Shqiptarët rrugëtojnë me vdekjen

Që legjenda e Konstandinit me Doruntinën është afër së vërtetës në Ballkan, këtë pak kush e beson jashtë saj. Por, kur nëpër libra, në veprime, në fenomene, e tregon në një formë apo në tjetrën, atëherë ajo bëhet realisht e vërtetë. Pa u larguar nga argumenti, ndotja toksike në vend është e tillë, saqë pasojat e saj kanë filluar ta prekin realisht publikun shqiptar. Në një farë mënyre shqiptarët ecin si Doruntina mbi vdekjen.
Ka qenë një studim i fundit i programit te UNDP-së për zonat e nxehta, i cili ka rrëfyer se nëse nuk interesohemi për katrahurën mjedisore, që ka lidhje me mbetjet toksike industriale me të cilën bashkëjetojmë, atëherë pasojat dhe kostot nuk do llogariten më dot. Ato thjesht do të regjistrohen si statistika. Janë 35 zona të nxehta (hot-spote) të ndotura me mbetje industriale toksike në territorin e Shqipërisë. Në dhjetëshen e parë është Tirana me dy objekte: vetë ish-Kombinati i Autotraktorëve dhe Ofiçina e transformatorëve të vajit. Monoksidi i karbonit përbën fenomenin shqetësues, me të cilin hasen banorët që popullojnë ambientet e njërit prej objekteve më të rëndësishme të socializmit. Njësoj në Berat janë dy pika. Vetëm se diku afër saj, në një pikë periferike në Uznovë, ku banorët janë ngritur në protestë kundër një fabrike të përpunimit të lëkurëve. Atëkohë, prej fabrikës media raportoi disa dhjetëra të sëmurë që vuajnë nga organet e frymëmarrjes si dhe sëmundjeve të tjera, të cilat sipas mjekëve ishin shkaktuar nga ndotja. Epilogu ishte se mbeturinat e saj shkarkoheshin në lumin Osum.

