Princeshat moderne te Shqiperise

Një aspekt krejt i veçantë i viteve 1937-1938 është dalja në jetën publike e motrave të Mbretit. U aktivizuan sidomos tri motrat më të reja: Princeshat Muzejen, Ruhije dhe Mexhide. Të trija asnjë herë më parë nuk ishin parë në aktivitete zyrtare. Prej 1937-ës e në vazhdim Princeshat do të dalin jo thjesht si motra të Mbretit, si anëtare të familjes mbretërore. Ato do të dalin si personalitete të larta të regjimit dhe do të ngarkohen me misione. Mund të thuhet se angazhimi i tyre në aktivitet publik fillon me vizitën që ato bënë në mars 1937 në Shkodër pas daljes së ligjit mbi ndalimin e mbulimit të fytyrës me perçe nga gratë. Bie në sy veçanërisht pjesëmarrja e bujshme e Princeshave në paradën ushtarake që u zhvillua me rastin e 9-vjetorit të Mbretërisë më 1 shtator. Për herë të parë ato hynë midis trupave në krye të një kompanie prej 100 vajzash të “Batalionit të Rinisë femërore shqiptare” të veshura me uniforma ushtarake. Për herë të parë u botua në shtyp fotografia që bëri me atë rast Zogu me tri motrat: një pamje vërtet kurioze, princeshat oficere, me të gjitha paisjet, me kapë, me qillota, me çizme, me grada. Një foto tjetër është ajo e Mbretit me tri Princeshat me veshje verore.

Princeshat marrin nën patronazh aktivitete të ndryshme. Në korrik 1937 ato janë në krye të ceremonisë së dorëzimit të diplomave në Institutin e Vajzave “Nana Mbretneshë”. Në fund të gushtit Princesha Muzejen ka nën patronazh kampionatin kombëtar të notit që zhvillohet në Durrës. Më 19 shtator Princesha Maxhide vihet në krye të Entit Kombëtar të Turizmit në vend të Musa Jukës. Më 21 shtator Princeshat të shoqëruara nga M.Juka nisin një turne në Jug; kalojnë nga Kavaja, Peqini, Elbasani, ndalen në Pogradec dhe mbërrijnë në Korçë. Në fund të shtatorit vizitojnë Gjirokastrën, Përmetin, Libohovën. Më 1 nëntor njoftohej se “Princesha imperiale Senije kishte kryesuar kremtimin e inaugurimit solemn të godinës së re të Bankës Kombëtare Shqiptare”. Princesha Sanije quhej imperiale sepse ishte martuar me princin Abidin, djalin e Sulltan Abdyl Hamidit. Por, vëmendje të veçantë kanë tërhequr vizitat “zyrtare” të princeshave në Amerikë dhe Evropë, të dyja gjatë vitit 1938.

Vizita në Amerikë

Vizitën e parë e bënë në Amerikë. Tri motrat, Muzejen, Ruhije dhe Mexhide mbërrijnë në Nju Jork më 28 shkurt 1938 dhe qëndrojnë tri javë, deri më 23 mars 1938. Ato janë të shoqëruara nga “besniku” i Matit, Abdurrahman Krosi. I pret dhe i përcjell kudo, tri javë rresht, Faik Konica, si ministër i Shqipërisë në Uashington. Kishin dalë një numër i madh reporterësh e fotografësh. Me qenë se ishte vizitë “zyrtare” në port dolën edhe përfaqësues të Departamentit të Shtetit.

Gazeta “Dielli” i bëri një jehonë të gjerë qëndrimit të tyre me kronika të përditshme. Ato vizitojnë qendra të ndryshme, atë të vajzave “American Girl Scouts”, jetimore, spitale. Gazeta shton se “ato janë të interesuara për punë mirëbërësie si edhe në punë arësimore..., dhanë ndihma për vajza të vobegta, lanë të holla në një jetimore dhe në një shtëpi me fëmijë të vobegët”. Princeshat nga Shqipëria ndihmojnë të vobektit në Amerikë. (!)

