Strategjia elektorale e Edi Ramës

Kryetari i PS, Edi Rama, ka vendosur të respektojë kontratën me qytetarët e Tiranës duke mos kandiduar për deputet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të zhvillohen më 28 qershor të këtij viti. Burime pranë PS thanë dje se kryetari socialist nuk do të jetë në listën e kandidatëve për deputetë të PS, dhe me këtë vendim ai qëndron në pritje të një mesazhi që i jep elektorati, që do të thotë se, në rastin e fitores së PS në këto zgjedhje, Rama mandatohet për të qeverisur vendin. Në rast të zhvillimeve në këtë linjë, Edi Rama dorëhiqet nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, duke i lënë hapësirë zgjedhjeve të reja në këtë bashki. Por kjo ndodh, vetëm në rastin kur PS votohet nga elektorati për të qeverisur vendin dhe kryetari i saj automatikisht mandatohet kryeministër i vendit. Kur kanë mbetur vetëm katër muaj nga dita e zgjedhjeve, strategjia e PS dhe kryetarit të saj për zgjedhjet e 28 qershorit po merr formë përfundimtare. Kryetari Rama dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë janë në proces të përfundimit të të gjithë elementeve të fushatës elektorale, duke përfshirë këtu edhe listën e kandidatëve për deputetë. Nga zhvillimet e deritanishme, sa i përket përbërjes së listës së kandidatëve për deputetë, është e rëndësishme të theksohet se burimet pranë PS thonë se ish-kryetari i PS, Fatos Nano, nuk do të jetë në listën e kandidatëve për deputetë të PS në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të zhvillohen më 28 qershor.

Lista e kandidatëve për deputetë

Duke qëndruar jashtë listës së kandidimit, Edi Rama i hap rrugë hartimit të një liste sipas të gjitha preferencave që justifikojnë politikën e tij në PS, të quajtur politikë e re. Asnjë prej deputetëve aktualë të PS nuk do të mund të kundërshtojë vendimin e kryetarit të PS dhe rrethit të tij të ngushtë për të vendosur në listën fituese nëpër qarqe ata kandidatë, të cilët nuk kanë garancinë e nevojshme për të luftuar për votën e tyre. Kjo për shkak se kandidatët e vendeve të para në listën e kandidatëve të PS pritet të jenë individë që nuk kanë qenë shumë aktivë në politikë dhe për pasojë nuk kanë popullaritetin e nevojshëm për të luftuar për votë. Këta individë pritet të jenë figurat e spikatura nëpër qarqe, pasi kjo është deklaruar nga vetë kryetari, Edi Rama, pak muaj më parë në një prej mbledhjeve të Asamblesë Kombëtare të PS. Në deklaratën e tij zyrtare para anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, theksohej se në krye të listave të kandidimit nëpër qarqe nuk do të jenë më “gjeneralët”, por do të jenë figura të spikatura të qarqeve përkatëse, si dhe femrat, për të bërë të mundur plotësimin e kuotave të premtuara të pjesëmarrjes së grave në parlament. Sa i përket termit “gjeneral”, i përdorur nga Rama në mbledhjen e Asamblesë pak muaj më parë, bëhet fjalë për deputetë aktualë të PS, figura të hershme të PS. Kreu socialist ka deklaruar specifikisht se “gjeneralët” duhet të vihen drejtpërdrejt në provë, të luftojnë për të siguruar votat e elektoratit gri, të pavendosurit, me qëllim që të jenë deputetë në legjislaturën e ardhshme. Gjithashtu, në krye të listave, apo siç thuhet ndryshe, në listat fituese, pritet të jenë figura shumë të spikatura në drejtimin e PS aktuale, por që i përkasin brezit të ri në politikë. Në këtë situatë, ndjehen të rrezikuar shumica e deputetëve të PS, qoftë edhe ata që deri tani, kanë qëndruar apo edhe po vazhdojnë të qëndrojnë në krah të Ramës.

Askush në PS nuk ka garantuar apo nuk ka asnjë informacion nga kryetari i partisë, se në cilin qark do të kandidojë, apo se në ç’vend të listës do të jetë. Këtë informacion, thonë burimet, nuk e ka as kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS, Gramoz Ruçi.

Pasiguria që ka përfshirë deputetët e PS në prag- zgjedhjet parlamentare të 28 shkurtit, pritet të sjellë reaksione së shpejti në radhët e PS. Sidoqoftë, nuk kanë mbetur shumë shanse që ata të reagojnë në funksion të përfitimit të tyre, kjo për shkak se lista e kandidatëve për deputetë të PS do të bëhet e ditur për të gjithë, përfshi këtu edhe deputetët e PS, vetëm 45 ditë para zgjedhjeve, ditën që do të dorëzohet në KQZ.