Kush janë zonat më të rrezikuara?
Të raportuara kudo nga media, të përcjella si shqetësim nga qytetarët, kjo përbënte një nga detyrat kryesore që duhej të zgjidhte Programi i UNDP-së për Zonat e Nxehta Mjedisore. Programi ne bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe falë donacionit të Qeverisë Holandeze ndërmori një studim për evidentimin e tyre. Për MAPO-n, Koordinatorja e këtij Programi, Klodi Marika është shprehur: “Në kuadër të programit kemi dy projekte paralele, njëri projekt është i fokusuar në pastrimin nga kimikatet te stacionit hekurudhor të Bajzës, kurse projekti tjetër është i fokusuar në identifikimin e prioritizimin e pikave të nxehta mjedisore në Shqipëri. Në këtë kuadër nëpërmjet informacioneve të marra nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave nëpërmjet Agjencive Rajonale të Mjedisit, nga Bashkitë e rretheve dhe nga drejtoritë e shëndetit publik është identifikuar një listë me zona të nxehta, trashëgimi e industrive prodhuese, të cilat pas viteve ‘90 janë mbyllur ose jane pjesërisht funksionale”, është shprehur ajo. Me gjuhën e kursyer të specialistëve, kjo s’do pëlciste shumë, nëse në praktikë nuk do kuptohet se ndotja në zonën e ish-kombinatit është e tillë, saqë ajo tash ka prekur dhe lumin e Tiranës, që rrjedh ndanë hapësirës së ish-Kombinatit dhe i afrohet kryeqytetit. Por banesat e shumta pa kriter, një pjesë e popullsisë së ardhur, që kanë zënë brigjet e saj, nuk mund ta kuptojnë kurrë rrezikshmërinë që po i afrohet. Po në Tiranë, hapësira ku shtrihet një strukturë në Zogun e Zi e transformatorëve të vajit- e shton sikletin e specialistëve për kryeqytetin. Në fakt, kjo gjendje, sidomos për Tiranën nuk është krejt e panjohur.
Ekspertiza e OBSH-së, e referuar nga Krzyzanowski M., pak vite më parë më parë, ka nxjerrë se: “Nëse vlerësimet e bëra në pjesë të tjera të Evropës do të ekstrapolohen në Tiranë, humbja e pritshme e jetëgjatësisë së popullatës së Tiranës për shkak të ndotjes së ajrit do të kapërcente 1.5-2 vite jetë për çdo banor”.
Specialistët e mjedisit, falë bashkëpunimeve, po mundohen të sensibilizojnë dhe mbi të gjitha të arrijnë të monitorojnë. Kurse, tentakulat e kancerit kanë filluar të shqetësojnë seriozisht shtetin shqiptar. “Unë di që buxheti i Ministrisë së Mjedisit është 0,1 %, shprehet një nga njerëzit e mjedisit Xhemal Mato. Ndërsa, politika mjedisore tek ne është jo prioritare, sepse tani luftohet korrupsioni dhe terrorizmi... Por, në vitet për ndërtimin e demokracisë, kemi dëmtuar aq shumë, sa indirekt lufta reale që na ka shkatërruar vërtet ka qenë humbja e mjedisit dhe degradimi i tij”. Është e vërtetë, ndaj kanceri tash hakmerret me kryeqytetin e shqiptarëve në këtë lloj mënyre. Jo më ndryshe është situata edhe në hot-spotet e tjera. Do të ishte alarmi i vazhdueshëm i banorëve në Bilisht, që t’u vihej fre depozitimeve që sillnin natën makina me targa greke dhe turke. Njësoj në Shkodër në Bajzë, në Elbasanin e tmerrshëm, Pogradec, Berat etj.
Janë këto mbetje që përcillen në ajër apo depozitohen në tokë, që çlirojnë erëra të padëshirueshme apo që e kanë ndotur aq shumë ajrin e kryeqytetit shqiptar dhe qyteteve të saj kryesore, ku dikur ekzistonte një industri gjigandeske. Në studimin e saj, UNDP-ja ka paraqitur 10 qytete që kërkojnë ndërhyrje emergjente për pastrimin dhe rehabilitimin e tyre. Ndër to, Elbasani, duket se nuk do t’i shpëtojë damkës së madhe dhe për disa kohë.

Metodika
Njësoj si ajo, për 35 pika të nxehta, falë studimit te programit të UNDP-së për zonat e nxehta, realizuar nga kompania austriako-holandeze IC Consulenten & Witeveen +Bos u prioritizuan (duke përdorur metodologjinë ndërkombëtare më e mirë e mundshme, si dhe nëpërmjet krijimit të modeleve konceptuale të krijuar duke identifikuar Burimin – Rrugën dhe Receptorët) duke konkluduar me një listë prioritare të pikave të nxehta, që kanë nevoja emergjente për plane rehabilituese veprimi për shkak të rrezikshmërisë që ato sjellin ndaj shëndetit të njerëzve, që jetojnë në këto zona dhe në ato përreth, si dhe ndaj ekosistemeve duke shkaktuar ndotje të ujërave nëntokësore e sipërfaqësore si dhe të dheut, citohet Koordinatorja e Programit. Kjo listë për Znj. Marika ka ende vend për përmirësime. Njëra nga këto ka lidhje me pronësinë e zonave te identifikuara. Disa nga subjektet janë në pronësi shtetërore dhe disa të tjera janë në pronësi private. Duke u nisur nga ky këndvështrim është e rëndësishme të përcaktohet nëpërmjet një kuadri politikash ose ligjor roli që do të luajë shteti në rehabilitim, përmes financimeve, por dhe roli që duhet të kenë subjektet private. “Ky problem u diskutua dhe në mbledhjen paraprake të organizuar me komunitetin e donatorëve për mundësinë e financimit të planeve rehabilituese të këtyre zonave, pasi duket qarte qe donatoret nuk janë në favor te financimit kur behet fjale për subjekte private. Për këtë duhet një udhëzim politik në lidhje me kush do bëjë dhe çfarë dhe mënyrat se si investitorët privatë do të përgjigjen në kuadrin e rehabilitimit”, shprehet kordinatorja.

