Projekti i jugut, zbardhen skandalet e radhës

 

Sipas hetuesve të Bankës Botërore, projekti ka shmangur plazhin e Vlorës, më të madhin në jug, duke u përqendruar në fshatrat turistikë në funksion të interesave klienteliste

Projekti i Bankës Botërore “Për menaxhimin e integruar dhe pastrimin e bregdetit” është identifikuar tashmë me një sërë shkeljesh dhe abuzimesh në radhë, dhe jo vetëm më skandalin e prishjes së qëllimshme të shtëpive në fshatin e Jalës. Sipas raporti të investigimit të realizuar nga paneli i inspektimit në Bankën Botërore, pjesë të mëdha të plazheve në jug të vendit nuk janë marrë në konsideratë, duke mos parashikuar në këto zona asnjë ndërhyrje. Koordinator i këtij projekti ka qenë dhëndri i kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi. I akuzuar për konflikt interesi në këtë projekt, për shkak të pjesëmarrjes së tij në biznese të lidhura ngushtë me këtë plan, Malltezi ka bërë të ditur për gazetën se raporti që hedh dritë mbi skandalet e prishjes së fshatrave në jug është i stisur nga grupe të caktuara brenda Bankës Botërore.

Përjashtohet Vlora

Plazhi më i madh në jug të vendit, ai i Vlorës, nuk ka pasur mundësinë që të jetë në vëmendje të projektit më të madh të bregdetit shqiptar të realizuar deri tani. Paneli i inspektimit të Bankës Botërore bën të ditur në raportin e tij, se plazhi më i madh në vend nuk ka mundur që të përfitojë asgjë nga ky projekt, duke lënë që të nënkuptohet se pas këtij veprimi fshihen interesa të ndryshme klienteliste. Sipas raportit, për pjesën e detit Adriatik në Vlorë dhe në vazhdim, projekti nuk merr parasysh asnjë ndërhyrje, madje e ka veçuar në mënyrë të dukshme këtë pjesë, e cila vlerësohet të ketë një impak të madh në turizëm dhe në jetën e banorëve.

Edhe Orikumi

Me përjashtimin e Vlorës nga ndërhyrjet në infrastrukturë është përfshirë edhe Orikumi. Edhe në këtë qytezë  turistike nuk parashikohet që të ketë ndonjë ndërhyrje. Sipas panelit të inspektimit, pjesë e BB-së në qytetin e Vlorës dhe qytezën e Orikumit parashikoheshin që të kishte në rrjetin e ujërave të zeza dhe në pastrimin e bregut. Në të dy këto qendra të mëdha të turizmit të jugut, projekti të tillë mungojnë, por edhe në këtë masterplan të vlerësuar nga ana e kryeministrit Berisha që ka marrë miratim edhe në KRTRSH, nuk parashikohet asgjë.

Prioritet grekëve

Në raportin e panelit të inspektimit, të bërë publik vetëm pak ditë më parë, sqarohet se një pjesë e madhe e përjashtimeve të bëra në qytetin e Vlorës dhe në pjesën e tij veriore janë kryer për arsye të interesave të grupeve të biznesit. Sipas raportit, ka të dhëna që të gjithë përjashtimet që i janë bërë plazhit më të madh në jug, atij të Vlorës, kanë lidhje me interesin e operatorëve turistikë grekë në Sarandë dhe në Himarë. Sipas raportit të panelit të inspektimit, Saranda dhe Himarë në këtë projekt parashikohet që të marrin vëmendjen më të madhe për sa u përket ndërhyrjeve në infrastrukturë. Këto investime sipas raportit, janë në përpjesëtim të zhdrejtë me fuqinë turistike dhe ekonomike që kanë këto zona në krahasim me Vlorën dhe pjesën e saj adriatike të turizmit, që në këtë projekt është shmangur tërësisht.

4 Komente

diversitet korrupsioni. vloren ja japin per 1 euro naftes dhe marrin 1 milion euro neper xhepa. bregdetin e Jonit pa asnje euro se eshte "prone e shtetit", dmth e shtetarve domethene e ministrave, kryeministrave e ca ysmeqreve te tyre.

Te pakten qe ne kohe te Bajronit ka pasur zot bregdeti. Tani na doli pa zot prone e Tosit, Vinit,Salos, Balos dhe  kelyshave te tjere te qelbur...'

S'eshte çudi qe BB , me kete studim, te beje tere llogaritjet e perfitimit nga turizmi ne ter ate zonen, ter xhiron qe mund te luhet, ter produktet qe mund te shiten, ter turistet qe mund te vijne, objektet qe mund te ndertohen, etj. e nga keto llogaritje te hedhi ne investime obligacione, jo vetem ne drejtim direkt te turizmit por dhe te ekonomive/kategorive ndihmese te turizmit, obligacione qe kur hyjne ne investim ne Shqiperi, regjistrohen si borxhe te kesaj ndaj BB.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).