e tyre harruan që këta fëmijë nesër do të bëheshin burra. Nga ballkanikët, haraçin e anarkisë ne e paguam shumë shtrenjtë, pa e ditur!
***
Kuptohet, në këto kushte shkolla u quajt institucion pa vlerë, madje edhe i dëmshëm, sepse në klasat e saj jo vetëm ishte bërë edukimi komunist (ishte gatuar “njeriu i ri”që na doli fals!), po edhe pse shkolla, e dalë dhunshëm jashtë loje, nuk mund të pajiste fëmijët dhe rininë me një edukim për së mbari (droga, dhuna, rrëmbimet, perversitetet, rrugaçëria…zaptuan thuajse të gjitha oborret e pasmë të shkollave&hellipsmiley; pra, shkolla nuk ofronte arsimim e kulturë, si e lypte sistemi i mirëseardhur demokratik. Më e keqja ishte se pas mbarimit të saj nuk mund të siguroje dot as bukën e gojës. Madje, edhe po të mbaroje universitetin shkëlqyeshëm, nuk gjeje dot punë, nuk kishe as shpresë dhe as perspektivë! E vetmja zgjidhje për të shpëtuar fëmijët nga rreziqet e paparashikueshme dhe të papërballueshme të pushtetit të pakontrolluar të rrugës e të kotanisë kolektive mbi shkollën dhe familjen, ishte ikja sa më parë nga vendi, në emigracion…Shumë shqiptarë u larguan prej Shqipërie të motivuar nga ky hall mbi hall: “Ne e hëngrëm çairin, por të paktën të shpëtojmë fëmijët!” Ky është dëmi më i madh që iu bë Shqipërisë! Fabrikat dhe kombinatet mund të ngrihen, rrugët mund të bëhen autostrada, po një brez i shkatërruar dhe i degraduar nuk mund të ringrihet dot, sepse dëmi bëhet më jetëgjatë edhe se jeta e një brezi, pasi injoranti pjell injorantin, dallkauku, dallkaukun, horri, horrin, ashtu si thoshte Noli: ‘Pyka shtyn përpara pykën…’
***
Në këto rrethana, për prindin që nuk kishte mundësi të emigronte kishte vetëm një zgjidhje: fëmija më mirë të kulloste lopën ose të shiste cigare nëpër udhëkryqe, sesa të shkonte më kot në shkollë për të…për të marrë, në vend të dijeve, vese dhe rrugë të keqe!...Pas fabrikave dhe kombinateve, shkollat u rrëgjuan dhe u rrënuan deri në themel jo vetëm si përmbajtje, si programe dhe si mësimdhënie, po edhe si mjedise! Aq formale u bë shkolla, sa me një kurs gjashtëmujor partia mund të të bënte jurist, gjykatës, hetues, daç edhe deputet! Edhe pse nuk di as shkrim e këndim, pra je një analfabet i kulluar, babai mund t’i blejë evlatit çdo lloj diplome, natyrisht më lirë se një veturë! Shkollat dhe universitetet private u bënë punishte fitimprurëse për të prodhuar në seri kallëpsëzë, gjysmëinjorantë me disa diploma! Zyrat e shtetit u rrëmbushën me të tillë specialistë pa pikë aftësie profesionale. Hiçat u bënë diçër të rëndësishëm! Ata që u futën nëpër partira u bënë vipa!
***
Mësuesia u bë zanati më i padobishëm, dhe pse jo, edhe më i përçmuar në shoqëri, ndaj shumica e mësuesve filluan të shisnin notat dhe dëftesat për të mbijetuar! Një pronar shkolle private pushoi mësuesen më të mirë të qytetit se kjo i pat vënë notë pakaluese fëmijës së një biznesmeni. “Unë shkollën e kam për fitim, nuk e kam për kulturë”, - i tha pronari me sinqeritet mësueses së habitur…Në vend të urimeve në ditën e mësuesit, më 7 Mars, u bë traditë që fëmijët t’u çojnë mësuesve jo lule, po dhurata, para, unaza floriri, madje edhe çarçafë! Modeli i “biznesmenit”me zinxhir floriri në qafë dhe i “topmodeles”që kthehet nga jashtë, edhe pse me