Prokuroria mbyll hetimin e Gërdecit

Prokuroria pritet të zyrtarizojë sot mbylljen e veprimeve të saj për shpërthimin e vitit të kaluar në Gërdec

Mbyllet hetimi për Gërdecin,

Shkeljet teknike në punishte shkaktuan shpërthimin e 700 ton barut duke vrarë dhjetëra e plagosur qindra vetë

TIRANË- Hetimet për shpërthimin tragjik me pasoja të rënda të Gërdecit, mbyllen nga organi qendror i akuzës. Prokurorisë së Përgjithshme, iu deshën 342 ditë kohë që të zbardhë dhe dërgojë për gjykim me cilësinë e të pandehurve 28 persona, të akuzuar se me veprimet dhe mos veprimet e tyre kanë sjellë shpërthimin e 700 tonëve barut në ish-repartin e tankeve në fshatin Gërdec të Vorës.

Për pasojë, në këtë shpërthim, mbetën të vdekur 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosën. Gjatë ditës së djeshme, të 28 pandehurit janë paraqitur para organit të akuzës për tu njohur me aktet hetimore të dosjes dhe për të firmosur përfundimin e këtyre hetimeve 11- mujore. Listës së 28 të pandehurve, i prin ish-ministri i Mbrojtjes, deputeti pa imunitet Fatmir Mediu dhe ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral leitnant Luan Hoxha.

"Nga hetimet disamujore të Prokurorisë së Përgjithshme ka rezultuar se të pandehurit e kësaj dosjeje, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por, në role dhe kohë të ndryshme, me veprimet dhe mos veprimet e tyre me dashje, kanë hartuar shkresa të paligjshme në respektim të zbatimit të urdhrave të kundraligjshme të firmosura nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, veprime këto që kanë faktuar një lidhje shkakësore me pasojat e ardhura nga ngjarja e ndodhur në Gërdec",-thuhet nga prokuroria.

Shkeljet në punishte

Gjithashtu, këto burime theksuan se në punishten e çmontimit të municioneve në Gërdec, organizimi i punës bëhej duke u përqendruar në një numër të madh punëtorësh në një sipërfaqe shumë të vogël pune, çka ka cenuar kushtet e sigurisë teknike dhe kontrollin mbi procesin e çmontimit.

"Në proceset e punës janë përdorur mjete të papërshtatshme në aspektin teknik, si dhe është lejuar kryerja e veprimeve që kanë mundësuar premisa për ngjarje të jashtëzakonshme, që pasoi më pas me vdekjen e 26 personave dhe mbi 300 të tjerëve të plagosur. Është provuar gjithashtu, se në këtë punishte demontimi, baruti ruhej në kontenier të zakonshëm transporti dhe në ndërtesa të pa përshtatshme, jashtë çdo kriteri teknik.

Eshtë provuar nga akt-eskpertime të ndryshme se në momentin e shpërthimit të kësaj punishteje, në vendet e depozitimit të barutit kanë qenë mbi 700 ton barut, të vendosur në 41 kontejnierë dhe në dy ndërtesa. Në afërsi të vendit ku ndodhej baruti, drejtuesit e firmës "Albademil" kishin urdhëruar punëtorët të depozitonin edhe djegoret e predhave, të gjitha këto në shkelje të standardeve të sigurisë",-thuhet nga prokuroria. Sipas saj, ky ka qenë edhe shkaku i shpërthimit në fabrikë.

Zyrtarët, favor Delijorgjit

Mësohet se në dosje theksohet se të pandehurit, ish- funksionarë shtetërorë, me veprimet dhe mos veprimet e tyre me dashje, dhe në mënyra të ndryshme nga njëri-tjetri kanë favorizuar shoqërinë private "SAC-Albademil".

Kjo e fundit kryente edhe demontimin e municioneve në repartin e Gërdecit, ku ndodhi edhe shpërthimi unik në historinë e vendit tonë, pikërisht për shkak të mungesës së masave të sigurisë.

Gjithashtu, nga hetimet 11- mujore është provuar se municionet që çmontoheshin në fabrikën e Gërdecit, nuk ishin vetëm stoqe të vjetra, por edhe municione në gjendje shumë të mirë. "Repartet ushtarake kanë falsifikuar mbishkrimet e arkave të fishekëve duke i paraqitur në Gërdec si municione të vjetra dhe jo municione në gjendje të mirë.