Ndarja në ekip qeverisës dhe ekip legjislativ

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare pritet të formësojnë një grup të ri parlamentar të PS, qoftë në opozitë, apo mazhorancë. Synimet e kryetarit të PS janë të qarta. Ai ka vendosur të ketë një ekip të fortë legjislativ, i cili të jetë i angazhuar vetëm me legjislativin dhe në asnjë funksion tjetër drejtues, si p.sh., pjesëtar i kabinetit qeveritar. Ekipi legjislativ i PS, i cili pritet të jetë me imazh krejt të ndryshëm nga ai i grupit aktual parlamentar të PS, do të ketë si detyrë të vetme bërjen e ligjeve, si dhe funksionet e tjera politike që ka një grup parlamentar i një partie, përfaqësimin dinjitoz të partisë para publikut, duke u angazhuar fort në të gjitha debatet që zhvillohen në Kuvend, dhe jo vetëm detyra për miratim ligjesh.

Ekipi qeveritar pritet të jetë i përbërë nga ekspertë të zgjedhur të të gjitha fushave, të lidhur ose jo me strukturat e larta drejtuese të partisë. Sipas strategjisë së re të PS, ekipi i ri qeveritar do jetë gjithnjë i ndryshueshëm, duke pasur si kriter ndryshimi rezultatet e punës së secilit. Burimet sqarojnë se ekipi qeveritar do të përbëhet nga ekspertë që mund të vijnë nga jashtë politikës, por që mund të kenë shfaqur prirje të majta politike. Për sa i përket përfshirjes së partiakëve në qeveri, parashikohet që asnjë prej figurave të hershme të PS, ata që nuk do të jenë pjesë e listës së kandidimit, nuk do të jenë as pjesë e kabinetit qeveritar. Bëhet fjalë për ato figura, qofshin të niveleve të larta aktuale në PS, apo të niveleve me të ulëta të përfaqësimit, të cilët kanë qenë pjesë e kabineteve qeveritare gjatë qeverisjes socialiste në tetë vitet e qëndrimit të saj në pushtet.

Sondazhet në bazën e partisë

Krahas aktiviteteve të ndryshme partiake që përbëjnë të gjithë mobilizimin e partisë në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, janë edhe sondazhet për çështje të ndryshme. Veç sondazheve që secila parti organizon në prag zgjedhjesh, në PS po funksionon testimi i bazës së partisë për çështje të ndryshme. Sondazhe në anëtarësinë e PS janë kryer edhe për çështjen e përfshirjes në listën e kandidimit, saktësisht në listën fituese të PS, të emrave që quhen figura të rëndësishme në PS. Burimet thonë se në disa sondazhe, elektorati nuk ka ndjeshmëri të theksuar për faktin nëse do të jetë apo jo një figurë e caktuar në zonën e tyre si kandidat i PS në listën fituese të partisë. Nga sondazhet e zhvilluara rezulton se elektorati i PS, baza e kësaj partie, është sensitive më tepër ndaj mënyrës se si PS dhe kryesisht kryetari i saj mbajnë qëndrime në situata dhe për çështje të ndryshme politike në vend. Grupet e sondazhit pranë Ramës pretendojnë se elektorati i PS ka humbur lidhjen e ngushtë me deputetët e zonës dhe është përqendruar te lideri, d.m.th., te mënyra se si kryetari i PS, Edi Rama, reagon për çështje të rëndësishme, siç është anëtarësimi në NATO, çështja e Gërdecit, e rrugës Durrës-Kukës, bashkëpunimi me mazhorancën apo dhe debate të tjera që kanë të bëjnë akuzat për korrupsion drejtuar mazhorancës etj. Nisur nga këto sondazhe, duket se kryetari i PS, Edi Rama, ka shumë hapësira për të mbërritur në krye të “udhës” së tij, për të instaluar në të gjithë nivelet e PS atë që ai e quan politika e re, dhe jo vetëm në slogane, por edhe me lëvizje e zëvendësim të burimeve njerëzore. Kjo do të thotë mundësimi i “pastrimit” të partisë nga disa individë në këtë parti, të cilët shihen nga të rinjtë e angazhuar në PS si pengesë për realizimin e politikës së re.

7 Komente

 Roli i Edit, ne reformimin e PS nuk mohohet, eshte e vertete se ka sjelle nje fryme te re, por dyshoj qe ky person drejtoje Shqiperine sipas nje menyre bashkohore. Fryma e interesit personal dhe interesit te lekut, me duket se ua ka deformuar caze karakterin ketyre figurave te reja. Nuk mund te them se Edi eshte i zhytur komplet ne interesin personal dhe te lekut si Nano, por dyshoj/mendoj se eshte prekur pakez nga semundja e Nanos.

Cjane keto idiotizma dhe kinezerira?

Kryetari i nje pertie sidomos kur ajo eshte me e madhja e opozites duhet te jete deputet.Politika behet ne parlament dhe jo ne Bashkine e Tiranes.