Gjithnjë sipas “Diellit” për vizitën e Princeshave patën shkruar edhe gazetat e mëdha “New York Times” dhe “New York Heral Tribune”. E para shkruante më 5 mars: “Janë princesha me kulturë e të bukura, janë princesha me tërë kuptimin e fjalës, si gjithë princeshat e Evropës”. “Nuk tymosin duhan, por jan¸ moderne”. Po atë ditë njoftohej se Princeshat kishin qenë në Uashington dhe ishin ftuar “për çaj te Zonja e Presidentit Roosevelt”. Më 9 mars gazeta “New York Ëorld” njoftonte se ato u pritën “si mysafire të qytetit” nga kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, La Guardia. Por “Dielli” shprehte edhe indinjatën e F.Konicës dhe anëtarëve të tjerë të suitës për disa gazeta që përhapën lajme se “gjoja Princeshat kishin ardhur në Amerikë për t’u martuar”. Shkuan së pari në Massachusets, në Boston, qendër kryesore e emigrantëve shqiptarë. Këtu i shkuan në kishë Peshkop Nolit, i cili u foli “për pajtimin me rivalin e tij politik, Zogun”. Noli pati deklaruar që në dhjetor 1933 se tërhiqej nga politika.

Përshtypjet e Konicës

Paraqesin interes përshtypjet që shpreh vetë Konica në mbarim të vizitës. Së pari, për Princeshat. “Si njeriu që kam qenë më tepër me Princeshat tërë kohën që ndenjën këtu, mund të dëshmoj se kanë zemëra të pastëra, një dashuri të kthjelltë për Shqipërinë, një dëshirë të zjarrtë për të përmirësuar jetën e shqiptarëve, edhe një ndjenjë të lartë të detyrës si motra të Mbretit edhe si të bijat e një Oxhaku të vjetër”.

Shprehet edhe për Krosin, por krejt ndryshe nga karakteristikat e dëshmitarëve dhe autorëve të ndryshëm që e kanë quajtur “Rasputini i Shqipërisë”, “eminencë grise” e regjimit “Njolla e Zezë e Shqipërisë” (Albania’s Black Spot). Konica shkruan: “Nga një tjetër pikëpamje vizitën e Princeshave e bëri më të lehtë miku i vjetër, Z. deputet Abdurrahman Sali Mati, një besnik i Derës së Zogut, burrë i matur dhe me gjykim të rrallë, ... në personin e të cilit duket se janë pajisur disa cilësi të larta të shqiptarëve të vjetër”, ... “ka vënë disa herë veten në rrezik si për Mbretin edhe për Shqipërinë”... “Na pruri në mend, - e përfundon Konica,- ato që kemi kënduar mbi pleqtë e vjetër në kohën e Skënderbeut, kur Kanuni i Lekë Dukagjinit pleqësohej dhe thellohej prej ksosh burrash si Abdurrahman aga”.

Dyshime mbi udhëtimin

Pasi largohen nga Nju Jorku, më 23 mars, Princeshat shkojnë në Londër dhe pastaj në Paris ku kalojnë gati një muaj. Kthehen pas dy muajsh, më 22 prill 1938, dalin në Durrës ku priten me një ceremoni zyrtare sipas skenarit të zakonshëm, me pjesëmarrje të autoriteteve të larta dhe me parakalime të një reparti ushtarak. Ato vazhdojnë menjëherë për në Tiranë, ku i pret Mbreti. Mund të mendohej se kjo vizitë do të kalonte pa u vënë re në nivele diplomatike. Por në Romë dyshuan. Vizita në SHBA rastisi me përhapjen e zërave rreth projektit të pushtimit të Shqipërisë. Në Romë dyshuan se mos ky udhëtim i Princeshave fshihte ndonjë qëllim politik, mos ishte një tentativë e Zogut për të gjetur investime financiare përtej Oqeanit, të cilat do ta ndihmonin të çlirohej nga tutela italiane. Por shqetësimet e Romës nuk kishin asnjë bazë. Qëndrimi personal i Zogut ishte gjithnjë i favorshëm. Pikërisht ato ditë ai i propozonte Jakomonit për t’i ngritur përfaqësitë diplomatike në rangun e ambasadave, gjë që do të tregonte intimitetin e lidhjeve midis dy shteteve”.