injorancë të shkruar në ballë, por ama që “tash bën jetë luksoze” (deri dje nuk kishte bukë të hante), u bë rrënuesi i papërballueshëm i shkollës, edukatës dhe kulturës. Sukses quhet të fitosh para pa djersë, të pamerituara, qoftë edhe me trafik, me kontrabandë, me allishverishe apo prostitucion…Aktualisht, ne sot jemi shoqëri pa modele kombëtare: heronjtë që dhanë jetën për liri janë pa buste, shumica e tyre janë të përçudnuar jo vetëm nëpër tekste e lulishte, po edhe nëpër varre…Lapidare dhe lule artificiale kanë në çdo kilometër vetëm të vrarët nga aksidentet dhe nga hakmarrja…Shkodra tani “merr frymë e lehtësuar” se shkuli më në fund ‘Heronjtë e Vigut’ dhe i hodhi në plehra! Edhe Skënderbeu ka pas bërë gabim që ka luftuar, pasi po të mos kishte luftuar, ne sot do të ishim pjesë e Turqisë!
Sot e kësaj dite misset dhe të fortët e lagjeve janë modelet e vetme të imitimit, shembuj sundues, shokues dhe tejet tundues të shoqërisë, të ekraneve, të rrugëve e të familjeve. Është e vështirë, thuajse e pamundur, të jesh i ri dhe t’i rezistosh këtij tundimi për një jetë virtuale qejfesh që ekzistojnë jo vetëm nëpër reklama, po edhe nëpër motele, kazino dhe pabe të panumërta… Shqiptari nuk e ka pasur as për traditë dhe as për veti vetëvrasjen, po vetëvrasjet janë shpeshuar në mënyrë të frikshme, edhe pse ekrani, moda, rruga, modelet, mundësitë dhe nepsi janë në kufijtë ekstremë…Të jesh njëzetvjeçar në Memaliaj dhe të shikosh në ekran sfilatat e Tiranës, ku moshatarët e tu ngjajnë aq të lumtur dhe të lirë, më e pakta është të mallkosh dhe të urresh prindërit që të kanë lindur dhe lënë aty, në atë mjerim…Rruga pa semaforë dhe reklamat e një globalizmi pa rrugëdalje kanë vënë përfund shkollën, dhe sidomos familjen mjerane rurale. Rinia dhe fëmijët janë viktimat pa faj! As institucionet fetare, mjerisht, tek ne nuk kanë ndikim në këtë drejtim…
Falë këtij modeli të shfytyruar, shohim nëpër televizione fëmijë të vegjël të zhveshur që bëjnë sfilata mode dhe kërcime sensuale të denja për mejhane çingijesh me lejen dhe kënaqësinë e papërmbajtur të prindërve injorantë, që nuk kanë as përfytyrim dhe as përgjegjësi se ç’do të bëhen nesër këta fëmijë të përçudnuar!…Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që të bëhesh këngëtar i shquar edhe pa vokal, madje mund të bëhesh akademik pa vepra, të shpallesh udhëheqës karizmatik, edhe pse je pa din e pa iman; mund të bëhesh shkrimtar me çmime qeveritare, edhe pse nuk të ka lexuar kurrkush; mund të të emërojnë edhe ministër kulture, madje edhe kryeministër pa të thënë askush ‘puna e mbarë’, pa hapur më parë derën e një zyre, pa të vënë kush në provë!...Fatkeqësisht, kjo rrokopujë antivlerash që ka mbërthyer shkollën, rrugën dhe familjen po shkon në këtë hamulli tepër gjatë, gati një çerek shekulli. Ai që ka lindur në vitin 1990, pas një viti do të festojë 20-vjetorin, po rrallë e tek mund të gjesh mes tyre ndonjë që di të shkruajë shqipen me drejtshkrim dhe të thotë se kur e fitoi pavarësinë Shqipëria! Është pra një brez i tërë i rritur me antikulturë, me snobizëm, me vanitetin e modës dhe të djerrakohës…E pra, ne kemi edhe ministri arsimi, edhe ministri kulture, edhe ministri të integrimit, edhe ministri të shanseve të barabarta! Kemi krunde firmato, po nuk kemi miell; kemi fjalime, po nuk kemi ide; kemi premtime, po nuk kemi zgjidhje; kemi fëmijë, po nuk kemi edukim; kemi shkolla, po nuk kemi programe; kemi qeveri, po nuk kemi qeverisje…!
