Prioritetet, rrush e ullinj

EKONOMI DHE QEVERISJE

Kur qeveria shpërdoron fondet publike, njerëzit e dinë mirë që paratë e tyre "u bënë rrush e kumbulla". Raste të përsëritura të abuzimit me projekte të mëdha dhe të vogla, janë sot në duart e Prokurorisë, që po heton mënyrën se si janë dhënë dhe nga kush janë përftuar këto fonde. Këto janë histori që ne shpresojmë të sqarohen në mënyrë ligjore, dhe një dite të marrim vesh se si përfunduan në xhepa të panjohur paratë e taksapaguesve.

Ndërkohë, ka dhe herë të tjera, kur nuk arrihet të argumentohet përfitimi ekonomik që do të duhej të justifikonte investimin, që thuhet se një projekt i caktuar nga qeveria duhet të zbatohet sipas arsyetimit se "është prioritet politik". Shumë herë e kemi dëgjuar këtë justifikim, që duket se e mbyll qarkun e bisedimeve. Ajo që nuk është diskutuar ndonjëherë deri më sot është procesi që përzgjedh prioritetet politike të një qeverisjeje: Cili projekt a prioritet do të ishte më mirë për publikun? Nuk na është shpjeguar asnjëherë se si vendoset për një prioritet mbi një tjetër, ashtu si nuk kuptohet se pse prioritetet e shtetit nuk janë kurrë ato të qytetarit.

Në rastin konkret të frutave, para një viti qeveria shpalli me të madhe se po mbillte vreshta pafund, sa të kishte rrush për të gjithë sot e mot. Shumë u fol e lavdërua puna e ministrisë së linjës, se në disa vite prodhimi do të ishte i mbarë, e tregu plot, aq sa të tepronte dhe për eksport. U harrua të thuhet se nga mbiu ky prioritet, në bazë të cilit studim, infrastruktura dhe tregu që duhet të ishte në funksion të tij. U harrua të thuhet teknologjia që do të duhej të përdorej dhe pas sa vitesh do të shiheshin frytet e investimit të bërë nga fermerë që i patën mbledhur me mundime këto lekë në emigracion. U harrua të thuhej se si qeveria do të ndiqte këtë plan dhe investim në të ardhmen, si dhe lehtësirat që do t'ju ofronte këtyre fermerëve punëtorë, që u besuan kursimet e tyre të jetës.

Pa dhënë asnjë të dhënë financiare për përfitimet e këtij investimi "mahnitës" deri më sot, qeveria u hodh në një prioritet tjetër dhe harroi pa e përfunduar të parin. Këtë herë flitej për diçka akoma më sublime: ullirin, pemën e përjetësisë. Përsëri prioriteti u vendos të quhej i tillë në një tavolinë në Kryeministri dhe u vendos një numër po aq sublim e i denjë për një bimë të tillë shekullore, plot 20 milionë rrënjë të reja të mbjella në mandatin e ardhshëm qeverisës.

Përsëri, dhe në këtë prioritet të ri nuk u fol për mundësitë reale dhe përfitimet ekonomike të investimit me fondet publike. Përsëri u harruan detaje të bezdisshme teknike se në tokë të kujt do të mbilleshin dhe a i dëshironte njeri ullinjtë në pronë të tij. Nuk u vunë re paqartësi të vogla, se ndoshta do të duheshin plot 100 vjet për të mbjellë këtë numër me ritmet që ai po mbillet këtë vit; ashtu si nuk u përmend që, për të arritur këtë numër, duhej të mbillej me një intensitet 13 herë më të lartë se vetë Italia, kampione e ullirit.

Nuk janë këto raste tipike, as të parat e as të fundit të shpërdorimit të parave publike, por ato janë nga domethënëset. Janë të tilla, sepse ato janë më të dhimbshmet për njerëzit që merren me bujqësi në fshat, ata që i vuajnë përditë pasojat e këtyre manovrave politike dhe elektorale të njerëzve me pushtet. Para të fituara me mund në emigracion, digjen në projekte të çastit qeverisës, për çastin elektoral.

4 Komente

rrush&  ullinj, rrush& kumlla uidh demek.

Une per vete mendoj qe ne pamundesi te ndertimit dhe investimit ne industrise e rende, qeveria ka zgjedhur menyren me te lehte per te investuar. Kjo lloj politike nuk me duket e keqe per vete arsyen se agri-kultura ne Shqiperi eshte ne nivelin zero. Fakte e prova mund te shihen kudo neper rruget e qyteteve shqiptare, duke filluar nga domatja qe vjen nga serat maqedonse, mishi maqedons, frutat greke dhe gjithashtu edhe rrenjet e fruti-kultures te ardhur nga Italia dhe Spanja. Mendoj se Shqiperia i ka kushtet atmosferike dhe gjeografike to shkelqeje ne kte aspekt.

Tani sic dihet ne historine e tranzicionit shqiptar, vend per korrupsion ka sa te duash. Cfare eshte shqetesuese ne kte mes, eshte shperndarja e drejte e ktyre fondeve, dhe gjithashtu mbikqyrja e projektit per te mos lene hapesire per abuzim.  Personalisht njof fermere te cilet kane perfituar nga ky lloj fondi, dhe sot ara apo kodra te cilat kane 18 vjet pa punuar, jane kthyer ne vreshta model per te gjithe.

Shpresoj qe autori te mos jete nje nga ata te sapo-diplomuarit qe po kerkojne diploma me karton me te mire. Nese po... edhe ate qe ju kane dhene shume e paskeni.

Fillo qe nga titulli: "Ekonomi dhe qeverisje" qe s'te jep informacion fare per cfare do jete konkretisht shkrimi. Tituj te tille jane me te pershtatshem per rubrika, jo shkrime te vecanta.

Perse duhet te mbjelle rrush e kumbulla qeveria?! Ende e dini qeverine si atehere kur kishte ne prones te gjitha tokat dhe i thonte fshatari cfare te mbillte e rriste? I zoti i tokes mbjell ca te doje, cfare t'i leverdise atij/asaj e jo cfare te thote qeveria. A do doja une te kishte me shume prodhime vendase? Absolutisht po! Po ca t'i bejme qe fshatari mendon qe i bie me mire te levizi ne Tirane e te zeje nje cope toke me force e pastaj te futet ne ndertim sesa te mbjell ne token e tij?

Në rastin konkret të frutave, para një viti qeveria shpalli me të madhe se po mbillte vreshta pafund, sa të kishte rrush për të gjithë sot e mot.

Ndersa me poshte thua:

U harrua të thuhet teknologjia që do të duhej të përdorej dhe pas sa vitesh do të shiheshin frytet e investimit të bërë nga fermerë që i patën mbledhur me mundime këto lekë në emigracion.

S'po e marr vesh, kete projektin po e ben qeveria - por me parate e fshatareve ne emigracion?!

Në rastin konkret të frutave, para një viti qeveria shpalli me të madhe se po mbillte vreshta pafund, sa të kishte rrush për të gjithë sot e mot.

Meqe s'e ke idene, te pakten pyt para se te shkruash xhevahire te tilla. Cfare u be rrushi qe te filloje prodhim (edhe te fuqishem, madje) per nje vit, fajde te Sudja?!

 

 Nisma eshte e mire, por pse kjo qeveri budalle, nuk i subvencionon fermeret/fshataret mbi bazen e pastrimit te CO2 qe behet nga pemet. Pra t'ua regjistroje pemet dhe t'u financoje/subvencionoje shtimin e pemtarise mbi bazen e tonazhit te CO2 qe keto peme thithin. Llogaritje qe behen nga ekspertet e Burses.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).