Vizita e dytë... në Evropë

Ndryshe nga korespondencat e “Diellit” dhe komentet e F. Konicës, Zogu nuk është aspak i kënaqur nga vizita në Amerikë. Ai bëhet gati për një vizitë tjetër të Princeshave, kësaj radhe në Evropë, sepse atë të Amerikës e quan dështim. Ai thërret drejtorin e Gazetës “Drita”, Dr. Z. Xoxa, të cilin e ka caktuar si shoqërues të vizitës së dytë, që do t’i çojë Princeshat në Evropë, Paris, Bruksel, Kopenhagen dhe Stokholm.

Para së gjithash, Zogu flet për qëllimet që ka ai me udhëtimet e motrave. “Ai u jep një rëndësi të madhe politike udhëtimeve të familjes mbretërore në botën e jashtme”. Pse? “Shqipëria mjerisht, - thotë ai, - është pak e njohur jashtë, madje në shumë vende për të keq”. Ai mendon se mund të ndreqë imazhin e Shqipërisë dhe të regjimit duke dërguar motrat e tij. “Na përshkruajnë si njerëz të egër prapanikë, gratë mbahen të mbyllura pa asnjë të drejtë, një vend ku i huaji nuk guxon të shkelë “se rrezikon jetën”.

Kësaj radhe, ai nuk do të thërrasë nëpunës të shërbimit diplomatik, thërret “gazetarin e talentuar” si garanci për suksesin e “udhëtimit zyrtar të motrave të mia”, që këtu të mos ndodhë ajo që ndodhi në Amerikë.

Ato u nisën bashkë me “suitën” në javën e parë të nëntorit 1938. Shkuan në Romë, Paris e Bruksel. Z. Xoxa ka bërë një përshkrim mjaft të gjatë të qëndrimit në kryeqytetin francez, gjë që e ka lënë në heshtje në korrespondencat që botoheshin gati përditë në gazetën e tij. Në “Kujtimet” e tij të shkruara e të botuara shumë vite pas Luftës II, më 2007, ai është më i lirë, e thotë të vërtetën açik. Në një moment të bisedës në Paris ai shpreh njëfarë besimi te frengjishtja e Princeshave dhe thotë se me siguri e dinin gjuhën “se kishin qenë disa herë në Paris”. Përgjigja e tyre: “Po ç’kujton ti se kena shkue në Paris me mësue gjuhën? Na shkojmë për qejf”.

Dr. Zoi përshkruan shëtitjet për disa ditë në Paris. Vizita këtu është “incognito”, nuk është zyrtare, janë të lira të shkojnë ku të duan. Shkojnë në kabaretë e njohura të Parisit “Moulin Rouge”, “Follies Bergères”, “Montmartre”. Kjo bëhej ditë për ditë.

Nuk mund të kalohej nga Parisi dhe të mos bëhej një vizitë te shtëpia e modes “Chanel”. Për nder të Princeshave vetë drejtori organizon një sfilatë: parakalojnë 20-30 vajza me lloj-lloj fustanesh. “Princeshat zgjodhën të trija nga një fustan. Edhe këtu vinë ditë për ditë”.