Pasojat
Në fakt koha s’pret. Dhe, të parët veç banorëve këtë e kanë parë specialistët, që nga ana e tyre i kanë filluar ekzaminimet vite më parë. “Ne, si ISHP kemi punuar në vitin 1999 dhe në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe në kuadër të një projekti të ECAT, për vlerësimin e ekspozimit nga izomeret e hekzaklorociklohekzanit (Lindani është një nga izomeret) në zonën e Porto-Romanos. Në vitin 2004 është kryer një studim vlerësimi dhe fizibiliteti përsëri në Porto-Romano nga Ministria e Mjedisit”, shprehet Lindita Tafaj, specialiste e Mjedisit. Gjithsesi, edhe pse Porto-Romano nuk përmendet tash si një nga vendet më të ndotura, zvargia e problemeve të saj, tregon se i njëjti fat u është rezervuar dhe hot-spoteve të tjera.“Shtrirja e ndotjes ka përmasa shumë të mëdha. Problemet që janë hasur kanë të bëjnë drejtpërdrejt me jetën e njeriut. Në Elbasan depozitat e mbetjeve që përmbajnë sulfuride, fosfate të ndryshme, jo vetëm kanë shkaktuar ndotjen e ajrit të qytetit, por edhe kanë shkaktuar probleme në frymëmarrjen e njerëzve”, janë shprehur specialistët e këtij projekti. Nuk ka të dhëna statistikore që të tregojnë korrelacionin e problemeve shëndetësore (që përkthehet në mutacione gjenetike), pasi ndotësit e depozituar nuk kanë origjinë radioaktive apo të ngjashme me këta. Megjithatë, duke iu referuar studimit të kompanisë IC Consulenten & Witeveen +Bos, besohet se në Berat ka të dhëna për raste të përsëritura sëmundjesh mendore, kurse për ish-Kombinatin e Autotraktorëve në Tirane është rekomanduar për një rivlerësim të detajuar të situatës mjedisore, kuptohet përpara marrjes në konsideratë të planeve të zhvillimit. Njësoj me ofiçinën e transformatorëve të vajit, që është rekomanduar të këqyret statusi i kanaleve shkarkuese dhe impakti në ujërat sipërfaqësore dhe në pikat e shkarkimit, pasi ajo është në një nga vendet me më shumë lëvizje në kryeqytet.