Pasi "shiteshin" nga repartet ushtarake ato përfundonin nën administrimin e shoqërisë "Sac-Albademil" dhe më pas vendosej nëse do të demontoheshin apo do të ricikloheshin nga punonjësit e kësaj punishte demontimi",-thuhej nga burimet e akuzës që sot përfunduan fazën hetimore të çështjes së tragjedisë së Gërdecit.

Prokuroria ka përfunduar veprimet e saj hetimore ditën që ish- ministri i Mbrojtjes mbushte 6 muaj si person në hetim

Mediu thirret në prokurori për t'u njohur me aktet

Deputeti republikan, akuzohet për shpërdorim detyre dhe favorizim të subjekteve private në rastin e Gërdecit

TIRANË- Fundi 6 muajve të ish- ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka sjellë edhe mbylljen e veprimeve hetimore të akuzës ndaj tij. Vetë ai mësohet se është thirrur për t'u njohur me aktet hetimore të akuzës në ngarkim të tij dhe për të firmosur njohjen me to. Lajmi bëhet i ditur nga hetuesit e çështjes, por nuk është konfirmuar nëse ish- kreu i Mbrojtjes, është paraqitur apo jo në Prokurorinë e Përgjithshme.

Ka qenë ora 20:40 minuta e datës 17 qershor 2008, kur tre deputet e Kuvendit të Shqipërisë që kryenin detyrën e komisionit të numërimit të votave, deklaruan se me 101 vota pro parlamenti i hoqi imunitetin deputetit Fatmir Mediu dhe ia "dorëzoi" atë hetuesve të tragjedisë së Gërdecit.

Që nga ajo mbrëmje e nxehtë qershori e deri më sot, kanë kaluar 6 muaj, që kur kryeprokurorja Ina Rama filloi zyrtarisht hetimet intensive ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu. Ndaj tij u ngritën akuzat e "shpërdorimit të detyrës" dhe "shkeljes së barazisë në tenderë apo ankande publike".

Sot mbyllet përfundimisht faza hetimore ndaj deputeti pa imunitet Mediu dhe 27 të akuzuarve të tjerë, ndërsa pritet që dosja penale në ngarkim të tyre të mbërrijë pranë togave të zeza të Gjykatës së Lartë.

Sipas hetuesve të organit qendror të akuzës, "Nesër, (sot) ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediut i përfundon afati kohor i hetimit të çështjes, pasi legjislacioni në fuqi e parashikon që për veprat për të cilat akuzohet i pandehuri Mediu afati hetimor i dosjes është 6 muaj.

Brenda kësaj kohe, hetimi ndaj ish-ministrit duhet të përfundonte ose t'i zgjateshin afatet hetimore edhe për disa ditë me firmën e kryeprokurores Ina Rama. Një veprim i tillë, për hetuesit e çështjes është konsideruar e pavlefshme pasi hetimi ka përfunduar, sipas burimeve pranë institucionit qendror të akuzës.

Gjithashtu, këto burime saktësuan se është thirrur në prokurori edhe vetë i pandehuri Fatmir Mediu dhe avokati i tij mbrojtës, Ardian Visha, për t'u njohur me aktet e hetimit, e për të firmosur mbylljen e fazës hetimore dhe marrjen e një kopjeje të dosjes penale të përgatitur nga prokuroret.

Por, asnjë nga zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme të kontaktuar dje nga "Shekulli" nuk konfirmuan mbërritjen apo jo të ish-ministrit Mediu pranë akuzës për tu njohur me aktet e hetimit. Sipas procedurës së mëparshme, nëse i pandehuri nuk paraqitet për njohjen me aktet dhe firmosjen e mbylljes së hetimit, grupi hetimor në bazë të Kodit të Procedurës Penale ia komunikon përfundimin e hetimit me anë të agjencisë postare vetë të pandehurit dhe avokatit të tij mbrojtës.

Sipas provave materiale që kanë dërguar grupin hetimor në përpilimin e kërkesës për gjykim, thuhet se ndaj ish-ministrit Mediu janë ngritur akuzat e "shpërdorimit të detyrës" dhe "shkeljes së barazisë në tenderë apo ankande publike".