Por sic duket e di te qe do te humbe zgjedhjet prandaj ka vendosur qe ta beje kete hap.

o shoku e e kupton ti, qe po sikur Rama te mos fitoi zgjedhjet, do te jete ne nje parlament,si nje parlamentari thjeshte, ne nje karrike ordinere.Se edhe Ps do ta humbi po humbi zgjedhje. Edhe do te le Bashkine e Tiranes, upupupupupup qe per te eshte si pula qe bene veze te arta. Ok ai po don te fitoi Shqiperine, qe i bie qe te kete 2 pula qe bejne veze te arta, po ska pse ta luaj nje. Se do rri pa veze pastaj hahahhahahahahha

 

 

ky veprim do te jete shume demoralizuaz edhe shume veprim Frikacak sipas meje.Edhe ka per te pasur nje ndikim, shume negativ ne popullin e majt.

Kesaj i thone te luajm bingo po pa harxhuar leke as per Bileten,dhe Rama pastaj shpreson te fitoje.

Por sic duket e di te qe do te humbe zgjedhjet prandaj ka vendosur qe ta beje kete hap.

Solidarnosc,

Eshte e qarte se dhe ky eshte nje interpretim i mundshem. Ne Shqiperi nuk kemi pare kurre nje Leader partie opozite qe pretendon te drejtoje vendin, te mos marre voten e popullit, pra te mos votohet direkt. Se keshtu i bie qe ai te zgjidhet "indirekt" ne rast fitoreje te PS-se ...

Nga ana tjeter, fakti qe Rama s'do kandidoje, mund te tregoje FRIKEN e tij, ose te pakten pasigurine per fitimin e zgjedhjeve.

Sepse, si mund t'a interpretoje ndryshe nje simpatizant i se majtes, faktin se lideri i opozites preferon te ruaje postin qe ka pa marre asnje rrezik ? Sepse, ne rast se kandidon dhe humbet, Rama behet vetem "deputet" por jo Kryeminister, dhe duhet te dorezoje bashkine. Kurse, ne rast se fiton, jep doreheqjen nga bashkia, dhe merr copen e madhe : dmth - Rama i ben shume mire llogarite per veten e tij ... sido qe t'i veje puna, kolltukun e Pashait te Tiranes nuk ja heq dot njeri, te pakten deri ne 2011, dhe nese i humbet zgjedhjet e 2009 ...

Miq, pikerisht eshte kjo arsyeja e fundit qe Rama ka vendosur te mos-dorehiqet nga kreu i bashkise dhe rrjedhimisht te mos kryesoje listen e deputeteve te PS-se;  frika dhe bindja qe ka se zgjedhjet i ka te humbura. 

Normalisht, Rames i takon vendi ne krye te listes si lideri i opozites dhe kandidati i saj per kryeminister, por eshte i bindur se nuk mund te perballet ne zgjedhje me kete shumice.  Prandaj nuk e leshon bashkine e Tiranes, e cila edhe ne rast se humb zgjedhjet, i jep fuqi dhe para per te vazhduar te mbaje kreun e PS-se dhe te shpresoje per zgjedhjet e tjera.

Kjo tregon se sa te besueshme jane edhe sondazhet e Zogby-it.  Ha,ha,ha!

Megjithate duhet pritur qe kete lajm qe e nxjerr vete Rama herepashere ne media - per te mesuar elektoratin e majte - te konfirmohet, pasi mund te kete presione ndaj Rames dhe ndoshta mund te detyrohet te zgjedhe listen e deputeteve.

O polico po cuditem me ty sonte qe jep mendimet e tua te vyera mbi bazen e nje shkrimi hamendesor tek gazeta Tema. Pra ju i besoni artikujve qe botohen tek kjo gazete? Apo varet .........nga permbajtja..... hahahahahahahah

Kjo për shkak se kandidatët e vendeve të para në listën e kandidatëve të PS pritet të jenë individë që nuk kanë qenë shumë aktivë në politikë dhe për pasojë nuk kanë popullaritetin e nevojshëm për të luftuar për votë. Këta individë pritet të jenë figurat e spikatura nëpër qarqe, pasi kjo është deklaruar nga vetë kryetari, Edi Rama, pak muaj më parë në një prej mbledhjeve të Asamblesë Kombëtare të PS.

Me duket mua apo ky gazetari kundershton veten brenda dy fjalive njera pas tjetres? Nga njera ane thote do jene individe qe s'kane qene shume aktive, fjalia tjeter thote "do jenë figurat e spikatura nëpër qarqe". Po mire, si u bene te spikatur keto "figurat" kur nuk kane qene aktive?! Apo jane "spikatur" nga Rama? Apo gazetari s'e ka idene cfare do me thene "spikatur?"

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).