E ç’rëndësi kanë këto? - mund të thotë dikush…Përse tekefundit lipset kultura dhe arsimi, kur edhe pa këto mundime e stërmundime mund të bësh karrierë e të sigurosh sukses të kollajshëm në jetë? Mos ka pak njerëz pa shkollë që janë bërë biznesmenë të shquar dhe njerëz me kulturë që vuajnë për bukën e gojës? Ja pra, shikoni ata të KOP-it, a nuk u bënë ata të shquar, të mençur, heronj të kohës sonë, madje edhe milionerë për një kohë shumë të shkurtër?
***
Ata që bëhen kamikazë dhe hidhen në erë me dëshirë, shumica janë të rinj, në mos edhe fëmijë të lindur e të rritur në luftë, të ushqyer me urrejtje, me fanatizëm fetar dhe me propagandë shtinjake. Të rinjtë dhe fëmijët e keqedukuar janë më të kollajshëm për t’u keqpërdorur nga politika. Këto kombe veç janë të destinuar të vuajnë gjatë dhe të mos përparojnë, pasi atyre u është vrarë trashëgimia, perspektiva.… Afganistani p.sh është shembulli më tragjik, ku jo një brez, po disa breza kanë lindur dhe po jetojnë në luftë të pandërprerë e cila, tekefundit, e ka humbur edhe kuptimin, edhe qëllimin…Aty fëmijët dhe të rinjtë janë më se të keqpërdorur…Por, në Afganistan ama nuk mund të ndodhë që kryeministri Karzai të dalë në miting dhe, në sytë e kryetares së Kuvendit dhe të katër vocërrakëve të një katundi të thellë, të flasë për tredhje e për vrima të kundërshtarit politik dhe pastaj të ngazëllehet …Të gajaset madje edhe zonja e parë e parlamentit!…Nuk ndodh që të rinj që kanë ardhur me “master” nga Amerika të përfundojnë në papagall të kryeministrit, si dëgjojmë disa zëdhënës të rinj, të keqeemosmëkeq përdorur! Nuk ka mjerim më të madh se të shohësh të rinj të manipuluar! Nuk ndodh që një grua, qoftë edhe me perçe, të flasë në publik aq vulgarisht sa Topalli! Partitë në Shqipëri, edhe më zi se me mjedisin dhe me pasuritë kombëtare, janë sjellë e po sillen me rininë dhe me fëmijët që po i përdorin herë si kamikazë, herë si dordolecë, herë si mish për top, herë si dekor mitingjesh dhe herë si spote elektorale për të na mbushur mendjen se krerët veteranë e të pandreqshëm përnjëmend kanë ndryshuar!...
Ja pra, çfarë modelesh të suksesit do të na serviren sërish në zgjedhjet e ardhshme: Berisha dhe Topalli, dhe…natyrisht ata do të jenë sërish të rrethuar me ca fytyra të reja që do të pretendojnë të bëhen deputetë falë lepeqërisë ndaj kryetarëve…(Për katër vjet të bësh disa milion euro të deklaruara, kur nuk je as 30 vjeç, nuk është sukses i pakët, apo jo?!) Por, a mund të ecë përpara një shoqëri që jep të tillë shembuj të suksesit dhe të rrënimit moral që nuk reagon përpara perversiteteve, vjedhjeve, abuzimeve, gënjeshtrave dhe mashtrimeve të këtyre altoparlantëve të pa skrupullt që pretendojnë, me moshën e tyre të re, të na sjellin ndryshimin?
Nuk ka shoqëri më fatkeqe kur ka një rini të keqedukuar, të paralizuar, të pandërgjegjshme për misionin e vet, gjë që automatikisht na bën të gjithëve lehtësisht të keqpërdorur e të nëpërkëmbur nga horrat e sotëm të politikës!...Sepse guximi, përparimi dhe ndryshimi historikisht i takon rinisë!