Kryerjen e këtyre dy veprave penale, sipas prokurorisë, i pandehuri Mediu i ka konsumuar duke kryer veprime dhe mosveprime të ndryshme me dashje, në kundërshtim me ligjet dhe aktet nënligjore, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij, si Ministër i Mbrojtjes.

"Veprimet e kryera në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore nga i pandehuri Fatmir Mediu kanë lidhje shkakësore me ngjarjen e ndodhur në Gërdec.

Ku është provuar dhe faktuar se këto veprime dhe mos veprime të ish-ministrit Mediu kanë sjellë përfitime të padrejta në favor të subjekteve private "Sac-Albademil" të përfshirë në procesin e çmontimit të municioneve në ish-repartin ushtarak të tankeve në fshatin Gërdec. Ku si pasojë e shpërthimit të rreth 700 tonëve barut të grumbulluar aty, duke mos respektuar asnjë nga elementët e sigurisë në punë gjatë kryerjes së procedurave të demontimit të municioneve të kalibrave të ndryshëm, ka sjellë për pasojë shpërthimin që i mori jetën 26 personave dhe mbi 300 të tjerë mbetën të plagosur.

Pjesë nga kërkesa për gjykim...

TIRANË- "I gjithë procesi i parregullt administrativ, i urdhëruar nga ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu ka mundësuar ndërmarrjen MEICO dhe kompanitë "SAC-ALBADEMIL", të realizojnë procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit në një situatë kaotike, pa vendosur dhe zbatuar asnjë rregull standarde të sigurisë në administrimin dhe ruajtjen e municioneve, në procesin teknik të çmontimit dhe çmilitarizimit, si dhe në procesin e administrimit të produkteve të dala nga ky proces. Hetimet e kryera dërgojnë në konkluzionin se shkeljet e lartpërmendura të akteve ligjore dhe nënligjore, shkelja e rregullave të sigurimit teknik në procesin e magazinimit të municionit, në procesin e çmontimit dhe administrimit të produkteve të dala nga ky proces, kanë sjellë shkaktimin e zjarrit të pasuar me shpërthimet masive, duke shkaktuar dëmtime shumë të rënda të interesave të shtetit dhe të shtetasve, duke krijuar një situatë tejet të rëndë social - ekonomike dhe dëmtuar sigurinë në gjithë rajonin që preku kjo ngjarje",-thuhet ndër të tjera në kërkesën për gjykim, që sot do t'i dërgohet Gjykatës së Lartë për gjykim.

Pasojat e shpërthimit të ndodhur më 15 mars 2008

TIRANË- Nga hetimi i çështjes është provuar dhe vërtetuar se ngjarja e 15 marsit 2008 ka shkaktuar vdekjen e 26 personave, plagosjen e rëndë të 11 personave, plagosjen e lehtë të 31 personave dhe dëmtime të natyrës më të lehtë të 260 personave të tjerë, pa përmendur këtu lëndimin e shëndetit mendor dhe emocional të një numri të konsiderueshëm personash të tjerë. Ndërsa, si pasojë e shpërthimit në Qarkun e Tiranës dhe të Durrësit janë dëmtuar 5413 banesa dhe objekte private, 32 biznese private dhe 34 ferma bujqësore. Të gjitha dëmtimet e shkaktuara, sipas një vlerësimi paraprak, i akt-ekspertimit kontabël të datës 16 prill 2008, të Entit Kombëtar të Banesave, kap vlerën e 2.039.216.418 lekë të reja. Gjithashtu, kjo ngjarje ka cenuar rëndë një serë interesash të tjera të shtetit dhe të shoqërisë, siç janë: cenimi i rendit dhe i sigurisë në rajonin që përfshiu ngjarja, si dhe dëmtimin e imazhit të shtetit në raport me komunitetin e shoqërisë dhe më gjerë.

