Pushteti 48 orësh i “naivëve”

“Ah sikur të vijë në fuqi një qeveri që do të ndalojë me dorë të hekurt ndërtimet pa leje dhe të bllokojë shkatërrimin e mjedisit, të anulojë licencat e shfrytëzimit të lumenjve dhe të guroreve, të ndalojë makinat të parkojnë në trotuar dhe parqet të mbushen me pallate, të ndalojë fshatarët të presin pyjet dhe qytetarët të djegin plehrat... Ç’do të ndodhë pas kësaj? Asgjë, një qeveri e tillë do të bjerë brenda 48 orëve.”

 

…thotë Artan Lame, ish-Drejtor i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, ish-zëvendësministër i Territorit dhe Turizmit (poste të mbajtura gjatë tetë vjetëve të qeverive Socialiste), - në një shkrim të vetin të titulluar “Shkatërrimi i sistemit” botuar në gazetën “Shqip”, 02, 02, 2009. Ç’të jetë kjo hata vallë që na i rrëzoka qeveritë për 48 orë? Qeveritë tona nuk kanë mundur t’i rrëzojnë kaq shpejt (apo fare?), as Gërdeci, as Otranto, as piramidat, as pushtimi i institucioneve, as djegiet, as plaçkitjet, as hetimet parlamentare, as Fazlliçët, as hetimet e bujshme në prokurori, as lufta me gjykatat, as ajo me ndërkombëtarët dhe as skandalet me Bankën Botërore! Dhe këtu po flas vetëm për vitet e “demokracisë liberale”, sepse revolucionet, rebelimet, uzurpimi i institucioneve me çfarëdolloj mjeti, dhe ajo e famshmja, që aq lehtë e anashkalon Lame, qëndrimi me të gjitha mjetet në pushtet, kanë qenë pjesë e historisë së pushtetit në Shqipëri që kur nuk mbahet mend.

Kur lexova sa më sipër nga artikulli i Lames, nuk u habita shumë nga fakti se si një ish-drejtues i shtetit mund të përdorë një arsyetim të tillë, që pak a shumë të lë të nënkuptosh se ata që na qeverisin më shumë preokupohen për kohëzgjatjen e qeverisjes sesa se si të zgjidhin ndonjë problem për sa kohë janë në pushtet. As edhe për faktin se, përse nuk ngulmoi Lamja për këtë “dorë të fortë”, kur ishte në pushtet, por kujtohet tani. Jo. U habita se, përse mendon apo është i bindur Lamja se një qeveri mund të bjerë për 48 orë, nëse kryen punën, të cilën në fund të fundit ka për detyrë ta kryejë?!

Të them të drejtën nuk po e kuptoja! Por u ftillova veç në momentin kur, si pa e ditur pse, m’u kujtua një shprehje që kaq shumë është përdorur kohët e fundit: “It’s the economy, stupid!” Po idiot, - i thashë vetes, - e ka fjalën për ekonominë. Po, po, për ekonominë, sepse, pavarësisht se Lame thotë, po perifrazoj, se: “shqiptarët paskan pjesë të gjithë në këto zarare dhe janë përzier të gjithë me të keqen, saqë edhe qeverive u del më mirë hesapi të vazhdojnë udhën që kanë zënë sesa të rrezikojnë nëpër monopatin e thepisur e gjithë rreziqe të reformave të thella” dhe se “shqiptarët nuk dashkan një qeveri që mendon për popullin, por një qeveri që e do populli”, unë përsëri nuk mendoj se Lame është kaq naiv, sa t’i besojë edhe vetë këto që thotë, sepse historikisht në Shqipëri asnjë qeveri nuk është rrëzuar, sepse paska dashur populli, por shumë-shumë sepse ka falimentuar, siç falimentoi edhe qeveria ku bënte pjesë Lame.

Por, më lejoni t’ju sqaroj se, përse mendoj se Lame e ka pasur fjalën për ekonominë.

Burimet natyrore: tokat, pyjet, lumenjtë, plazhet, rërat, kripërat, mineralet, çimentoja, nafta, gazi, ajri etj.,… janë të gjitha lëndë e parë dhe burimi kryesor i mbarëvajtjes ekonomike. Logjika ta do se si të gjitha input-et dhe output-et e tjera, të cilat përdoren për të llogaritur GDP e një vendi, edhe shfrytëzimi i këtyre pasurive duhet të llogaritet. Por si llogariten ato? E mira e do që kësaj pyetjeje t’i përgjigjemi përpara se të na e bëjë kryeministri.