8 Komente

Per here te pare dhe te fundit, sot lexova nje artikull te plote te Kico Blushit.

C'pershtypje me la ? Ah, histori tjeter kjo.

Mund te jem fort i mbrapshte ne keto fjale, por me tutkall njeri se ky K.B. me lart, zor te te zene syte.

Persa i perket talentit te shkrimit, ZERO ME XHUFKE.
Persa i perket ideve qe shtron, nje SAHARA E VERTETE.

E persa i perket shpirtit te lig, DHJETE ME YLL.

A mund te diskutoj mbi nje artikull te tille ? Sinqerisht, jo. Vec nje pyetje kam : kam pare ca Blusha kohet e fundit, njefare Ben, e njefare Tedi. Dua te di : a ka me kesi lloji apo u mbaruan me kaq ?

Shkurt, ky njeri te ben te pish nje shishe konjak e te qurravitesh ne parmakun e ndonje ure. Cfare helmi zoteron ky njeri, e cuditshme, helm nga me i forti qe te shkaterron nga nervat : idiotesi e paster 24 karat, shkakton vdekje te menjehershme.

Shkrimi eshte pershkrim i drejte i asaj c`fare kandodhur dhe ndodh ne Shqiperi.Per mua te gjitha yjet ! 5 .

!...Pas fabrikave dhe kombinateve, shkollat u rrëgjuan dhe u rrënuan deri në themel jo vetëm si përmbajtje, si programe dhe si mësimdhënie, po edhe si mjedise! (e vertete)

Aq formale u bë shkolla, sa me një kurs gjashtëmujor partia mund të të bënte jurist, gjykatës, hetues, daç edhe deputet! Edhe pse nuk di as shkrim e këndim, pra je një analfabet i kulluar, babai mund t’i blejë evlatit çdo lloj diplome, natyrisht më lirë se një veturë!(e vertete)

 Shkollat dhe universitetet private u bënë punishte fitimprurëse për të prodhuar në seri kallëpsëzë, gjysmëinjorantë me disa diploma! Zyrat e shtetit u rrëmbushën me të tillë specialistë pa pikë aftësie profesionale.(e vertete)

 Hiçat u bënë diçër të rëndësishëm! Ata që u futën nëpër partira u bënë vipa! (e vertete)
 

Une i dhashe nje 5ce E meriton. E verteta lakuriq e hidhur por e veretete

Te gjithe ju qe nuk pelqeni Kicon apo qe ju vjen per te vjelle Nje pyetje? Sikur kete ta kishte bere jo Kico Blushi por te themi Andea Asis Askush Bolljan. Cfare do te thoshit?. 

Lereni Kicon dhe shikoni ate qe shkruan Kicoja

Ka gjenjyer valle ? Nuk eshte ky realiteti?