TË PANDEHURIT DHE AKUZAT:
1. Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, "shpërdorim detyre"dhe "favorizim në tenderë"
2. Luan Hoxha, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, "shpërdorim detyre"
3. Agim Lala, ish-zv\Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, "shpërdorim detyre"
4. Shpëtim Spahiu, ish-Komandant i Forcës së Bashkuar, "shpërdorim detyre"
5. Zija Bahja, ish-komandant i Komandës Mbështetëse, "shpërdorim detyre"
6. Ramadan Tartari, ish-drejtor në Ministrinë e Mbrojtjes, "shpërdorim detyre"
7. Ndue Marku, ish-drejtor i Harmonizimit të Legjislacionit, "shpërdorim detyre"
8. Sokol Gjeçi, ish-punonjës i ndërmarrjes shtetërore "MEICO", "shpërdorim detyre"
9. Ardian Mullahi, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë, "shpërdorim detyre"
10. Adriatik Mema, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, "shpërdorim detyre"
11. Shkëlzen Madani, ish-drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit, "shpërdorim detyre"
12. Dashnor Çaushaj, kryetar i Komisioni i Kategorizimit të municioneve, "shpërdorim detyre"
13. Zenun Fero, anëtar i Komisioni i Kategorizimit të municioneve, "shpërdorim detyre"
14. Hysni Coçka, anëtar i Komisioni i Kategorizimit të municioneve, "shpërdorim detyre"
15. Hilmi Laçaj, anëtar i Komisioni i Kategorizimit të municioneve, "shpërdorim detyre"
16. Fari Toska, anëtar i Komisioni i Kategorizimit të municioneve, "shpërdorim detyre"
17. Rezart Tërshana, anëtar i Komisionit të çmimeve të fishekëve, "shpërdorim detyre"
18. Besnik Dauti, anëtar i Komisionit të çmimeve të fishekëve, "shpërdorim detyre"
19. Agim Babameto, anëtar i Komisionit të çmimeve të fishekëve, "shpërdorim detyre"
20. Fiqiret Mato, drejtor i uzinës mekanike Gramsh për "falsifikim dokumentesh"
21. Lavdi Shatro, drejtor i Kombinatit Mekanik Poliçan për "falsifikim dokumentesh"
22. Gëzim Oshafi, anëtar i Komisioni të çmimeve të municioneve të rënda, "shpërdorim detyre"
23. Denis Hajdari, anëtar i Komisionit të çmimeve të municioneve të rënda, "shpërdorim detyre"
24. Jorgo Mino, anëtar i Komisionit të çmimeve të municioneve të rënda, "shpërdorim detyre"
25. Fatbardh Kuçi, anëtar i Komisionit të çmimeve të municioneve të rënda, "shpërdorim detyre"


TË PANDEHUR NË BURG

26. Ylli Pinari, ish-drejtori i MEICO-së, "vrasje masive" në bashkëpunim
27. Mihal Delijorgji, administrator i shoqërisë "Albademil", "vrasje masive" në bashkëpunim
28. Dritan Minxholi, drejtor teknik i shoqërisë "Albademil", "vrasje masive" në bashkëpunim

8 Komente

Te mbyllesh hetimin ndaj "Gerdecit" do te thote te kesh zbardhur me fakte perfitimet e jashteligjeshme qe kane marre te pandehurit nga demontimi dhe shitja e materialeve ushtarake. Pra te kesh zbardhur vjedhjen e pasurise shtetrore. Nese prokuroria nuk ka arritur te formuloje edhe nje akuze te tille, atehere triumfi i se keqes qe po pllakos kete vend eshte mese i sigurt.  

ore si ka mundesi ketu te ky shkrimi ky VEZAJ qenka Gazetar i mire dhe ne nje shkrim tjeter per skandalin e ambasades shqiptare ne Rome jo i mire....e habitshme....

besoj qe emrin e atij nuk e lene shefat me e botu....

jo të gjitha petullat dalin me vrimë.

Shkrimi ka nje pasaktesi te vogel tek personat qe jane ne arrest me burg.

Sot eshte pasaktesi... ne daten e botimit te shkrimit nuk ka qene e tille

Korrekt.

Me shume  desha te plotesoj kete njoftim : Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, deklaroi sot ( 12 Mars ) se dosja e plotë hetimore për tragjedinë e Gërdecit, brenda kësaj jave do të shkojë në gjykatë.

Korrekt gjithashtu.

Ia vlen te presim e te verejme nese dhe si elita e drejtesise, do te administroje nje proces me rreth 30 te pandehur...

 Te shohim se çdo te ndodhe ne gjykate. Le te shpresojme per nje vertetesi dhe paanshmeri ne gjykimin e çeshtjes.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).