Në shumicën e rasteve këto pasuri llogariten duke iu shtuar prodhimit të përgjithshëm (GDP), pavarësisht se praktikisht ato shterojnë pasuritë natyrore të vendit, gjë e cila sugjeron të kundërtën, pra ne duhet t’i zbresim nga GDP. Gjithsesi, të ardhurat nga këto pasuri kapin shifra nga 10% - 90% të GDP të vendeve të ndryshme, sipas rastit. Për shembull, vendet e pasura me naftë duhet ta kenë më të lartë këtë tregues se një vend tjetër me më pak pasuri natyrore.

Siç e thashë pak më lart, përveçse këto pasuri llogariten në GDP, pavarësisht nga fakti se ato shterojnë burimet natyrore, te ne mungojnë gjithashtu edhe praktikat e ripërtëritjes së këtyre burimeve ose të disave prej tyre. Shumica e sipërmarrjeve tona nuk duket t’i ushtrojnë këto praktika, siç mund të jetë rasti i mirëmbajtjes dhe ripërtëritjes së pyjeve, shtretërve të lumenjve, pastrimit të ujërave apo burimeve të tjera natyrore, të cilat kuptueshëm do rrisnin kostot e bizneseve që i shfrytëzojnë ato dhe rrjedhimisht do ulnin vlerën e GDP. Të gjitha këto praktika mund të konsistonin në shifra 5-10% të të ardhurave të këtyre bizneseve. Pra, siç shihet, shfrytëzimi i burimeve natyrore në Shqipëri përbën të paktën 10-15% të GDP, që do të thotë se, sa më shumë të shfrytëzohen këto pasuri natyrore, aq më e lartë është GDP e një vendi, por aq më e lartë mund të jetë gjithashtu edhe rritja ekonomike. Për shembull, ekspertët ekonomikë kanë vërejtur se vendet e varfra, në përpjekje për të rritur sa më shumë dhe sa më shpejt GDP, e kanë bërë këtë duke shfrytëzuar në maksimum burimet natyrore dhe duke dëmtuar mjedisin (Abel/Bernanke 1998). Ndoshta për këtë e ka pasur fjalën Lame, kur thotë se “janë aq të shumtë shqiptarët që kanë dorë e pjesë në një nga këto zarare…” Sepse, në fund të fundit, nga kjo rritje përfitojmë të gjithë, pavarësisht nga taksa e sheshtë që nuk bën dallim midis atij që shfrytëzon burimet natyrore dhe atij që nuk i shfrytëzon ato.

E megjithatë nuk e di pse edhe ky arsyetim nuk ma mbush mendjen. Në fund të fundit, edhe sikur rritja ekonomike të jetë më e ulët, nuk më duket se do mjaftonte si arsye për të bërë që një qeveri të bjerë për 48 orë! Atëherë, ç’të jetë vallë kjo forcë që do mund të rrëzonte qeverinë për 48 orë, vetëm se nuk do lejonte shfrytëzimin pa kriter të burimeve natyrore dhe mjedisit?

Kam frikë se kjo forcë është ajo forcë, për të cilën kemi frikë ne, ka frikë edhe Lame, por që nuk do ta thotë. Është forca që ka pjesën e luanit në shfrytëzimin e pasurive natyrore të këtij vendi, shfrytëzimi i të cilave nuk shkon te qytetari nëpërmjet taksave, por iu shkon atyre që kanë uzurpuar pushtetet ekonomike dhe politike në këtë vend. Pra, kam frikë se është “forca” e të korruptuarit që e shohim të shfaqet gjithandej ku ka kritika për të, dhe që thotë “ose me mua, ose kundër meje”. Është forca e atyre, që, pasi kishin mundësi të grabisnin pasuritë ekonomike të shqiptarëve në emër të reformave të tipit “terapi e shock”-ut, dhe privatizimeve pa fund, tashmë iu janë drejtuar pasurive natyrore, herë në emër të ndriçimit dhe të nxjerrjes nga kriza energjitike, dhe herë në emër të “strategjive turistike”. Është forca e paktit të të korruptuarve ajo që rrëzon qeveritë në Shqipëri dhe jo forca e njerëzve të vuajtur. Është forca e oligarkisë, që Lame ka frikë, qoftë edhe ta çojë nëpër mend dhe jo më ta përflasë me gojë. Por ndoshta është edhe shpresa për të pasur mundësinë e të qenit qoftë edhe 48 orë në pushtet…

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).