Nuk mund të harrojnë “hobby” e tyre, ushtrimet me kalë. Shkojnë në “Manège”, fusha e famshme e ekuitacionit. Edhe këtu i pret drejtori, i çon në garderobë dhe Zoi çuditet kur i sheh të dalin “të veshura me kylota e kamxhik në dorë”. Thotë se i kishte parë edhe në Tiranë kur i stërviste gjeneral Aranitasi “si të bënin talim”.

Pas qëndrimit “incognito” në Paris, nga mesi i nëntorit fillon vizita “zyrtare” në Kopenhagë dhe në Stokholm. Kalojnë nga Brukseli dhe Dr. Zoi tregon se si i ka bindur Princeshat të shkojnë për një vizitë të shkurtër në Vaterloo, fusha e betejës së fundit të Napoleonit më 1815. Nuk ishte më shumë se një orë e gjysmë nga Brukseli, i ka bindur ato “duke sajuar një gënjeshtër, sikur një gazetar belg i paska thënë se kjo do të linte një përshtypje të mirë në opinion dhe në shtyp”.

Këtu Dr. Zoi harron se ç’ka shkruar në gazetën e tij. Ia vlen të jepet korespondenca e botuar në “Drita” më 10 janar 1939. Na jep një ide të modelit të nj¸ lloj gazetarie të atyre viteve. Ai shkruan se ishin “Princeshat ato që shfaqën dëshirën që të vizitonin sheshin e betejës së famshme, sepse ato e njohin thellë epopenë Napoleoniane”. Madje, ai i kërkon ndjesë lexuesit që nuk ka qenë në gjendje të përshkruajë rrugën nga Brukseli në Vaterloo; thjesht nuk e pa atë, “sepse, - shkruan ai, - Princeshat bisedonin mbi historinë e Napoleonit, duke e parë nga faza dhe pikëpamje të ndryshme, duke bërë vërejtje të përpikshme, gjë që tërhoqi gjithë vëmendjen time”. Pra, Dr. Zoi e mësonte historinë e Napoleonit nga Princeshat.

Edhe për vizitat në Kopenhagë dhe Stokholm kemi dy linja. Në “Kujtimet” tallet dhe përqesh. Në takime me gazetarë, në kufirin danez u thotë Princeshave të thonë ç’të duan, kurse përgjigjet i jep vetë. Kur shkojnë në Stokholm “I bindi Princeshat, siç bëri në Vaterloo, të vizitonin Upsalën, “qytetin e Universitetit të famshëm”. I ftuan në një pinakotekë. Por “ato ngisnin këmbët, pa u vënë veshin shpjegimeve të guidës”. “Mbase – shkruante Dr. Zoi, - ai i gjori kujtonte se ato “lartësi” do të qenë “të larta” edhe në kulturë e art”.

Në “Drita” krejt ndryshe: Princeshat vinin këtu “me qëllim studimi e vërejtje të viseve më të qytetëruara. Kishin dëgjuar shumë mbi Skandinavinë, mbi artin dhe veprat humanitare, por donin t’i shikonin me sytë e tyre”. Princeshat vinin edhe si “Komandante të batalionit të vajzave shqiptare”; madje princesha Maxhide ka krijuar skautizmin shqiptar”. Ato shkuan edhe në qarqet e Kopenhagenit, vizituan kështjellat e Kronburgut dhe të Frederikburgut”. Nuk duket që të kenë patur takime me autoritetet, por nga fundi i qëndrimit “Princeshat mbretnore denjuan të pranojnë ftesën për çaj të Çambelanit të Oborrit Mbretëror të Danimarkës”. Përpara largimit ato i dhanë edhe një intervistë shtypit të Kopenhagenit, që u vlerësua lart se “Mbreti Zog nuk mund të kishte zgjedhur lajmëtare më të mira për vendin e tij”.