Toko,

Fakti qe e ka shkruar ky Kico Blushi, kjo thjesht sa e acaron historine sepse asnje ndryshim nuk do te kishte edhe po ta kishte shkruar Toko Koto (nje japonez, ish-student ne Shqiperine e E. Hoxhes). E kam fjalen qe ky shkrim mbetet nje shkrim idiot dhe kaq. Dhe per cudi, shkrimet e ketij me dalin idiote te gjitha.

Mbaj mend, z. Toko, kur ne klasen e peste te 8-vjecares vinte ora e hartimit, te gjithe dridheshin nga frika sepse, sic dukej, nuk ishte aq e lehte per te llomotitur. Mirepo, une ia kisha gjetur anen, tre fjalite e para ishin keshtu :

Perpara Clirimit, vendi yne ishte nje vend i varfer.
Populli shtypej dhe shfrytezohej nga cifligaret dhe bejleret.
Kushtet e jeteses se njerezve te thjeshte ishin mjaft te keqija.

Ti e kupton vete, isha i vogel dhe s'beja dot fjali me te gjata. Kur vinte ora e notave, une rralle merrja 9, gjithmone 10. Me nje "shume mire" ne fund.

Ja ta analizojme pak kete noten time : pse me vinte zysha dhjete ? Kaq bukur te kisha shkruar valle ? Kaq talent te kisha por qe s'e dija ende ? Nuk besoj. Zysha me vinte dhjete sepse une rralle shkruaja genjeshtra... dmth, shkruaja gjithmone te verteta qe m'i kishte mesuar zysha.

Te shkruash budalliqe te tilla si : me 1992, femijet shisnin karamele dhe te shanin me fjale te keqija, apo te qellonin xhamat me gure, ngaqe prinderit ishin pisa dhe nuk i mesonin femijet, kjo te hip nervat. Qe te jete kaq KOQE ky Blushi per te me diskutuar ne keto nivele, kete e mora vesh tani (e thashe ne fillim qe asnjehere nuk e kam lexuar kete tipin).

Sa per Blushin, sic e tha dhe nje zoteri me lart, te mos na caje derrasa ketu sepse e ka ndritur kur ishte koha e vet. Ka ndertuar sa te duash njerez te rinj ! Dhe ja rezultati i njeriut te ri te Kico Blushit dhe filmave te qelbur te tij. Keshtu qe une nuk do te marr mend nga Enver Hoxha sesi ndertohet demokracia, dhe as nga Hitleri sesi ndertohet vellazeria ndermjet popujve. E kane treguar vete keta sesi i kuptojne keto gjera.

Per rrjedhoje, le ta qepe halene ky Blushi e te zere ndonje qoshe diku, te luaje domino me ata spurdhjaket e vet shoke te idealit, e te mos i ndihet zeri i gojes. Palo moralist !

 antirrote; "....Kur vinte ora e notave, une rralle merrja 9, gjithmone 10. Me nje "shume mire" ne fund...."

 

Nderkoh qe une merrja 5,6,7 maksimumi, ne shkoll te mesme (mekanike/teknike naten) , per shkak se per mua s'kish gjimnaz dhe shkolla dite, nga shkaku i diferencimeve qe beheshin athere, diferencime qe dhe sot vazhdojne akoma fatkeqesisht. 

Artikulli, ne shumicen e pikave qendronte, dhe eshte per te ardhur keq qe shkolla ka pesuar deformime dhe degradime, jo vetem ne program por dhe ne disiplinen e te mesuarit. Kur shkoj ne Shqiperi e ve re degradimin e nxenesve dhe te mesuesve, dhe kjo eshte dhe per faj te ministrise se Arsimit, te pakten per keto 15 vitet e fundit,  jo vetem per shkak te prinderve apo te sistemit.  Pavarsisht se artikulli ishte pakez i politizuar, shumica pikave aty qendronin,  i vjen apo s'i vjen mire ndonjerit.

Kico Blushi shkruan ne te shkuaren e afert ,por per mua do te ishte mire te shkruante ne te tashmen se gjendja e shkolles e degraduar ,tashme eshte edhe me keq!