Vendet dhe qytetet e rrezikuara
Njësoj si në kryeqytet, ekspertët kanë paralajmëruar se në mbarë Shqipërinë, dhjetëra e mijëra tonë mbetjesh kimike dhe toksike mund të gjenden në fabrikat e braktisura që i përkasin periudhës së komunizmit. Ish-ministri i Mjedisit, Et’hem Ruka, në një rast që kishte lidhje me ujin, arriti që të apelojë drejt institucioneve ndërkombëtare të ndihmojnë Shqipërinë për të “parandaluar katastrofën njerëzore”. Atëkohë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duheshin së paku rreth një miliard dollarë për të ulur nivelin e ndotjes në Shqipëri. Në ditët tona, në Elbasan vazhdohet që të shikohen probleme në mushkëri, edhe mutacione të ndryshme gjenetike. Ndikimet janë më prezente te fëmijët e porsalindur. Kurse specialistët vërejnë se është transmetimi i sëmundjeve të ardhura si pasojë e ndotjes nga nëna në embrion, që ka sjellë që fëmijët të lindin me probleme në rrugët e frymëmarrjes, kryesisht me astmë. Por, jo shumë larg qytetit të Burrelit, një gjigant tjetër ka sjellë probleme me popullsinë. UNDP-ja ka kërkuar që në fabrikën e përpunimit të ferro-kromit të kryhet pastrimi i menjëhershëm i zonës, në të kundërt pasojat do të jenë të parikuperueshme. Po ashtu, në Berat, ekzistenca e Fabrikës së Prodhimit të Baterive në këtë qytet, ka bërë që ajri të jetë tri herë më i ndotur se parametrat e lejuar nga Komuniteti Evropian. Laçi, një nga qytetet industriale më të njohura në vend, ka kohë që megjithëse është në gjumë, e ka realizuar qëllimin e tij duke ndotur ujërat sipërfaqësorë si dhe nëntokën. Për sa i përket minierës së Bulqizës, shkrirësit të ferro-kromit në Elbasan, Kombinati i Tekstileve në Berat, si dhe ish-fabrika e plastikës në Lushnjë, nuk do shumë të gjykosh. Mjafton të shkosh dhe do të bindesh vetë për rrezikshmërinë e tyre. Ish-Kombinatin i Autotraktorëve në Tiranë ka problemin e madh, sepse një pjesë e banorëve jetojnë në ambientet e tij, ndërsa një pjesë e romëve kanë “pushtuar” brigjet e lumit, ku derdhen shumë nga mbeturinat. Për specialistët e mjedisit një shqetësim tejet i madh është edhe Guri i Kuq në qytetin e Pogradecit, mbetjet e përpunimit të hekur-nikelit, të cilat rrezikojnë liqenin e Ohrit. “Hedhja e mbetjeve në liqen ka bërë që uji të marrë ngjyrë të kuqe, duke i shkaktuar ndotje tej normave të lejuara. Ndotja, thuhet në studim, ka dëmtuar rëndë shumë nga speciet që gjallojnë ujërat e liqenit”, thonë specialistët.
...
Në një vend ku politika dhe interesi i publikut është tërësisht i thithur mbas sipërfaqes së problematikës jetësore, apeli për zonat e ndotura ka shkaktuar pothuajse asgjë. Opinioni publik letargjik shqiptar vazhdon që të humbasë energji në çështje pa dobi. Të vetëm, specialistët e mjedisit po përpiqen që të sensibilizojnë, por duket më kot. Gjithsesi, ata vazhdojnë. Por, ndryshe nga perceptimi i njerëzve për ta përrallat janë përralla, ndërsa e vërteta që duan t’i thonë publikut është e shenjtë. Për këtë është i bindur dhe ky staf që ka hartuar programin në fjalë.

3 Komente

Ben, si gjithmonë i kujdesshëm në temat që trajton, por më duket se je zgjatur pak si shumë.
Vërtet që ky është një artikull gazete, por që të ketë vlerë duhet të shkruhet me një gjuhë që të kuptohet...  presupozoj se nuk lexohet nga të gjithë ata që banojnë n'breg t'lumit, por, megjithatë besoj se artikuj të tillë janë të domosdoshëm, e do të ishte më mirë që të bëhej lista e hot-spot-eve duke vënë në krah të çdo emri edhe rrezikun real që mund të pësojnë në shëndetin e tyre banorët e atyre zonave.

Ben, as mos prit te ndryshoje gje ne nje te aferme te mesme (s'du me thon per me gjate se aq). Ai milet atje nuk do ndergjegjesohet as kur metalet e renda te dalin siper kores se bukes. As kur ne fushat e bujqesise te mbije gruri me kercej plumbi a kadmiumi, si te ajo pjesa e Migjenit. Duhet te shujme i her epshet ideologjike, te bejme definicionin albanez "what's a communist and what's a UFO", masanej, shofim e bojm.

Si i thane xha Sulos te ajo piktura e Zanfit: per sot te rujm pulat i her... neser shofim e bojm.

 Nuk mjafton vetem apeli per te ndergjegjesuar njerzit por duhen fonde, te cilat do te ishte mire te hidheshin ne formen e Bonove si fillim, (obligacione te shendetesise), per te mos prekur buxhetin e shtetit.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).