Princeshat bënë një vizitë edhe në Stokholm. Ato shkuan në Bibliotekën e Universitetit “ku studjuan sidomos Kodeksin e argjentë, dorëshkrimin e famshëm të Biblës së Gotëve të vjetër”. Deri këtu janë lajmet mbi këtë udhëtim nëpër Evropë. Princeshat u kthyen vetëm në fund të vitit. Plot një muaj e gjysmë. Pas kthimit Dr. Z.Xoxa bën një bilanc të përgjithshëm të misionit në disa numra të gazetës së tij në janar-shkurt 1939 (“Drita”, 11, 12 janar 1939; 24, 25, 26, 28 shkurt 1939). Në një konferencë që mban në radio në fillim të janarit ai i bën vlerësimin më të lartë rolit të motrave të Mbretit. Ai shprehet me këto fjalë: “Janë me të vërtetë të palodhura, zhvillojnë një propagandë të paprerë duke përhapur kudo, brenda dhe jashtë, verbin mbretnor”. “Po e them me bindje të plotë, - përfundon ai, - se një vizitë e NNTT Princeshave në këto vise i vlen emrit të mirë të Shqipërisë më shumë se sa të ishin shkruar disa vëllime ose të ishin botuar disa broshura propagandistike”.

Arsyet e vizitave

Në mbyllje të përshkrimit të daljes së Princeshave në jetën publike, madje të misioneve zyrtare në botën e jashtme, përpos disa episodeve groteske, shtrohen disa pyetje serioze. Mbreti i shpjegoi arsyet pse dërgonte motrat jashtë, por a ishte vërtetë i bindur se ato kishin përgatitjen e duhur për ta përfaqësuar atë, për të ndryshuar imazhin e Shqipërisë nën regjimin e tij. Një pyetje del doemos lidhur me shpenzimet marramendëse. Kjo mund të shpjegohet vetëm me ndjenjën e madhështisë që ka pushtuar tanimë Zogun Mbret. Ai e vinte veten në rangun e gjithë monarkëve të tjerë dhe mbretëria e tij do të ndiqte po atë stil jete, me luks ekstravagant dhe ceremoni përrallore. Nga kjo pikëpamje një provë më shumë se këto vite të festave dhe të udhëtimeve shënojnë gradën më të lartë të shpërdorimit të mjeteve shtetërore; është pikërisht ajo që një autor e ka quajtur “vello e farsës së shëmtuar mbi një situatë në thelb tragjike”.

E fundit por jo më pak e rëndësishme është fakti se politika e jashtme është inekzistente. A mund të mendohej seriozisht se “misionet zyrtare” të motrave mund të kompensonin imobilizmin në frontin e veprimtarisë diplomatike. Zogu vetë nuk doli më jashtë vendit që prej atentatit të Vjenës të vitit 1931. Ishte një shenjë e rënies së sensit të tij politik, në qoftë se mendonte se udhëtimet e motrave, që e shfaqnin menjëherë mungesën e çdo vlere intelektuale, do ta bënin atë gjithnjë të pranishëm në arenën ndërkombëtare.

13 Komente

artikull sh. interesant!

ps. kto votat po behen si UFO per mua. votohet artikulli, jo motrat e Zogut. 

"....Shprehet edhe për Krosin, por krejt ndryshe nga karakteristikat e dëshmitarëve dhe autorëve të ndryshëm që e kanë quajtur “Rasputini i Shqipërisë”, “eminencë grise” e regjimit “Njolla e Zezë e Shqipërisë” (Albania’s Black Spot)...."

 

Ne mos gaboj, nje far Krosi, ka qene dhe keshilltar i E.Hoxhes. E kam ndigjuar pas 1990 nga nje shok. A mund ta vertetoje njeri. Flitet se ka qene tamam nje rasputin, nje dhelper, nje njeri negativ.

 

"....“Shqipëria mjerisht, - thotë ai, - është pak e njohur jashtë, madje në shumë vende për të keq”...."

E çuditeshme, edhe tani pas 70 vjetesh, Shqiperia vazhdon te njihet per keq. Fale politikanve tane dhe 2-3% te emigranteve tane. 