Kuptohet, në këto kushte shkolla u quajt institucion pa vlerë, madje edhe i dëmshëm, sepse në klasat e saj jo vetëm ishte bërë edukimi komunist (ishte gatuar “njeriu i ri”që na doli fals!), po edhe pse shkolla, e dalë dhunshëm jashtë loje, nuk mund të pajiste fëmijët dhe rininë me një edukim për së mbari (droga, dhuna, rrëmbimet, perversitetet, rrugaçëria…zaptuan thuajse të gjitha oborret e pasmë të shkollave&hellipsmiley..

.....

Po ,ashtu eshte edhe sot ,nje institucion pavlere...c`fare edukimi meret ne shkolle ??...,kur nxenesit ,studentet , pine duhan ,alkohol,perpara dhe mbas fillimit te mesimit,brenda dhe jashte ambienteve te shkolles ,kur mungon disiplina mesimore ,bashkepunimi prender/mesues!..e esa e sa gjera te tjera qe  mungojne...

e di pse ?sepse u shua nje metode studimi nga zeroja ,dhe ngeli aty nga paaftesia e zevendesimit te nje metode te re studimi dhe edukimi.Duke qene ku vakum ,ne sitemin e shkollave shqiptare eshte mbushur me anti vlera.Hej mos te flasim per dy tre shkolla, ne Tirane por te gjitha ato shkolla ne rrethe te shqiperise

 pra, shkolla nuk ofronte arsimim e kulturë, si e lypte sistemi i mirëseardhur demokratik.

...

Pa diskutim Po!

 Më e keqja ishte se pas mbarimit të saj nuk mund të siguroje dot as bukën e gojës. Madje, edhe po të mbaroje universitetin shkëlqyeshëm, nuk gjeje dot punë, nuk kishe as shpresë dhe as perspektivë!

Pa diskutim Po! Shteti dhe shoqeria shqiptare ,eshte shume primitive ne kete drejtim ,sepse nuk e vlerson fare,fare produktin vendas,duke e nenvleftesuar cdo nxenes ,student,te cilet mund te te stimulohen potencialisht per ta pare te ardhmen e tyre ne vendin e tyre,Po si mund te ndodh kjo ne shqiperi,kur shkollat tona kur ska as nje objektiv ,as nje studim prioritetesh per te cilat ka nevoje vendi yne .

Ne administratat publike ,punojne grate e policeve ,deputeteve ,qe kane ardhur nga fshati dhe provincat e Tiranes ,Durrsit,Fierit,Tropojes ,Dibres,ETJ!!

 

E vetmja zgjidhje për të shpëtuar fëmijët nga rreziqet e paparashikueshme dhe të papërballueshme të pushtetit të pakontrolluar të rrugës e të kotanisë kolektive mbi shkollën dhe familjen, ishte ikja sa më parë nga vendi, në emigracion…

Pa diskutim po!

Por kjo eshte nje vuajtje ,dhe nje humbje e madhe per secilin ,per kombin gjithashtu,sepse eshte nje rrjedhje,qe nuk i ben mire askujt as atij qe iken dhe as atij qe mbetet .Vakumi do te mbushet me injorance qe do te duhet edhe nja 50 vjet te vijme ne normalitetin e standarteve ,te edukimit,te qytetarise,te komunikimit te arsyeshem dhe te dobishem per te gjithe shoqerine .

Ja vlen ta lexosh Blushin !Ka shume per te thene...!eshte realitet permbajtja e tij!

antirote,

e tore dhe e tore prape nuk ju pergjigje pyetjes sime

Ato qe shkruan Koci a jane te verteta ap jo. A eshte ky realtieti i arsmit shqiptar.

Sa per harme une gjithmon kam mare 6-7 8 me mik sepse nuk kam ditur te shkruaj aq bukur sa ke shkrojtur ti me lart smiley.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).