Besoj qe fjalen e ke per Haxhi Kroin. Nuk besoj te kete nje lidhje cfaredoqofte mes tij dhe lale Krosit, Pjer.

PS Po ashtu, nuk besoj qe E. Hoxha te kete pasur nje eminence grise.

Shtoj edhe dicka qe mu kujtu: ka qene nje pjese filmike, pa ze, bardh e zi, si pjese teatrale me shume, me nuanca baleti, e transmetuar nga TV-ja austriake, ku jepet atentati ndaj Zogut ne Viene. Zogun e luante cuditerisht nje aktore femer. Simpatike. Dhe e paraqitur ne menyre ekzotike, me favorite te gjata dhe spice duke pire duhan me nje pipe te shtrenjte.

E kam kapur krejt rastesisht kete pjese; TV e dha si intermezzo, ishte jashte programit normal ditor (ORF nuk ka pas qene 24 oresh atehere).

Te isha ne ambasaden shqiptare ne Viene, do e kerkoja ne ORF ate sekuence (rreth 10 minuteshe).

Pjer Thomas

I ke marrë informacionet gabim për Lal Krosin or tiiiiiii.

Lal Krosi ka qenë këshilltari personal i Mbretit Zog.

Ti marrësh të gjithë këshilltarët e Berishës, Ramës, Metës, Nanos, Millos, Majkos me soj e sorollop nuk i afrohen nga mëncuria Lal Krosit.

E di ti atë vjershën:

Lal Kros o lal Kros,

Vet shkrun e vet vulos...

"për punë mirëbërësie" = Bamirësi

Dicka është shumë interesante që:

këta Putollarët që kanë shkruajtur lëvdata për kriminelin Hoxha janë të detyruar të pranojnë se edhe në kohën e Monarkisë ka pasur zhillim e civilizim, ka ekzistuar një ligj që ndalonte femrat të mbulonin fytyrën, ka ekzistuar një ligj që ndalonte edhe keqtrajtimin e kafshëve, ka pasur një ligj që njihte ekzistencën e disa racave shqiptare të qenve (të njohura edhe ndërkombëtarisht), ka pasur edhe linja ajrore fluturimi brenda për brenda Shqipërisë,etj.

Si është e mundur që edhe pas 19 vjetësh "demokraci" nuk kemi të tilla ligje?!

... ka ekzistuar një ligj që ndalonte femrat të mbulonin fytyrën, ka ekzistuar një ligj që ndalonte edhe keqtrajtimin e kafshëve, ka pasur një ligj që njihte ekzistencën e disa racave shqiptare të qenve (të njohura edhe ndërkombëtarisht), ka pasur edhe linja ajrore fluturimi brenda për brenda Shqipërisë,etj.

Si është e mundur që edhe pas 19 vjetësh "demokraci" nuk kemi të tilla ligje?!...

Ligjet i kemi tjeter gje se nuk i zbatojme.

Personalisht jam kunder mbreterise gje qe  e shpreha edhe me vote ne 1997,por mendoj se 15 vjecari i mbreterise ne Shqiperi ka qene pozitiv dhe jo negativ sic u mundua ta bente per 50 vjet propoganda e Hoxhes.Mendoj qe Ahmet Zogu pavaresisht te metave qe ka,hyn ne panteonin e shtetit shqiptar me merite.

Ka pas ene ligje qe te detyronin te qisje leje apo license per te mbajtur dhe perdorur kazan rakije  smiley 

smiley

Kurse sot, cmontojne dhe arme e municione pa leje dhe pa dijenine e ...

smiley  

smiley

flm nexh, sa keq qe nuk jane fotot

ishin mahnitese

flm nexh, sa keq qe nuk jane fotot

ishin mahnitese

Image Hosted by ImageShack.us

zanf, te falenderoj per fotot, i pash me vonese

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).